Përkthimi në shqip i “Portreti i artistit në rini”
Pak vepra të shkaktojnë kënaqësi leximi, por edhe më pak, përpos kënaqësisë, të shkaktojnë habi, tronditje konceptuale, dhe rishikim të mendimeve për një gjë apo për shumë gjëra. Kur them habi e kam fjalën për habinë filozofike në kuptimin e asaj që e shpjegon Zhan Hirsh kur i interpreton mendimet e klasikëve të filozofisë botërore. Një vepër që hyn në grupin e dytë të përmendur më sipër është romani “Portreti i artistit në rini” i shkrimtarit ikonik botëror, Xhejms Xhojs, njërit nga mendjet dhe penat e mëdha të modernizmit në letërsinë e përbotshme.
“Portreti i artistit në rini” është përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe edhe më parë, meqë jam lexues i dy përkthimeve të mëparshme të tij, por përkthimi i tij nga Krenar Hajdëri dhe botimi nga Sh. B. “Albas” më ka lënë një përshtypje të veçantë për gjuhën e shqipërimit dhe për shpjegimet e nevojshme që mund t’i duhen një lexuesi të romaneve të ikonikut Xhejms Xhojs. Kuptimi i romaneve të këtij shkrimtari ka nevojë për disa shenjëza shpjeguese, meqë gjuhën e tij, gërshetimi mes ambientit lokal (Dublinit, Corkut, Konglavee, Irlandës etj) me konceptimet dhe rrëfimin universal mund të shkaktojë moskuptim te lexuesi i pastërvitur me këtë tip letërsie, siç është ajo e shkrimtarit për të cilin jam duke shkruar. Po ashtu, gjuha dhe fjalët e zgjedhura nga përkthyesi i shkojnë shumë për shtati natyrës së ligjërimit artistik dhe mendimtar në këtë roman. Nga kjo mësojmë se përkthyesi ka njohje të kënaqshme, përpos në gjuhën origjinale të romanit, edhe në dijet humane dhe në mendimin filozofik, por edhe ka dije të mirë mbi estetikën. Kjo gjë e bën përkthimin të jetë i mirëqenë në aspektin e vlerave kulturore dhe diturore.
Romanin “Portreti i artistit në rini” e lexova, gjegjësisht e rilexova, me një nxitje për ta parë se si mund ta përjetoj leximin e një kryevepre pas disa viteve të leximit të parë të saj. Nuk e mbaj mend saktë vitin e leximit të parë dhe të dytë, por habinë dhe kërshërinë më të madhe e përjetova në leximin e tretë të këtij romani. Ndoshta do të kenë ndikuar rrethanat dhe kushtet e leximit, por leximi i tretë i përkthimit të Krenar Hajdërit dhe botimit të “Albasit” ishte më sfiduesi për mua si lexues i rregullt i letërsisë së madhe dhe synimtar për të qenë romancier i natyrshëm.
Lexonjësi i “Portretit…” për t’u kuptuar më së miri dhe më së lehti është mirë që të ketë sadopak njohuri biografike për jetën e shkrimtarit irlandez, Xhejms Xhojs, i cili në tryezën e madhe të letërsisë së përbotshme është i ulur në pjesën ballore dhe atë në mesin e saj, duke u bërë i tejpranishëm dhe i pacënueshëm në raport me të gjithë zhvillimin e artit të bukur që nga fillimi dhe deri më sot. Pra, një njohje e jetës së autorit mundëson kapjen më të mirë të rrëfimit, duke qenë se ky roman ka ngjyresa të tejdukshme autobiografike dhe ata që e njohin edhe jetën, përpos veprën e Xhojsit, mund t’i vërejnë lehtësisht ato.
Ky roman ka filluar të shkruhet në vitin 1904 dhe është përfunduar në 1914. Jo që ka shumë rëndësi për lexuesin data e fillimit dhe mbarimit të shkrimit të një romani, por këtë shkarje nga interpretimi bazë e bëmë për të dhënë një shenjë të një ndërmarrje letrare të shkrimtarit që ka zgjatur për dhjetë vjet, duke filluar në Dublin të Irlandës dhe përfunduar në Trieste të Italisë, që në atëbotë i takonte Perandorisë Austro-Hungareze. Ky shënjim i kohëzgjatjes së shkrimit të një romani vlen edhe për ta interpretuar të dhënën se sot vështirë gjejmë ndonjë rast të tillë, në letërsinë shqipe aq më pak, të një pune kaq të gjatë në krijimin e një bote narrative. Shkrimtarët e profilit të Xhojsit e kanë pasur dhe durimin dhe mosngutinë për ta bërë veprën më të plotë dhe më shumëdimensionale në aspektin formal dhe ideor.
Ky roman u botua për herë të parë në faqet e revistës letrare “The egoist” në Londër. Në bazë të informatave tona, botimi në seri në këtë revistë u bë me insistimin e shkrimtarit të vlershëm amerikan, Ezra Pound, të cilit Xhojsi ia kishte dhuruar disa kapituj të këtij romani. Kështu që, për një periudhë gati dyvjeçare (fillimi i 1914 dhe fundi i 1915) u botuan disa pjesë të këtij romani, gjë që i dha irlandezit të madh të letërsisë një peshë dhe një emër në botën e shkrimtarëve të atëbotshëm. Gjithashtu, është e udhës ta cekim se botimet e para u bën jo me emrin e autorit, por me pseudonimin Stefan Dedulas, ashtu siç e kishte emrin personazhi kryesor i këtij romani, gjegjësisht alteregoja e Xhojsit.
“Portreti i artistit në rini” na rrëfen për etapat jetësore të një të riu me emrin Stefan Dedulas, që nga fëmijëria shkollore deri në fazën pas adoleshente, rinisë. Na jep një përshkrim i vëmendshëm i botës shpirtërore të një të riu, duke shfaqur para lexuesit të tij një tip personazhi që shpreh shumë, që vrojton shumë, që mendon shumë dhe imagjinon shumë. Xhojsi hyn në thellësinë e imagjinatës së një personazhi, në botën e tejbrendshme të një të riu, duke na dhënë një karakter të fuqishëm dhe njërin nga personazhet më të arrira që deri më sot ka prodhuar letërsia e përbotshme. Hyrja në thellësinë shpirtërore dhe në imagjinatën e një të riu është njëri nga aspektet më qenësore të teknikës së rrëfimit që në teoritë letrare tashmë njihet si përroi i ndërgjegjes.
Stefan Dedulasi është i rritur në një ambient konservator, në një familje tradicionale irlandeze, me një nënë që është besimtare e devotshme dhe me një baba respektues të tejskajshëm të normave shoqërore. Nëna dhe babai kanë të vetmin synim për ta rritur dhe edukuar të birin sipas një projeksioni të normëzuar shoqëror, në këtë rast irlandez. Ata e dërgojnë në një shkollë me një orientim të dukshëm fetar, gjegjësisht katolik të vendit të tyre. I riu Stefan merr mësime të mira nga kjo shkollë, por nuk mund t’i përballojë dot ngurtësimet normative që i aplikon kjo shkollë dhe profesorët e tij. Ai është një tip skofiar, i dhënë pas artit dhe mendimit, që nuk mund ta përballojë as mënyrën se si funksionojnë bashkëmoshatarët e tij, të cilët lidhën mes vete përmes klisheve dhe lojërave tashmë të mirëmësuara, që kanë një peshë për orientimin në kohë dhe hapësirë në vendin ku ata dhe Dedulasi i ri shkollohen dhe jetojnë. Ai nuk mund ta durojë këtë “rregullësi” të mirëqenë dhe shpeshherë pëson nga shokët dhe profesorët për shkak se është ndryshe dhe dëshiron të jetojë ndryshe. Stefan Dedulasin nuk e tërheq zbatimi i “parimësisë” së pranuar botërisht, por mendimi, pyetjet dhe dilemat rreth saj. Ai më shumë i dëshiron pyetjen, psetë e panumërta se sa përgjigjet e pakta dhe të shkurtra. Duke qenë i tillë, i ndryshëm prej të tjerëve, shokët synojnë ta poshtërojnë, ta fyejnë dhe ta nxjerrin keq para botës. Zaten, ky është fati i njerëzve të ndryshëm në një shoqëri uniforme.
Një nga dilemat që Stefan Dedulasi në moshën e tij rinore është ai për religjionin, për mënyrën se si funksionon dhe se si i trajton gjërat. Ai flet zëshëm dhe diskuton me bashkëmoshatarët për mënyrën se si religjioni, gjegjësisht kisha katolike irlandeze. Diskuton vazhdimisht për mënyrën se si e trajton mëkatin, të mirën, të drejtën, të ndershmen dhe të bukurën në art dhe natyrë. Dedulasi i ri është një shpirt artisti, një krijues arti, dhe vazhdimisht i shtron për bisedë këto çështje që janë probleme të estetikës dhe filozofisë, por duke qenë në një kolegj me natyrë religjioze i përflet prej një pikëvështrimi se si kisha dhe kleri i trajton aspektet e tilla që lidhën me artin. Ai dëshiron ta dijë psenë e një trajtimi të tillë nga ana e kishës për çështjet e tilla. Në bisedat diturore që i bën me moshatarë, profesorë dhe klerikë, ai gjithnjë shfaq një dyshim për mënyrën e interpretimit tradicional dhe konservator të artit, duke synuar që gjithnjë të ikë nga një mendësi e tillë që ka kufizime në qasje dhe ide.
Një aspekt mjaft i rëndësishëm, ndoshta edhe më i rëndësishmi në këtë roman, është shkuarja e Dedualasit të ri me prostituta të qytetit të tij. Për shkollën, kishën dhe klerin, një gjë e tillë ishte tejet e papranueshme dhe burim i shumë fatkeqësive në jetën e një të riu, që për këta të fundit, duhet të edukohet mbi bazën e normave që dërgojnë në moslejimin e një raporti të pavirtytshëm, gjegjësisht të pamoralshëm, në mes të një burri dhe të një gruaje. Stefani e sfidon veten dhe njohjen e tij të deritashme pikërisht duke ngarendur pas prostitutave, gjë që i bëhet shprehi dhe përkundër pendimit, prapë nuk mund të ndalojë veten drejt trupit dhe hireve femërore të një gruaje. Është pikërisht marrëdhënia seksuale që bëhet një shkas që ia ndryshon botëkonceptimin e tij për shumë gjëra dhe shumë norma të tabuizuara, në të cilat besonte ai, duke e ndërtuar jetën dhe mënyrën e veprimit dhe gjallimit sipas tyre. Pra, trupi i një gruaje përpos që e josh, ia sfidon, ia vë në krizë mendimin dhe besimin e deritashëm. Në këtë aspekt, gruaja këtu na shfaqet si një shënjues më i fuqishëm se sa kleri dhe mësimet kishtare, që edhe pas shumë viteve shkollore dhe udhëzuese, nuk mund ta kenë ndikimin aq të shpejtë dhe aq të fuqishëm se sa marrëdhënia e dy trupave, e dy të rinjve të gjinive të ndryshme, që deri në atë kohë as nuk janë njohur mes vete.
Romani përfundon me ikjen e Stefan Dedulasit në një tokë dhe në një ambient tjetër, ku shpreson se do ta mirëkuptojnë shkaku i ndryshimësisë së tij në raport me të tjerët dhe bashkëmoshatarët e tij. Kjo ikje është më shumë si një rebelim i një riu ndaj normave, shkollës, kishës dhe klerit, politikës dhe botëkuptimësisë nacionale irlandeze, që të vërtetat i ka të gatshme dhe nuk pranon dilemë, pyetje e diskutim për to. Ikja e tij mund të lexohet edhe si një shenjë guximi rinor për ta braktisur njëmendësinë, për të gjetur shtigje dhe mundësi të reja për zhvillimin e vetes dhe mendimeve që nuk gjenin pranueshmëri në ambientin e mëparshëm.
“Portreti i artistit në rini” është mirë të lexohet sa herë që në gjuhën tonë shqipe mund të dalë një botim i ri, për shkak se çdoherë mund të mësojmë më shumë prej tij, duke qenë se kemi të bëjmë me një vepër të madhe, përpos në planin artistik, po ashtu edhe në atë mendimtar. Është një vepër që pa hezitim mund ta cilësojmë si një roman për rininë, artin dhe dijen. “Portreti…” është një roman që na jep një tablo të një shqetësimi të realtë të një të riu, të një shqetësimi që mund të të shqetësojë edhe ty si lexues, po që se futesh brenda botës së Stefan Dedulasit. “Portreti…” është një roman që na bën të mendojmë dhe të pyesim se deri në çfarë shkallë mund dhe duhet ta sfidojmë njëmendësinë.