More
    KreuForumi mbi përkthiminAida Karanxha: Autori dhe përkthyesi përballë sprovës së tekstit

    Aida Karanxha: Autori dhe përkthyesi përballë sprovës së tekstit

    Nga përvoja gjatë përkthimit nga origjinali frëngjisht i romanit “Kundërshtari” i Emmanuel Carrère , Botimet Odeon

    “Në Bibël gjendet ai që në gjuhën hebraike quhet satana, domethënë kundërshtar. Nuk është emër i veçantë, si për shembull Beelzebub apo Luçifer, por emër i përgjithshëm. Kuptimi i fundit i djallit, është gënjeshtar. Kuptohet se “kundërshtari” nuk është Zhan-Klod Romandi. Por kam përshtypjen se me këtë kundërshtar, që merr përmasa të përbindshme dhe të tmerrshme, u përlesh ai gjatë gjithë jetës së tij…. Edhe unë e ndjeva se me atë u përlesha gjatë gjithë kësaj pune. Dhe vetë lexuesi me atë përleshet. Mund ta konsiderojmë gjithashtu si një instancë psikike dhe jo fetare. Është ai që, brenda nesh, gënjen[1].

    Emmanuel Carrère, që përkthehet për herë të parë në shqip, falë mbështetjes financiare të Francës, dhe pikërisht të Qendrës kombëtare të Librit[2], s’është vetëm një nga shkrimtarët bashkëkohorë të panteonit letrar francez më të vlerësuar sot, por edhe skenarist, gazetar, aktor, biograf, romancier, regjizor, autor dokumentarësh.

    Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh nga të cilat vlen të përmenden : çmimi prestigjioz spanjoll :Princesse des Asturies de Littérature(2021),përveprën e tij në tërësi si “portret i goditur i shoqërisë bashkëkohore”[3]; çmimi ndërkombëtar i qytetit të Napolit Il Premio Napoli (2021) për veprën Yoga sjellë në italisht nga Adelphi[4]. Por edhe më herët, çmimi Renaudot  (2011) për librin Limonov[5];  çmimi i gjuhës franceze (2011) ; çmimi i lartë i letërsisë Henri Gal të Akademisë Franceze (2010) për tërësinë e veprës së tij ; çmimi Femina (1995) për librin Klasa e dëborës[6]

    Përveç përkthimeve në gjuhë të ndryshme të këtij libri mund të përmenden edhe dy ekranizime, ndër të cilët : “Kundërshtari” i regjisorit Nicole Garcia (2002) me aktorin Daniel Auteil në rolin e Zhan-Klod Romandit dhe – “Orari”[7] i regjisorit Laurent Cantet (2001), me aktorin Aurélien Recoing në të njëjtin rol. Gjithashtu, janë vënë në skenë edhe dy shfaqje teatrale homonime : – “Kundështari” (2003) nga regjisori Sylvain Maurice[8] ; dhe “Kundërshtari” (2016)[9] përshtatur nga regjisorët Vincent Berger dhe Frédéric Cherboeuf dhe vënë në skenë nga ky i fundit.

    “Kundërshtari”, botuar në vitin 2000, zë një vend të veçantë në krijimtarinë e autorit. Shkrimi i tij filloi në vitin 1993, në formë shënimesh për përdorim vetjak sepse, siç thotë vetë ai, “e pyesja veten a kishte diçka te unë që s’ishte normale e që më shtynte të interesohesha për atë kaq shumë ?”…. “E frenova veten me të gjitha mënyrat që të mos e shkruaja këtë libër. Por e ndjeva se nëse nuk e shkruaja, s’kisha për të shkruar asgjë tjetër[10]. Pra, gjeneza e Kundërshtarit është një rast unik shkrimi, “një investim letrar total”, sepse për autorin kishte diçka hipnotizuese në historinë e personazhit : pas gjithë atyre mashtrimeve e gënjeshtrave, doli sheshit se Zhan-Klod Romandi kishte një jetë të dyfishtë, por jeta tjetër është krejt “e zbrazët”. “Mbi këtë zbrazëti kisha dëshirë të shkruaj, -thotë Emmanuel Carrère-, mbi atë që e gërryente Zhan-Klod Romandin gjatë gjithë atyre ditëve kaluar në vendpushimet e autostradave. U përpoqa ta ravijëzoj këtë zbrazëti me qëllim që lexuesi ta shikojë nga brenda se ç’është të jetojë dikush në këtë botë të zbrazët e të pajetë[11].

    Ky tekst është përkufizuar si enigmë narrative, si një tekst hibrid që lëviz mes dy polesh antagoniste, i cili mbart një tension të brendshëm mes reales dhe fiksionit[12]. Qëllimi i autorit është i dyfishtë : edhe të “rrëfejë me saktësi”, edhe të “imagjinojë për të kuptuar”, duke kaluar nga një teknikë rrëfimi në një tjetër. Ai përpiqet të zbulojë një pjesë të brendësisë psikike të personazhit Zhan-Klod Romand, por pa depërtuar kurrë thellësisht brenda tij, sepse kjo i dukej e ulët, e pandershme. Atij nuk i intereson ta ndërtojë të gjithë ngjarjen mbi faktet lakuriqe dhe, në këtë pikë, po huazoj nga një intervistë me romancierin american Norman Mailer, përkther nga nga Sokol Çunga, idenë e “manifestit fiksional” : “Po t’i vendosësh faktet në një mënyrë të tillë që të marrin frymë, atëherë ke shkruar fiksion”.[13]

    A na mashtron Emmanuel Carrère duke bërë sikur di ç’ndodh në kokën e Zhan-Klod Romandit? Prapëseprapë, atij i duhet ta ndërtojë personazhin e tij pikërisht duke  na treguar se ku i hyn në punë mashtrimi Zhan-Klod Romandit, sepse është mashtrimi që e mbush zbrazëtinë, vrimën boshe, ku fjala s’lëndëzohet, ashtu si Zhan-Klod Romandi që “tretet, e merr sërish formë në vatrën familjare[14]. “Përfytyroja zgavrën e bardhë, boshe, që duke u rritur, e kishte gërryer pak e nga pak, deri sa kishte ngelur vetëm një trajtë mashkullore e skëterrshme, një humnerë nga ku frynte e shfrynte ajo erë e akullt që i kallkanoste eshtrat skicografit plak[15].

    Pikësëpari, kjo është një çështje etike. Mund ta formulojmë në këtë mënyrë : të pretendosh se Zhan-Klod Romandi s’është qenie njerëzore, edhe po të shihet si përbindësh apo djall, s’mjafton për ta zgjidhur problemin e natyrës së tij njerëzore si tipar i përbashkët. Para se të flas më në veçanti për procesin e përkthimit të Kundërshtarit, po ndalem te fjalët e regjizorit Sylvain Maurice. Pikërisht, ai vë në dukje pengesat me të cilat u ndesh. Vështirësi që nuk janë detyrimisht të natyrës letrare, për t’i gjetur një këndvështrimin përshtatjes së tij dramatike. “Këto vështirësi janë mbi të gjitha etike, –shprehet Sylvain Maurice-, … ;  ç’fytyrë do të ketë Zhan-Klod Romandi ? Të shihet si viktimë e fatit, si një qenie në luftë me forca të brendshme që e vënë përfund apo si një mashtrues dhe batakçi?”[16]. Ja ç’barrë mban mbi supe Emmanuel Carrère !

    Siç e shohim në veçanti te Kundërshtari, çështja e këndvështrimit ka të bëjë drejtpërsëdrejti me vendin dhe qëllimin e përkthyesit përballë tekstit. Këtu kemi të bëjmë me një rrëfim poliptik, shumëpjesësh, dhe një rrëfimtar i cili ndërmerr të rrëfejë vetveten përmes personazhit të Zhan-Klod Romandit, “edhe ky i fundit autor i një romani rreth vetes[17]. Përkthimi i Kundërshtarit i sjell përkthyesit shumë kokëçarje  : – përse të përkthehet një tekst me formë të papërcaktuar, një vepër hibride atësia e së cilës ngelet, deri në një pikë, e pavendosur mes autorit dhe Zhan-Klod Romandit? – një “roman” shumëformësh që lëviz vazhdimisht në kërkim të një ekuilibri, duke i përthyer kufijtë në mes të zhanreve, përgjatë një kufiri, edhe ai i lëvizshëm, diku mes Francës dhe Zvicrës? – a është e mundur të mbahet qëndrim asnjanës e objektiv përballë kësaj historie, një vrasje e pesëfishtë dhe shfarosja e një familjeje të tërë ? – cili mund të jetë dimensioni artistik i një teksti të tillë përderisa “projekti i vetëdijshëm dhe i qartë i Emmanuel Carrère s’është i natyrës estetike”[18]? – dhe, e fundit, si mund ta pranojë këtë sfidë përkthyesi pa ia cënuar veprës statusin letrar?

    Fatmirërisht, të gjitha këto pikëpyetje ishin të nëndheshme kur iu përvesha punës. Siç e shpreh André Malraux, si mund të jesh në rivalitet me shkrimin origjinal për “të (ri)krijuar një botë koherente dhe të veçantë[19], kur ndan me autorin “orvatjet e kota, të mundimshme, të ankthshme, të tmerrshme për të rrëfyer këtë histori[20]. Sepse ç’është përkthimi, na thotë André Markowicz-it, përveç se “interpretime, orvatje … me qëllim që lexuesi të kuptojë se ndodhet mes dy botësh[21]. Është pikërisht kjo lëvizje, ky kalim nga një breg në tjetrin, nga një kulturë në tjetrën,që shoqëronzhvendosjen e rrëfimit, edhe ai vetë i pasigurt, si dhe këto orët e humbura të Zhan-Klod Romandit në pyjet e Zhyrasë.

    Kjo shumanshmëri këndvështrimesh i përket zgjedhjes së një stili letrar i cili vihet në shërbim të një lloj binjakërie psikike mes Zhan-Klod Romandit dhe shkrimtarit, secili i ndodhur përballë demonit të vet : E. Carrère pre e obsesioneve të skëterrshme përmes procesit të rrëfimit, para “një dritareje që bie nga ferri”. Krah për krah me Zhan-Klod Romandin, përndjekur nga hakmarrëset Erinyes, të cilat ndërshkonin njerëzit që kryenin krime. Një eksperiencë psikike si kjo i ka lënë autorit mbresa të thella edhe 18 vjet pas botimit : “Ekziston brenda çdokujt një dritare që bie nga ferri. Ne bëjmë ç’është e mundur që të mos t’i afrohemi, kurse unë, vetvetiu, kalova plot shtatë vjet nga jeta ime para kësaj dritareje, si i ngrirë[22]”.

    Unë e mora përsipër përkthimin e Kundërshtarit para tre vitesh, në kohën e pandemisë së Kovidit dhe mbresa e parë ka qenë dalja ime nga gara me kohën. Kushtet për të filluar punën vetmitare ishin pothuajse ideale, të paktën për disa muaj. E pakta që mund “të të gjejë” gjatë përkthimit të Kundërshtarit është të ndjesh një parehati shpirtërore. “S’i jepet përditë njeriut rasti t’i ngulë sytë në fytyrën e djallit[23], shkruante një ditë pas hapjes të procesit gyqësor gazeta Le Monde. Emmanuel Carrère shkruan, mbase këtu mund të thuhet edhe “e përkthen” në raportin e tij “në fytyrën e të mallkuarit”, duke u distancuar në këtë mënyrë nga jehona mediatike e ngjarjes.

    Që t’i hyja kësaj pune, isha i detyruar të hyja në kontakt me Zhan-Klod Romandin. I shkrova një letër ...” “Gjatë gjithë jetës sime, janë rreshtat më të vështirë që m’u desh të hedh në letër[24]. Tensioni nervor dhe emocional që përmban kjo fjali ndoshta vë më shumë në lëvizje ndjeshmërinë personale të përkthyesit sesa aftësinë e tij për të zbërthyer kuptimin e fjalëve. S’po ngurroj për ta thënë shqip : edhe pse hoqa të zitë e ullirit, pas tentativash të panumërta për ta sjellë në shqip, përkthimi i kësaj letre është i pambaruar, siç thotë Edmond Tupja për procesin e përkthimit. Te kjo pjesë kisha ngecur keq, por s’isha bërë ende e vetëdijshme se gjendja ime emocionale bëhej një, hynte në rezonacë, me vuajtjen e rëndë shpirtërore të shkrimtarit[25].

    Versioni i parë i përkthimit nxirrte më shumë në pah “unin” e përkthyesit, botën time të brendshme (si mund mbetet njeriu asnjanës përballë një historie të tillë?), mbingarkesën time emocionale, sesa “unin” e autorit që është thelbi i Kundërshtarit. Në një gjendje të tillë, s’mund t’i ngelesha besnike stilit të ngjeshur, minimalist, në dukje i thjeshtë, të autorit, që po përjetonte një sprovë të rëndë psikike. Sepse edhe pasi e përfundoi së shkruari e ia dha botuesit, atë e kapi prapë ankthi, kishte përshtypjen se aty kishte diçka radioaktive. E mori mprapsht. Kaloi në gjendje depresioni. I ishte krijuar përshtypja se kishte bërë diçka të keqe. Kjo gjendje zgjati një vit deri sa e kuptoi se këtë mund ta provonte, përjetonte, secili prej nesh. Derisa, më në fund, libri pa dritën : “Atëherë zgjodha një metodë më minimaliste. Le të jemi modestë, le të mos përpiqemi të bëjmë një vepër letrare të bukur. Le ta harrojmë Truman Capote-in dhe romanin e tij simfonik mbi Amerikën moderne … Por edhe pas kësaj ngeca. Në vjeshtën e vitit 1998, kuptova një gjë jashtëzakonisht të thjeshtë : më duhej të shkruaja në vetën e parë. Por s’kisha shkruar kurrë më parë “unë”. “Unë” ishte shumë e vështirë[26].

    Procesi i përkthimit filloi vërtet kur e kuptova se shkrimi i kësaj historie s’ishte çështje “stili të bukur” (beau style), as “shkrimi të bukur” (bien-écrire) por vetëm shkrimi të pastoli, pa zbukurime. Në rradhë të parë, kuptova se s’mund të fusja pothuajse asgjë nga thesaret gjuhësore të shqipes, siç janë eufemizmat, frazeologjitë, sidomos ato që shënjojnë Djallin[27], fjalët bisedore e të ligjërimit të thjeshtë dhe shprehjet idiomatike. Djalli i Kundërshtarit është Djalli i feve monoteiste. Është përdorur siç e gjejmë në kontekste librore duke u “zhvishur” nga përfytyrimi i tij popullor-folklorik[28].

    Po ashtu, s’mund të përcillja botëkuptimin folklorik për vdekjen ose për momentet e tjera të rëndësishme të jetës së njeriut. Ndjeshmëria identitare e gjuhës, si dhe përfytyrimi kolektiv popullor “i vesh” këto momente me dramë rituale, me intensitet emocional[29]. Si të dhënat e panumërta etnografike, ashtu edhe dimensioni mitik i traditave të varrimit, ritet mortore, vaji, gjama (siç i përshkruan për shembull Hahn-i) nuk shërbejnë.

    Qëllimi artistik i Emmanuel Carrère s’është përshkrimi i shfaqjeve të veçanta të gjendjes së njeriut, sjelljet diktuar nga identiteti kulturor përballë vdekjes, intensiteti i reagimit emocional, drama brenda dramës, skenografia mortore. Kështu, kur jepet lajmi i vdekjes, kur e vjehrra dëgjon në sallën e gjyqit leximin e aktakuzës, pjesën e autopsisë së trupave të së bijës, mbesës e nipit : “dora e tkurrur që shtrëngonte mbi buzë një shami bërë topth zuri e po dridhej lehtas”[30]. Këtu gjithçka luhet me elegancë për hir të “estetikës së ngjeshurisë, të shkurtësisë”, përmes një gjuhe të lëmuar. Detaji i tmerrshëm nuk vihet në shërbim të sensacionales.

    Ia kushtova pjesën më të madhe të kohës rishkrimit të vazhdueshëm të përkthimit – karakteristikë dhe domosdoshmëri edhe të shkrimit origjinal, i cili është shumë afër stilit minimalist –  duke e krehur atë vazhdimisht për të hequr gjërat e tepërta dhe për të nxjerrë në pah nuancën e duhur estetike me qëllim përshtatjen e leksikut në kontekste librore. Kjo ka qenë akoma më e vështirë kur bëhej fjalë për momentet më të rëndësishme të jetës së njeriut “veshur me ritualitet”. Se s’ka gjë më të keqe se vdekja në përfytyrimin kolektiv popullor, ajo është katastrofa më e madhe në jetën e njeriut[31].

    Kuptova, pas shumë leximesh, se bukuria dhe eleganca në shqip s’do të arrihej duke mos e përsëritur të njëjtën fjalë, siç mendoja në fillim, por duke i lënë, pikërisht, pranë njëra-tjetrës. Kjo krijon atmosferën e tensionit dhe përbën thelbin e punës së përkthyesit : mosdaljen nga stili i autorit.

                    Në Tiranë, më 21 nëntor 2023


    [1] . “Dans la Bible, il y a ce qu’on appelle le satan, en hebreu. Ce n’est pas, comme Belzébuth ou Lucifer, un nom propre, mais un nom commun. La définition terminale du diable, c’est le menteur. Il va de soi que l’ «adversaire» n’est pas Jean-Claude Romand. Mais j’ai l’impression que c’est à cet adversaire que lui, sous une forme paroxystique et atroce, a été confronté toute sa vie. Et c’est à lui que je me suis senti confronté pendant tout ce travail. Et que le lecteur, à son tour, est confronté. On peut aussi le considérer comme une instance psychique et non religieuse. C’est ce qui, en nous, ment”. Intervistë me shkrimtarin Emmanuel Carrère, nga Jean-Pierre Tisson (Lire), L’express, botuar më 01/02/2000

    [2] . Centre National du Livre, CNL, Paris

    [3] . Gazeta Le Figaro me AFP, më 09/06/2021.

    [4] . Emmanuel Carrère, Yoga, botimet P.O.L, 2020. Në këtë libër autobiografik, Emmanuel Carrère rrëfen me një sinqeritet rrëqethës vitet më të vështira të jetës së tij, depresionin, shtrimin e tij në spitalin psikiatrik, vështirësitë për të bërë sërish një jetë normale.

    [5] . Emmanuel Carrère, Limonov, botimet P.O.L., 2011. Ai ka shkruar biografinë e Eduard Limonov-it, poet e shkrimtar disident rus që u bë i njohur në Paris në vitet 80-të dhe të cilin Emmanuel Carrère e ka njohur në Moskë.

    [6] . Emmanuel Carrère, La classe de neige, botimet P.O.L, 1995

    [7] . L’Emploi du temps, film, dramë, 2001

    [8] . L’Adversaire, d’après Emmanuel Carrère. Mise en scène Sylvain Maurice, Compagnie Ultime and Co, 2003

    [9] . Théatre des Quartiers d’Ivry. “L’Adversaire” d’après le roman d’Emmanuel Carrère. Mise en scène Frédéric Cherboeuf

    [10]. “Je me demandais ce qu’il y avait de tordu dans ma tête pour que je m’y intéresse tellement”… “J’ai vraiment freiné des quatre fers pour ne pas écrire ce livre. Mais j’ai ressenti que si je ne l’écrivais pas, je n’écrirais plus rien d’autre”. Intervistë me shkrimtarin Emmanuel Carrère, shih më lart.

    [11] . « C’est sur ce vide-là que j’avais envie d’écrire, sur ce qui pouvait tourner dans sa tête pendant les journées passées sur des parkings d’autoroute. J’ai essayé d’encadrer ce vide pour que le lecteur perçoive intimement ce que c’était que de vivre dans ce monde vide et blanc ». Intervistë me shkrimtarin Emmanuel Carrère, shih më lart

    [12] . Shih Frank Wagner, Université de Namur, Le “Roman” de Romand (A propos de L’Adversaire d’Emmanuel Carrère), 2002, Roman 20-50, (34), 107-124, vox-poetica

    [13] . Sokol Cunga, Review, The art of fiction, n° 193, 2007, https://sokolcunga.wordpress.com/2017/11/ Intervistë me romancierin american Norman Mailer, Botuar në shqip në Mehr licht!. – Nr. 41, , nëntor, 2011, f. 382 – 408, Nga Andrew O’Hagan

    [14] . Pierre LEPAPE, “L’Adversaire” (Kundërshtari), artikull i gazetës Le Monde, 07.01.2000

    [15] . Emmanuel Carrère, Kundërshtari, përkthyer nga origjinali frëngjisht nga Aida Karanxha, botimet e Odeonit, 2022, f. 45

    [16] . Sylvain Maurice, Un crime ou une prière – L’Adversaire – Emmanuel Carrère, – mise en scène Sylvain Maurice, -théatre-contemporain.net

    [17] . Christine Marcandier, “Emmanuel Carrère : L’Adversaire ou le fait divers miroir d’encre (Crime écrits, 13), DIACRITIK, 16 août 2017. DhePierre LEPAPE, “L’Adversaire” (Kundërshtari), artikull i gazetës Le Monde, 07.01.2000

    [18] Shih, si më sipër : F. Wagner, “Le “roman” de Romand. (À propos de L’Adversaire d’Emmanuel Carrère”, Université de Namur, vox-poetica

    [19] “Le mentir-vrai : et si 2 était égal à 1?” par Boris Foucaud, publié le 30 novembre 2014 à Plume d’escampette citant André Malraux, Annotation en marge de Malraux par lui-même de Gaëtan Picon, Seuil, 1953.

    [20] Emmanuel Carrère, L’Adversaire “Ecrire, écrire pourquoi”, entretien avec Nelly Kaprélian au centre Pompidou à l’invitation de la BPI à l’occasion de la parution de D’autres vies que la mienne (P.O.L), 11 janvier 2010.

    [21] André Markowicz, “Traduire, c’est rendre compte de la matérialité de la langue”, entretien du 16 mars 2018 paru dans Le monde.

    [22] “Faire effraction dans le réel”, ouvrage consacré à Emmanuel Carrère, emission La grande librairie sur la 5 Direct, Tout sur Emmanuel Carrère, lecture de la page 415 du Royaume, chapitre 39, 2018.

    [23] Emmanuel Carrère, Kundërshtari, përkthyer nga origjinali frëngjisht nga Aida Karanxha, f. 38

    [24] . Emmanuel Carrère, Kundërshtari, përkthyer nga origjinali frëngjisht nga Aida Karanxha, f. 28

    [25] . Vuajtjen e rëndë të shkrimtarit e kam përkthyer sfilitje “edhe pse është pak si fjalë”, Shënim i përkthyesit.

    [26] . “J’ai choisi alors une méthode plus minimaliste. Profil bas, n’essayons pas de faire un bel objet littéraire. Oublions Truman Capote et son roman symphonique de l’Amérique moderne… Mais cela coinçait encore. A l’automne 1998, j’ai enfin compris une chose d’une simplicité totale : je devais écrire à la première personne. Or, je n’ai jamais écrit à la première personne. … “Je” m’est assez difficile”. Intervistë me E. Carrère, shih më lart.

    [27] . Si për shembull “i paudhi”, “qoftëlargu”, etj, Shënim i përkthyesit.

    [28] . Ardian Vehbiu, “Shënime për emrin e djallit në shqipe”, 17 shkurt 2023, Peisazhe

    [29] . Bledar Kondi, “Un regard critique sur l’ethnographie de la mort en Albanie”, Texte traduit de l’anglais par Sylvie Muller, dans Ethnologie française, 2017/2 (Vol. 47), pages 277 à 288

    [30] . Emmanuel Carrère, Kundërshtari, përkthyer nga originali frëngjisht nga A. Karanxha, f. 39

    [31] . Shih më lart, Bledar Kondi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË