Përktheu: Ledia Dushi
Alda Merini: Gjeni i dashurisë
Poezia, dashuria, çmenduria futen njëkohësisht në jetën e Alda Merinit, një stuhi që e fshin, në adoleshencë, deri kur ajo arrin të fitojë forcën për ta përballuar, me pushtetin e fjalës. Duke treguar për vitet e kaluara në çmendinë, ajo padit përvojën më të dhimbshme: urdhrin që i jep mjeku që të mos dashurohet. Një urdhër që do të ngatërronte paradoksalisht, aftësinë për të kuptuar dhe dalluar, vullnetin dhe forcën për të vepruar. Nëse elemente të tilla do të ishin të pranishme, nuk do të mund ta justifikonin një urdhër të tillë, një ndërhyrje kaq prepotente në intimitetin e një personi: “Jam mjaft e bindur për të kuptuar se ku fillon patologjia e ku zë fill poezia. Janë dy momente krejt të ndryshme. Aspekti melankonik leopardian nuk ishte një depresion i zakonshëm që kurohet me qetësues…”
Alda Merini nuk ndien asnjë lloj turpi nga sëmundja e saj, por përkundrazi ka një kthjelltësi që e mbizotëron, e çliron duke e mbartur përtej hapësirës dhe kohës, përtej çdo ferri e çdo parajse: “Dikush e ndaloi udhëtimin tim,/ pa i ardhur keq për tingullin./ Edhe pse e shtrirë përtokë / këndoj për ty / këngët e mia të dashurisë.”
Dashuria ashtu si poezia është diçka e patjetërsueshme, e pakorruptueshme dhe, aspak e dëmshme, është pikërisht kundërhelmi më i mundshëm i çmendurisë. Në vargjet e Merinit, Maria Corti zbulon një proces që shtrihet nga realja te vizionarja, një udhëtim drejt lartësisë, nga realiteti tragjik që ka të bëjë me sëmundjen, i cili e ka mposhtur, te realiteti i rifituar nëpërmjet kujtesës dhe i mundur nga triumfi i poezisë.
Ashtu siç nuk ka ndonjë afërsi të domosdoshme mes gjenisë dhe çrregullimit, aq më pak vlen krahasimi i artit me çmendurinë, dogma që e konsideron çmendurinë burim të frymëzimit poetik, që shikon te i çmenduri një qenie në njëfarë mënyre të privilegjuar, meqenëse është i aftë të shquajë dhe të ndiej të vërteta, që për pjesën tjetër janë të pamundura:
“Nuk është poezia ajo që të çmend, por rrethanat e jetës; jo çdo i çmendur është edhe poet”. Përkundrazi, çmenduria ia dobëson fluturimin poezisë, ashtu si shumë rrethana të tjera të jetës, si turbullimi i realitetit, heshtja e një lënde të ftohtë, shterpë. Është fati i çuditshëm që “përpjek krahët e ngrata dhe fishk dashurinë”. Çmenduria është mungesë, është humbje e ndjenjës, mungesë dashurie (“sepse mungesa e dashurisë / është vetë murtaja ime”).
I ashtuquajturi “përdëllim” i përket poezisë dhe jo çmendurisë: poezia “është zë, frymëzim i së vërtetës, një zë që dikush e ka përbrenda e që e nxit të shprehet nëpërmjet muzikës, nëpërmjet një trupi, që është melodia”. Poezia është “drita që ngadhënjen në mbrëmje”, janë lotët e qiellit që i japin ngjyra jetës, është vaji i lehtësuar, i shndërruar në dritë të plotë që u rikthehet syve, që të jetojnë prej yjeve. Në vargjet e Alda Merinit vihen re dy botë metaforike: ajo e tokës shterpë, të ashpër dhe tërë pluhur, plot me hije, e errët, dhe ajo e qiellit, e lehtë, e kthjellët, plot me drita dhe ngjyra. E para shpreh delirin e çmendurisë, që nuk zbulon por verbon, e dyta botën shelbuese të poezisë dhe atë të mbarsur me dashuri, të afta ta hapin mjegullën e mendjes.
E vetmja çmenduri pozitive është ajo e dashurisë, e që shprehet në lirikën që i jep edhe titullin kësaj përmbledhjeje. Dashuria, dëshira, janë elementet krijuese, forca e groposur ndaj fjalës që lartësohet, fara që plazmon lëndën e zbrazët, vetëtima që ndriçon zonat e errëta me vezullime të befta e fluturake si një fill zëri (“pasionet e ethshme ta plazmojnë sërish / lëndën tashmë të vdekur: brenda teje pres / e kthyer nga jehonat në pafundësi”) .
Në poezitë e Alda Merinit dashuria, më shumë se një temë dominuese është shpirti që përshkon vargjet, është mekanizmi që vë në lëvizje fjalët. Personat konkretë, dashuritë e humbura apo të tashmet, janë tejkaluar nga ato që Maria Corti i quan “fantazma poetikë”. Objekt i dashurisë është gjithçka që mund të nxisë tek ajo një “ngacmim përrallor të mendjes”, një “mrekulli abstrakte”, që tejkalon çdo përkufizim kohor e hapësinor.
Dashuria është dëshira e një tërësie mitike, nostalgji për të pafundmen, “pafundësinë që mund të quhet muzikë /o dashuri, o besim…” Është e ndrojtur dhe prepotente në të njëjtën kohë, e përhumbur dhe e tendosur, ashtu siç dashuria e adoleshencës ushqehet me veten, dashuri brenda dashurisë, dëshirë shkatërruese drejt diçkaje të papërcaktueshme. Nuk ka rëndësi kë dashuron, e rëndësishme është të dashurosh, sepse “kush dashuron, është gjeni i dashurisë”, i ka sytë të hapur ndaj bukurisë dhe ka dhuntinë e mrekullisë. Përtej dëshirës erotike, përtej dashurisë platonike apo mistike, dashuria jeton në një dimension zanafillor, ku e shenjta dhe profania zmadhohen reciprokisht, ku të dashuruarit “janë zotër të tokës / dhe aq pranë Zotit / si shenjtorë të përdëllyer”.
Poezia e Alda Merinit nuk hap botë, por i sugjeron ato, jep shpresë, sfidon veten dhe të tjerët, me enigmat e saj. Grumbullon fragmente, zbulon gjurmë hyjnish ikanake, hije të një bukurie që për një moment është shfaqur, jehona zhurmash dhe tinguj tashmë të zhdukur: “Zemra ime është pyll i shkretë, / i virgjër, dendur me hije dhe zhurma / të lehta, vegimesh fluturake, /ngarendjesh edhe më fluturake”.
Dhe, atyre që mendojnë se poezia e Merinit është e vështirë, e çuditshme, hermetike, mund të marrin si përgjigje vargjet e Eugjenio Montales: “Mos lyp prej nesh at’ fjalë që shpirtin tonë amorf / anë për anë ta skuadrojë, e me shkronja zjarri / ta shpallë e ta ndriçojë si një lulëkuqe ari / degdisur në mes të një livadhi zhar […] Mos prit prej nesh formulën që botë ty të shpalosin, / po veç ndonjë rrokje të shtrembët e dushk të thatë. / Vetëm këtë sot mund të themi, / se çka nuk jemi e se çka nuk duam.
Çka ndjej për ty
Çka ndjej për ty
asht e plotë si rinia
pa dridhje e puthje
a përgjërime t’përshpirtshme.
Ma i miri i librave
asht dashunia jonë
për letrën e bardhë
ku vështrimi
grish ndjenjën
dhe zenitin e hanës.
Mbramë ishte vakt dashunie
Mbramë ishte vakt dashunie,
vetëm ti dhe unë
ikë e arratisë
me një puthje dhe një gojë
si në një pikturë abstrakte:
ti dhe unë të dashunuar
të dy mrekullisht.
Unë të stolisa dhe e thashë;
por ky emocion imi
shkoi shuar nëpër fjalë.
Jam e çmendun, e çmendun
Jam e çmendun, e çmendun,
e çmendun dashnie për ty.
Ankoj nga dhembshunia
ngase jam e çmendun, e çmendun,
ngase humbë t’kam.
Sot mëngjesit ishte aq nxehtë
e ndjehesha krejt e çoroditun,
ligë prore prej vuajtjes
ligë mbas tandes humbje.
Jam dashunuar
Jam dashunuar
me krahët e mi prej engjëlli,
me vrimat e hundës që thithin natën,
jam dashunuar me veten
e me vuajtjet e mia.
Një lesë që gërmon n’brendësi t’sendeve,
apo ndoshta me t’u ba grua
humba tiparet e mia.
Je kaq i zhveshun, i dashtun,
lakuriq dhe i pambrojtun:
unë jam lira e njëmendtë
që të godet mu në gjoks
e të çarmatos.