Në shqip, Jon Fosse ka ardhur nëpërmjet një drame, “Nëna dhe fëmijë” e vënë në skenë në vitin 2017. Në rol kryesor, atë të nënës, ishte Ema Andrea e cila dha për “ExLibris” këtë përshtypje sot, pas gjashtë vitesh, kur autori mori Nobel:
Shfaqjen “Nëna dhe fëmija” e kam prodhuar vetë. E them këtë pasi puna për të sjellë një dramë bashkëkohore e një shkrimtar dramaturg si Fosse është e madhe. Ka qenë një shfaqje e drejtuar nga Dino Mustafiq regjizor (Sarajevë), Zeljka Udovoçiç (Kroaci), Iliri Bajri (Kosovë), Berina Kokona (Shqipëri), Matia Llupa aktor nga Shqipëria, Klod Dedja skenografi. Shfaqja ka patur premierën në një hapësire krejt alternative e është nderuar me çmime ndërkombëtare. Eksplorimi i këtij autori duket jo i lehtë në lexim të parë. Këto janë momentet kur unë kam kuptuar se si të ftojnë në rrugetimin rreth vetes autoret e mëdhenj. E ngadalë zbulon përmes të pavetëdijshmen që autori e sjell përmes pauzave e dialogut tejet të kursyer (në më shumë se gjysmën e veprës, djali vetëm pohon ose mohon) e një strukture dramturgjike krejt sfiduese për aktorin . Kjo “sfidë” kthehet në një udhëtim krejt të qartë pasi ke hyrë në kontakt me heshtjet bërtitese të midis nënës dhe fëmijës (djalit) të cilët pas shumë vitesh larg njëri-tjetrit nuk e gjejnë dot rrugën e komunikimit mes tyre, e madje kjo largësi ka ngritur një barrikadë të cilën ndjesitë nuk mund ta kalojnë.
“Nëna dhe fëmija” është një takim i dëshpëruar mes dy qenieve që përpëliten më kot të paqtohen, mes dyshimit, fajësimit, mungesës e mallit. Zgjedhjet e forta të një gruaje, nëne për të gjetur lumturinë e saj, në një shoqëri e cila nuk ja lehtëson një nëne ekzigjencën për me vazhdu rrugën drejt ëndrrave të saj, janë pesha sociale që mbart ky personazh, së bashku me dhimbjen e ndarjes thuajse të përgjithmontë nga djali i saj.
Në foto: Ema Andrea, në dramën “Nëna dhe Fëmija” të Jon Fosse