More
    KreuLetërsiBibliotekëAgim Bajrami: Qytetet e mëdha janë të tilla prej qytetarëve të mëdhenj

    Agim Bajrami: Qytetet e mëdha janë të tilla prej qytetarëve të mëdhenj

    “Kujtesa është një mjegull që nuk rri kurrë në paqe”, më ngacmoi me postulatin e tij etik një filozof i njohur, menjëherë pasi kisha lexuar edhe faqen e fundit të librit monografik “Iliaz Brija i Shëmrisë”, të autorit Zef Çupi. Ndoshta ngaqë, si rrallë herë, isha ndier i pushtuar nga fryma e ndjerë me të cilën është shkruar ai libër, frymë që lëviz mes admirimit dhe mallit, por edhe mes pushtetit të vdekjes si akt biologjik dhe pushtetit të pavdekësisë si metaforë letrare.

    Parë në një kënd më të gjerë, një libër i tillë nuk është thjesht një monografi, por shpirtëzimi i një imazhi njerëzor që vjen midis nesh pas një pritjeje dhe mungese goxha të gjatë. Ka shumë monografi që, edhe pse të mbushura me fakte dhe ngjarje të vërteta, nuk të lënë asnjë mbresë apo emocion pas leximit. Kjo sepse, duke e vendosur në plan të parë informacionin historik, të dhënat arkivore me ngjarje dhe data të shumta, autorët e tyre harrojnë, si padashur, atë më kryesoren: njeriun për të cilin është shkruar libri, botën e tij shpirtërore dhe morale, marrëdhëniet e tij me njerëzit dhe me kohën në të cilën ka jetuar dhe milituar. Edhe pse me një përvojë të pakët në këtë fushë, autori Zef Çupi ia ka dalë mbanë.

    Duke e lidhur fëmijërinë dhe rritjen e tij me ndikimin e madh të heroit, autori ka ditur të krijojë një trup të tillë rrëfimi ku të dy palët plotësojnë njëri-tjetrin më së miri, përmes çasteve dhe momenteve më të spikatura jetësore që kanë kaluar së bashku, me situatat dhe kthesat e shumta të jetës. Kjo e bën figurën e Iliaz Brijës të dalë nga kornizat e njohura dhe të ngurta të heroit skematik, larg përshkrimeve të fryra dhe glorifikuese, duke u vendosur në një pozicion të dukshëm reflektues.

    Lexuesit i mjaftojnë vetëm disa fraza për t’u njohur dhe për të eksploruar botën e atij njeriu, të thjeshtë në dukje, por kaq të madh në shpirt dhe botëkuptim.
    “E kam parasysh si gjithmonë të gjallë portretin e tij, – thotë autori, – një qëndrim dinjitoz me një hijeshi të rëndë. I qetë në çdo kohë, fjalëpakë, me një të folur të ngadaltë që i jepte madhështi.”
    “Fliste mirë dhe bukur për njerëzit e punës, por kur fliste rrallë për ndonjë njeri me të meta, i shfaqej një nënqeshje e lehtë, e priste shkurt dhe thoshte:

    – Pastë fenë e vet. Shyqyr që ti nuk je si ai.”

    Nëse do të shprehemi në mënyrë metaforike, Iliaz Brija i Shëmrisë, por edhe i Kuksit, vizatohet si një copëz dielli që i del befas në rrugë autorit, për t’i pastruar mjegullën e dyshimit dhe pasigurisë që e shoqërojnë atë, si çdo të ri, në hapat e parë të daljes në jetë. Heroi i këtij libri, me kulturën e gjerë që zotëronte, diti ta merrte për dore fëmijërinë dhe rininë e autorit, duke e drejtuar atë drejt fundit të tunelit, drejt dritës së munguar.

    Në kushtet e një mbylljeje të plotë hermetike të vendit dhe kohës ku u rrit dhe u maturua jeta e autorit Zef Çupi, këshilla e Iliaz Brijës për ta gjetur këtë dritë vetëm nëpërmjet leximit mund të merret edhe si një sfidë për t’iu shmangur kurtheve të rrezikshme të kohës, por edhe për t’u takuar me lirinë e vërtetë, e cila në atë periudhë diktatoriale mund të përjetohej vetëm nëpër ëndrra. Iliaz Brija dhe librat e tij ditën të mbillnin te autori i kësaj monografie interesante ato ide dhe mesazhe që do ta mbanin fort për dore, duke i ndezur guximin dhe shpresën në kohëra pa shpresë.

    Jo më kot autori pohon i ekzaltuar:
    “Libri është shpikja më e madhe e njerëzimit, sepse ai s’të lë kurrë të vetëm dhe, në vetminë më të thellë, hyn brenda teje dhe kurrë nuk të braktis. Librat janë dhe mbeten për të gjithë një thesar i paçmuar.”

    Në këtë këndvështrim, figura e Iliaz Brijës duhet konsideruar edhe si “njeriu-libër”, prej të cilit kishte mundësi të mësonte gjithkush, mjaftonte t’i rrije pranë dhe të shfletoje prej tij çdo faqe të jetës.

    “Isha i ri kur më ra në duar ‘Komedija Hyjnore’ e Dante Aligerit, – shkruan autori, – dhe shumë gjëra nuk i kuptoja nga ai libër alegorik fantastik. Por isha me fat që kisha udhëheqësin tim, Iliaz Brijën, që më udhëhoqi nëpër rrugët e ferrit dhe parajsës njerëzore, pa më lënë të humbas.”

    Ishte po ai njeri që e ndihmoi me këshillat e tij të vlefshme edhe kur dikush i vodhi bllokun e vogël, të mbushur me shprehje dhe citate “të rrezikshme”, që nuk i pëlqenin regjimit, dhe ia dorëzoi sekretarit të partisë dhe organeve të sigurimit.

    – Përqendrohu që të dalësh nga kjo e keqe, – më pëshpëriti ngadalë Iliazi.

    – Nuk është e lehtë. Njerëzit e këqinj do të shtyjnë që të biesh në grackë. Nëse të nxehin, të kanë mundur.

    Duke ndjekur amplitudën e jetës plot ulje-ngritje të heroit, autori gjen rast të vendosë para nesh edhe kalendarët kohorë në të cilët ai jetoi dhe veproi: kohë kur njerëzit e mirë shihnin në ëndrrat e tyre vetëm pranga, burg, zymtësi, zjarrllëk dhe zemërim. Njerëzit ishin të rraskapitur nga shtypja, persekutimi dhe mjerimi që ishte ulur këmbëkryq në çdo skaj të Shëmrisë.

    Iliaz Brija ishte nga ata njerëz që, edhe në këto kushte, nuk e humbi asnjëherë fisnikërinë, burrërinë dhe dinjitetin e malësorit, edhe kur shumëkush kishte humbur toruan dhe i ishte dorëzuar së keqes.

    Restoranti ku shërbente ai ishte bujtina më e dashur për shoferët dhe udhëtarët e shumtë të veriut, vendi ku mund të shlodheshe, por edhe të mbusheshe me shpresë për të vazhduar përpara. Ai ishte njeriu që u shërbente të gjithëve në sofër, duke u buzëqeshur, dhe ky ishte qëllimi më i çmuar i këtij njeriu dhe qytetari të madh. Në shtëpinë e tij në Shëmri të Kuksit, sofra nuk është ngritur asnjëherë pa miq, pa fshatarë hallexhinj dhe pa udhëtarë që i zinte rruga andej.

    Iliaz Brija dhe autori i këtij libri përfaqësojnë individin në lojën e tyre ekzistencialiste, në një kohë të vështirë, ku liria dhe demokracia ishin thjesht një iluzion. Ata janë vetëm me vetveten në detin e së keqes, por jo të thyeshëm. Linjat e tyre portretizuese dallojnë nga të tjerët për shumë veçanti, por nuk janë të pakuptueshme.

    Ndërsa merret me fokusimin e këtij portreti, “kamera” e autorit përqendrohet herë pas here edhe te pasojat e tmerrshme që mbolli regjimi te njerëzit e thjeshtë të vendit: shpërfytyrimi i karakterit, lufta e egër e klasave, ajo kundër besimeve fetare, represioni ndaj intelektualëve dhe gjyqet e sajuara kundër atyre që mendonin ndryshe.

    “Perdja u ngrit dhe filloi akti i tretë i këtij teatri absurd, në një mori shpifjesh, intrigash dhe fabrikimesh të gjërave të paqena.”

    Iliaz Brija, me karakterin e tij, simbolizon portretin e njeriut që rrezaton kulturë dhe integritet moral në një kohë dhe ambient të vështirë. Dinjiteti i tij, i veshur me heshtje, mund të merret edhe si një formë qëndrese dhe sfide ndaj regjimit dhe gjithë atyre që kontribuonin me vetëdije në shërbim të tij.

    Libri arrin të ruajë kontaktin emocional me lexuesin, jo vetëm nga bollëku i humanizmit që reflekton heroi me vlerat e tij të larta, por edhe nga natyrshmëria dhe stili narrativ i autorit. Frazat e rrjedhshme, ngjyrat metaforike dhe stili i shkathët e bëjnë atë të lexohet me një frymë dhe të reflektosh. Duke zbuluar skenë pas skene momentet më të ndjera të jetës së Iliaz Brijës, dimensioni i tij bëhet më i prekshëm për lexuesin model dhe atë të zakonshëm. Kjo sepse, në çdo hap dhe gjest të tij, ka diçka që të kujton një njeri për të cilin kemi nevojë të gjithë: për të njohur vetveten dhe për të mësuar.

    Njerëz të tillë i lind urtësia për të mbjellë urtësi te të tjerët. Duke përdorur dijet dhe kulturën që zotëronte si mjet identifikimi, ai diti t’i japë jetës dhe peizazhit ku jetonte një dimension më të madh dhe më magjik. Ai nuk është nga ata heronj të prodhuar me shumicë nga propaganda hipokrite e kohës, të zhveshur nga ndjenjat njerëzore, por një hero që të shtynte ta dashuroje jetën dhe të ëndërroje.

    Do të më pëlqente ta krahasoja këtë personazh me heroin qendror të “Fati i një njeriu”, edhe pse ky krahasim nuk më duket i plotë. Iliaz Brija ishte Iliaz Brija, dhe kjo i thotë të gjitha. Krahasimi më i goditur në këtë rast do të ishte citimi i vargut të Uollt Uitmanit:

    “Qytetet e mëdha janë të tillë
    nga qytetarët e mëdhenj.”

    Fakti që një njeri si Zef Çupi kujtohet të shkruajë një monografi kaq të ndjerë për të pas kaq vitesh, dhe që në promovimin e saj mblidhen kaq shumë miq e shokë, është domethënës. Heroi, me vlerat dhe bëmat e tij, vazhdon të jetojë brenda kujtesës dhe dashurisë së tyre, brenda së sotmes dhe së nesërmes.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË