Fjalë e mbajtur në emër të Kryesisë
së Akademisë së Shkencave
Kam kënaqësinë që të përshëndes këtë aktivitet në nderim të z. Namik Dokle, shkrimtarit dhe kolegut tim të Komisionit të Përhershëm të Arteve në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ky përvjetor i rëndësishëm i jetës së tij e gjen atë me një botim të ri: “Atje ku dielli lind dy herë, Saga e Gorës”. Nuk besoj se ka kremtim më të bukur ditëlindjeje se sa kjo: libër për krahinën dhe njerëzit e tij të origjinës, roman i kërkesave të larta ndaj vetes si artist dhe njeri publik, bilanc jete, dijesh e përjetimesh të gjithanshme.
Disa fjalë për Trilogjinë e Gorës, nëse mund ti drejtohemi shkurt. Trilogjia ka ruajtur në tërësinë e saj karakteristikat e një sage, në kuptimin etimologjik të llojit letrar: karakterin historik e legjendar, rrëfimin për fatin dhe ndodhitë e një njeriu, të një familjeje apo të një fisi a grupi etnik gjatë disa brezave. Duke e nën titulluar ‘Saga e Gorës’ autori i përmbahet premtimit të llojit, rrëfen në mënyrë epike, ka bazë historike të qartë, të mirë përcaktuar duke gërshetuar elementët realistë me elementë legjendarë.
“Atje ku dielli lind dy herë” është afresk i bukur e i pasur që përjetëson artistikisht jetën e Gorës, për një periudhë kohore që shkon edhe përtej fëmijërisë së autorit, pasi kujtesa e tij njerëzore është vazhdim i kujtesës së të parëve të tij të cilën mrekullisht e ka trashëguar nga vatra familjare, nëpërmjet historive të dëgjuara, nëpërmjet fjalorit dhe frazeologjive tipike të zonës, nëpërmjet traditave e njohjeje më sistemore intelektuale.
Kujtesa e fëmijës-rrëfimtar, mendësia, vetëdija dhe fizionomia e të cilit strukturon dhe materializon artistikisht librin e parë, “Vajzat e mjegullës” bëhet ndërgjegje e ndërlidhëse mes atyre që e jetuan realisht Gorën në të shkuarën e saj dhe mes atyre që do të ngushëllohen duke e përfytyruar, duke jetuar emocionalisht në habitatin e pasur të rrëfimeve të Namik Dokles. E thënë ndryshe, më tepër se një shekull jetë e një treve me fat të trazuar, diktuar edhe nga luftërat ndërkombëtare, ndarë mes shtetesh të ndryshme, me fizionomi të dalluar kulturore e historike është tashmë monument letrar, me ngjyra e pamje të gjallë nga pena e shkrimtarit.
Nga lartësia tragjike e këtij episodi, ndonëse është në fillim të sagës goriane, autori nuk zbret më, e ruan nivelin emocional nëpërmjet fakteve konkrete, nëpërmjet forcës së detajeve në episode gjithfarësh.
“Vajzat e mjegullës” çelet me episodin e vrasjes së arushës, ekspozimin e saj në popull dhe përfundon me pushkatimin e Mësuesit, i mbiquajtur “Djali i Shkodrës”, zhdukjen e eshtrave të tij si për të përsëritur dhunimin pas vdekjes së Poetit të Madh, me ndërtimin e muranës, çdo ditë e nga një gur, sjellë fshehur prej çdo kujt, në nderim të tij, dhe me vdekjen e nënës treqind vjeçare, Majkës, si bashkim vullnetar i saj me Mësuesin, me qiellin, me yjet.
Mes këtyre dy momenteve skajore që shënojnë territoret e veprës teksti pasurohet me digresione të ndryshme, me fragmente ditari, me shënime, e mbi të gjitha me rrëfenja që zhyten sa në histori, rasti i Sinan pashës, deri në botën përrallore, herë me idile dashurore, herë me histori individësh të zakonshëm, që tek i mbrojnë doket, normat, kanunet e zonës, përgjaken, këputen, asgjësohen po aq shpesh sa dhe prej varfërisë. Një institucion i ri ligjor e shpirtëror hyn në jetën e banorë të zonës, si kudo në Shqipëri: Organizata, nënkupto: organizata e partisë; me të lidhen shpresat, ndëshkimet, projektimet shpirtërore; ORGANIZA ka hijen e rëndë të reje të zezë por shpesh herë, rrëfimet për të lehtësohen duke me penelata humori e grotesku, sipas rastit.
Libri i dytë i trilogjisë, “Ditët e lakuriqëve të natës” e ruan frymën dhe natyrën e librit të parë, por i redukton restrospektivat në histori e në përralla, në ngjarje të jashtëzakonshme. Libri nis me “makina e internimit qëndroi poshtë dritares”, dhe përfundon me shpërndarjen e fletëve të raportit shkencor të profesor Rekës, mbi dheun e freskët të varrit të një të riu që ka vdekur së fundi, edhe ai nga mungesa shkatërrimtare e dashurisë, për shkak të saj. Subjekti është më i konverguar rreth një problemi të vetëm, qendror: sëmundja në masë, epidemia: metaforë e fuqishme e një bote pa rini, pa dashuri, pa bukurinë, pa vitalitetin dhe fuqinë përtëritëse të jetës që mbart vetvetiu mosha rinore, një botë pa gjysmën e saj më e lidhur prej natyre me delikatesën dhe hijeshinë: vajzat kanë ikur aksioniste. Ky paradoks social i diktuar nga politika shtetërore sjell pasoja: merr formën e një aventure groteske për profesorin e ngarkuar ta gjejë me kërkime laboratorike, me ekzaminime në terren, me mjete shkencore origjinën e problemit, çrregullimin pandemik të zonës. Lirizmi, tragjizmi por dhe absurdi komik i japin fizionomi origjinale këtij libri, kësaj pjese të trilogjisë.
Pjesa e tretë, “Gora pa zogj” që përmbyll sagën romanore është rrëfim për bashkëkohësinë, për një realitet social-politik që nuk po përmbyllet ende: tranzicioni pas viteve nëntëdhjetë. Nëse në librin e parë kujtesa e narratorit fëmijë dhe kujtesa kolektive të çonin në ngjarje, në tipa e karaktere të mbas Luftës së Dytë Botërore deri në periudhën otomane, nëse në librin e dytë kemi një gjetje të jashtëzakonshme për dashurinë dhe femëroren rinore, në këtë libër kemi mozaikun e tranziconit ku lulëzojnë gjithfarë vesesh e shfaqen plagë të reja sociale, përkeqësime të psikologjisë njerëzore por dhe të vijmësisë së jetës në trevat e të parëve, në Gorë. Afresku është i pasur, rrëfimi degëzohet e pasurohet me episode anësorë që i japin veprës edhe karakter etik, edhe karakter nostalgjik, edhe përmasë poetike-zakonore, dimension i përhershëm te ky autor.
Autori luan me sukses simbolikën, kryesisht me simbolikën stigmatizuese-qesharake. Në librin e parë e parë simbol i pushtetit, krahas Organizatës është veprimtari më i shquar i saj, i quajtur Stalin, nga bashkëfshatarët; në librin e dytë, që mbulon periudhën pasuese në historinë e Gorës e të Shqipërisë, simbol pushteti është po ai, por kësaj here i mbiquajtur Skilja e kuqe. Në librin e tretë, në mungesë të një simboli përbashkues, hero qendror, në kuptimin negativ të fjalës është i quajturi Çopur Çabraku. Pagëzimi i këtij personazhi me emër jo aq të përdorshëm, të kujton emrat e disa personazheve në prozat satirike të Dritëro Agollit. Me sa duket Dokle e ka një simpati të shtrirë deri në ndikim nga miku dhe kolegu i tij letrar. Por, historia romanore nuk mbizotërohet nga e keqja, nuk modelohet nga prurjet e Çopurit; ajo pasurohet me dhjetëra episode e personazhe që e ruajnë dinjitetin, e mbartin me krenari fatin e tyre e i japin veprës, krahas pasurisë jetësore edhe thellësi morale, vlera të rralla humaniste dhe ngjyra autentike etno-zakonore.
Në mirëseardhjen e librit të ri të Namik Dokles: “Atje ku dielli lind dy herë”, ky ishte një parashtrim mbresash i joni nga pozita të lexuesit që nuk dëshiron të përzihet me termat teorikë të një fushe tjetër arti, siç është letërsia fiksionale. Referuar kolegëve të mi, studiues të letërsisë, mund të themi pa hezitim se ndihet fort dora mjeshtërore në kompozimin e kësaj vepre të pasur nga ana përmbajtësore por dhe e kristalizuar qartë nga ana konceptore: harmonia mes pjesëve, në plotësim a në kontrast me njëra-tjetrën, ritmi, kadencat, kreshendot, kontrapunkti e të tjera elementë gati universalë që njohin kompozimet artistikë dëshmohen ndjeshëm në këtë vepër. Dhe për këto arsye, krahas vlerave njohëse, besojmë se trilogjia “Atje ku dielli lind dy herë-Saga e Gorës”, krahas lexuesve të zakonshëm, do të vazhdojë të tërheqë edhe më tej vëmendjen e studiuesve, kureshtinë profesionale të historianëve letrarë dhe të kritikës sonë në përgjithësi.
Edhe 100 i dashur Namik!


