More
    KreuLetërsiBibliotekëAdrian Lesenciuc: Balada (fragment nga romani)

    Adrian Lesenciuc: Balada (fragment nga romani)

    Përkthyen nga rumanishtja:
    Spriu Fuchi
    Altin Vasillaq Kaso

    Romani “Balada” është shkruar nga Adrian Lesenciuc, një pasardhës i familjes Golembiovskit-Porumbesku. Kompozimi i famshëm “Balada” shoqëron këtë roman, që ilustron një nga historitë më të bukura të dashurisë në letërsinë rumune.

    Bazuar në biografinë e familjes Porumbesku, me dy personazhe kryesorë, Irakliun dhe Ciprianin, romani “Balada” është tronditës në përshkrimin e pastërtisë së dashurisë dhe dinjitetit që triumfon mbi dallimet, diskriminimin dhe abuzimin. Dashuria dhe dinjiteti i të dyve mbeten një testament i pavdekshëm i njerëzimit që pushton historinë me esencën më të bukur dhe më të thellë të një kënge. Babai dhe i biri nisin një kërkim për një këngë shëlbuese, dhe përgjatë 16 episodeve të librit, të treguara nga të dy, si dhe nga personazhe të tjera, përfshirë poetin Mihai Eminescu, një mik i afërt i familjes, ata përjetojnë dramën e një vendi të tradhtuar, një familje të shkatërruar, poshtërimin nga ata që mbajnë pushtet, dashurinë e ndaluar nga normat fetare të pakuptueshme dhe sëmundjen që përhapet dhe vret. Kur provat duken të pashpresa, “Balada” shfaqet si një personazh në vetvete dhe ripërcjell jetën e rajonit të Bukovinës, jetën e priftit të mirë Irakli, të birit të tij Ciprian Porumbesku, dhe dashurinë që duket se ka humbur, por që gjithmonë triumfon përtej distancave, pengesave dhe vdekjes.


    E dëgjova atë këngë të vinte nga Kodra e Kryqit duke mbytur tingëllimën e zileve dhe këmborëve. Çobani ishte ndalur te rrëza në brinjë, me fyellin në buzë, e bashkë me të ish ndalur dhe mbrëmja. Mbi muret e trashë të manastirit kishte rënë fillimisht paqja, e më pas ajo doinë zëmbytyr e me gurgullima, u duk sikur shkonte rreth mureve dhe depërtonte mes gurëve të vjetër. Unë kisha zbritur për të larë vedrat. Do kem qenë aty tek gjashtë vjeç sepse nuk e kuptoja se çfarë ndodhte në ato anë, por kisha filluar ta merrja me mend se ajo këngë, edhe nëse dilte nga buzët e çobanit, në fakt zbriste nga mali, nga fëshfërima e bredhave, nga historitë e atyre vendeve. Do të jetë përhapur kënga edhe përtej kreshtës, drejt fshatit, dhe ndoshta edhe matanë atyre maleve që nuk kishin emër, duke zbritur drejt Vicëut, anës Gurëve të Motreskulit, drejt Vojvodesës, apo edhe më tej, në Luginat e Putnishoarës, e më pas të Berkezës, përmes Paltinut, deri në Sucevicë, tek babushi.

    Isha ndalur dhe rrija ashtu, me vedrat në duar, i magjepsur nga ajo këngë pa emër, kur me vuri re atë  Genadi, vetë arkimandriti. Pandeha se do më qortonte, por edhe ai ishte ndalur, fshiu ballin si për të larguar kushedi çfarë sikleti, dhe me mendjen e rrëmbyer nga kënga e fyellit më tha:

    - Mbaro punët bir dhe eja pas mbrëmësores të të tregoj një histori.

    Ajo këngë, që trazonte e depërtonte në çdo kënd të botës dhe në mendime e ëndrra, nuk mund ta linte pa turbulluar as atë, sado që të ishte i kredhur në lutjet dhe në mundimet e veta. Por befas ajo u ndal dhe menjëherë filluan të shquhen muret e manastirit, hija e atë Genadit duke u larguar dhe Kodra e Kryqit, edhe kopetë e bagëtive, madje sikur çelën e u ngjallën edhe tingëllimat e zileve dhe këmborët dhe blegërimat e deleve. Nuk vonoi dhe u dëgjua buçiumi[1] i kryeçobanit që ndillte delet në vathë.

    - Ore Irakli, më thirri im vëlla, Sevastiani, i lave vedrat?

    - Erdha, i thashë dhe ia mbatha për tek burimi.

    Sikur isha në një tjetër botë, sikur ajo këngë më mbante bashkë gjithë rruazat e zinxhirit të qenies sime, që të mos më rrokulliseshin teposhtë, sepse nuk kisha ndjerë kurrë më parë një forcë të atillë në trupin tim të brishtë, të mbështjellë në ca rroba të gjera dhe jo aq të përshtatshme për moshën dhe nevojat e mia për të lodruar.

    Kur dielli zbriti matanë Kullës Perëndimore, duke ndriçuar përmbi Obçinë me një rrëzëllimë të fundit Brodinën dhe Falkëun, atë Genadi më thirri pranë tij, më nxori nga porta e manastirit në heshtje, e pastaj i ramë rrotull Kullës Lindore e mureve dhe u ulëm me fytyrë nga jugu, aq sa për të pasë para syve gjithë Kodrën e Kryqit.

    - Djalosh, më pyeti, ke dëgjuar ti për Stefanin e Madh?

    - Më ka treguar mamaja atë, por ta dish se më ka folur edhe babai njëherë, kur më mori me vete për gjueti. Dhe më foli edhe për ca prijës të tjerë të vendit …

    - Për Aleksandrin?

    - Për Dragoshin…

    - Keni qenë për gjueti në këto anë, në Këmbë të Dragoshinës?

    - Kemi qenë at, nëpër pyje, për nga Dragosha. Dhe më tha babai që Dragoshi ka qenë prijësi i parë i vendit…

    - Mësime të mira kanë zënë të të japin prindërit e tu dhe sa mirë që ti e ke mendjen e hapur për të nxënë këto gjëra, se vetëm kështu ia kemi dalë të qëndrojmë këtu, të patundur, me përkujtimin e prijësve dhe njerëzve të veprave të krishtera dhe me këtë këngë. Se të pashë si e dëgjon fyellin dhe u gëzova, se është dhuratë nga Perëndia të mund të rrëfesh historinë e vendit tënd me pak tinguj. Ia di historinë kësaj kodre?

    - Nuk e di atë.

    - Ta dish djalosh, se prijësi më i madh që ka pasë vendi ka qenë Stefani. Dhe andaj njerëzia e quajti atë Stefani i Madh. Se ai mbretëroi për vite të tëra, për gjysmë shekulli dhe e mbrojti Moldovën si nga turqit e tartarët, ashtu edhe nga polakët e hungarezët. Por Stefani ka qenë i madh pikërisht sepse e ka dashur këtë vend dhe se populli e ka dashur atë. Tani, unë nuk e di sa e kupton ti se çfarë do të thotë të jesh prijës dhe të të dojë vendi yt…

    - Ashtu siç e do tani populli princin?

    - Jo, djalë, tani vendi ynë është i pushtuar dhe ka një sundimtar të huaj. Në fakt, jo i gjithë vendi, por vetëm kjo anë e malit, që nuk i bindet më Fronit të Suçeavës, por Oborrit të Vjenës. Nuk ka më prijës vendi, por është një perandor që i thonë Franc e që sundon mbi këto troje. Ndërsa Moldova e gjorë, e mbetur pa pyjet magjepsës të Bukovinës dhe pa djelmoshat e saj azganë, ka pasë në krye gjithmonë sundimtarë të huaj, të cilët nuk kanë dashur t’ia dinë për vendin e shkretë. Kanë ardhur në krye të tij me radhë të gjitha familjet e kamura që kanë paguar e blerë sulltanin, një takëm si Gjikët e Mavrokordatët, Kalimakët, Moruzët e Ipsilantët, por thuajse askënd nuk e ka ngrënë meraku për këtë vend. Kurse tani, ndoshta e ke vënë re, njerëzit as që flasin më për këtë. Sikur askujt nuk i intereson më fati i vendit. Por ç’po i bëj dhe unë këto muhabete me një fëmijë që ende nuk e di se çfarë është qeverisja. Hajde më mirë të kthehemi te Stefani…

    - At, por kush e zotëron tani Moldovën, apo atë që ka mbetur prej saj?

    - Askush çuno, është nën sundim carist.

    - Ç’do të thotë kjo?

    - Në lindje kemi rusët dhe ata kanë zaptuar gjysmën e Moldovës qysh para se të lindje ti, që kur kaçaku Darie vriste e priste në këto anë, kurse që vjet, prijësin që vunë turqit, Ionicë Sandu Sturxën, e zbuan dhe e degdisën një Zot e di se ku, dhe vendin e sundojnë rusët. Si të ta sqaroj unë mor djalë? E ke parasysh kur u hedh pulave në oborr dhe ato shpupurishen e zihen për çdo kokërr misri? E, ashtu dhe me këtë vend që është aq i  pasur. E kanë flakur mes perandorive dhe përleshen për të turqit nga jugu, rusët nga lindja dhe austriakët nga perëndimi. Më pas, nuk ka shumë kohë, nga perëndimi erdhën edhe frëngët e perandorit Napoleon, por ata nuk arritën të kërkonin pjesë. Dhe tani, pothuaj nuk ka mbetur asgjë nga vendi ynë i gjorë. Turqit na lanë ca më qetë, por na sollën në krye të Moldovës prijës që i shpunë të gjitha pasuritë në Carigrad. U bënë lloj-lloj marrëveshjesh me austriakët. Austriakët bashkë me hungarezët i vodhën këto toka, ja, para më shumë se gjysmë shekulli, në kohën e Grigor Gjikë Vojevodit. Kurse rusët rrëmbyen Moldovën e përtej Prutit, domethënë gjysmën e vendit dhe tani shoh se ata zaptuan edhe oborrin mbretëror të Jashit.

    - Po ne do të bëhemi prapë shtet?

    - Do bëhemi bir, me njerëz si ti, që e dinë ç’ka ngjarë në këto vise, se përndryshe do të vijnë të huajt e do t’i plaçkitin pa ndalë këto troje dhe ne do të ulim kokat e do të rropatemi nën zgjedhën e perandorit …

    - Aha, tani po e kuptoj pse ikin djemtë nga Suçevica dhe thuhet se i shërbejnë Perandorit!

    - Ke të drejtë bir, por nuk ikin me hir të gjorët, – një djalosh nga fshati, George i thoshin, e morën me vargonj. Doli gjithë njerëzia në xhade për të bërë sehir se si xhandarët e tërhiqnin zvarrë si qen.

    - Ama ashtu i mbledhka ushtarët perandori …

    Maja e pyllëzuar e Kodrës së Kryqit ishte zhytur në muzg. Luginës tej, për nga fshati, dëgjoheshin përhumbshëm disa tinguj. Ishte freskuar pak dhe unë u struka pranë atë Genadit. E mbi dhé veç kandrrat zukatnin zhurmshëm nëpër bar dhe veç yjet pulisnin vezullues duke shpuar kupën e qiellit.

    - Po Stefani?

    - Stefani? Ehe, mor djalë! Në ato kohëra, të kenë kaluar mbi tre shekuj që atëherë, Stefani ishte më i madhi prijës i të gjitha trojeve të popullit tonë. Por armiqtë ishin të shumtë dhe ishte vështirë t’u bëje ballë. Dhe erdhën turqit dallgë e tallaz dhe e mposhtën Stefanin dhe ushtrinë e tij, ja aty poshtë, siç shkon për tek ajo maja, në një vend që quhet Rëzbojeni, por që pas betejës u quajt Lugu i Bardhë.

    - Lugu i Bardhë?

    - Po bir, ashtu u quajt, se në atë luginë mbetën eshtrat e ushtarëve të vendit dhe me kalimin e kohës ato u zbardhën nga dielli duke shndritur sa të verbonin sytë dhe prandaj njerëzit e atyre anëve e quajtën Lugu i Bardhë.

    - Zot i Madh, aq shumë?

    - Po bir, aq shumë. Dhe Stefani që shpëtoi gjallë, erdhi këtu, në këta pyje të dendur. Se e dinte që mes tyre, në një shpellë, fshihej një murg që fliste me shpirtrat, Danil e quanin.

    - Dhe është akoma ajo shpella?

    - Po bir, do të të çoj ndonjë ditë tek qela që ka rrëmuar Danili në shkëmb. Të jetë nja gjysëm ore larg më këmbë që këtu.

    - A mund të vemi tani at?

    - Jo bir, se janë pyje të dendur dhe ka shumë egërsira nëpër ata pyje, e në mos e paç mendjen, të hidhen përsipër.

    - Po nesër, a mund të shkojmë nesër at?

    - Do vemi bir, por le të mbaroj historinë tani.

    - Po at, të dëgjoj…

    - Edhe, erdhi Stefani tek qela e Danilit, ashtu, i veshur me rroba princërore dhe takëme gati për betejë dhe bëri të hynte. Dhe ky murgu po lutej. Dhe princ Stefani bëri të hynte, por, si thonë të moçmit, Danili nuk u ndje dhe vazhdoi të lutej. E kur mbaroi lutjen, e ftoi Stefanin bashkë me shërbëtorin e vet, me të cilin kishte kalëruar përmes pyjeve, të uleshin e të kuvendonin. Por Stefani ishte aq i pezmatuar e i mbytur nga mërzia sa nuk mundi të nxirrte asnjë fjalë. Dhe eremiti e vështroi në sy dhe i tha: “Shko o Princ, kërko dhe mblidh një tjetër ushtri, se nuk ke për të ngadhënjyer kurrë me këtë ushtri feudalësh!”. “Dhe ku ta kërkoj, Hirësi?”. “Thirr vendasit që duan të mbrojnë trojet dhe besimin e tyre dhe falu atyre toka që të kenë çfarë të mbrojnë!” “Po, Shenjtëria juaj, në çast po shkoj!” Me sa duket, Stefani do ketë mbërritur tek qela e Danilit në të errur dhe dielli tashmë ishte fshehur pas majave të bredhave. Kryezoti e kishte mbledhur mendjen që deri në të gdhirë të arrinte në Kryeqendër. “Ja prit njëherë Imzot, se nuk është kaq kollaj”, i thotë murgu. “Po ç’ka tani Shenjtëri, se këshilla juaj është më e mira që kam marrë ndonjëherë. As Këshilli Mbretëror nuk ka mundur të më japë udhëzime më të mira”. “Ja, ulu njëherë Imzot dhe mbaj vesh”. Dhe Kryezoti u përkul dhe afroi veshin pranë këmbës së majtë të murgut. “Çfarë dëgjon?” “Vaje”, tha Kryezoti. “Të qara me ligje dëgjoj!” “Vendi po qan, Imzot! Po këtu?” pyeti eremiti, “këtu çfarë dëgjon?” dhe i tregoi një tjetër vend, pranë këmbës së tij të djathtë. “Dëgjoj këngë, i Tërëshenjt!”, dhe Kryezoti u çel në fytyrë iu kthjellua vështrimi. “Epo, kjo ishte” i thotë eremiti, “sonte do të gdhihesh këtu me mua Kryezot, do të rrish për darkë bashkë me shërbëtorin tënd dhe nesër në të gdhirë, kur të marrësh rrugën për në Kryeqendër, kudo që do të dëgjosh këngë, do të ngresh një manastir”. Dhe Princ Stefani ndenji në atë dhomë të vogël, në qelën e gërmuar në shkëmb dhe fjeti i përkundur nga engjëjt. Se ajo copë nafore dhe uji i bekuar i murgut ishin darka më e mirë që i ishte shtruar ndonjëherë. Dhe kur u zgjua, sa zbardhi dita, me gjithë atë rrezatim që shkëlqen veç buzë pyllit, mbi sythat e boçeve të bredhit si qirinj, u nis me shërbëtorin pas maleve. Dhe kur doli në majë të asaj kodre, që sot quhet Kodra e Kryqit, dëgjoi një këngë. Një çoban i këtyre anëve që kishte dalë e kulloste kopenë e vet poshtë në luginë, u ndal nën hijen e bredhave dhe ia mori këngës. Dhe Princ Stefani e kuptoi se ishte po e njëjta këngë që kishte dëgjuar edhe në qelë dhe u ndal e u fal i prekur pa masë nga shenjtëria e kësaj ndodhie. Dhe pasi kënga u tret në tingëllimat e zileve, në blegërima dhe cicërimat e zogjve, princ Stefani rroku harkun, e tendosi dhe lëshoi shigjetën drejt luginës. Aty ku u dëgjua kënga, ai vuri një kryq, dhe që atëherë ky vend quhet Kodra e Kryqit; dhe aty ku ra shigjeta vendosi një tjetër kryq dhe aty tani është altari i kishës së shenjtë të këtij manastiri.

    - Dhe a mblodhi ushtri Stefani?

    - Mblodhi bir, mblodhi, dhe u kthye nga Suçeava me ushtrinë e tij me fshatarë dhe i mposhti turqit dhe ra paqja mbi vendin tonë. Dhe njerëzve që luftuan krah tij, ai iu dha toka aq sa mund të qarkonte secili duke kalëruar për një ditë, dhe njerëzit i mbrojtën tokat e tyre. Dhe kur u ra paqja në vend, Princ Stefani nuk harroi fjalën që kishte dhënë, u kthye në Putna dhe urdhëroi të ndërtohet ky manastir. Dhe siç të thashë, altari është pikërisht te vendi ku ra shigjeta.

    - I fortë duhet të ketë qenë Princ Stefani, që e shtriu harkun dhe arriti shigjeta që nga maja e kodrës e deri këtu poshtë te manastiri.

    - E tani, thonë …

    - Dhe murgu? Me të çfarë ndodhi?

    - U bë këshilltar i Stefanit. Dhe Kryezoti e bëri starec të madh në një tjetër manastir që e ndërtoi andej poshtë, tutje në Voronec.

    - Aha, thashë, dhe m’u hap goja.

    - Epo, ik tani bir, ik fli se të vunë në gjumë gjithë ato histori.

    Dhe u ndava nga atë Genadi, por ai më foli prapë:

    - Ta dish bir, se nuk është pa kuptim kënga që dëgjove sonte. Shko, dil ti në jetë dhe ndiqe këngën!

    Dhe më zuri gjumi me një kor engjëjsh që më luanin si me fyell atë shushurimë që burimet dhe vendi ynë e kanë ruajtur të paktën qysh atëherë, që nga koha e Stefanit. Dhe kur, siç qe e shkruar, aty nga viti 1856, kur edhe atëherë Moldova nuk kishte prijës, por ishte nën drejtimin e kajmekam Teodor Balshit, kurse Bukovina kishte kaluar nën sundimin e Franz Jozefit, unë u emërova në komisionin për hapjen zyrtare të varrit të Stefanit të Madh, më erdhi në mend ajo mbrëmje plot me yje dhe Arkimandriti, atë Genadi që më tregonte për vendin. Veçse, ati kishte rreth trembëdhjetë vjet që kishte fjetur në Zotin dhe unë isha bërë vetë prift. Por qëndrova të kërkoj këngën.

    Kur e mendoj, ajo kënga që më kishte mbetur në mendje nuk ishte vetëm ajo doina me fyell, por e gjithë natyra që lulëzon në këngë, me gurgullimën e burimeve e cicërimat e zogjve, e sidomos me kumbimin e mbytur të buçium-it në sfond. E shëtita shokun tim, Karol Mikulin, nëpër Obçini dhe ai filloi të mbledhë dhe t’i hidhte në pentagram të gjitha këto. Ai filloi një punë serioze, sepse vërtet e magjepsi doina, por sikur nuk arriti të depërtonte në zemrën e saj, sepse me veshin e tij prej mjeshtri, arriti të riprodhojë vetëm akordet sipërfaqësore, vetëm petalet që mbështjellin pikëllimin vajtues të atyre njerëzve të pyjeve të Bukovinës. “Por ka edhe më”, i thashë, “është dhe buçium-i, edhe gjithë stani ku jehon kënga”, dhe ai, i gjori, më kot u mundua t’i dëgjonte gjithë këto, se mundi të hedhë në nota vetëm diçka nga gurgullima e natyrës që merr jetë. Por Karoli më premtoi se do të kthehej një ditë e ta dëgjonte ndryshe këtë muzikë që e kishte magjepsur, të cilën e zbuloi krejt rastësisht, sepse me siguri ai nuk e ndjeu gurin të drithëronte siç e ndjeu Stefani pranë këmbëve të murgut plak Daniel.

    Dhe ja ku jam pra, i zgjedhur mes malësorëve të Shipoteve të Suçeavës, ku kisha dhe enorinë, për të qenë i pranishëm në hapjen e varrit të vojvodës së madh të kombit, sepse po qarkullonte lajmi se një grusht kusarësh na paskëshin grabitur varrin. Nuk e kam kuptuar deri më sot se pse do të jetë thënë diçka e tillë, sepse, sa vura këmbë në manastir, pas një udhëtimi të gjatë dhe të mundimshëm nëpër Mëgurë, Paltin, Brodinë dhe Strazhë, marr vesh se në fakt një arkitekt nga Vjena, që kishte ardhur me paratë e Fronit për të rinovuar kishën e manastirit, donte të hapte varret e Kryezotit dhe familjes së tij dhe të Mitropolitit Teoktist të Moldovës, sepse ashtu duhej. Tani kisha, me të drejtë, kishte nevojë për riparime, sepse muret ishin plasaritur dhe po u binte suvaja copa-copa. Por nga ana tjetër – dhe e di mirë sepse jam rritur rrotull mureve të manastirit – thuhej se në themelet e kishës, vetë Stefani paska fshehur një qyp me verdhushka. Nuk ishin të paktë ata që ëndërronin të vinin në dorë gjithë ato para, me të cilat do të mund të dilnin nga varfëria ata dhe familjet e tyre brez pas brezi. Por manastiri ruhej rreptësisht nga murgjit, veçanërisht me zemër të pastër dhe me lutjet e tyre. Dhe pastaj asnjë nga këto thashetheme nuk dolën të vërteta.

    Ishte mbledhur një sobor murgjish dhe priftërinjsh. Mua më kishte thirrur ai që më vonë do të bëhej kryepeshkopi i Çernëucit dhe mitropoliti i Bukovinës, atë Teoktisti. E kam njohur atë Teoktist Blazhevicin në Çernëuc dhe kur mora letrën e tij, aty në fund të dynjasë, në Shipote, ai ishte sekretar konsistorial i Mitropolisë së Bukovinës. E përqafova i lumtur kur e takova, ndonëse kishim aq vite ndarje, dhe Ati më dhuroi gramatikën e tij teoriko-praktike të dako-rumanishtes, që është po e njëjtë me të folmen e Moldovës dhe vllahishten, që e kishte ribotuar në Vjenë një vit më parë. E dija që në botimin e parë, të cilin ai e kishte botuar që në kohën kur unë ende shëtisja në oborrin e Manastirit Putna me atë Genadin dhe mësoja për jetën e shenjtorëve dhe heronjve të këtyre vendeve. Por aq sa u lumturova nga takimi me atë Teoktistin, i cili më kishte thënë se kishte dërguar për botim edhe libra të mësimeve ortodokse, mes të cilëve një manual të titulluar “Histori të Jetës së Jezu Krishtit për t’u përdorur nga kandidatët për mësues”, se kemi folur jo ​​pak herë për nevojën e përgatitjes për shkollim, si edhe një “Histori Biblike të Dhiatës së Vjetër, për shkollat e mësuesve”, po aq u trishtova nga ajo që gjeta nën gurët e varrit.

    Dhe ja ku jam, me tridhjetë pranvera mbi supe, i martuar dhe me tre fëmijë – Emilianin, që i kisha vënë emrin e nënës së tij të dashur, Çiprianin dhe të tretin, të cilin e quajta Stefan edhe në kujtim të Princit të Moldovës, por dhe për ta çuar më tej emrin e vjehrrit tim, babait të Emilias -, duke shkuar me ftesë të atë Teoktistit, për të marrë pjesë në ato që do të ndodhnin. Gjithçka nisi nga kërkesa e igumenit të manastirit të Putnës, Artemon Bortnikut, drejtuar autoriteteve të Bukovinës, të cilët, duke konstatuar në mes të verës, në ditën e kalimit në përjetësi të Princ Stefanit, se gjërat ishin paksa të paqarta me varret princërore, kërkoi identifikimin e tyre dhe riparimin e kishës që ishte shkretuar. Shumë e mjegullt ishte gjithë kjo histori, që nuk arrita kurrë ta zbuloj plotësisht. Mbërrita, siç po thosha, nga pelegrinazhi i mundimshëm në Shipot një ditë më parë dhe fjeta aty ku më ishin rrënjosur thellë në palcë vite të tëra të fëmijërisë sime me gjithë gëzimet e zbulimit të jetës. Mbërritën me radhë komisioneri teknik, inxhinieri i drejtimit dhe komisioneri sanitar, por edhe atë Teoktisti, i cili ishte komisioner fetar, që më kishte thirrur duke e ditur se unë isha me shpirt aty; erdhën për të dhënë një dorë edhe priftërinjtë e zonës dhe murgjit e manastirit, por edhe një numër i madh njerëzish. Pashë në heshtje nxjerrjen në dritë, nga dera veriore, të varrit të princeshës Maria, bijës së Kryezotit që vdiq virgjëreshë dhe u muros aty, mes tullave, pastaj atë të Zonjës Maria, gruas së Petru Rareshit. Kryem me përulje liturgjinë mbi mbetjet e arkivolit dhe hiret e lipsanëve të atyre që dikur kishin qenë kocka princërore dhe e mbyllëm mbrëmjen me shumë pikëllim.

    Dola pas mbrëmësores dhe shkova në atë vend për nga jugu nga ku, shumë kohë më parë, sodisja Kodrën e Kryqit me atë Genadin dhe gjeta, bashkë me ajrin e ftohtë të vjeshtës – një vjeshtë e thatë dhe e ashpër, me brymë të akullt dhe ditë të shkurtra e zemërake – një qiell të mbushur citë me më shumë yje se zakonisht. atë Genadi më kishte mësuar të lexoja yjet dhe unë mund të ndiqja, sipas rrugës së diellit, yjësitë që ngjeshen drejt horizontit dhe atë pluhur thërrmijash të bardha, që quhet Kashta e Kumtrit, që duket sikur rikrijon udhën e popullit tim, dhe të gjithë konstelacionet e heshtur. Por kënga, kënga e Putnës që ma preku zemrën, ja që, ajo mungonte.


    [1]  Instrument muzikor frymor, karakteristik popullor, në formë konike, shumë i gjatë, si trumbetë, i bërë me lëvore bliri, dru ose edhe metal, që përdoret kryesisht nga barinjtë për të dhënë sinjale, thirrur e lajmëruar njeri-tjetrin. Tingulli i rëndë e gjëmues që lëshon ky instrument.  

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË