More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAdil Olluri: “Gryka…” e Migjenit

    Adil Olluri: “Gryka…” e Migjenit

    Ribotimi i romanit “Gryka e kohës: nji histori mbulue me shall” është një lajm i mirë për letërsinë e tashme shqipe. Është lajm i mirë, sepse lexuesit të sotëm i rikthehet në tavolinën shpirtërore një roman i botuar në vitin 1994, i shkruar bukur, por për të cilin mund të mos ketë dëgjuar aq shumë.

    “Gryka e kohës: një histori mbulue me shall” është romani i parë dhe i vetëm i Migjen Kelmendit, shkrimtar, përkthyes, publicist e solist, një nga ikonat më të vlershme kulturore të qytetit të Prishtinës. Një figurë poliedrike që i ka munguar zhvillimeve aktuale në fushën e artit të shkruar bukur.

    Romani në fjalë për herë të parë u botua nga shtëpia botuese “Dukagjini” në shqipen e njësuar, ndërsa ribotimi i tij nga “UET press” i Tiranës vjen në dialektin e gegshqipes, madje me një përdorim tejet personal të dialektit nga autori dhe një gjë e tillë në zhargonin e gjuhësisë quhet idiolekt. 

    “Gryka…” është një roman për kohën, kujtesën, ndryshimet shoqërore e kulturore, identitetin dhe përballjen e njeriut me mundësitë e vogla dhe telashet e mëdha. Është një roman që të rrëmben dhe nuk të lë të qetë deri në sekuencën e fundit. Një rrëfim që t’i shpalosë befasitë e njëpasnjëshme, aq goditëse e aq të skalitura me një strukturë mjeshtërore të ndërtimit të situatave dhe karaktereve. Gjuha lakonike dhe përzierja e reales me imagjinares i japin këtij romani një dimension të një vepre të veçantë letrare me një identitet të formësuar artistik.

    Rugova, si zonë gjeografike dhe etnokulturore shqiptare, dhe shalli na shfaqen që në fillim të romanit, si dy shenja nistore prej nga nis jetë romani. Gryka është e Rugovës, koha e rugovasëve, shalli po ashtu. Rugovasit e romanit e kanë kohën që e masin sipas mënyrës së tyre dhe pas Luftës së Dytë Botërore ata sfidohen njëmendësisht nga koha e të tjerëve dhe koha e tyre sikur merr kuptim tjetër. Shalli është shenjë etnografike shqiptare, që e bartin burrat e kësaj zone, që përpos mbulojë e kokës është edhe qefin me të cilin mbështillet i vdekuri. Shalli është shenjë identitare e malësorëve, që tregon për relacionin e tyre me vdekjen, me kohën dhe jetën. Duke i pasur këto përbërës, ky roman i Kelmendit mund të cilësohet edhe si roman për Rugovën, vendorigjinën e tij, dhe një rrëfim idealizues për rugovasit.

     Personazhi kryesor i romanit “Gryka…” është Arifi, një rugovas i rënë në Pejë, i shpërngulur nga malësia në qytet, në një ambient më ndryshe në të cilin koha nuk matet njëjtë si në grykën e malësorëve dhe shalli nuk mbetet gjithnjë i bardhë. Arifi përballet me ecejaket ekzistenciale të një njeriu të pamësuar aq mirë me një ambient në të cilin gjërat zhvillohen dhe ndryshojnë shpejtë, ku e bardha mund të mos jetë edhe aq e bardhë. Arifi është boshti i rrëfimit në këtë roman, si një njeri që pa vullnetin e tij i bie t’i shoh dhe t’i përjetojë ndryshimet e mëdha shoqërore që ndodhën në Pejë dhe Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore (LDB). Si një njeri që ka nevojë për punë dhe mbështetje ekzistenciale, punësohet te Menduh Ali Begi, pasunari më i madh i qytetit dhe njeri me kulturë të madhe, që i njihte dhe kishte udhëtuar në vende të ndryshme të botës. Përmes portretizimit të figurës së Menduh Ali Begit, “Gryka..” na shfaq aristokracinë e kohës në qytetin e Pejës para LDB, konkretisht para se të triumfonte revolucioni i kuq, viktimë e të cilit ishte Begi, që pushkatohet publikisht nga aradhet partizane, që ndryshojnë çdo gjë në këtë qytet. Një personazh episodik, por mjaft i veçantë, në këtë roman është e bija e Menduh Begit, Sofija. Ajo është figurë e vajzës së emancipuar dhe emancipuese, që përmes letrave që ua dërgonte qytetarëve të Pejës rriste ndikimin e saj për një jetë më të lirë e më të njerëzishme. Përmes personazhit të Sofijes, romani na flet për një elitë e aristokraci të kohës, që përpos kamjes, kishte edhe synime humane, që marrin fund me ardhjen e revolucionit komunist. Nga ky revolucion pëson edhe Arifi, i cili e kishte një dyqan të vogël (“bakallhane”), të marrë me qira nga Menduh Begi. Në syrin e pushtetarëve partizanë, ai shihet si një “kullak”, gjë që shkakton situatë absurde dhe paradoksale në vetvete.

    “Kur pat mbërri revolucioni n’Pejë, gjyshin tem e kish pas nxanë tue dashtë me e pague ratën e fundit të dugajës” (f.8).

    Kështu fillon romani i Migjen Kelmendit dhe është një nga hyrjet më interesante në letërsinë e sotme shqipe. Një hyrje që ngjanë me ftohtësinë e absurdit dhe habinë me rëndomtësinë e çrëndomtësuar të njeriut përballë ndryshimeve dhe vlimeve të madhe kohore që ndryshojnë epoka me një të rënë të shpatës.

    Ndryshimet e mëdha shoqërore shpjegohen si një lojë e bukur fjalësh me një lehtësi që të befason dhe të tërheq. Një shpjegim i tillë i ndryshimeve të tilla në këtë roman ndodh edhe përmes lojës së dy ekipeve të futbollit nga qyteti i Pejës, ndërmjet “Dukagjinit” dhe “Buduçnostit”. Para LDB-së gjithnjë fitonte ekipi i “Dukagjinit” dhe ishte mbizotërues i derbit të qytetit, ndërsa me ardhjen e komunistëve fiton “Buduçnosti”, madje për fitoren e këtij të fundit gëzohen edhe lojtarët e “Dukagjinit”, klub që i vihet dryni meqë konsiderohet si skuadër reaksionarësh. Një gjetje e bukur për të na shpalosur në mënyrë artistike ndryshimet shoqërore dhe politike me një gjuhë të këndshme e tërheqëse.

    Një kapitull i ri në këtë ribotim është rrëfimi për shpërnguljen e familjes së Shyqyri Gjakovës në Turqi, Izmir, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (LDB), meqë, si të papërshtatshëm për revolucionarët e rinj, nuk kanë më të ardhme të ndritur e mirëqenie të natyrshme në Kosovë. Është një rrëfim për dramën e kosovarëve të persekutuar nga pushtetarët e kuq, të cilët kur arrijnë në Izmir detyrohen ta ndryshojnë mbiemrin e tyre dhe ta vendosin një mbiemër turk, pra të heqin dorë nga identiteti i tyre parak. Në kuadër të këtij kapitull është një rrëfim për dy gungaçët, episodik për roman, por mjaft i veçantë dhe tronditës për lexuesin. Dy fëmijë të Shyqyri Gjakovës, vëlla e motër, kanë gunga në shpinë dhe përmes letrave që ata ia dërgojnë njëri-tjetrin rrëfejnë për hjekinat, përqeshjet dhe përballjen e tyre me rrethin shoqëror. Rrëfimi për dy gungaçët mund ta prodhojë një roman të ri, meqë është i ngjizur si fryt te “Gryka…”, që është një gurrë për rrëfime të ndryshme e të larmishme që mund të dalin prej saj.     

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË