Çfarë është përkthimi i Poezisë?
A. T: Pyetjes se ç’është përkthimi i poezisë, mund t’i përgjigjemi, si regull metodologjik, kur të kemi përkufizuar se ç’është vetë poezia. Pa hyrë në varreza përkufizimesh, po zgjedh njërin, më të parapëlqyerin, atë të Bertold Brehtit: “Poezia është ajo se çfarë bënë ndërtuesit e Murit të Madh kinez ditën tjetër, pasi u mbarua muri”. Thelbi i poezisë ka të bëjë me ontologjinë e së padukshmes, së parrokshmes, habinë dhe delikatesën e të cilës mundohen ta shprehin poetët duke rravguar t’i gjejnë një gjuhë gjegjëse për ta aktualizuar.
Së këndejmi mund të përfyrojmë shkallën e vështirësisë së përkthyesit në gjakimin e tij për të rishprehur të pashprehshmen. Këtë ka pasur parasysh Salvatore Quasimodo, poet, por edhe përkthyes e lavdishëm i lirikës antike greke, kur qe shprehur me pesimizëm rreth mundësisë së përkthimit të poezisë: “Aq sa mund të përkthehet shiu me tërë kompleksitetin e tingujve dhe aromave, aq mund të përkthehet dhe poezia”. Flas, para së gjithash, për idenë time mbi poezinë, duke pasë parasysh jo poezinë që mbizotëron sot në të gjitha kulturat, me komponenten e saj narrative, me gjuhën e njëtrajtshme drejtvizore, e gjitha vers-libres, pa organizim metrik, pa strukturë ritmike, aliteracionesh e muzikalitete rimash. Shumë lirika antike, klasike e moderne, madje ndër më të bukurat, mbeten të pamundshme për t’u përkthyer. Kam parë disa modele të kësaj lirike, në rastin e Lasgush Poradecit, për shembull, që janë përkthyer në gjuhët e tjera në atë farë feje, që më mirë të mos ishin përkthyer fare. Pse ndodh kjo? Sepse materiali ndërtues i letërsisë është fjala, materiali më njerëzor midis gjithë të gjitha arteve; por fjala, përkundër ideve dhe ndjesive, ka një cak material të kufizuar, është më pak e epshme, më pak e zotërueshme se ngjyra apo tingulli. Prandaj artet e tjera të mëdha, artet plastike dhe muzika, nuk njohin kufij gjuhësorë e nacionalë, ndërsa arti më i lashtë dhe, ndoshta më i fuqishmi – poezia, bëhet memec jashtë kufijve gjuhësorë të një populli. Këtu qëndron dhe tragjika e përkthimit të poezisë, përderisa poezia është arti i vetëm, i përmbyllur në kufijtë gjuhësorë.
Përkthimet plakën, sikundër plaken dhe veprat origjinale letrare, sikundër plaken edhe veprat e arteve të tjera; por të gjitha plaken sipas mënyrës së vet. Përkthimet plaken më shpejt se origjinali. Prandaj lind nevoja për përkthime të reja. Origjinalin nuk mund ta nxjerrësh nga përdorimi letrar, ngase ai është unikal; përkthimi gjithmonë mund të zëvendësohet me një përkthim të ri, ngase ai potencialisht është i shumëfishtë. Por përkthimi fiton një jetëgjatësi mjaft të madhe, nëse ai pushon së konsideruari si përkthim, si për shembull “Mbreti i Tulës” së Mjedës përkthim nga Gëtja; “Korbi” i Poes nga Noli, “Meri Morrison” dhe “Ylli” të Lasgush Poradecit, të përkthyera përkatësisht nga Robert Bërnsi dhe Mihai Eminesku. Padyshim ka shumë shumbuj të tillë. Ka pasur dhe më vonë përpjekje për t’i përkthyer, por nuk e kanë arritur dot nivelin mjeshtëror të Mjedës, Nolit dhe Poradecit. Për mua këto modele nuk janë më përkthime: me kohë, ato treten e përthithen në sistemin e vlerave të poezisë kombëtare, shndërrohen në krijimtari origjinale.
Përkthimi është krijimtari, ngado që ta kthesh (pavarësisht nëse përkthyesi është poet ose jo): krijimtaria përkthimore është gjithmonë kundërthënëse për vetë natyrën e saj, sepse ajo duhet ta bëjë veprën e gjuhës së huaj fakt të letërsisë amtare, duke e dalluar atë si krijesë të një populli tjetër. Nëse përkthimi nuk shndërrohet në fakt të letërsisë amtare, ai nuk do të receptohet si vepër arti. Nëse ai nuk mbetet krijesë e një populli tjetër, ai pushon së qeni përkthim. Përkthyesi vazhdimisht duhet të zgjidhë detyra që përjashtojnë njëra-tjetrën dhe të përfshijë të papërfshishmen. Ai është krijues dhe është i lidhur me tekstin e huaj; ai duhet ta bëjë monumentin e artit të së shkuarës të gjallë për receptimin bashkëkohor (poezia anntike greko-romake) dhe të japë njëkohësisht gjurmën e kohës që prehet në të; ta bëjë tekstin e huaj të tijin, për lexuesin, ta ruajë dallimin e të qenit i huaj; të riprodhojë të gjitha simptomat e një jetë tjetër dhe të mos e ngarkojë përkthimin me detaje të pakuptueshme.
Por përkthimi i poezisë ka bërë më shumë pesimistë, madje në kampin e poetëve më të mëdhenj botërorë, duke u nisur që nga Rilindja, me Danten, në traktatin e të cilit “Simpoziumi” gjenden këto fjalë: “Le ta dijë gjithkushi, që asgjëja, e burgosur brenda qëllimeve të harmonisë në bazën muzikale të vargut, nuk mund të jetë e përkthyeshme nga njëra gjuhë në tjetrën, pa prishjen e gjithë harmonisë dhe hijeshisë së saj”. Teoricienët e përkthimit të poezisë, që u përmbahen pozicioneve të “përkthyeshmërisë”, shpesh nuk dinë ç‘të bëjnë me ithtarët e papërkthyeshmërisë, ndaj thjesht i injorojnë pozicionet e tyre. Nga ana tjetër, mospërfillja e tyre nuk është krejt e përligjur, pasi shpesh kjo përbën një kërcënim serioz për përkthimin e poezisë, duke e paraqitur fenomenin e përkthimit në mos një art të lehtë, atëherë të mundshëm. Duhet thënë, se mundësitë e përkthimit lidhen, më së shpeshti, me vetëdijen mbi shkallën e vështirësisë së tij dhe aspak jo me pamundësinë. Sepse për fat, siç e dimë, është përkthyer e vazhdon të përkthehet. Le të kujtojmë sentencën, që Servantesi vë në gojën e Don Kishotit: “Të përkthesh nga njëra gjuhë në tjetrën… – është njëlloj sikur të shikosh qylimat flamadë së prapthi: edhe pse i dallon figurat, ata gjithësesi janë të mjegulluara nga fijet që i mbulojnë, çka bën t’u humbasë gjithë ngjyra e shkëlqimit dhe lëmimi i faqes së përparme”.
A duhet që veç poetët ta përkthejnë poezinë?
A.T: Kjo varet nga shkalla dhe niveli i poetëve, nga prirja dhe afërsia që ka poeti-përkthyes ndaj një poeti të huaj. Poeti i vërtetë kurrë nuk do të vihet të përkthejë një shpirt të largët e të huaj në gjuhën amtare. Por kur poeti njeh “shpirtin e vet binjak”, pushtohet nga mrekullimi i njohjes, këtë mahni ai kërkon ta bashkpjesëtojë me të tjerë të ngjashëm në gjuhën e vet. Epërsia e mjeteve shprehëse, intonacionit, fjalëformave dhe përftesave leksikore, ritmit, muzikalitetit të brendshëm, por dhe thelbit filozofik të vegimit, imagjinatës, metaforizmit dhe gjetjeve të tjera, nuk kanë të krahasuar me korrektesën dhe besnikërinë e instrumentarit filologjik të përkthimit besnik të poezisë. Përkthimi filologjik me shënime, apo përmbushja e përkthimit besnik të kuptimit që zakonisht bëhet në prozë, sado i saktë të jetë, në rastin e poezisë ndriçon vetëm një aspekt të saj. Poeti e rikrijon organikisht dhe harmonishëm thelbin e poezisë, të pandarë nga muzika dhe imazhi origjinal, sepse gjendet në të njëjtin intensitet të valës emocionale. Këtu e shoh dhe epërsinë e përkthimit të poezisë nga një poet. Po përsëri, edhe midis poetëve ka shkallë të ndryshme pilotazhi. Nga tradita e përkthimeve tona të poezisë antike e moderne, personalisht më ka shijuar qasja e gërshetuar poetike dhe filologjike e poetit Arshi Pipa në librat “Lyrika latine” dhe “Lyrika europiane moderne” (botime të “Plejad”). Në “Lyrika latine”, simbioza e poeti me filologun i paraprin përkthimeve të poetëve augustinë me një përimëtim të krijimtarisë së secilit, mandej harton për çdo poezi një skemë të saktë metrike të origjinalit, të cilën e përmbush, sipas traditës së poezisë shqipe, në dy dialekte letrare: në gegnisht dhe toskërisht. Pipa arsyeton se poezitë e përkthyera në toskërisht janë ato lloje të lirikës erotike që kanë modele më të zhvilluar në poezinë tonë orale e të kultivuar, një gjuhë gjegjëse të përpunuar, ndërkaq që elegjitë dhe metamorfozat e Ovidit apo poemën filozofike të Lukrecit “De rerum natura” i ka përkthyer në gegnishten, si gjuhe gjegjësisht më me peshë në solemnitetin e mendimit.
Përkthyesi i poezisë, aq më tepër kur është poet, kushtëzohet nga shumë faktorë, ndër të cilët rol të fuqishëm ka tradita e caktuar me koniukturat gjithfarëshe (politike, religjioze, mondane apo dhe kanuni i fortë estetik). Përkthimi ka vulën e kohës kur është përmbushur dhe jashtë koniukturës së saj nuk abstragon dot. Përfytyroni përkthimin e poemave të Homerit përgjatë Renesancës deri në shek. XVIII, ku ndryshe nga origjinali grek, personazhet i drejtohen njëri-tjetrit me vetën respektuese “ju”, madje në piskun e përleshjeve. Prandaj ripërkthimet kanë synim përditësimin e gjallë të poetit, duke e shpërngulur diskursivitetin e dikurshëm në një plan krejt të ri artistik, shoqëror e filozofik. Nga ana tjetër vetë poeti-përkthyes duke qenë produkt i traditës, lë në përkthim vulën e traditës që ka pas shpine. Për mua, shumica e përkthyesve të viteve ‘50-’60 e lënë dukshëm këtë gjurmë në përkthime, pasi tradita më e fortë që ata kanë pas shpine është tetëvargshi popullor. Kësisoj poezia e përkthyer “rrëkëllehet”, përkundër skemës metrike origjinale, në një folk të pashmangshëm vallëzues.
Në traditën e përkthimeve tona shembujt e qëlluar të përkthimit të poezisë janë kryesisht nga poetët. Por niveli i abuzimeve me nocionin “poet”, ka sjellë edhe një amulli të madhe në repertorin tonë të përkthimeve të shumta e të këqija. Askush nuk e ka në dorë të shpallë dikë “poet” apo “jo poet”, pavarësisht faktit që dikush boton poezi dhe vëllime poetike. Përkthimi i poezisë së huaj në shqip me liberalizimin e botimeve është bërë një sëmundje banale kronike: shumë grafomanë që kanë botuar nga një karikator me libra në vargje dhe i janë ngjitur si bisht kërriçi letërsisë, i japin vetes të drejtë të shëmtojnë mjeshtrat me fjalën e tyre gungaçe. Këta kokëshkretë mendojnë se duke iu qepur poetëve të mëdhenj, do të fitojnë ndopak lavdi dhe vetë.
Me gjithë këto avantazhe të poetëve përkthyes, a mund ta pranoj përkthimin e poezisë vetëm nga Poetët?
A.T: Pothuajse të gjithë përkthyesit e poezisë shkruajnë vetë poezi, por jo të gjithë besojnë në vlerat origjinale të poezive të tyre. Jo të gjithë botojnë. Mendoj se nga ky sort krijuesisht (se përkthimi është lloj rikrijimi) na vijnë përkthyes, shpesh të mirë, ndonëse “zyrtarisht” nuk janë poetë të shpallur. Poeti dhe përkthyesi Rudolf Marku në anketën e javës së kaluar ka sjell një radhë emrash të ndritur “jo poetë” në repertorin e përkthimeve tona, të cilët, gjithësesi, krijimtarinë e tyre origjinale e kanë mjaft të zbehtë përballë poetëve që kanë përkthyer. Përkthimi i poezisë nga një “jo poet”, shmang një prirje “korruptimi” të origjinalit, që e ka në përgjithësi poeti, tek i cili ngre krye personaliteti i tij poetik. Kështu, për shembull, të gjithë poetët rusë të “shekullit të argjendtë” të përkthyer nga Agolli, ngjajnë me gjuhën dhe koloritin e poezive të Agollit në atë masë, sa nuk dallohen më fizionomitë e estetikës së tyre të veçantë poetike, por të duken të gjithë njësoj: simbolisti me futuristin, imazhinisti me akmeistin, tradicionalisti me klasicistin etj. Kjo mandej pati prodhuar dhe një sëmundje gjerësisht të përhapur të poetëve të viteve gjashtëdhjetë me “majakovskizmin apo eseninizmin” si “armë të dëmtimit në masë”, ku nga pëkthimi i tyre shtoheshin aradhë me poetë që imitonin nostalgjinë melankolike (eseninistët shqiptarë të viteve ‘60 apo imituesit e iverseve dhe vargut të thyer të Majakovskit). Megjithatë, kur sot studion dhe shijon origjinalin e këtyre poetëve të përkthyer, kupton qartë se ç’gjë thelbësore e tyre është rrafshuar dhe niveluar. Përkthyesit “jo poetë” të poezisë, nuk kanë egon e personalitetit dhe shpesh ruajnë një “asnjëanësi” të dobishme duke ruajtur një “pathos të distancës” midis fizionomisë së tekstit origjinal dhe përkthimit në shqip.
A mund të jetë përkthimi më i mirë se origjinali?
A.T: Ky është një ndër paradokset dhe oksymoronet më derdimene. E kam dëgjuar rregullisht. Është mendjelehtësi dhe blasfemi njëherësh. Si duket këtë ka pasë parasysh Ciceroni, kur la sentencën e famshme: “Përkthimi është si një grua: nëse është e bukur, është e pabesë, nëse është besnike – nuk është e bukur”. Marrim Nolin, që është në shumçka një pionier i përkthimeve tona, por që jo gjithmonë është për t’u marrë model. Tekefundit Noli ka lënë metodën (apo shkollën) e tij të përkthimit, të quajtur “shqipërim”, e cila sot është tejet demode, nëse me “shqipërim” kuptojmë një formë përshtatjeje për t’i shërbyer (asokohe) një mase lexuesish me kërkesa minimale ndaj tekstit artistik origjinal. Leximi si sferë e kënaqësisë intelektuale është diferencuar dhe stërholluar, saqë sot, një lexues elitar nuk ka nevojë që ti, si përkthyes, t’ia rrubullakosësh historitë, fjala vjen të romaneve të Marsel Prustit, por përkundrazi: t’ia shërbesh pa harruar asnjë përshkrim, asnjë detaj, asnjë vinjetë dhe, sidomos, pa ia shkurtuar fjalitë e tij të gjata si drutë për katrorin e sobës, pavarësisht nëse fjali të tilla arrijnë deri në tre faqe. Sepse nëse ti i shmangesh sintaksës, pikësimit, autonomisë së fjalisë, ti ke tradhëtuar diafragmën e origjinalit, ritmin, identitetin e tij stilistikor dhe ky nuk është më Prusti, por kufoma e tij e masakruar. Të tilla masakrime stilistike, duke mos respektuar njësitë autonome të fjalisë, janë të pafalshme dhe nuk ka kurrëfarë arsyeje të spekulosh, se janë apo jo të natyrshme këto periudha apo pikësime për sintaksën e shqipes. Pikësimi ekziston gjithkund njëlloj, me të njëjtat shenja, sikundërse dhe periudhat e fjalisë. Mbetet që ti, si përkthyes, i bën bisht përballjes së ndershme të përkthyesit dhe masakron Tolstoin, Dostojevskin, Pasternakun ngaqë shqipja jote nuk ka mushkëri të përballojë ozonin e lartisive.
Për të gjykuar nëse një poezi e përkthyer është më e mirë se origjinali, duhet lexuar dhe krahasuar origjinali me përkthimin. Kështu më qe thënë me këmnëngulje për përkthimin e Nolit të poezisë së F. Tjutçev-it “Dasma e funtme” (në origjinal “Dashuria e fundme”). Në fakt, kjo poezi nuk është përkthyer nga origjinali dhe që këtu fillon absurditeti, kur flasim për përkthimin e poezisë: poezia, ndonëse ka përjashtime, duhet përkthyer nga origjinali. Për mendimin tim, Noli ka bërë një poezi të vetën “me shkas Tjutçevin”, por jo përkthim të tij, sepse gjë prej gjëje nuk gjen me origjinalin, as si filozofi, as si simbolikë. Atëherë çfarë i shtyn të këmbëngulin për mitin e përkthimit më të mirë se origjinali? Ndoshta nuk e kuptojnë origjinalin. Në rastin konkret, përkthimi i Nolit është gjëmimtar, një ekzekutim me vegla tunxhi, ndërkaq që origjinali përdor ekzekutohet me instrumente qelqi, me përçikje drithëruese, përshtat me efemerizmin e lëndës.