More
    KreuLetërsiBibliotekëAlda Merini: Kjo zemra ime

    Alda Merini: Kjo zemra ime

    Cikël me poezi
    Përktheu Roland Gjoza

    DHE PASTAJ BËNI DASHURI

    Dhe pastaj bëni dashuri.
    Jo seks, vetëm dashuri.
    Me këtë dua të them puthje të ngadalta në gojë
    në qafë, në gjoks, në shpinë,
    kafshoni buzët, kryqëzoni duart.
    shihuni sy më sy.
    E kam fjalën për përqafime kaq intime
    sa të shndërroheni në një trup të vetëm,
    trupa që ngjishen dhe shpirtra që shtypen me ndjesi fërgëlluese,
    përkëdhelje me çjerrje e gërvishtje, rroba që flaken së bashku me frikën
    puthje si shenja ngazëllyese
    mbi mizerjen e jetës,
    që deri ato çaste ishin të gabuara.
    E kam fjalën për gishtërinjtë që shtypen në mish, duke krijuar yje,
    duke thithur aroma, zemra që rrahin në të njejtën kohë
    psherëtima që fluturojnë me të njëjtin ritëm,
    dhe buzëqeshjet,
    të sinqerta më në fund, pas një kohe kur s’ishin të sinqerta.
    Po, bëni dashuri dhe mos u turpëroni
    sepse dashuria është art dhe ju jeni kryevepra.


    ATA SI UNË

    Ata si unë japin ëndrra, edhe pse çmimi është shpërfillja
    Ata si unë dhurojnë shpirtin sepse shpirti fillikat është një pikë ujë në shkretëtirë
    Ata si unë të mbajnë dorën dhe të ndihmojnë të ngrihesh
    ndërkohë që vetë rrezikojnë të bien 
    Ata si unë shikojnë përpara
    edhe pse zemra ka mbetur disa hapa mbrapa
    Ata si unë kërkojnë rrugën për të mbijetuar dhe kur e gjejnë atë
    përpiqen t’ua mesojnë atyre që kanë rënë
    Ata si unë kur bien në dashuri duhen përgjithmonë
    edhe kur ndalojnë së dashuruari kjo ndodh sepse
    pjesë të vogla të qenies së tyre dergjen të pafuqishme në duart e jetës
    Ata si unë kanë një ëndërr
    t’ju duan ashtu siç jeni
    dhe jo pse dikush ju do ndryshe
    Ata si unë udhëtojnë nëpër botë në kërkim të atyre vlerave 
    Që në kohën tonë 
    kanë dhënë shpirt në udhën ku shkojnë shpirtrat
    Ata si unë e pelqejnë ndryshimin
    por në një mënyrë të tillë që të lindin përsëri
    Ata si unë ulërijnë në heshtje
    sepse zërin e tyre nuk duhet ta dëshmojnë lotët
    Ata si unë janë qenie delikate që mund t’u thyet zemra shpejt
    dhe mund t’ju lënë të largoheni pa kërkuar kurrfarë shpjegimi
    Ata si unë japin dashuri të madhe, por si përgjigje
    nuk marrin veçse thërrime 
    Ata si unë ushqehen me pak gjëra
    që për fat të keq arrijnë gjer te mbijetesa
    Ata si unë kalojnë pa bërë kurrfarë pershtypjeje
    por janë të vetmit që të duan vërtet
    Ata si unë janë qenie të tilla, që në vjeshtën e jetës suaj
    mund t’ju bëjnë të pendoheni për gjithçka që mund t’ju jepnin
    dhe ju nuk i deshët


    MANTELI

    Një mantel qëndroi kaq kohë në shtëpinë tonë
    ishte prej leshi të mirë
    fin, i krehur imët
    një mantel i veshur shumë herë
    për raste, një mijë herë i kthyer nga brenda
    nuk i ndahej fytyra e babait
    fytyra e tij e brengosur apo e gëzuar
    varur në një grep apo në një varëse në dollap
    mori duhmë prej ronitjes;
    përmes atij manteli të vjetër
    mësova sekretet e babait
    për ta ruajtur këtë jetë, në hije


    NATË, NË QOFTË SE TI NUK VJEN SHPEJT

    për E.C

    Natë, në qoftë se ti nuk vjen shpejt
    s’ke kohë për të mbuluar ëndrrën
    sytë e mi janë fanarë dhe ti
    fryma që i vesh me avull
    ti fle në zemrën e grave
    oh, i vogli asfodel!
    po aq shpejt sa gishtërinjtë
    kanë për të gërvishtur cipën e akullit
    ti do të kthehesh- me një buqetë me lule
    të më bësh të lumtur
    i etur filxhani yt prej fildishi
    të etur testikujt e tu prej epshit
    dhe gjishtërinjtë e mbushur me kumbulla
    lulëzojnë në parfume të pafundme


    KOHA E TANISHME

    Unë shpesh përsëris në heshtje
    se ju duhet të më kujtoni
    edhe pak ditë para se të shkoj përfundimisht.
    Ajo që është e shkuar
    nuk ekziston më.
    E shkuara është burg
    I kujtesës
    me merr gjithë energjinë e të tanishmes,
    e shkuara është tym
    i atyre që s’kanë jetuar.
    Ajo që kam parë tani
    shpejt nuk do të thotë më asgjë.
    E shkuara dhe e ardhmja
    nuk janë realitete, por vetëm iluzione kalimtare.
    Dua të jem e lirë nga koha
    të jetoj të tanishmen, sepse kohë tjetër s’ka
    veç ky çast mahnitës!


    MARTESË ROMANE

    Ja, kjo do të jetë shtëpia jonë e re,
    jam sot këtu për ta parë;
    po ti kush je, o sarhosh i seksit dhe i pijes?
    Ti kush je?
    ta di prirjen, që ti e fsheh
    dhe atë pamje të pamëshirshme.
     
    Shpirtin tim ngulmon të rrëmosh
    ( jo të më njohësh, as të më ndihmosh
    por që të nxjerrësh të fshehtat më intime
    dhe të kenaqësh instinktet primitive.
     
    Ti do që të më pushtosh trup e shpirt
    me mënyrat e tua të maskuara;
    të gjakosësh mishin tim me dhëmbë
    të sundosh mbi zjarrin e pasioneve të mia
    për të mbytur ndjenjën e vërtetë.
     
    Si një shkëmb që ndan lumin
    vërshimin e tij të pandalshëm
    në mënyrën më mizore, do të më flakësh mua
    në krahët e një delte, plot dhembje


    POETËT PUNOJNË NATËN

    Poetët punojnë natën
    kur koha nuk i nxit të shpejtojnë
    dhe zhurma e turmës ka vdekur
    dhe ora s’të linçon me tik- tak.
    Poetët punojnë në errësirë
    si skifterët apo bilbilat e natës
    që këndojnë me aq ëmbëlsi
    sikur kanë frikë mos lëndojnë perëndinë.
    Por poetët, në heshtjen e tyre
    bëjnë zhurmë më të madhe
    se një kupolë e artë me yje


    E ÇMENDUR, E ÇMENDUR, E ÇMENDUR
    NGA DASHURIA PËR TY

    Të pres dhe çdo ditë
    vdes pak e nga pak
    ta kam harruar fytyrën.
    Më pyesin nëse brenga ime
    është më e madhe se  mungesa jote;
    jo, është diçka më tepër;
    një shenjë e sigurtë e vdekjes
    nuk mund ta bëj dhuratë


    KAM GJETUR MREKULLITË TEK TI

    Kam gjetur mrekullitë tek ti
    mrekullitë e një dashurie krejt të re
    që më ra papritur si një predhë
    dhe ndieva kundërmimin e detit
    në një plazh të zakonshëm, te zbrazët,
    dhe humba në dashuri si në stuhi
    po zemrën e kisha fare të qetë
    e donte një iluzion, e shkreta


    KJO ZEMRA IME

    ***

    Nuk dua para
    dua vetëm ndjenja
    të mbushura me fjalë,
    fjalë të zgjedhura me mënçuri
    nga lule që iu thonë mendime
    nga trëndafila që iu thonë prani
    nga ëndrra që jetojnë në pemë
    nga këngë që i bëjnë statujat të vallëzojnë
    nga yje që iu mërmërisin dashnorëve në vesh
    dua poezinë
    magjinë që heq peshën e rëndë të fjalëve
    që trand me emocion dhe ngjyra dalldisëse

    ***

    Dashuri, mos më dëno për fatin tim
    mbaji hapur për mua të katër stinët
    lermë të bie
    e madhe dhe e ngrohtë
    të mos më zërë gjumi duke ngarë makinën
    jepu një fre të gjitha dëshirave
    të fle në jastëk të ëmbël
    ku zgjohen ambicie të vogla
    të dashurisë dhe te pasioneve universale
    merrmë gjithçka, por mos më plagos!

    ***

    Nuk mund të shkruaj në këtë çast, nuk mund
    të shkruaj për lulet, sepse
    e tëra jam kthyer në lule
    e tëra jam mbushur me limfë dhe kërcej

    ***

    Nuk mund t’i rezistosh dashurisë
    sepse duart duan të pushtojnë bukurinë
    jo të presin të hutuara vite të tërë në heshtje
    sepse dashuria është të jetosh dymijë ëndrra
    gjer te puthja sublime


    MË MIRË TË ISHA ZOG

    Për mua më mirë të isha zog
    me bark të bardhë e pupla të ngrohta
    por dikush do t’ma priste fytin
    nuk di përse, ndoshta pa shkak
    vetëm sa për të qeshur, ha, ha…
    Për mua më mirë të isha albatros
    të fluturoja mbi dete e oqeane
    por dikush do t’m’i priste krahët
    pa kërkuar falje, ashtu më kot
    po edhe e shtrirë përtokë, në agoni
    unë do të këndoja për ju
    këngët e mia të dashurisë


    FLUTURA TË LIRA

    Oh, gra të varfëra dhe të vetmuara
    të dhunuara nga ata
    që nuk ju njohën.
    Gra me duar
    në foshnjëri.
    Sekrete të ëmbla
    dashurish mbani mend
    me të cilat
    babëzia juaj natyrale
    nuk do të ngopej kurrë.
    Do të hani dhe pluhur
    do të përpiqeni të çmendeni
    por nuk do t’ia arrini,
    do ruani fillin e arsyes
    që do t’ju ndajë
    më dysh.
    Nga këto thellësi
    plagësh
    do të çliroheni
    flutura të lira.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË