More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ajo ... e Bermudës", tregim nga Faruk Myrtaj

    “Ajo … e Bermudës”, tregim nga Faruk Myrtaj

    Deri atë mbrëmje, Ajo ishte thjesht njera nga Ne.

    Shumë-shumë mezi mund të vërehej nja dy-tri gishtërinj më e gjatë, ose kështu e rrëfenin këmbët, nëse jo thjesht ajo pjesë e gjunjëve që zbulohej prej dallgëve të fustanit veshur asaj mbrëmjeje po aq të pafajshme pranverore.

    Tërë kjo mbresë mbeti prej asaj çfarë ndodhi teksa ajo, Frida, u pa për herë të fundit përmes “Bermudës” së qytezës sonë të vogël.

    Shpresoj të mos e teproj, teksa ofroj një skicë të lehtë të qytezës. Jo thjesht si vendngjarje (kanë qenë e mbeten gati të pa-rëndësishme në të shkruarat e mia veshjet apo mjediset ku lëvizin njerëzit si personazhe), por ngaqë veçanërisht aty, në arenë të tillë, ka më shumë të ngjarë të ndodhin pikërisht këto gjëra.

    Qyteza ndodhet midis tri kodrash. Në njërën prej tyre ngrihet spitali dhe materniteti, në tjetrën kisha dhe xhamia, teksa në të tretën janë vendosur burgu dhe varrezat. Tërë banorëve, për të ngjitur njërën nga të tri kodrat dhe për të arritur në shtëpitë e tyre, u duhet të zbresin e të kalojnë në shëtitoren e vetme, që e mbanë frymën në qendër të qytezës. Është e pamundur të nisesh për diku, të arrish dhe të kthehesh, pa kaluar në sheshin aty, i vetmi në qendër.

    Të gjitha dritaret e ndërtesave dhe zyrave përqark këtij sheshi, duket se rrinë e përgjojnë vendin ku takohen të tri rrugët që ngjiten e zbresin nga tri kodrat, me rrugën e madhe, të vetmen që vjen prej jashtë qytetit dhe mbyllet aty, në qendër. Mbase në të gjitha orët e ditës, në mos edhe të natës, shkallët e jashtme të atyre pak pallateve, dyqaneve, njësive tregtare, këpucarisë, berberhanes, orëndreqësit, bulmetores, bankës së kursimeve, magazinës ushqimore, postë-telegraf-telefonit, dentistit, zyrës së të plote-fuqishmit dhe banjave publike që zbresin për tek përroi që, më tej, ulë kryet sikur fshihet e rrjedh nën qytet, janë plot me njerëz. Ulen diku aty dhe rrinë e vështrojnë gjithçka që lëviz nëpër qytezë dhe pashmangshëm vjen e shfaqet për pak pikërisht aty. 

    Të sapo-fejuarit, ata që martohen a ndahen, ata që janë thirrur të paraqiten te zyra e të plotë-fuqishmit e radhës, që ndryhen pastaj në qelitë, ata që barten për në spital pastaj për në varreza, të gjithëve pra, edhe turma që drejtohet të dielave për te fusha e futbollit ku luan skuadra amatore që dikur do të dalë më në fund nga kategoria e tretë, u duhet të shfaqen në këtë shesh. Për të shkuar në minierë apo bujqësi apo pyllëzim dhe për tu kthyer, duhet të kalosh aty, gjer edhe autobusi i vetëm, që vjen një herë në javë nga qyteti i madh i afërm, aty ndalet. Qarkohet menjëherë nga të atyshmit, njëlloj si xha Petri që hedh vështrimin mbi të gjithë si gjysmë shenjt kur del nga ndërtesa e postës dhe fillon të shpërndajë letrat, telegramet dhe gazetat. Pasi presin e përcjellin autobusin, me ndonjë gazetë ‘Sporti Popullor’ apo ‘Puna’ në dorë, po aq të ngeshëm ulen përsëri tek shkallët e Mapos, të koçekëve apo pezulet e dritareve të njësive të shërbimit. Vazhdojnë sehirin e përditshmërisë së vet.

    Për ne, femrat e kësaj qyteze, shëtitorja dhe vetë sheshi s’është veçse pasqyra ku vështrojmë veten me syrin e të tjerëve. Natyrisht s’e kemi lehtë përmes kësaj ngushtice, këtij kryqëzimi, kryqëzate a vend-kurthi që na sjellë ndërmend Bermudën e mistereve.

    Pikërisht në këtë qerthull u shfaq për herë të fundit Frida…

    Ajo doli në rrugën pranë shtëpisë së saj pak pasi kishte rënë muzgu.

    Ishte ajo që dinim, po ai trup që kishim parë Ne, shoqet e saj, e veshur me një fustan pranveror të lehtë, të cilin nuk se e shihnim për herë të parë. Ndërkohë, nuk e dinim, por sapo doli në rrugë e morëm vesh, të gjitha, se asaj mbrëmjeje Frida e kishte shkurtuar vetëm dy gishtërinj. Mbase këto, dy-tri gishtat më pak të fustanit, ia shfaqën dy-tri gishtërinj më të gjata këmbët, gjë që bëri që Ajo të kundrohej dhe të mbetej në përfytyrim më e gjatë se Ne të Tjerat.

    Dukej aq e qetë në veprimin e saj. Shkurtimi i fustanit posaçërisht për atë mbrëmje dhe dalja në rrugë, vuri në dukje edhe një të veçantë tjetër të saj, gjunjët e rrumbullakët. Gjunjë si të të tjerave ishin, ashtu si mermeri që thuhej se da Vinçi e kishte përdorur edhe për Jezusin edhe për Pilatin, të dyja kryevepra.

    Njëlloj si në librat e shenjtë, s’dihej se do ishte ‘Nata e Fundit’. S’dihej ç’do  ndodhte. As ajo s’e dinte. I vetmi shkak që e ndjemë menjëherë të gjitha, që ajo doli nga shtëpia e saj, pra e vetmja e veçantë e asaj mbrëmje ishte se, secila prej nesh, për ditë të tëra rresht, qe përgjëruar dhe provoi t’ia mbushte mendjen vetes për të bërë të njëjtin veprim si të sajin: përse jo dy-tri gisht më të shkurtër këto mbrëmje vere?

    Çdonjëra prej nesh, në këtë qytezë, e dëshironte këtë. Veç ajo guxoi.

    Mbase pafuqia e jonë, kujdesi për të mos rrezikuar më shumë, bindja e shfaqur si urtësi e mirësjellje, e shtyu Fridën drejt atij veprimi të guximshëm që sigurisht do tingëllonte sfidë krenare apo gjest kryeneç.

    (Në të vërtetë, shkurtimi me dy-tri gishtërinj i fustanit, po të krahasohet me minifundet e sotme, me fundet deri në ije të çarë, deri në zbulimin e kërthizës, për të mos shkuar te pothuaj-nudot, apo fake-veshjet, ishte një ndryshim i vogël, aq i papërfillshëm sa tani, vite më vonë nga ajo mbrëmje, tingëllon për të qeshur. Por atëherë, në kohën e Saj…, ishte tjetër.)

    Edhe unë, si gjithë femrat e qytezës, shoqe të shkollës apo fqinja të tyre, e vura re menjëherë bukurimin e pamjes së Fridës. Një përskuqje e prilltë i kishte rënë në fytyrë, nur që zbriste si hije lëkundësi në rrëpirat të-poshtë qafës, përshkëndiste në në rrëpirën e gjoksit, më poshtë në ijet, po pra te gjunjët e shfaqur posaçërisht kësaj mbrëmje dhe në pulpat e kolme pa tepri.

    Mbase kjo bëri që tërë ne femrat e qytezës sikur para-ndjemë, diçka edhe mund të ndodhte asaj mbrëmjeje. Dhe, ku tjetër veçse në sheshin qendror? Tërë të papriturat e qyteteve të vogla dhe qytezave, po aq vështirë parashikohen- si ato në qytetet e mëdha, tajfune që nisin prej shtresave të atje-tejme ngrohura ndryshëm, nëse jo hurrikane prej tërmeteve në shtratin e oqeaneve.

    Mbase të gjitha ne e merrnim me mend, por Frida ishte e vetme asaj mbrëmje…

    Ajo doli në rrugicën që niste prej portës së oborrit të shtëpisë së vetë dhe zbriti, natyrisht  për nga qendra. Të gjithë i druhen Trekëndëshit të Bermudës, kështu thuhet, e dinë ku gjendet edhe në hartë por, kur duket se u vjen ora, barkat e anijet e avionët nisen pothuaj symbyllur për atje!

    Si të ma pëshpëriste engjëlli im, unë i shkova pas Fridës, me të njëjtin hap, me të njëjtën qetësi e mënyrë të mbajtjes ulur të kokës, pa shprehur asgjë të veçantë. Vërtetë s’kisha të bëja fare me të. Pata veshur rrobat e përditshme, për të cilat s’kishin vërejtje prindërit, as drejtoria e shkollës dhe, ta merr mendja, s’mbaja asnjë përgjegjësi për ç’kishte ndryshuar në veshjen e asaj tjetrës, Fridës pra.

    Të gjitha Ne, kishte kohë, mezi i bënim ballë joshjes dhe- siç më pas u tha, nuk ishte Frida që harxhonte më shumë kohë përpara pasqyrës. Deri bukur kohë më pas, nuk u pranua hapur se, të gjitha Ne, e prisnim një veprim të fundit, shkurtimin edhe-sado-pak të fustaneve apo fundeve tonë. Në mos atë mbrëmje, kjo do ndodhte, një ditë a një javë a një muaj më pas, por s’mund të mos ndodhte. Në mos Frida, një tjetër prej nesh, vajzave të tjera të qytetit, dikush do dilte nga oborri me fundin shkurtuar.

    Krejt befasisht, vumë re se ishte Ajo. Sot është naivitet të pyesësh se si Lajmi i Daljes së Saj me fund të shkurtuar dy-a-tri gishta u shpërnda aq rrufeshëm, pa ndodhur…

    Frida s’e pa të udhës të ushtronte vëmendje të vërente ç’njerëz ndodheshin në rrugicë atë orë mugu. Edhe unë, që ecja pas saj, sikur isha shndërruar në njeri të padukshëm. Gjendesha aty thjesht për arsyen e përmendur më sipër: secila prej nesh do dëshironte të ishte në vendin e Saj. nuk dukesha për arsyen tjetër: guximi për të dalë ishte i Saj!

    Syri u mësua në mugëtirë dhe ma qartësoi imazhin e trupit që sfidonte atë mbrëmje. Pas pak fitova qetësinë e mjaftueshme për të vënë re se ç’kishte ndryshuar realisht në veshjen e saj. Mbase më erdhën në ndihmë edhe duart e saj që, herë pas here shkonin atje poshtë tek këmbët, ku ishin zbuluar paksa gjunjët. A thua ende donte të bindte veten se vërtet e kishte shkurtuar rrobën e veshur? Vuante ende mëdyshjen e kësaj shëtitje vetmitare deri në qendër? Bluante akoma dilemën e kthimit menjëherë në shtëpi, të kthehej qysh në rrugicën më të parë?

    Në mënyrën se si hidhte hapin, megjithatë, ndjehej vendosmëria. Deri në lëvizjet më të vogla. Me gëzim trishtak, u sigurova se Frida s’kishte ndërmend të kthehej, ndonëse kurrë s’e kisha menduar të keqen që mund t’i ndodhte. Në fund të fundit, ajo ishte dy-tri gishtërinj më e gjatë se secila prej nesh. Shkurtimi i fundit, që solli këtë diferencë, vetëm dy tri gishtrinj gjithë-gjithë, vetëm se i qartësonte këto raporte për të na qetësuar.

    Ndryshimi në veshjen e Saj u vu re nga më i pari që rastisi të gjendej në rrugicën pranë shtëpisë së saj. Mbase përmes tij, me shpejtësi të papërfytyrueshme, e morën vesh gjithë ata që u gjendën jashtë atë orë.

    Unë që vija re gjithçka të saj, pashë se u bë më e shkathët, më e gjallë, kur vuri re tërheqjen e vëmendjes tek tërë të tjerët. A thua se mezi kishte pritur vënien në funksion të këtyre enëve komunikuese. Gjithnjë e më e vendosur vazhdoi të ecte përgjatë rrugicës, që sigurisht do ta nxirrte në rrugën kryesore. Gjithçka frymore ishte kthyer me vështrim nga ajo. Tërë ai ngulim njerëzor i asaj mbrëmje më shtyu të besoj se qyteti ishte populluar jo me njerëz por me lule dielli. Të gjithë rrotulloheshim me vështrimin për nga Ajo. As që bëhej fjalë se ishte punë rrezatimesh, energjie dhe drite.

    S’di pse, ndjeja dëshirën e papërballueshme, të pa-evitueshme, për tu gjendur atje ku do duhej të isha doemos dëshmitare. Atje ku ishte, por edhe ku pas pak do ishte Ajo.

    Nxitoja, dredhoja rrugicave, kapërceja muret, për ta kundruar nga pika të ndryshme. Herë përpara, herë diku pas saj. S’guxoja t’i isha shumë afër, por s’mund të mos e dëshmoj ndrojtjen si frikë për keqkuptim të mundshëm: Nuk isha unë që e pëshpërita apo që e bëra lajm, shkurtimin me dy-tri gishtërinj tek gjunjët e saj.

    Kush e di me ç’lloj krahësh, fërfërima e fustanit të saj fluturoi e mbërriti tek ata ulur te shkallët, minuta më përpara se Ajo të arrinte vet në Shesh.

    Më besoni për këtë. Dëshmoj se as atëherë as sot nuk më thirri kush për të dëshmuar. Kërkoj të rrëfehem vet. Për veten. Për shpirtin tim. Por, mos prisni të dëshmoj atë që s’ka ndodhur: ne, të gjithë, nxitonim të gjendeshim atje, në qerthullin e Bermudës.

    Njerëzia, ndenjur shkallëve apo parvazeve të lokaleve a njësive të shërbimit, e tëra priste që diçka të shfaqej aty, në syrin e Bermudës. Askush nuk shihte për nga unë, edhe pse u shfaqa aty, fill pas Fridës. Natyrisht me dy tri gishtat të pa-shkurtuar.

    Midis atyre që u gjendën në Shesh pashë edhe Petrin, postierin e urtë, më të pafjalin e qytetit. Edhe ato minuta, me fytyrën e mbyllur, pa shprehje. Mbase ndër të vetmit që nuk vështronte për nga Frida. Besova se prandaj dukej se si njeri i mirë kishte vite të tëra që sikur s’prekej nga gëzimet e as nga hidhërimet e telegrameve që shpërndante. Tek shkallët e berberhanes u pa edhe e para femër berbere, Olja. Ngaqë e kishte provuar edhe vet peshën e këtyre vështrimeve, u detyrua të dilte vetëm e vetëm se klientët e berberhanes, edhe ata me mjekrën ende me shkumë, apo gjysmë të rruar, lanë karriget dhe dolën tek shkallët. Tek stoli përbri Arkës së Kursimeve ku qytetarët paguanin faturat për llambën e vetme të ndriçimit, rrinte Aladini, korrieri i Pushtetit Popullor. Ai vet rrëfente histori lufte, por para disa vitesh, thuhej se iu desh të shkonte te pallati ku banonte, trokiti tek dera e vet si në shtëpinë e një të panjohuri, dorëzoi fletë-arrestin për të biri, dhe u kthye te kolibja e zyrës, i gatshëm për të shpërndarë zarfe të tjerë pushtetëror.

    Frida, pa asnjë ngut, sikur zhvendosej për kudo ku e prisnin.

    Unë vazhdoja ta ndiqja. Në sigurinë e hapit të saj mu duk se shprehej kënaqësia, jo droja, që rruga kalonte pikërisht atje, në qendër. Kur po i afrohej frymëmarrjeve të rënduara që pa asnjë shkak e prisnin në Shesh, preku edhe një herë fundin e fustanit, si për tu bindur edhe një herë se ia vlente ta çonte shëtitjen e nisur deri në fund.

    Vetësiguria e plotë e gjestit të Saj përcillej vetëtimthi tërë rrugicave e rrugëve, në ankthin e vështrimeve të vajzave, grave dhe shoqeve tona të shkollës që ndiqnin lëvizjen e saj pas perdeve të dritareve. Frida, por edhe unë që zhvendosesha pas saj, e ndjenim përgjimin e të Tjerave, njëllojtë si ai fëmija që provon të ngrihet më këmbë me sigurinë e dorës së nënës që do t’i gjendet nëse do rrëzohej. S’kishte si shpjegohej ndryshe që, përpara se të qëndronte më së fundmi në qendër, u kujdes të shkelte çdonjërën prej rrugëve të qytezës. Për ta mbërritur këtë moment do t’i duhej të kalonte  disa herë në qendër, për t’i ngjitur e pastaj për t’i zbritur, të tria rrugët që çonin në të Tri Kodrat reliev të qytezës, si në një fushë të elektrizuar, pa shfaqur ngarkesë të vetën.

    Isha e sigurt, si tërë gratë e gocat e qytetit, Ajo nuk e kishte prerë fundin e fustanit. Vetëm e kishte kthyer, e kishte bërë palë, pastaj hekurosur për të mos rënë në sy. Sido të shkonte puna, përderisa në këtë qytezë do vazhdonte jeta, kishte mundësi ta zgjaste përsëri. Kështu guxonim të tëra ne, femrat e asaj-kohe. Përgjysmë. Në mëdyshje, në betejë me veten dhe të tjerët. Nuk është kollaj të fitosh luftëra me beteja të pafundme. Kështu kishim provuar dhe kishim humbur kështu.

    Përveç Asaj…

    E la sërish qendrën e qytetit, teksa në ajër ndjehej një si kundërmim qerpikësh dhe vetullash të djegura për shkak vështrimesh që bënin sehir verbërinë. Frida bëri për nga rruga që çonte në spital, vetëm një rrugë më shumë e ndante fitoren nga humbja, pasi kishte ngjitur rrugën që çonte në burg dhe në varreza, pastaj edhe atë që shpinte për tek kisha dhe xhamia, i zbriti të dyja dhe, pikërisht teksa ngjitej kodrës së tretë, turbulluar si unë dhe femrat e tjera të qytetit, u kujtua se pranë spitalit ndodhej materniteti. Vetëm që të mos e shinin në atë afërsi, u kthye në të kundërt, me vërtik. Edhe shkelja më rastësore në atë rrugë do ta bënte me faj pafalshëm atë fustan të shkurtuar aq kursyeshëm mbi gju.

    “Veç tani mos u kthe, Fridë!”, doja t’i bërtisja. “Të kthehesh tani është të dorëzohesh si e penduara e kësaj mbrëmjeje!”

    Si të ma kishte dëgjuar atë që nuk e artikulova, ose sikur të kisha emetuar në ajrin e asaj mbrëmje ndjesinë e rrëzimit në mëdyshjen e saj, vazhdoi të ecte, për tu shfaqur sërish në qendër.

    “Bermudës sigurisht nuk do t’i iki!”

    Mbase nuk mund t’i shmangej, edhe sikur të donte tashmë. Për Bermudën kishte dalë asaj mbrëmjeje. Dhe unë, për atë e ndiqja pas, dhe tërë të tjerat, që tashmë i kishin hequr fare perdet e dritareve o kishin dalë në ballkonet të dukeshin që po ia kurajonin hapin bukuruar aq këndshëm prej lojës së kupave të gjunjëve.

     Edhe nëse dukej ca si e mpirë, s’ishte e lodhur. E nxitoi edhe pak hapin, që dëgjohej më larg, ku isha unë. Përplasej në muret dhe në kthim sikur gjëmonte. Më duhej t’i mbyllja veshët, pastaj një si mpirje apo përgjumje më këshillonte t’i mbyllja sytë. Apo  ishte rrekja për të shpëtuar veten nëse aty do rrezikohej diçka? Do më duhej të provoja ndjesinë se, po të isha në vendin e Saj, do duhej të rrëzohesha, pa frymë?

    “Ti duhet të vazhdosh, duhet të mbahesh…E ke detyrim, edhe prej nesh!”

    Edhe pse isha e bindur se s’më dëgjonte. Flisja me veten, apo për veten, kështu?

    Ajo çau vërtik përmes sheshit, si të donte të shkulte aty tërë shigjetat e vështrimeve të ngulura tek pjesa e gjunjëve që tepronin prej fustanit të saj. bënte gjithçka të shfaqej e sigurtë, se nuk do ta lëshonte veten, ose kështu më besohej mua, që e kisha ndjekur prej kur doli nga shtëpia, në frikë se dikur mund t’i shteronin fuqitë, apo edhe vetëm shtysa për të vazhduar. Kur arritëm në mes të Sheshit besoja se e vetmja gjë që e mbante në lëvizje ishte se po i afrohej fundit.

    Tek Bermudet s’bëhej dot ndryshe. Frida kishte arritur deri aty…

    Pak çaste më vonë, kur ndjeva një lloj hakërrimi të maskuar nën kureshtjen e pa cipë të syve që përshkëndisnin prej shkallareve dhe parvazeve, në pamundësi të eklipsoheshin nga përgjërimi femëror që përhënëzohej prej perdeve të dritareve, ngaqë prej tërë gocave unë isha më afër Fridës, ndjeva detyrimin t’i përcillja mirënjohjen se, qoftë edhe vetëm për deri aty, kishte bërë shumë.

    “Edhe mund të kthehesh…Nuk është e thënë t’i bësh ti të gjitha…”

    Ishim në Sheshin e Madh të qendrës së qytezës, nuk guxoja t’i flisja në prani të veshëve dhe syve të atyre që vazhdonin ta përgjonin dhe t’i lagështonin me vështrime hapat e saj, gjunjët e skuqura sikur t’i ishte dashur të ecte me to, gjunjazi.

    S’mund të ishin të tilla miljet e fundit të lundrimit të saj, në dallgët e marrëzisë së pa shkak dhe të pa adresuar që ngrihej si dallgë në humbellën e Bermudës sonë. Frida ishte vetëm pak hapa më tej, shumë kollaj për t‘i folur, për ta prekur, nëse jo më për ta kurajuar, për ta ndërmendur se tashmë s’kishte më çfarë tjetër të kryente.

    Por mund të ndodhte diçka dhe, mbase për këtë version, do mund ta siguroja se ishte e ndihmueshme. Nuk arrita, s’guxova.

    Qoftë edhe përmes gulçeve, që po ma merrnin frymën, duhej t’i kisha thënë diçka. Por nuk dija çfarë. Asaj, vetes, apo të Tjerave përqark?! Si mund t’ia klithja fjalë të tilla si “Mjaft, mjaft, de! Nuk i sheh, ata…? S’e ndjen frymëmarrjen gëlltitëse të Bermudës?”

    U hëngra me veten, gjer në çastin e fundit, por ngaqë nuk isha ajo, nuk e kandisa këtë vete që isha, t’i thërrisja, ta kujtoja se më në fund mund të kthehej, të kthehej pas, ose të fshihej si ne të tjerat nëpër muzg, të futej në ndonjë nga ato oborret e shtëpive përdhese aty pranë, pastaj të kapërcente ndonjë nga gardhet e ulët për në ndonjërën nga rrugicat me dalje tjetërkund.

    I mendova tërë këto, por s’munda. Edhe kur u binda se Ajo s’do kishte dot ndonjë barkë, shfaqur rastësisht atyre ujërave në atë vend kurthi ujor të ditur si të rrezikshëm. Nuk e shkova ndërmend, për asnjë çast, si lundërtare të pa-përvojë, që s’kishte marrë me mend për ku e kishte shtyrë deti i trazuar apo zërat e shtojzovalleve të ngasjes sonë të përbashkët. Edhe pse e vetme, pa-fshehshëm e brishtë, edhe në ato momente, më shumë mu duk si një anije me vela të mëdha të ngritura, me disa busulla, edhe pse me një motor të vetëm të brishtë, ajme…Nuk di pse ende po ngulmonte, për cfarë kishte dalë nga shtëpia e vet atë mbrëmje, pra për të kaluar pikërisht aty, mes trekëndëshit të Bermudës. Mbase i ishin mjegulluar sytë, si mua, që tashmë e pranoj se isha përlotur, si tërë sytë e femrave të tjera pas perdeve në dritaret me drita të shuara.

    Për cfarë ndodhi më tej, s’mbaj mend kthjellët. Nuk pashë gjë. Pas një turbullire apo përhumbjeje, që s’di sa zgjati, dëgjova përqark zëra të alarmuar, rrokjezime që përcillnin lajmin se Ajo nuk dukej më.

    Dikush përsëriste këmbëngulës që e kishte parë Fridën të rrëzohej tek këmbët e stolit ku ende rrinte Aladini, por kurrkush nuk dëshmoi për ndonjë zarf lëshuar në dorë të saj prej tij. Një tjetër shtoi se ngulmoi të arrinte tek Arka e Kursimeve, apo një i tretë që edhe pse vet i rrëzuar aty në shesh, duke u zhvendosur edhe ai gjunjazi, bënte paralajmërime të mos ecej përpara. Nuk ia vlen të paguhet kaq shtrenjtë, po thoshte. Si të ishte fjala për të paguar faturë atje.  Pa thënë dot për çfarë paguhej? Në emër të kujt? I kujt qè çmimi? I Kujt, de…?!

    Tërë asaj nate, as të nesërmen, si dhe në ditët më pas, nuk e pa kush më Fridën.

    Mungesa ndjehej, përditë e më rreptë, si një humnerë e thelluar prej cdo minute që shkonte pa Fridën, por nuk ishte e thënë të pyetej për ç’ndodhi me të.

    Përmendja e epilogut të asaj mbrëmje nuk i vinte për osh kujtesës së askujt.

    “Gjersa s’ka vesh për të dëgjuar, bën mirë të heshtësh…”, më thanë mua, që kisha qenë në gjurmë të saj. “Gjersa nuk rrëfen dot për çastin e fundmë, as dëshmitare s’je!”

    Edhe ca pak që fillimisht qenë të interesuar për historinë e Saj, më pas u morën thjesht me shkurtimin e fustanit.

    Nëse duhet thënë sado-dicka për funeralin, duhej pranuar, mori pjesë gjithë qyteza.

    Shoqet e saj, tërë vajzat e gratë e qytetit, dolën në rrugë.  Dukej se bartnim arkivolin me trupin e saj, edhe pse askush nuk besonte të ishte më.

    Edhe pse askush nuk e pa më me sy, e shëtitëm arkivolin deri te majë-kodra ku ngrihej kisha dhe xhamia, e zbritëm të-poshtë, ndalëm për pak çaste në shesh, në qendër të qytezës, pastaj deri tek kodra tjetër ku ndodheshin burgu dhe varrezat. Vetëm për ta shtrirë shëtitjen vdekur edhe në rrugën e tretë, atë që çonte tek spitali dhe materniteti, atë nuk e shkuam ndërmend.

    Prej asaj mbrëmjeje Ajo mungoi, pa lamtumirë.

    Emri dhe fotografia e Saj nuk u vunë në pllakën e ndonjë varri.

    *

    Kjo ngjarje kujtohet të ketë ndodhur kohë më parë. Tashmë thuajse është harruar. Në qytezë përmendet thjesht një vajzë, një trushkulur që doli në rrugë me fustanin mbi gju. Emri i saj nuk i kujtohet kurrkujt. Edhe kur zihet ngojesh pa të keq, thirret thjesht “Ajo”.

    Nuk ka asnjë arsye ta kujtojmë. Tërë gocat e vajzat e qytetit, gratë që i kanë kapërcyer të pesëdhjetat, madje edhe të moshuarat, mbajnë fustane dekolte të hapur dhe minifunde, shumë më mbi gju se ajo asaj mbrëmje të fundit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË