KJO ËNDËRR E ZOTIT
Zoti, para se ta krijonte botën, e ndezi dritën. Kjo do të thotë që ai ishte në gjumë, dhe para se ta krijojë, e ëndërroi atë. Ja pse kjo botë na duket si një ëndërr, brenda së cilës kemi ëndrrat tona të vogla, derisa në fund të biem në gjumin e madh dhe ta lëmë ëndrrën e realizuar të Zotit pa arritur t’i realizojmë ëndrrat tona.
E, tashmë që Zoti ka vdekur dhe ne, gjithashtu, do të vdesim, kush do ta fikë dritën?
ÇKA ËSHTË DASHURIA?
Vonë, pas mesnate, djali sillej herë në njërin krah, herë në tjetrin. Kur e pa që s’po mund të flinte, u çua, doli në ballkon. Vuri bërrylat mbi parmakë, shikoi hënën lart dhe trëndafilat poshtë që zbukuronin kopshtin nën dritën e saj.
Duke ndenjur ashtu, u ndërmend dhe shkoi e trokiti te dhoma e babait, i cili u vonua pak derisa ndezi llambën, vuri syzet dhe gjeti pantoflat. Kur babai e hapi derën, djali ia priti:
– Çka është dashuria?
Babai, që kishte qenë duke bërë dashuri me gruan, shikoi në të dy anët e korridorit se mos shihte përgjigjen ndokund.
– Është ora dy e natës, bir, dhe ti s’ke fjetur?
– S’mund të fle pa e gjetur përgjigjen.
– S’mund të flesh? E, pra, tashmë e paske gjetur,- i tha babai, ia ktheu shpinën dhe e mbylli derën.
PEGASI
Ajo ishte mbështetur në supin e tij dhe po shikonte perëndimin e diellit. Ai mbante hapur librin dhe po i lexonte poezi, vargjet e së cilës ia kishin ndezur imagjinatën, aq sa i dukej sikur po shihte kalin e bardhë me një bri në ballë duke u ngjitur drejt qiellit. Ndjesia që përjetonin dy të dashuruarit ishte e ëmbël, dhe pamja poetike ishte aq e bukur sa të linte pa fjalë, sikur të mos prishej nga një incident banal. Pak metra më tutje një kalë tjetër i bardhë po çiftohej me një gomaricë.
S’di se cili çift po kënaqej më shumë, por e merrja me mend që e ardhmja e të dy çifteve ishte mushkë.
LEKSION ETIK NGA NJË NJERI CULLAK
Një antropolog evropian vizitoi një ditë një ‘fis të egër’ që hynte në fushën e tij të studimit. Përpara i doli një burrë cullak, sapo e pa që dikush hyri në fushën e tij të sundimit.
U përshëndetën. I zhveshuri e kuptonte gjuhën e të veshurit, kurse ky s’e kuptonte gjuhën e tjetrit.
Studiuesi i Njeriut, i veshur, i hekurosur, i lyer dhe i ngjyer, si një njeri që xhunglën e sheh me gjyzlykë, e pyeti Njeriun:
– Pse nuk visheni?
– Sepse është nxehtë.
– Por, pjesërisht së paku.
– Është nxehtë për të gjitha pjesët.
– Po së paku, pjesët e turpshme.
– Të turpshme? Cilat pjesë, çka është e turpshme?
Atëherë, ai që kishte shkuar ta ndriçonte atë fis, e ndjeu veten në terr. E hoqi shaminë që mbante supeve si pionierët, dhe ia zgjati.
– Merre këtë shami dhe vendose aty ku mendon se duhet të vendoset!
Njeriu i zhveshur e shikoi dhe nuk diti se ku ta vendoste, por duke ndjekur shembullin e mysafirit, e vendosi supeve, dhe ia nguli sytë vizitorit të veshur. Atëherë, ky, duke u përpjekur t’ia shpjegonte pa e ofenduar, i tha:
– Mbuloje atë pjesë që, ti e di, futet gjithkund!
Atëherë i zhveshuri e kuptoi, e bëri dyfish shaminë, e çoi te fytyra dhe e lidhi pas veshëve.
I veshuri i tha:
– Ti e mbulove hundën. Ajo s’është organ i turpshëm.
– Është hunda ajo që ju evropianët e fusni gjithkund.
Pas pak, ndërsa dielli po ulej pas malit, në dy anë të kundërta po largoheshin njeriu i zhveshur me hundën mbuluar, dhe njeriu i veshur me organin e turpshëm zbuluar.
DEKALOGU I RI
1. Mos iu bind Zotit, njeriut, as djallit! Kush të thotë përkulu, jepja plumb ballit!
2. Ndërroje Hyjin, se ke lindur i lirë! Adhuro statujat, se arti na bën më të mirë!
3. Përdore emrin e Zotit kur i ke punët ngushtë. Kështu i zgjidh do raste që nuk zgjidhen me grusht.
4. E shtuna është e shenjtë, është thënë ngahera. Ti, sa punon kot, shenjtëroi dhe ditët e tjera!
5. Mos i ndero prindërit, se s’kanë asnjë meritë. Ishe i lumtur kur s’ishe, të sollën këtu ku nuk sheh dritë.
6. Vrit, se ndryshe të vrasin! Sa njerëz të kotë ka kjo botë, vriti se ta plasin!
7. Tradhto dhe ngutu sa ke takat! Bëhu i pari, që pastaj kush të tradhton, le të akuzohet për plagjiat.
8. Vidh, se punë është edhe ajo! Dhe punë djerse, jo dosido.
9. Rrej sa të mundesh, me rrenat më të bukura e më të tmerrshme, se krejt ta kanë thënë që kjo dynja është e rrejshme.
10. Duaje gjënë e tjetrit dhe mos u çudit pse livadhi i tjetrit është më i jeshiltë!
Kështu kishte shkruar dikush në anën e prapme të pllakës që Mojsiu e hodhi tutje me dëshpërim.
Urdhëresat e tjera ju i dini, s’kam çka me ju thanë. Veç mos harroni që pllaka ka dy anë!
DY MIQ DHE NJË MUZË
Na ishin njëherë dy miq të ngushtë. Muzikantë të dy. Fatmirësisht, kishin një muzë. Fatkeqësisht, muza që frymëzonte të dy, ishte e martuar me njërin prej tyre. Edhe tjetri e donte për vete, por e donte edhe mikun. Dhe ia tha asaj. Ajo e donte burrin, por edhe mikun e tij, tek i cili iku një ditë.
Kur u kthye, vendosi t’i tregojë burrit se kishte nisur lidhjen e re. Ia tha dhe brenda atyre pesë sekondave sa vonoi përgjigjja, truri i saj krijoi pesë skena:
ai e pështyu në surrat;
ai bërtiti si i luajtur mendsh;
ai iu afrua dhe e goditi me shuplakë;
ai e kapi për flokësh dhe me një inat prej Akili, e tërhoqi zvarrë dhjetë herë rreth shtëpisë;
ai nuk u çua fare, vetëm hapi sirtarin, nxori revolen dhe shtiu në të.
Pas pesë sekondash, ai pyeti qetë:
– Me kë?
Ajo ia tha. Ai s’vonoi as një sekondë dhe ia ktheu:
– Më mirë me të, se me ndonjë narkoman tjetër.
Muza vazhdoi nga njëri muzikant te tjetri, duke u ndjerë krenare për këngët që ia kushtuan të dy burrat, i riu dhe ‘i vjetri’.
MAN IN MAKING
S’ishin Sartri dhe Simona, por ashtu dukeshin dhe ashtu quheshin. Pasi kishin folur për world in making, Sartri po lexonte një artikull gazete dhe po pinte një vodka, ndërsa Simona po pinte një gotë verë të kuqe dhe po mendonte për seksin e dytë. Pasi mbaroi leximin, ai ia kaloi gazetën asaj, duke e shënjuar artikullin me gisht. Ajo e mori dhe e lexoi.
Ajo ishte e re dhe e bukur, ai i ri dhe trim. Dhe ishin lidhur para tre vjetësh. Edhe pse kishin ende kujdesin e ndërsjellë dhe intimitetin emocional, mendonin se ‘kimia’, ose ‘poezia’ e pasionit mes tyre ishte harxhuar. Artikulli u jepte të drejtë. Për tre vjet (dhe ky ishte maksimumi) harxhohen adrenalina, dopamina dhe oksitocina, domethënë: harxhohet dashuria.
Pas tre vjetësh, ja ku ishin në të njëjtin pub ku ishin njoftuar.
Në anën tjetër të banakut, një djalë po e shikonte Simonën me interesim. Sartri e pa, bëri sikur kishte punë, vuri kapelën dhe duke dalë, i tha djalit: nuk është e imja, është e dënuar të jetë e lirë. Dhe doli. Djali iu afrua Simonës, me të cilën pas pak nisën t’i shkëmbejnë lëngjet.
Kur ditën tjetër, Sartri dhe Simona u takuan në një kafe, ajo e pyeti se pse e bëri atë, a mos ishte lodhur nga lidhja, mos nuk e donte më, mos përpiqej ta hiqte qafesh. Pra, pse? Ai ia dha një ‘sepse’ të çuditshme: sepse e kam lexuar “Confined love”. Dhe ia e vuri në tavolinë një libër të trashë me kopertina të forta.
Ajo nisi ta lexojë, ndërsa ai ia pohonte vetes: ekzistencializmi është humanizëm, dhe humanizmi përsoset nëpërmjet animalizmit.
TEORIA E NGJYRAVE
Filozofi ishte adhurues i madh i Poetit, dhe kur mori ftesën nga idhulli i tij për të bashkëpunuar mbi teorinë e ngjyrave, s’e mendoi dy herë. Sapo arriti në Weimar, shprehu admirimin e tij:
– Është kënaqësi të takoj shkrimtarin më të madh gjerman.
– Më i madhi ndoshta jam, por gjerman sigurisht nuk jam.
Filozofi u habit, dhe habia ishte zanati i tij.
Poeti, që po mbante në dorë një libër pikture, ia tregoi portretin e Mona Lizës, dhe e pyeti:
– Me cilën ngjyrë është bërë kjo pikturë?
– Me të gjitha, mendoj,- tha Filozofi duke e marrë librin në duar.
– Nëse kjo nuk është vetëm e bardhë, vetëm e zezë, vetëm e kuqe, vetëm e verdhë, apo vetëm blu, si mund të mendosh për mua ashtu?
Me t’i thënë këto fjalë, Poeti kapi brushën, përzjeu ngjyrat mbi tavolinë, dhe foli:
– Kombinacioni si akt e zbeh nacionin si fakt.
Në çast, të dyve u qeshën fytyrat dhe së bashku nisën t’i përziejnë ngjyrat.


