Romani “E zeza dhe e kuqja” i Mehmet Krajës përfaqëson një nga kulmet e prozës bashkëkohore shqiptare, duke ofruar një reflektim estetik dhe filozofik mbi përvojën historike, kulturore dhe psikologjike të shqiptarëve gjatë një shekulli të trazuar. I ndërtuar si ndërthurje mjeshtërore mes letërsisë realiste, asaj psikologjike dhe përmasave filozofike, romani ngre një strukturë rrëfimore të shtresëzuar, ku koha, hapësira dhe ndërgjegjja njerëzore përzihen përmes gjuhës poetike dhe përsiatjesh të thella ekzistenciale.
Në morinë e romaneve që lexojmë gjatë jetës, shumicën i harrojmë sapo i përfundojmë. Disa të tjerë mbeten në kujtesë si shkrepje të shkurtra që s’prekin dot brenda nesh. Por ka edhe romane (shumë më të rrallë) që nuk i përfundojmë kurrë vërtet. Jo pse nuk u shkojmë deri në fund, përkundrazi, shpesh u rikthehemi, por sepse ata mbeten brenda nesh, duke trazuar heshtur kujtesën tonë estetike. Romani “E zeza dhe e kuqja” i Mehmet Krajës është një prej tyre.
Ai përfaqëson një nga kulmet e prozës bashkëkohore shqiptare, duke ofruar një reflektim estetik dhe filozofik mbi përvojën historike, kulturore dhe psikologjike të shqiptarëve gjatë një shekulli të trazuar. I ndërtuar si ndërthurje mjeshtërore mes letërsisë realiste, asaj psikologjike dhe përmasave filozofike, romani ngre një strukturë rrëfimore të shtresëzuar, ku koha, hapësira dhe ndërgjegjja njerëzore përzihen përmes gjuhës poetike dhe përsiatjesh të thella ekzistenciale.
Pas leximit të kësaj vepre voluminoze, jo vetëm për nga faqet, por sidomos për nga dendësia intelektuale dhe emocionale, krijohet bindja se Kraja nuk ka shkruar një roman në kuptimin konvencional të fjalës. Ai ka ndërtuar një univers të tërë përjetimesh kolektive dhe individuale që shtrihet mbi tri breza në hark njëqindvjeçar. Me strukturë polifonike dhe shkrirje të vetëdijshme të zhanreve, autori arrin të bashkojë rrëfimin intim me historinë kolektive, refleksionin ekzistencial me përmasat mitopoetike të vetëdijes kombëtare.
Ajo që bie në sy gjatë leximit të romanit “E zeza dhe e kuqja” është fakti se autori nuk trembet të kapet fort pas kohës, kujtesës dhe gjakut. Jo për t’i kënduar himne patetike të kaluarës, por për t’i trazuar plagët ende të pambyllura në ndërgjegjen tonë kolektive. Që në fillim duhet theksuar se ndonëse romani përshkohet nga shenja të qarta historike, ai nuk është një roman historik në kuptimin klasik të zhanrit. Më shumë sesa të rindërtojë të shkuarën, ai synon ta shpërbëjë iluzionin e së tashmes. Përtej këtij kuptimi romani duhet të lexohet si një “konstruktion” që ngjiz historinë me ekzistencën e ku e kaluara nuk shërben për të sqaruar të tashmen, por për ta thelluar dhe bërë atë më të errët dhe më enigmatike. Në vizionin krijues të Krajës, historia nuk është narrativë sqaruese, por prani destabilizuese: ajo shfaqet për të dëshmuar se subjekti shqiptar, qoftë ai krajan, shkodran apo universal, është përballur vazhdimisht me zhvendosje të dhunshme të qenies, me pushtime, diktatura dhe pastaj me zbrazëtinë morale që mbetet pas rënies së ideologjive. Te e “E zeza dhe e kuqja” historia nuk është bosht rrëfimor, por trup i heshtur që ndjek lëvizjet e shpirtit; sfond që qëndron pezull mbi fatin e personazheve, i padukshëm por gjithmonë i pranishëm, me një gravitet të brendshëm që nuk ka nevojë për zë, sepse vepron përmes heshtjes.
Një nga elementët më të spikatur të romanit është intertekstualiteti ironik me pikënisje titullin e tij. Sapo e lexon sintagmën e titullit, lexuesi, sidomos ai i pasionuar, përjeton një lloj asocimi të përmbysur me titullin e romanit të njohur të Stendalit “E kuqja dhe e zeza”, por gjatë leximit harrohet krejt ky asocim dhe titulli lexohet e kuptohet si sugjerim i autorit për një rivlerësim kritik të kodit simbolik të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar. Në vend të ngjyrës së kuqe që është e pranuar si simbol i heroizmit dhe virtytit, në plan të parë del e zeza, metaforë e tragjedisë, dështimit dhe errësirës historike. Ky akt ta quajmë parodik nënvizon distancën e autorit nga narrativa heroizuese tradicionale dhe përpiqet të riartikulojë historinë përmes një optike ironike, shpesh groteske. Sintagma “E zeza dhe e kuqja” në të vërtetë është një figurë binare që përfaqëson gjithçka që mbart përplasje: jeta dhe vdekja, flamuri dhe gjaku, dashuria për atdheun dhe dhembja që ai të shkakton, shpresa dhe zhgënjimi. Ngjyrat janë gjithashtu edhe forma të të menduarit politik dhe moral: e zeza është kufiri, hija, vdekja; ndërsa e kuqja është flamuri i munguar, zemra që s’pushon së dashuri. Këto dy ngjyra nuk bashkohen kurrë në ndonjë ngjyrë të tretë, mbeten të ndara si vetë Shqipëria. (Shqipëria e jashtme dhe Shqipëria e brendshme, kështu i quan Kraja Shqipëritë e tij).
Por, përtej këtij kuptimi, e zeza e titullit nuk është thjesht vdekja dhe e kuqja nuk është vetëm gjaku. Ato janë dy ngjyrat e një flamuri që nuk mbulon dot gjithë trupin e kombit. Kraja e shtrin metaforën përtej estetikës, duke na orientuar drejt një universi ku tragjedia e tejkalon dhe e shterron mundësinë e ëndrrës.
Thelbi i subjektit të romanit është kufiri, i cili nuk është thjesht vijë ndarëse territoriale, por simbol i thellë i ndarjes dhe sakrificës për një ideologji, një komb dhe një atdhe që do të rrënohen pas çdo brezi. Kufiri i Mehmet Krajës ndërtohet artistikisht si simbol i ndarjes historike të shqiptarëve, ai realisht është një kufi i brendshëm, i lidhur me përvojat dhe vuajtjet e tre gjeneratave të familjes Bogdani: gjyshi, babai dhe i biri, të cilët e paguan me jetën e tyre ndarjen e Shqipërisë dhe pasojat e politikave të jashtme dhe të brendshme që shkatërruan bashkimin kombëtar. Është një kufi që mbetet i ngulitur jo vetëm në hartë, por edhe në kujtesën kolektive të njerëzve që vuajnë dhe sakrifikohen për të ruajtur dinjitetin kombëtar. Në këtë kuadër, tragjedia e tre breza Bogdanësh është përmbledhja e shumë dhembjeve dhe sakrificave të kombit shqiptar për bashkimin e tij, i cili megjithatë nuk mundi të realizohej. Përgjigja e këtyre sakrificave është tragjikisht ironike: vrasja e nipit nga një oficer i mbetur i regjimit të Enver Hoxhës në vitin 2012 është një akt i dhimbshëm që përforcon idenë e kufirit të brendshëm dhe që fshin çdo mundësi për një të ardhme të përbashkët. Në të vërtetë, trinia e personazheve: gjyshi Halili, i biri Saliu dhe nipi është një strukturë ciklike që gërryen idenë e vazhdimësisë: breza që vdesin në të njëjtin vend, për të njëjtën ëndërr, në të njëjtin absurditet historik. Gjaku i tyre mbetet dëshmi, por nuk ndryshon dot asgjë. Kjo përsëritje tragjike nuk është vetëm narrativë, por filozofi: shqiptarët e trashëgojnë humbjen si mision kombëtar.
Struktura e romanit ndjek modelin e sagës, por me një rikodifikim të funksionit të saj narrativ. Përmes rrëfimit të jetëve të tre brezave që përmendëm më sipër, autori ndërton një kronikë të ndërprerë të traumës kombëtare, ku fati i individit është i lidhur pazgjidhshmërisht me ndërhyrjen brutale të historisë. Saga e familjes Bogdani zë vendin qendror në këtë strukturë narrative. E përbërë prej burrash që humbin, grash që heshtin dhe hijesh që enden nga një brez te tjetri, ajo përfaqëson një shembull të asaj që mund të quhet “epope e dështimit të ndritshëm”. Kraja nuk e përshkruan artistikisht këtë familje për ta mitizuar atë, por për ta zhveshur nga çdo iluzion. Aty ku të tjerë do të thurnin lavde të kota, ai ndërton figura të thyera që reflektojnë brishtësi ekzistenciale, mungesë shprese e paqe të paqëndrueshme me të keqen që ua ka përpirë të gjitha horizontet. Ndryshe nga sagat tradicionale ku ndëshkimi është shpesh rezultat i fajit moral apo hyjnor, tek Kraja individët janë viktima të pafajshme të rrethanave të imponuara politike. Kjo e zhvendos romanin nga paradigma klasike drejt një forme të sagës postmoderne (bëhet fjalë për zhvendosje të thelbit nga tragjedia klasike në një tragjedi historike), ku determinimi i fatit nuk vjen më nga rendi metafizik, por nga dhuna e historisë dhe absurdi i realitetit shoqëror e ku shkaqet nuk janë më mitike apo hyjnore, por shoqërore e historike dhe ku përgjigjet janë gjithnjë të pjesshme, të mjegullta ose edhe të pamundura.
Saga e tre brezave nuk është saga e një familjeje, por një formë e shkrirë e historisë personale me atë kolektive e ku brezat nuk janë bartës të mëkateve personale si në sagat klasike, por viktima të një fati historik të jashtëm, të imponuar nga politika, dhuna dhe ndarja territoriale. Kjo e fundit, ndarja territoriale dhemb aq sa bashkimi apo ribashkimi mbetet synim e ëndërr e përhershme aq sa merr përmasa mitike. E për rrëfimtarin shndërrohet në një ëndërr të aspiruar: Shkodra!
Te “E zeza dhe e kuqja” Shkodra nuk është thjesht një qytet, por një figurë totemike, një qenie që merr frymë nëpër faqet e romanit e që i vështron në heshtje personazhet që zvarriten mes të kaluarës dhe një të tashmeje të brishtë. Shkodra është më shumë se një hapësirë: është ndërgjegje e fshehur, kujtim i përbashkët dhe dhembje që nuk ka emër të përveçëm. Simbolikisht është ëndërr e mëmëdhe imagjinar. Shkodra e Mehmet Krajës paraqitet si një qytet i vendosur në kufijtë e historisë dhe mitit, një hapësirë-magnet që tërheq shpresat dhe rrënon pritjet. E tillë siç e përshkruan Kraja, Shkodra është mit i pamundësisë dhe metaforë e asaj që ëndërrohet por nuk jetohet, prandaj nuk është e rastësishme që të tri gjeneratat e familjes Bogdani (sikurse gjithë krajanët) përfundojnë duke e kërkuar këtë qytet. Figura e Shkodrës në roman nuk shërben thjesht si një sfond gjeohistorik apo si kronotop i zhvillimeve, por shfaqet si organizëm i gjallë e entitet që ngërthen në vetvete kujtesën kolektive me dhembjen e patreguar, duke u përvijuar njëherazi si një kronotop metafizik ku përthithet e mishërohet tragjedia e shqiptarit të shekullit XX.
“Qyteti i heshtun që fle mbi varre,” e quan autori, duke e vendosur atë në një pozicion të ngjashëm me konceptin e Milan Kunderës për Evropën Qendrore: si një hapësirë që mbron kujtesën përmes heshtjes.
“E zeza dhe e kuqja” është gjithashtu një udhëtim i thellë psikologjik dhe filozofik. I rrëfimtarit, i personazheve, i kohës dhe botës që krijon artistikisht autori në “ndeshje” me referencat historike. Dimensioni psikologjik dhe filozofik i romanit është i dukshëm e imponues veçmas në përsiatjet e dendura introspektive, të cilat jo rrallë shndërrohen në refleksione ekzistenciale për natyrën e kohës, ndërgjegjes, egzistencës, ëndrrës, vetëdijes, identitetit dhe shpirtit njerëzor. Kraja përdor një ligjërim thellësisht meditues, i cili përfaqëson një nevojë të vazhdueshme për të kuptuar botën dhe qenien nëpërmjet rrëfimit si dhe për të eksploruar njeriun në thellësitë e tij më të errëta dhe më të larta. Ky komponent e lidh romanin me traditën e romanit modernist dhe me prirjet më të rafinuara të letërsisë filozofike bashkëkohore.
Duke qenë i konceptuar dhe ndërtuar si një roman polifonik te “E zeza dhe e kuqja” rrëfimi përmban siç thamë elementë të sagës epike, romanit psikologjik, përsiatjes filozofike, por edhe të utopisë dhe antiutopisë, të cilat nuk qëndrojnë si shtesa artificiale, por funksionojnë si mënyra të ndryshme të kuptimit të përvojës historike dhe shpirtërore shqiptare. Në këtë kontekst, përmasat utopike dhe antiutopike që ndërthuren në strukturën e romanit nuk janë të ngjizura në kuptimin klasik të këtyre kategorive letrare. Utopia që paraqet Kraja është një konstruksion psiko-sugjestionues, një projekt ëndërrimtar vetjak dhe kolektiv i ndërgjegjes shqiptare, i ndërtuar mbi mungesën, dëshirën dhe zhgënjimin. Ajo materializohet në vegimet idilike, të ngjashme me motivet e krijimtarisë gojore, ku Shkodra, si topos mitik, paraqitet si qendër shpirtërore e një identiteti të humbur. Në të kundërt, antiutopia përfaqësohet nga përfytyrimi i errët i botës së përtejme, e ndërtuar si metaforë e tejzgjatur e ndëshkimit moral dhe e zbulimit të së vërtetës së fshehur, si metaforë për shterpësinë morale të shoqërisë, për mungesën e drejtësisë dhe për dëshpërimin që nuk përfundon as me vdekjen.
Utopia dhe antiutopia në romanin e Krajës nuk janë projekte ideologjike siç ndodh zakonisht në letërsinë klasike distopike, por janë përjetime psiko-emocionale, shpesh të fragmentuara dhe të pasigurta.
Në këtë mënyrë, Kraja e zhvendos diskursin distopik nga realiteti tokësor në një hapësirë të tejkohshme dhe të tejasgjësuar, duke theksuar përmasat metafizike të dhembjes dhe zhgënjimit. Ky kthim tek metafora e rëndë e vdekjes dhe e harresës nuk është shenjë e një resignimi letrar, por një akt i thellë kritik ndaj historisë së pasublimuar të një shoqërie që nuk arrin të përballet me të shkuarën e saj.
Mehmet Kraja e ndërton rrëfimin e romanit mbi një strukturë të veçantë narrative, ku koha shpërbëhet dhe ribëhet dhe ku e tashmja endet gjithnjë në hijet e së shkuarës. Narracioni karakterizohet nga një liri e theksuar lëvizjeje nëpër vetëdijen e personazheve, duke integruar retrospektivën si mjet strukturor dhe duke e ngjizur rrëfimin me reflektime filozofike mbi vdekjen, shpirtin, mallin dhe fatin tragjik të shqiptarit. Prandaj rrëfimtari nuk është thjesht zë që përcjell ngjarjet, por kronikan i një apokalipsi të ngadaltë, i cili vërtet ndodh pa bujë, por rrënon gjithçka.
Romani është strukturuar në nëntë kapituj, të baraslarguar në përmasa dhe përmbajtje, ndarje kjo që funksionon si mjet për të theksuar ritmin e ngjarjeve tragjike që përsëriten nga brezi në brez, pa ndonjë mundësi shpëtimi. Digresionet e shumta nuk janë shmangie, por ura që lidhin artistikisht të kaluarën me të tashmen për të dëshmuar se përpjekjet, luftërat dhe sakrificat e së djeshmes nuk janë kapituj të mbyllur, por tema të hapura që vijojnë të ndikojnë jetët e brezave pasues.
Struktura e romanit ndjek një vetëdije të thelluar narrative. Kraja zgjedh të rrëfejë përmes të vdekurve, zgjedhje artistikisht e guximshme kjo, që e zhvendos romanin nga një narrativë historike në një poetikë të kujtesës së përtejme. Narratori është një shpirt i vrarë në kufi, që sheh dhe kupton më shumë se të gjallët. Ky rrëfim “nga atëbotë” siç e quan autori, krijon një sfond të ngjeshur metafizik, ku vdekja nuk është fund, por vazhdim i pazëshëm i dramës kombëtare. Kjo perspektivë e përmbysur ose jo (lexuesi ka lirinë ta interpretojë) jep narracion me një zë të rrallë: të qetë dhe të qartë, por thellësisht të trishtuar dhe të përmbajtur.
Ajo që e veçon Krajën në këtë roman është gjuha: e kthjellët, e përpunuar dhe latuar deri në përsosmërinë e filigranit e gjithmonë me një nëntekst të thellë filozofik. Autori nuk e përdor gjuhën për të moralizuar, por vetëm për të nxitur reflektim; as për të ndërtuar heronj klasikë, por vetëm figura që rrëzohen e ngrihen brenda rrëfimit të tyre, shpesh të mbytur nga vetë zëri i ndërgjegjes.
E romanin nuk e bën të veçantë vetëm lënda e tij tematike, por mënyra sesi ajo shndërrohet në gjuhë që s’është më thjesht narracion, por psalmodi. Kraja shkruan me një ngadalësi solemne, me fjali që rrjedhin të plota, të dendura, nganëherë të ngadalta por mandej shpërthyese. Ai nuk rrëfen vetëm ngjarje, por e ngarkon çdo episod me frymë përtejkohore, që mund të lexohet njëherazi si histori familjare, si elegji për një qytet e akoma më tepër si kronikë për një popull.
Çelësi i kësaj strukture të përsosur rrëfimore është forma e lidhjes zinxhirore të paragrafëve të gjatë, të cilët kanë një efekt të jashtëzakonshëm në ndërtimin e atmosferës. Ato nuk janë rrëfime të thjeshta, por janë si rrjedha të pafundme që përhapin energji të brendshme që ndjehet organikisht. Në këtë kontekst, romani ofron vizion të thellë mbi përjetimet dhe qënien njerëzore, duke kaluar nga nivelet më të thella të shpirtit te ndjenjat dhe ëndrrat që mbeten të pakapshme dhe të heshtura.
Gjuha në këtë roman kërkon të kapë ato ndjenja të paartikuluara, ato gjendje që rrëshqasin nga fjalët dhe që ndoshta mund të arrihen vetëm përmes një lloj shpërthimi estetik.
Në roman, shumë skena (si ajo e vajtimit të nënës, që shndërrohet në një këngë kozmike) krijojnë një kronotop metafizik: vendi dhe koha nuk janë më vetëm reale, por hapësira të zbrazëta ku njeriu përballet me vetminë, mungesën e dashurisë dhe misterin e jetës e të vdekjes. Përtej përpjekjes për të artikuluar përvoja e ndjenja që zhvillohen në thellësinë e njeriut, krejt në heshtje dhe që mund të shprehen vetëm përmes një gjuhe që depërton përtej të mundshmes në nivele shumë më të thella, autori arrin ta barazvlerësojë gjuhën me letërsinë. Kaptina e veçantë ku përshkruhet vajtimi i nënës është shembull i jashtëzakonshëm i kësaj gjuhe, e cila përpiqet të kapë momentet e humbjes dhe nostalgjisë që nuk mund të artikulohen lehtë. Sepse, ky vajtim ngjethës nuk është thjesht shprehje e dhembjes për një të dashur të humbur, por para së gjithash përpjekje për të kapur diçka të thellë dhe të paarritshme që është më shumë se fjalë e ndjesi.
Autori e ndërton narracionin duke ndjekur një stil poetik, i cili dominohet nga rrëfimi i rrjedhshëm që ngjason si litani kujtimesh dhe ndërgjegjeje. Sintaksa është e dendur, metaforike dhe plot ngarkesa të gravitetit ekzistencial. Fjalitë nuk funksionojnë vetëm si njësi komunikimi, por vetë narracioni merr trajtën e një rituali diskursiv, që synon të çlirojë zërat e ngujuar në shtresimet historike të ndërgjegjes kolektive. Përmes këtij lloji të shkrimit, Kraja ndërton një dimension të dytë të realitetit narrativ, ku shqetësimi filozofik dhe përjetimi emocional ndërthuren në mënyrë të pazgjidhshme. Çdo njësi diskursive në roman shndërrohet në një reflektim mbi ekzistencën, mbi atë që është e humbur, e jetuar dhe potencialisht e mundshme. Në këtë kuadër, “E zeza dhe e kuqja” mund të konceptohet si një tekst letrar që, nëpërmjet estetikës së vet të brendshme dhe tensionit filozofik që e përshkon, artikulon një dimension qenësor të përvojës njerëzore dhe të subjektivitetit shqiptar, duke krijuar hapësirë diskursive ku këto përmasa jo vetëm që bashkëjetojnë, por gjejnë shprehje të thellë dhe autentike.
“E zeza dhe e kuqja” kërkon lexim të vëmendshëm, të ngadaltë dhe të përqendruar, me ndalesa reflektuese dhe ritme të thella meditimi. Ai nuk mund të përthithet me një lexim të sipërfaqshëm; përkundrazi, kërkon një përfshirje të plotë, si në nivelin intelektual ashtu edhe në atë emocional. Romani nuk e mbyll historinë e Bogdanëve e as të Shkodrës apo të shqiptarëve në përgjithësi, por përkundrazi, e rihap atë në një mënyrë që vetëm letërsia e mirëfilltë arrin ta bëjë: përmes një rrëfimi që nuk ngurron të përballet me dhembjen, me humbjen dhe me të vërtetën estetike të artit.