Shpejtësi maramendëse dhe kapërcime pindarike nëpër kryeqendrat e botës aktuale dhe me raste prapa shikuese tek tempujt muzikorë të Europës juglindore, solli Amir Xhakoviqi, pianist i vërtetë e përfaqësues model i shkollës sonë të artit muzikor në një mbrëmje nga të parat që po organizohen për të festuar 60 vjet nga çelja e Konservatorit shtetëror të Tiranës, më 15 të janarit 1962, sot Universitetit të Arteve.
Një Recital i denjë për të demostruar në tastierën e pianos, pa fjalë por thjesht e shkoqur, një rrugëtim sinjifikativ që në këtë rast është fatlum, dinjtoz dhe avancues për shkollën shqiptare të artit të kufijve të hapur.
Amir Xhakoviqi është tashmë një artist mbi të 30-tat, i afruar herët me muzikën, fillimisht në qytetin e tij Shkodrën, ku burojnë pandalë talente dhe i plotësuar më pas në klasën e sprovuar të mjeshtres së mirnjohur të tastierës, Prof. Anita Tartari, pjesë e memories historike të shkollës që po i festohet jubileu.
Gjatë viteve të shkollimit, që herët i paraqitur në konkurset për pianistët e rinj si ”EPTA” në Tiranë në dy edicione, vlerësuar me çmime, si dhe ”Interational Competition” në Prishtinë ku fitoi Çmimin e parë. Gjithashtu fitoi po Çmimin e parë në Cetinje të Malit të Zi, në “Konkursin e Republikës”.
Nëpërmjet një cikli specializues në klasat dinjitoze limitrofe të profesoratit pianistik si Boris Kraljeviç që me një recital të tijin në skenën tonë, vite më parë, na entusiazmoi të gjithëve. Më pas tek Vladimir Boshkarjov dhe Aleksandar Serdar, për të mbyllur mjeshtërizimin e tij në klasën e pianistit amerikan Alan Waiss, më 2012 në Lemmensinstituut, në Belgjikë.
Intensifikoi karierën e tij koncertore përmes pjesmarrjes në festivale të ndryshme pianistike ku më dinjtozet janë tre edicione të “F. Chopin” në Tiranë, ”Ulta Padum” në Pavia – Itali, ”Pranvera e kulturës greke”, ”Cikli koncertor i pianistëve të rinj” në Podgoricë, Stina Koncertore e Universitetit të Arteve në Tiranë, ”Koncertet e muzikës bashkëkohore” në Podgoricë, me kuartetin ndërkombëtar ”Joy of Music” (me veprën e Olivier Messiaen), në vijim si solist me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, si dhe një tur koncertor në Japoni.
Aktiviteti i tij solistik është spostuar këto vite nga skenat shqiptare edhe në Kosovë, Mal të Zi, Serbi, Greqi, Itali, Belgjikë e Hollandë. Ka vijuar pjesëmarrjen në workshop-e me emra të shquar mjeshtrorë si Natalia Trull, Norma Fischer, Frederic Rzewski. Kohët e fundit përfundoi studimet e doktoraturës në Universitetin e Arteve në Beograd në klasen e Prof. Aleksandar Serdar.
Përveç karrierës koncertore, Amir Xhakoviq është lektor me kohë të plotë në Universiteti e Arteve në Tiranë.
Ky prezantim “briefly” i CV së protagonistit të Recitalit në mbrëmjen e 6 prillit 2022 në hollin e shkalladës të hyrjes në Universitetin e Arteve, është i domosdoshëm jo vetëm për një prezantim publik të tij, por dhe pse nëpërmjet rreshtave numëruese të një jete dedikuar bukur fort muzikës, evidentohet aliazhi që përbën suksesesin profesional, në rastin tonë, kur subjekti i përshtatet gjatë regjimit klasë – skenë, edukim shkollor rezultativ në maksimumin e mundëshëm në vendin e tij, më pas mjeshtërimit të hapur në praktikumet ndërkombëtare e kudo ku mundësohen ato, nga afër shumë deri në largësitë kontinentale.
Nisja recitalore…
Nën një heshtje të urtë dhe me një përkushtim vështrimqartë drejt realizimit, Amiri që ndërkohë kishte kapërcyer mbylljen pandemike jo kollaj, shpërtheu atë mbrëmje, si kurrë më parë një “bëmë muzikore” që prezentët në sallë i mbërtheu nga vepra në vepër deri sa pa mëdyshje, në fund e mbushën vlerësueshëm me duartrokitje entusiaste, ekslamacione shpërthyese dhe shkrepje fotografike.
Prurja për publikun në sallë dhe një vështrim i domosdoshëm për ‘të’
Fillimet e shekullit të XX evidentuan tendenca rinovuese në krijimtarinë muzikore. Shkollat kombëtare kishin sjellë prurje pasuruese veprash të autorëve me identitet të spikatur që buronte nga bazamenti i përkatësisë nacionale, aftësitë profesionale për ta përdorur këtë premisë dhe sidomos forcës së talentit që e transformonte këtë materje në ”Vepër arti” me përkatësi autoriale dhe përfaqësuese në fondin muzikor botëror.
Por shekulli që mbylli vitet ‘800, me këto prurje të mbara, konsumoi në masë të ndjeshme elementë të sintaksës, stilit përkatës e sidomos formës, që krijuan edhe mpirje të venës ushqyese të inspirimit dhe fertilitetit prodhues. Fillimi i viteve ’900 kristalizoi rrugë të reja krijuese, shkolla mjeshtërore me numër identifikues si ajo e Vjenës II, degëzime postromantike, ekspresioniste, ku më evidente u bënë ato tendenca që u identifikuan pak nga pak si “Muzikë e Re”.
Në shekullin e XX krijuesit në vendet gjeografikisht lindore dhe ato të juglindjes evropine, aplikuan qendrimin në dukje më komod, të një muzike që qendronte dhe e kërkonte risinë në sintezën mes ”Lindjes dhe Perëndimit”. Këtë pozicionim poliedriku rumun e francez George Enescu e emëroi shkurtazi si ”L’esprit de temps” (gjuha shprehëse e kohës). Është gjithësesi, një sintezë arti e epokës që përjetohej përditësisht me kulturën muzikore der’ atëhere të realizuar, që përbënte traditën. Për dikë kjo amplitudë shtrihej nga kultura arkaike deri tek ajo savante, që nënkuptonte kulturën e madhe instrumentale dhe orkestrale Evropiane, sintetikisht thënë ”një procedim i ri i shprehshmërisë përmes një gjuhe muzikore të re”.
Një tjetër savant, hungari Bela Bartok dhe system-krijuesi Zoltan Kodaj, arkaizimin e besuan si të vetmen rrugë për ti bërë krutazhin shtresës muzikore të të ardhurve nomadë me kombësira të stërlargëta që kishin invaduar muzikën hungareze të ‘800-shit, që patriarku i madh, europeisti Ferenc Liszt e kishte imponuar atëherë me veprat e veta, i tërhequr më shumë nga sharmi se sa nga mendimi. Për këtë Bartoku ndërmori një udhëtim gadishullor në kërkim të rrënjëve të “musica hungarica” me metodën krahasimore për të identifikuar ato elementë modalë e ritmikë që i shërbenin purifikimit të gjuhës muzikore, sa më afër rrënjëve të stërlashta hune. Atë e mahniti sidomos ritmika e pasur, sa që u kënaq shpejt me gjetjet dhe u ngut siç dihet, duke nominuar si “bulgar ritmus” një formulë që në folkun shqiptar ka trajta më të pasura sesa tek “vëndasit” e dyndur më vonë në trojet e zaptuara ku jo shumë larg gjendeshin Ilirët autoktonë.
Duke folur për pasurinë ritmike të etnoseve gadishullore, ekzistenca paralele e ritmeve nën ndarëse, (fr. divisionaire) pra milimetralisht të disiplinuara, njëherësh me ritmet e lira e të çliruara, si ato që përcaktohen me termat “rubato” apo “ad libitum” në muzikën e kompozuar kudo, tek ne gjen dhe struktura që qendrojnë pa ndarjen e masave, si psalmoditë bizantine, po që nuk kanë asnjë lidhje modale dhe as historike me to. Duke ekspozuar të tillë elementë, duket se shtrojmë tezën e një “gjeometrie muzikore“ që gjendet vetë, pa u sajuar, në muzikën e rajonit tonë.
Për të mos u përsiatur më shumë tek elementët e përbashkët të multietnikës ballkanase, si ekzistencën e asaj që quhet “eterofoni” në parashtrimin elementik melodik në dy trajta horizontale, bashkëjetuese e stërlashtë me vertikalitetin e shumëzëshit (polifonisë), që ne e kemi element të krenarisë, por që ekziston në trajta qartësisht të ndryshme dhe tek popujt e tjerë, vijmë dhe tek një tipar karakterizues i temperamentit tonë rajonal në muzikë dhe pavarësisht saj dhe në koreografinë tonë, ”Virtuoziteti” në ekzekutimin instrumentor popullor individualisht apo edhe atë të formacioneve, si përdoret rëndom, orkestrinave propullore, a thjeshtë, ”sazeve”.
Emra të mëdhej të muzikës së re të etnikave muzikore juglindore Evropiane, i gjejmë krahas Eneskut e Bartokut dhe tek të tjerë krijues përfaqësues të shfaqur më pas, disa prej të cilëve morëm pjesë dhe në “Rally”-n e Amirit në “Peizazhe pianistike nga Ballkani.
Kthimi në holl
Koncerti Recital i Amir Xhakoviqit është vërtetë një ekspoze peizazhesh që lexohen sapo shpalos fletë programin e mbrëmjes. Dalja e tij solli menjëherë zbulimin e peizazhit të parë me përkatësinë e një krijimi nga Atdheu i ynë, madje, nga qyteti i tij i lindjes, Shkodra. Mbase rastësia e çoi të qëmtojë krijimin me titullin tërheqës të kompozitorit Aleksandër Peçi “Barokjare”. Predispozohesh të gjesh një sprovë të kompozitës që ka vendosur në matrikullën e krijimit autori dhe që në shpalosjen e seksionit të parë dëgjon se sa vijimësi ka mes një materjali që për nga linja përshkuese dhe ornamentika sjell trajta të një “anonimi” të lagunës së brigjeve perëndimore, Venetisë, me një kadencim të kantikut të pa identifikuar nominalisht, por të tipologjisë “Jare shkodrane”. Është interesante dhe analiza e ornamentikës, herë si pjesë stilistike dhe here si melodizim emocional. Amiri i ka zbuluar drejt karakteristikat e gjuhës muzikore dhe i qendroi deri në fund asaj çka ai gjeti në 97 masat e veprës.
Pas peizazhit të parë lirik e meditativ, në ”Tre etyde mbi ritme popullore greke” të kompozitorit Yannis Constandinidis, solisti nëpërmjet përcaktimit autorial Allegro veloce, vrapon dhe hidhet mbi ritmin gjithëballkanik 7/8, formalizuar në treshen legato të lëvizjes së parë, me quasi staccato të dy lëvizjeve që kompletojnë masën. Ky fluturim stresues për solistin dhe zbavitës për dëgjuesin të rrëmben në Preludin fillues. Duket sikur vërtetë pianisti përshkon me shpejtësi superstonike 700 km ajrore që ndajnë dy kryeqytetet tona. Intermexo pasuese e këndueshme dhe me laryshi kompozimi, që edhe pas mbi gjysëm shekulli që na ndan nga krijimi, ruan freskinë e gjuhës harmonike që në këtë kohë del më pah. Kërkesa për një zotrim të lojës instrumentore dhe shikimi të qartë në të gjitha skutat, që përmban Toccata përmbyllëse e ciklit të tre etydeve, të sjellin në bindjen se Amiri nuk i është shmangur për asnjë çast komplikimeve që sjellin veprat e shekullit të modernizimit muzikor, jo në shembullin e rrymës ekstreme të stokastikës së greko-francezit Xenakis, por të një krijuesi që nuk i tutet mardhënies me interpretuesin. Xhakoviqi i ka qendruar përballë me guxim. Pasazhi i masave të fundit, kinse meno mosso (pak më ngadalë) duket i rremë sepse nis me një kaskadë oktavash të komplikuara harmonikisht, ndjekur me një accelerando molto (shpejto sa më shumë), që vetëm një zotërues i teknikës së lartë, e përballon pa ju marrë mendja mbylljen, deri ne largimin e vrullshëm të duarve, ndërsa instrumenti vetishëm vijon të vibrojë, nga potenca e goditjeve të akumuluara.
Kur Pancho Vladigerov, kompozoi më 1951 Simfoninë e tij që meritoi çmimin Dimitrov ”Poemë ebraike” Op.47, Dimitri Shostakoviç u shpreh se ”vepra të tilla shkruhen një herë në 100 vjet” dhe po aq vlerësues për krijimtarinë e bullgarit ishte dhe Richard Strauss, Alexis Weissenberg, David Oistrah dhe somitete të tjerë të shumtë. ”Improvizim” Op.36, Nr.4 është një pjesë koncertore nga ato që zakonisht i pëlqejnë dhe publikut dhe atij që i interpreton. Duket sikur pas veprave që shpallin kërkimin e muzikës së re, koncertistëve që i interesojnë mardhëniet e mira me të gjithë krijuesit, përfshijnë në Recitalin e tyre dhe një vepër komode, jo për atë që e luan, por për dëgjuesin që merr emocionin që mbase i mungon veprave ku kërkimi i së resë është në kredon e tyre.
Udhëtimi nga peizazhi i gjelbër pllajor bullgar në brigjet e thepisura e majat e paharritëshme të Malit të zi, zgjat gati 400 km. në vijë ajrore, por mes nesh ai është i kalueshëm edhe “më këmbë”. Në këtë udhëtim piktoresk, ku mes shtresës gjethore rrjedh pazhurmshëm një vijë ujore kromatizmi muzikor, në intervale kohore përherë më të ndjeshme e frekuente dëgjohen nga lart goditje të një breshërie inquieto (të shqetësuar) si e kërkon autori, që vijojnë të bjerë gjatë gjithë kohës, më e përthyer ritmikisht. Ndërsa linja e dorës së majtë, shumë e artikuluar e me një tingëllim të largët, pa u vënë re, rrit prezencën dhe fillon të egërsohet, goditur vertikalisht nga breshëritë që tashmë nuk duken si fenomen natyre, por të bëjnë të kuptosh se janë armë dhe ti ndodhesh në një zonë rreziku, e ku një kapërthyerje e linjës trashendente (rjedhëse horizontalisht) por që tashmë kacaviret majash me arpezhet e çrregullta, ndeshet me breshëritë e egra, si të një kallashi gjëmë ndjellës. Drejt një fundi tragjik, që mbas një fortissimo, shpejt kalon në kërkesën ”me të gjithë forcën e mundëshme” e përshpejton ritmin drejt arpezhimit të rrëmbyer që mbërrin nëpërmjet 3 forteve, fff majën ku s’ka më. Ajo çka vjen fill, nuk është një rënie, as një shkarje, por një hedhje e qëllimshme tragjike. Jemi në mars 1990… Senad Gaceviç e ka titulluar këtë krijim të tijin, të pa shoq në literaturën pianistike, thjeshtësisht Tokata (afërsisht thënë: Prekje). Ecce homo! E theksoj, jemi në ’90-tën. Në Ballkan nuk hyesh e dilesh pa gjak e vuajtje. Ajo që ndodhi më vonë me autorin e këtij jo peizazhi, por filmimi nga episode frekuente asi kohe, është tashmë eposi i bashkë vuajtjes.
Me hapjen e dyerve mes fqinjve që jo rrallë kishin dhënë e marrë, pa ardhur koha e ngujimeve të mëdha, Prof. Senadin e patëm disa herë mes nesh dhe madje pak më vonë edhe në Prishtinë, me funksionet e tij pedagogjike, muzikologjike, krijuese, personale dhe ndër-rajonale, ashtu si koha i mundësoi, bashkë me vullnetet e njerëzve që kishin ëndëruar dhe kontribuar për tu “parë e pyetë”. U shkëmbyen vlera dhe u mësuan të shkuarat, si rrëfimi muzikor që zbuloi Tokata e tij. Kuptuam se e keqja nuk ndodhte vetëm në një anë dhe u afruam dhe më miqësisht. Të gjitha këto mi tha atë mbrëmje shqiptari Amir Xhakoviq me pianon e tij, i admiruar në mbylljen e pjesës së parë, nga publiku gjatëduartrokitës.
Një kartëvizitë e muzikës pianistike shqiptare, Tokatë për piano, ngjizur në vitet e para të jetës se Konservatorit që rriste krijuesit gjithashtu të parë, si kompozitori ynë Feim Ibrahimi më 1962, sjellë në formën përfundimtare më 1968. Ajo është vetë mbajtur gjallë ”kurdo dhe kudo ku luhet piano tek ne”. Ka krijuar një traditë të sajën. Përfaqëson një nga autografet
muzikës shqiptare, sepse është e formuar me materialin ritmik e modal autentik, nuk komplikohet në asnjë rast artificialisht dhe ka një “shenjim” dallues të shkëlqyer, siç është kalimi surprizues i goditjeve perkusive në pazicion të hapur, që ndërrojnë fakturën e ritmit daullor – vallzues në goditje gjëmimi paralajmërues, për diçka tjetër që pritet të ndodhë. Dhe vërtetë, fillimisht ritmi daullor përzihet me nisjen e një strofe kënge që e mbyt ritmi daullor, deri sa forca e tij ezaurohet nga një përshfaqje në gjendje ekstaze esspresivo, shkruan autori në partiturë dhe që vijon me dilema që shtrohen njera pas tjetrës pa gjetur përgjigje, deri sa derdhen përfundimisht në vallen marramendase e dominuese.
Amiri e përfshiu veprën në hapjen e pjesës së dytë të programit. E kundroi jo si një interpretim ripetitiv të asaj çka kanë sjellë paraardhësit e tij të tastierës, por qëllimisht nuk i mëshoi as bravurës së tij superiore, e as një vërshimi tingëllues prepotent, përkundrazi e përkori atë dhe për mua, e pa veprën si krijesën që më pas do shpërthente në Koncertin Nr. 1 për piano dhe orkestër. Tokatë paska qenë filizi që rriti veprën që theu kanonet. Thjeshtësia e interpretimit të tij mu duk “grryerje skorjesh që rrezikonin pas pak kohësh të ndryshknin bocetin e vyer”.
Në pikën vluese të Recitalit, ndjehet se përcaktimi i Amirit për sjelljen e peisazheve nga Ballkani, kishte rrënë?! Ajo që pasoi ishte një cikël tabllosh që dominuan hapësirën kohore dhe botën e tyre, gati të një eposi muzikor. Brenda një shtjellimi në 5 pamje që i përmbledh ”Vom ewigen Augenblik” (Nga çasti i Përjetshëm), përsiatemi në qerthullin e një rrugëtimi brënda vetes, ku tabllotë ndryshojnë imazhin dhe njiheri burimin tingëllor. Kështu tek 1. Katabasis, brenda pak masash, 8 gjithësej, të ndryshueshme shumë, krijohet një mjegullnajë që nuk davaritet edhe kur dridhjet tingëllore zbehen deri sa mbërrijnë të respektojnë shënimin ”laschia morire”. Tek 2. Voluntas vjen nga lashtësia një kantik serial si një linjë e ndërprerë nga dëmtimet në kohë, e shoqëruar nga pickime të telave që sjell një instrument i sapo dalë copë, nga gërmimet që e kanë nxjerë në dritë. 3. Kangë malcore djepit, ëmbëlsisht na sjell një pëshpëritje muzikale të ndjerë thellë, a reflektim kujtimesh ”të dashtuna” nga vizitat ndër bjeshkë, a ëndërimet për natyrën ndjellëse të një peizazhi bukolik që shkon “tuj u tret’.” 4. dans la Flamme (si në Flakë) shpërthen një fontanë gazi e flake, nga asgjëja deri në 4 forte – ffff. Nën tokë vlon një bas kromatik i frikshëm që modelohet me shputën e dorës që gadet telat nën kapakun e pianos e që shkon tek shpërthimet e frikshme mbi tokë, con tutta forza (me gjithë forcën), që sinkopojnë shkatërrimin. Pas tij, kur mbulon hiri, mbetet Nr. 5 Canto di Eracle (kënga e Erakliut), një psalm e duf vokal bashkë që murmuron nën zë dhe më pas, papritmas klith e godet me sa mundet. Më në fund me një dyzësh në kuartë lehtë e kënduar, tretet drejt heshtjes. I gjithë ky epos në përfytyrim, ndodh me një densitet të presuar fort. Si në një krijim fovist, dallohet qartë mjedisi, edhe pse bimësia nuk është e gjelbër dhe deti nuk është i kaltër. Por vepra mbaron duke lënë misterin.
Duartrokitjet e zgjatura na zbulojnë autorin e pa njohur nga thuajse askush në sallë. Pianisti fton në qendër të hollit, një artist të rafinuar si figurë dhe respektues ndaj publikut për veprën e vlerësuar më së miri. Njohëm kompozitorin Jozef F. Pjetri. I lindur në Shkodër ku u mëkua fillimisht dhe pak më pas u rrit si muzikant. U brumos me vite në shkollat e mesme e superiore në Greqi, Itali dhe së fundi në Austri, ku nëpërmjet tyre dhe krijimtaria e tij mbëriti në podiume prestigjioze. Njohja nga afër zbuloi prirje për një intelektualizëm në shërbim të formësimit muzikor që projektohet në të sotmen dhe të ardhmen e tij. Një takim i pa harruar, në një natë të bekuar.
Për të ndryshuar gjendjen emocionale të publikut të impresionuar na vepra e krijuesit të spikatur J. F. Pjetri, protagonisti i kësaj mbrëmje zgjodhi emrin e kroates Sanja Drakuliç, pianiste dhe kompozitore që nga vitet ’70 të shekullit të XX dhe deri në ditët e mileniumit ku jetojmë. Nuk rresht së shkruari muzikë në të gjitha gjinitë muzikore koncertore, me një evoluim të admirueshëm në praktikat krijuese ku kalon prirja estetike e kohës.
Drive është ajo që prezantohet siç përftohet nga titulli lakonik dhe ajo që shpalos interpretimi i veprës. Lëvizja që zbulon skuta të proit ndërgjegjësor e që shpaloset qartë e thjeshtë që në zanafillën e veprës, vijon me elokuencë të admirueshme në të gjitha prerjet kontrastuese, nëpërmjet të cilave zbulohet ecuria e proit vetiak të autores dhe interpretit që e publikon atë pa asnjë kompleks. Të mahnit paraqitja e çliruar nga detyrimet e realizimit con brio (me shkathtësi) të strukturave virtuoze që pasojnë e komplikohen sidomos në prerjen e fundit, nga masa 82 dhe gjithë rrugëtimi i gjatë dhe tmerrësisht i komplikuar, ku reflekset e një ekzekutimi symbyllazi dhe memorizimi mëndjehapur, mbyllën me entusiazmin plotësisht të merituar këtë interpretim të shkëlqyer, që e shndëroi mbrëmjen në event.
I pa thyeshëm në misjonin e tij në shërbim të kultit të muzikës dinjitoze të bashkohësisë dhe përkatësisë rajonale, Amiri shpalosi dhe “gurin e fundit” që kishte zgjedhur për të demostruar në një recital plotësisht impenjativ stofin artistik të një koncertisti që synon ta shohë nga lart realitetin artistik, të mos përfillë vështirësitë dhe pengesat, por të ndjekë dritën e shejtë të orientimit.
Drei Preludien fur Klavier të Milan Mihailoviçit ishin si një zgjatim i asaj çka kishte përjetuar publku një çast më parë. Por çka pasoi kishte një kontekst krejt të ndryshëm e mbase të kundërt.
Vijoi elaborimi i teknikës trashedentale pianistike të kohës sonë. 1. Pas dy pikpyetjeve në ritëm të përmbajtur dhe në fshehtësi të pëshpëritura, vijon në fshehtësi të plotë një largim vrapues me tingëllim minimal që në masat e fundit ngadalsohet dhe shkarkon në etydin 2. ku po brenda dinamikës tmerrësisht të lehtë që përcaktohet në pp, ppp, mp e përfundon po në pp.
Vijon konfidenca e autorit në etydin e tretë, ku duke vijuar tingëllimin minimalist, madje duke i shtuar dhe shënimin e përdorimit e pedalit una corda (vetëm të një teli të instrumentit), starton një Elegji me ritëm tepër të shpejtë që e vajton me dënesë e nën zë, siç kuptohet nga ritmi marramendës, përjetimin vetjak të M. Mihailoviçit, që mbyll me një përgjigje të pashpresë, pikpyetjet konfidenciale që shtroi në fillim të triptikut. Kur u kompozuan këto prelude, në Beograd ishte Maj 1989, vit i shembjes nën dhunë të një sistemi..! Kështu nën zë u fik kjo ngjarje muzikore e rrallë.
Në asnjë rast tjetër analog të muzikës pa fjalë, nuk kam ndeshur kaq ngjarje e subjekte. U shqetësova dhe u përgjegjësova me mjeshtrat ballkanikë. Paskemi hyrë në histori dhe me muzikën që pretendon jashtë kohësi, më thanë në fund mjeshtrat që na prezantoi Mjeshtri i ynë i pianos.
Tek ne nuk ekziston më përvoja e shkrimeve për mbresat nga një Recital koncertor. Urimet pas tij nganjëharë janë qoka me lule e foto. Kur mendon mundin e realizuesve idealistë dhe misionarë të tyre, edhe më pak se impenjimi madhor i pianistit shqiptar Amir Xhakoviq, s’të zë gjumi për ti dedikuar atij një shenjë admirimi modest e të sinqertë.
Prill ‘22 Tiranë