More
    KreuIn memoriamAgim Vinca: Iksi romanesk i Jakov Xoxës (100-vjetori i lindjes)

    Agim Vinca: Iksi romanesk i Jakov Xoxës (100-vjetori i lindjes)

    Ky shkrim është botuar në gazetën e studentëve të Prishtinës “Bota e re” në prill të vitit 1974

    E ndiej veten me fat që kam pasur rastin ta njoh personalisht Jakov Xoxën, në kohën e pjekurisë së tij si njeri dhe shkrimtar, në vitin 1974.

    Në pranverë të atij viti, kur unë dhe kolegët e mi të Universitetit të Prishtinës të ardhur në Tiranë për një qëndrim studiues, do të bënim udhëtimin për në jug të vendit, me ne do të udhëtonte, me të njëjtën makinë, edhe shkrimtari Jakov Xoxa. Na erdhi si një sihariq në hotel “Dajti” lajmi se do të udhëtonim bashkë me Jakov Xoxën nga Tirana në Fier, kurse takimi me të mbeti i paharrueshëm për të gjithë ne që e patëm këtë shans, mbase krejt rastësisht. Gjatë gjithë rrugës patëm biseduar me Jakovin. I ri dhe kureshtar unë i bëja pyetje pas pyetjeje lidhur me veprën e tij dhe në mënyrë të veçantë romanin Lumi i vdekur, që në Kosovë ishte aq i popullarizuar dhe ai më përgjigjej pa përtesë. Shoqëruesit tonë zyrtar, që ishte një tip dogmatik, nuk i vinte mirë që unë flisja lirshëm, pa “censurë” dhe mundohej ta largonte bisedën nga temat e ndieshme. Aty pata dëgjuar për herë të parë për ciklin e tij prej pesë romanesh në formë Iksi, kurse gjatë vizitës në Kombinatin e Tekstilit në Berat, kur ndodhte të këputej filli dhe në makinat endëse (prodhim kinez) ndizej sinjali i kuq, Kovi, si e thërrisnin miqtë e tij, pati thënë: “Eh, sikur edhe ne shkrimtarët të kishim një sinjal të tillë që të ndizej kur nuk e kemi mirë!”. Në rrethanat në të cilat krijonin atëbotë shkrimtarët shqiptarë, në kushtet e sistemit totalitar, kjo ishte një fjali me nëntekst. Me t’u vendosur në dhomën e hotelit në Fier, puna e parë që bëra ishte ta shkruaja bisedën me Jakov Xoxën. Kur zbrita në restorant për darkë, kërkova pëlqimin e tij që bisedën ta botoja në Kosovë. Ashtu edhe u bë. Shkrimi im për takimin me Jakovin (Iksi romanesk i Jakov Xoxës) doli në plot dy faqe në gazetën “Bota e re” të studentëve, që ishin lexuesit më të mëdhenj të veprës së tij.

    Kanë kaluar më se dyzet vjet nga ajo kohë, por ende e ruaj të freskët në kujtesë atë takim. Mbaj mend se bari rreth manastirit kishte gufuar, kurse unë dhe një kolegu im, si më të rinjtë e grupit, improvizuam një “përleshje” si të ishim Adili e Llazi, në sy të krijuesit të tyre, që na vështronte me mall e dashuri…

    Nuk do ta takoja më Jakov Xoxën, as në ’76-n e as në ’79-n, kur iku nga kjo botë, por portreti i tij, që rrezatonte mirësi, çiltërsi e fisnikëri, do të më ngelë përgjithmonë në kujtesë.

    * * *

    Jakov Xoxën e takoja për herë të parë. Në mars të këtij viti, me grupin e pedagogëve të Universitetit të Prishtinës, që shkonte për në Jug të Shqipërisë, udhëtoi edhe shkrimtari Jakov Xoxa. Ai shkonte në Fier, në vendlindjen e tij dhe së andejmi në Apolloni, ku e kalon pjesën më të madhe të kohës dhe të jetës. 

    Vetëm dy muaj në vit, kur mban ligjëratat e stilistikës në USHT, Jakovi qëndron në Tiranë. Pushimet verore i kalon në Pogradec, sepse, si thotë vetë, “atje është më freskët, më qetë. Në Durrës bëhet tollovi”. Pjesën tjetër të vitit shkrimtari (Jakov Xoxa është  shkrimtar me profesion) e kalon në Apolloni dhe vetëm herë pas here shkon në Tiranë, për të parë familjen, për ndonjë mbledhje në redaksinë e “Nëntorit”, për ndonjë diskutim krijues etj. Aty, në zemër të Myzeqesë, larg zhurmës dhe reklamës, punon njeriu që i ka dhuruar letërsisë shqipe dy vepra kapitale: Lumin e vdekur dhe Jugën e bardhë. Aty i gdhin ditët dhe i ngrys netët njeriu dhe shkrimtari që jeton “gju më gju me popullin”.

    Jakov Xoxa është nga ata njerëz që “të bëjnë për vete” që në takimin e parë. I shkurtër, i drejtë, gojëmbël ai të lë përshtypjen e një njeriu fisnik në plotkuptimin e fjalës. Ndonëse i ka kaluar të pesëdhjetat, ai është i gatshëm për bisedë; në çdo kohë dhe në çdo vend.

    Shtron çështje për diskutim, por edhe përgjigjet në pyetjet që i bëhen. Flet seriozisht, me përkushtim, por në ligjërimin e tij ka edhe humor të shijshëm. Biografët e shkrimtarëve të mëdhenj, të prirur shpesh kah sensacionet, kanë shkruar se ata (shkrimtarët) dinë të jenë të heshtur e nervozë, të rreptë dhe cinikë, ose edhe të lehtë dhe të qetë, të sjellshëm dhe të butë…

    Jakov Xoxa nuk futet në asnjërën nga këto “kategori”. Ai nuk i qas kallëpet as në jetë as në art. Është origjinal në mënyrën se si e organizon jetën familjare dhe në mënyrën se si e organizon veprën letrare.

    Është adhurues i madh i natyrës; i shëtitjeve në ajër të pastër, por nuk përton të vizitojë edhe kombinatet e fabrikat, qendrat e punës dhe kantieret. Për kooperativat as të flasim. Ai është gjithnjë në mesin e kooperativistëve myzeqarë. I pëlqen zhurma e makinave dhe era e avullit, por akoma më shumë i pëlqejnë këngët e mbledhëseve të pambukut në fushën e gjerë të Myzeqesë. Sikurse Turgenievi dhe Hemingueji, të cilët i do dhe i çmon si shkrimtarë, Jakov Xoxa e ka hobi gjuetinë. Ai flet me pasion për rosat e egra dhe lepujt e Myzeqesë, ashtu siç flet për statujat e Apollonisë dhe për prozën e Tolstoit, të Mopasanit, Gollsuorthit, Shollohovit…

    – Gjuetia është jo vetëm një pushim aktiv, por edhe mënyra më e mirë për të kontaktuar me njerëzit, me ata që nesër mund të bëhen personazhe të veprave të tua. Ku je “gjuetar” bisedon më lirisht me fshatarët. Ky është kuvendim spontan, i përzemërt dhe pa rezerva; kuvendim i barabartë. Me kollanin brezit dhe me çiften në krah futesh më thellë në botën e tyre, sesa me kollare qafës dhe me laps në dorë. Kjo është përparësia e “gjahtarit” ndaj gazetarit dhe shkrimtarit. Në do të bëhesh shkrimtar i mirë, duhet ta njohësh popullin tënd dhe në do ta njohësh popullin tënd, duhet të qëndrosh me të. Me ditë, me muaj, me vjet. Unë kam qëndruar tre vjet në bazë. As tani s’mund të them se s’jam po aty. Kjo është e domosdoshme për një shkrimtar, për një prozator aq më shumë. Njohja e jetës, për romancierin, është po aq e nevojshme sa edhe njohja e estetikës dhe e artit, e rregullave të kompozicionit, për shembull. Nga kabineti nuk mund të shkruhen vepra të mëdha…

    E vazhdojmë bisedën me Jakov Xoxën me një pyetje konvencionale: “Çka punoni? Çfarë shkruani në kohë të fundit?” – e pyet njëri nga kolegët tanë. Ai nuk ngurron të përgjigjet pa poza:

    – Kam një roman të ri në dorë. Do të jetë “vëlla” i Lumit… Bën fjalë për punëtorët shqiptarë të paraluftës, për punëtorët me mëditje, argatët. Ngjarja ndodh në kriporen e Vlorës, në mbarim të viteve ‘30. Shpresoj ta kryej brenda këtyre muajve dhe të konkurroj në Konkursin letrar të 30- vjetorit të çlirimit. Ky është një jubile i madh yni, që duhet të shënohet edhe me rezultate në artet tona, me fitore në “frontin letrar”.

    Pas këtyre fjalëve shkrimtari pushon së foluri. Heshtim edhe ne të tjerët për një çast. Pas pak, në bisedë ndërhyn shoqëruesi ynë, bashkëpunëtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Luan Kokona:

    – Kovi (kështu e quajnë shkrimtarin shokët dhe të afërmit e tij), tregoju këtyre shokëve për atë Iksin tënd të romaneve… dhe Luani kryqëzon gishtat tregues të të dy duarve.

    Tani shkrimtari zbulon diç më shumë nga planet e tij krijuese. Tregon se ka në plan të shkruajë një cikël romanesh në formë të X (iksit). Ky “Iks romanesk” do të sajohet nga pesë romane, dy nga të cilët tashmë i kemi në duar. Në dy skajet e sipërme do të “vendosen” romanet me temë nga e kaluara, ndërsa në skajet e poshtme romanet me temë nga koha e sotme. Ndërkaq, në mes, ku kryqëzohen dy linjat, do të “qëndrojë” romani mbi Luftën Nacionalçlirimtare, si një nyjë lidhëse e këtyre dy epokave të rëndësishme të jetës shqiptare. I paraqitur skematikisht, X (iksi) romanesk i Jakov Xoxës do të dukej kështu:

    Lumi i vdekur                                                     Lulja e kripës

                           Dielli lind nga malet

    Juga e bardhë                                                     Ari i zi

    Pyetjes se a do të merret akoma me familjet e Shpiragajve dhe të Tafilajve në romanet e tij të rinj, ashtu siç pat premtuar edhe në një bisedë të hershme në shtyp dhe siç mund të konkludohet nga Juga e bardhë, shkrimtari i përgjigjet:

    – Në romanin mbi LNÇ-në, skicat e të cilit i kam gati, Adilin “e çoj” partizan në Kosovë. Llazi, siç mund të supozohet, do të vendoset në anën e reaksionit. Për ta realizuar sa më mirë dhe sa më bindshëm këtë ide, më duhet të bëj një udhëtim në Kosovë. Të shoh viset dhe njerëzit, së bashku me kosovarin “tim” trim Adilin. (I them se ardhja e tij në Kosovë pritet kaherë. Se veprat e tij, sidomos tash, pas botimit të kompletit, lexohen dhe studiohen nga nxënësit, studentët, arsimtarët, shkrimtarët… Buzëqesh dhe më falënderon).

    Pastaj kalojmë pjesë të tëra të rrugës pa fjalë. (Harrova t’ju them se biseda me Jakov Xoxën zhvillohet në rrugë e sipër, në mikrobus). Kalojmë Kavajën, Lushnjën. Shkrimtari, herë pas here, na flet për vendet përreth. Ndryshime të mëdha janë bërë në këto vise. Myzeqeja e djeshme ka qenë vend tipik i mushkonjave dhe bretkosave, i malaries dhe i sëmundjeve të tjera. Aspak më lehtë s’kanë kaluar as viset e tjera të Shqipërisë. Epidemitë kanë qenë vizitore të shpeshta; vdekjet para kohe, sidomos të fëmijëve. Ndaj ka thënë poeti “jeta ishull, vdekja det”… Tani ka ndryshuar shumëçka. Ka ndryshuar fytyra e Myzeqesë. Ka ndryshuar fytyra e gjithë Shqipërisë. Bujqësia, shëndetësia dhe arsimi, tri degët të cilat i kishte në plan t’i zhvillonte Fan Noli, u jetësuan pas 1945-s. Shifrat shkrimtarit nuk i hyjnë në punë, por ato duhen ditur. Le të shënojmë me këtë rast një të dhënë nga lëmi i arsimit. Kush e viziton Shtëpinë muze, ku është hapur shkolla e parë shqipe më 7 mars të vitit 1887 në Korçë, do të mësojë, pos të tjerash, se Shqipëria në vitin 1938 ka pasur gjithsej: 58340 nxënës dhe 1151 mësues, ndërsa në vitin shkollor 1973/74 ka: 740000 nxënës dhe 30857 mësues.

    Me mendime të tilla arrijmë në Berat, në Qytetin e një mijë e një dritareve, si e quajnë qytetin e lashtë, apo edhe në “qytetin e trëndafilave”, si e ka quajtur bejtexhiu i famshëm Ibrahim Nezimi (“Të mirë mbeç, o Gjylistan!”). Për nga pozita gjeografike, arkitektura dhe pamja, Berati ta kujton Ohrin dhe Prizrenin, dy qytete që kanë sipër kalanë, Prizreni edhe lumin… Vizitojmë Kombinatin e Tekstileve. Kalojmë nëpër të gjitha repartet; nga ai i krehjes, tek ai i tjerrjes; nga ai i endjes, tek ai i ngjyrosjes. Në repartin e endjes qëndrojmë pak më gjatë. Jakov Xoxa interesohet për çdo gjë. Sheh si funksionojnë makinat, prek me dorë bobinat. Makinat (prodhim kinez) kanë sinjalin e kuq, i cili, në rast këputjeje të fijes së pambukut aktivizohet. “Një sinjal i tillë do të ishte i mirë dhe për shkrimtarët”, thotë me të qeshur. “Do të ishte mirë të ndizej drita e kuqe në vetëdijen tonë kur diçka nuk ecën si duhet; kur këputet fija e mendimit, kur pëlhura e romanit nuk endet mbarë e mirë. Sepse, edhe vepra letrare, si pëlhura kur këputet ndonjë fije, humb nga bukuria dhe fortësia, humb nga qëndrueshmëria”.

    Në Kalanë e Beratit, prej nga qyteti duket si në pëllëmbë të dorës, ndërsa Osumi plak rrëshqet si një gjarpër i lodhur, ulemi të pushojmë pak. E vazhdojmë bisedën (letrare) mbi muret e lashta ilire.

    – Romani juaj i parë Lumi i vdekur u vlerësua lart nga kritika jonë. Disa e quajtën edhe sagë dhe kryevepër të letërsisë kombëtare. Ndërkaq, romani juaj i dytë, Juga e bardhë, nuk e pati këtë “fat”. Ç’mund të na thoni për këtë? – është pyetja jonë, nga pak provokuese. Shkrimtari hesht për një çast. Duket sikur nuk i ka pëlqyer pikërisht kjo pyetje. Por, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë, siç është, thotë: “Romani Juga e bardhë nuk është kuptuar drejt nga një pjesë e kritikës sonë letrare. Ka pasur një keqkuptim apo edhe moskuptim të idesë kryesore. E kam thënë edhe një herë tjetër se nuk është kapur drejt linja Shpresa-Ylli dhe insistimi i vajzës që të shkulet në qytet. Unë, ngritjen e nivelit jetësor të fshatarit nuk e shoh në shpërnguljen e tyre në qytet, por në zhdukjen e diferencave midis fshatit dhe qytetit, në shndërrimin e fshatit në qytet. Këtë, heroina ime, Shpresa, arrin ta kuptojë vonë, pas dramës tragjike të të dashurit të saj traktorist, Yllit. Por, ky ka qenë koncepcioni im i ngritjes së Shpresës nga poshtë-lart dhe i rënies, sipas logjikës së kundërt, të një personazhi tjetër, Kiu Korroziut. Shpresa starton si një vajzë mikroborgjeze fshati dhe arrin te një e re e ndërgjegjshme dhe militante, ndërsa Kiu, niset nga partizani dhe arrin te renegati e burokrati… Edhe diçka për kritikën tonë. Ka kritikë që nuk e marrin me seriozitetin e duhur punën e tyre. Në qoftë se shkrimtarit i është dashur të punojë katër-pesë vjet në një vepër, si mundet atëherë, ju lutem, kritiku, për 4-5 ditë ose edhe për 4-5 orë ta hedhë poshtë a priori  punën e tij?! Kritiku duhet ta studiojë dhe ta zbërthejë veprën letrare, romanin aq më shumë; jo të japë gjykime të paargumentuara dhe me disa fraza “të mëdha” e terma “modernë” të shesë erudicion. Kjo flet për kulturën e mangët dhe horizontin e ngushtë të kritikut…”.

    – Një nga vërejtjet që i është bërë romanit tuaj është proliksiteti…

    – Mua ma zënë për të madhe (disa) pse shkruaj romane të gjata, pse nuk shkruaj romane të shkurtra, si Ismail Kadareja, fjala vjen. Për mua problemi i “shkurtësisë” dhe i “gjatësisë” në veprën letrare është një problem fiktiv, i paqenë. Unë mendoj se ka vepra të mira dhe të dobëta, e jo vepra “të gjata” dhe “të shkurtra”. Çështja e leximit? Një roman i gjatë, por i mirë, a nuk lexohet më shpejt dhe më me ëndje nga një roman i shkurtër, por i dobët? Besoj se pajtoheni me mua.

    -Në një sesion shkencor të mbajtur vitin e kaluar përkitazi me çështjen e novatorizmit në art dhe në letërsi, ju paraqitët kumtesën me titull “Patologjia e novatorizmit”. A mund të na shkoqitni me pak fjalë tezën tuaj?

    – Edhe me këtë problem më duket se është spekuluar mjaft. Novatorizmi nuk duhet të jetë qëllim më vete. As nuk mund të arrihet në këtë mënyrë. Disa “teorikë” dhe “shkrimtarë” novatorizmin e identifikojnë me artistiken. Kështu lindi diçka absurde në shkencën e letërsisë: kriter vlerësimi estetik për disa nuk është më realizimi artistik, por novatorizmi në formë, virtuoziteti teknik, gjuhësor, kompozicional etj. Kjo patologji e “novatorizmit” shpie në epigonizëm. Arti nuk është garë atletike. Në letërsi mbetet jo ai që arrin i pari, por ai që arrin më mirë, më bukur, artistikisht.

    – Ç’mendim keni për letërsinë që krijohet në Kosovë, veçmas për prozën? Sa arrini ta përcillni dhe lexoni atë?

    – Unë i kam redaktuar dy romanet e Hivzi Sulejmanit (Njerëzit đhe Fëmijët e lumit tim) të botuar në Tiranë. E kam lexuar R. Kelmendin, N. Rrahmanin, A. Pashkun. Një pjesë e letërsisë së Kosovës, si poezia ashtu edhe proza, vuan nga një lloj hermetizmi. Hermetizmin duhet luftuar si në planin teorik ashtu edhe në praktikë. Teoretikisht e ka shtruar drejt këtë çështje Rexhep Qosja në artikujt dhe studimet e tij, por praktikisht këtë duhet ta bëjnë vetë shkrimtarët…

    Vonë, kah ora tetë e mbrëmjes, arrijmë në qytetin e Fierit, ku 51 vjet më parë lindi Jakov Xoxa.

    Pasi vendosemi në hotel, hamë darkë bashkë. Në ndërkohë, para se të zbrisnim në restorant, shfrytëzova rastin ta hidhja në letër shpejt e shpejt bisedën me Xoxën, kurse në ndarje t’i kërkoja leje për botimin e saj eventual në Prishtinë. Me modestinë që e karakterizonte, Xoxa më tha: “çne”, por unë tërthorazi e mora si pëlqim për ta bërë publike këtë bisedë për lexuesit e Kosovës dhe veçanërisht për studentët dhe pedagogët e Universitetit të Prishtinës.


    MENDIME TË JAKOV XOXËS

    Nga “Lumi i vdekur”

    – Zemra qenka një pus i thellë: po s’qe pashi i dhembjes i gjatë e i rëndë, s’mund të nxjerrësh jashtë një pikë lot… Po arriti gjer atje, zënë e dalin vetë… A ka pash më të gjatë, më të thellë e më të rëndë se sa vdekja e nënës?

    – Zemrat e fshatarëve janë burime, jo puse: leri të rrjedhin vetë, po i mbylle një herë, shterin.

    – Çudi, ajo që njerëzit rrahin ta largojnë me çdo kusht, ajo vjen e u ngulet në mend më keq…

    – Frika dhe shqetësimi lind gjithmonë nga e panjohura, qoftë ajo edhe hiçgjë përpara një të njohure shumë më të rrezikshme.

    – Mos vallë bukuria paska mbi njerëzit më pushtet nga e drejta?

    – Kur rrinë pranë e mira me të keqen, sikur i japin diçka njëra-tịetrës.

    – Dashuria është si grëmi: lidhet e shtohet më shumë në dhé.

    Nga “Juga e bardhë”

    – Një urë lidh dy brigje, një e puthur mbyll dy shtigje…

    – Një e puthur mbyll katër sy dhe hap dy zemra.

    – Bujqësia është një uzinë pa çati.

    – Pa u lëvruar mirë koka, s’ka si të lëvrohet mirë toka.

    – Koka qenka si toka, nuk pjell po nuk e ngave thellë.

    – Të mos kthehet ajo që është mjet jete, në qëllim jete…

    – Kur fshatarja bëhet qytetare, bëhet më e prapë se qytetaret.

    – Idetë e mëdha janë si lumenjtë malorë: as dredhojnë, as nuk kthehen mbas.

    – Le të bëhet e mira “e keqe” që të zhduket e keqja.

    – Kujtimet janë si mullarët e sanës: i vemë në verë gë t’i konsumojmë në dimër.

    (Zgjodhi: A. V.)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË