1
Abdurahman Arbana, portieri ynë, rri në kabinën me një kamare të vogël, pi duhan dhe mendon. Nuk e di njeri se ç’mendon! Ne të gjithë nuk e dimë se ç’mendon… Unë vetëm ja marr me mend mendimet e tij, pasi në një bisedë të shkurtër para kamares së kabinës së tij, më foli për diçka larg e larg.
– Jo, unë jam njeri i thjeshtë. Ju dini më shumë se unë, po dua të them që… Domethënë po vë re ca gjëra që nuk shkojnë… – dhe e futi kokën përsëri në kabinë, duke ndezur një cigare tjetër.
– Çfarë nuk shkon, Abdurahman? – pyeta unë.
– Jo, që të kam llafin, se ju dini më shumë se unë… – tha Abdurahmani dhe e shkundi hirin e duhanit në tavllën e mbushur me bishta cigaresh.
Ai e kishte ulur kokën dhe shikonte diku në këmbët, që nuk i dukeshin. E shihja që diçka e mundonte, por nuk e thoshte. Ju afrova kabinës dhe i thashë të dilte, të merrte pak ajër të pastër. Doli ngadalë dhe qëndroi krah meje në pragun e portës së madhe të institucionit tonë. Në këtë kohë hynë dy nga vajzat e reja që punonin te ne. Ato ishin të gëzuara dhe qeshnin me njëra-tjetrën. Fustanet e shkurtra u vinin gjer mbi gju. Abdurahmani i pa me bisht të syrit, pastaj u buzëqeshi, duke i përshëndetur dhe m’u kthye përsëri.
– Jo, ju dini më shumë se unë, po i pe ato që hynë?
– I pashë! – u përgjigja.
– I pe, domethënë… – tha ai dhe psherëtiu.
Në rrugë kaloi një grup vajzash e djemsh, studentë të fakultetit të shkencave të natyrës. Ata ecnin lirshëm, flisnin me zë të lartë dhe e shponin njëri-tjetrin me bërryl për t’ia tërhequr vëmendjen në bisedë.
– Edhe këto… Një lloj si ato të dyja! – tha Abdurahmani.
– E çfarë, Abdurahman? – pyeta unë.
– Ju, xhanëm, dini më shumë se unë,
Në këtë kohë kaloi Vangjushi, një djalë i ri, i gjatë dhe i pashëm. Ai kishte një vit që punonte në institucionin tonë. Ishte njeri i shkathët dhe tepër serioz në punën e vet. Vangjushi më përshëndeti mua, pastaj Abdurahmanin.
– Lodhesh, Abdurahman? – tha ai.
– Pak, Vangjush, pak, – tha Abdurahmani me një buzëqeshje të ngrirë në fytyrë e me mollëzat e faqeve të kuqe. Vërtet portieri ynë gjithnjë mollëzat e faqeve i ka të kuqe.
Abdurahmani u fut në kabinën e tij, e vendosi mirë jastëkun e hollë në karrige dhe u ul. Unë kalova pranë kabinës së tij dhe ngjita shkallët. Pas dëgjova një murmuritje të lehtë dhe fjalë të pakuptueshme, që dilnin nga kamarja e vogël e portierit.
U ula në tryezë dhe mendja më shkoi tek Abdurahmani. “Ndofta, thashë me vete, ai mendon për gjëra që ne s’na shkojnë ndër mend për njerëzit e për sjelljen e tyre, Dreq, o Abdurahman!” Dhe unë qesha me vete.
Një ditë tjetër, tek zbrisja nga shkallët, pashë të qëndronin para kabinës së portierit dy djem të veshur mirë. Abdurahmani kishte në dorë receptorin e telefonit dhe sigurisht bisedonte me ndonjë nga nëpunësit e institucionit tonë, te i cili vinin ata dy djemtë.
– Të vijnë, shoku Vangjush? – pyeti ai po me atë buzëqeshje të ngrirë dhe po me ato mollëza të skuqura.
Djemtë filluan të ngjitnin shkallët, ndërsa portieri tundte kokën e fliste me vete.
– E di unë, e di! Tani, si të duan!…
Unë kisha qëndruar në fund të shkallëve dhe shikoja portierin. Sytë e tij të vegjël lëviznin majtas e djathtas dhe mollëzat e faqeve skuqnin.
– Ç’ke, Abdurahman? – pyeta unë.
– Jo, ju dini më shumë se unë. Ç’jam unë? Një portier! Më fal që po të them… I pe ata dy djem?
– I pashë!
– Më thanë se duan të shkojnë te Vangjushi. E mora në telefon Vangjushin. “Le të hyjnë”, më tha… Le të hyjnë, xhanëm, s’kam ndonjë kundërshtim… – tha ai.
Nuk kuptoja asgjë. Mundohesha t’i zgjidhja gjithë ato fjalë që dolën nga kamarja e vogël, por nuk mund të merrja vesh asgjë. Ç’është e vërteta ndieja një farë shqetësimi të Abdurahmanit, por nuk kuptoja se ku e kish burimin ky shqetësim.
– E çfarë? – pyeta unë.
– Unë jam njeri i thjeshtë, përgjegjësira nuk kam, por më duket se nuk venë punët mirë, – tha ai në mënyrë evazive.
Këto fjalë bashkë me kureshtjen time me nxitën t’i afrohesha kabinës së tij. Ai më pa që u interesova dhe u ul në karrige, ndofta për të më bërë më kureshtar.
– Ku nuk venë mirë punët? – thashë unë.
– Jo, xhanëm, ne kemi përparime. Kombinate e fabrika, ndërtojmë, hidrocentrale ngremë… Po ka ca gjëra që… Tani ju e dini më mirë.
Unë nisa të nxehesha. Pastaj fillova të shaja veten që merresha me këtë njeri që i zvarrit fjalët dhe asgjë nuk thotë. Pa e kuptuar edhe vetë, dalëngadalë filloi të më pushtonte një mërzi, tek e shikoja në kabinë. E megjithatë, më shtynte kureshtja për të hyrë në shqetësimin e tij dhe për ta zbuluar burimin e këtij shqetësimi.
– I pe ata dy djem? – përsëriti ai.
– E? – pyeta.
– Ti kujton se shkojnë te Vangjushi? E marr me mend se ku venë! E di, dua të them… Tani ju keni shkollë, po… Mund të ngjasin edhe gjëra të papëlqyera, – tha ai.
Mua më pushtoi trishtimi. E vështrova Abdurahmanin, por nuk i thashë gjë. Kapërceva pragun e portës sonë të madhe dhe dola në rrugë. Abdurahmani doli nga kabina, më ndoqi pas, më mbështeti dorën në krah dhe më tha ngadalë;
– Tani ju e dini… Mbase unë gaboj… Unë jam njeri i thjeshtë… Ju mund edhe të mos dëgjoni.
– Mirë, Abdurahman! – thashë dhe u ndava prej tij.
Në rrugë kalonin djem e vajza të qeshura. Rruga jonë ka shumë djem e vajza të qeshura. Por mua më zienin veshët nga fjalët e Abdurahmanit.
2
Mendon Abdurahman Arbana në kabinë. Por kohët e fundit edhe ka filluar të shkruajë. Nxjerr një letër dhe herë pas here diçka shënon. Pastaj e fshin atë që ka shkruar dhe shënon përsëri. Kur kalon njeri, ai e fsheh letrën dhe rri drejt në karrigen e tij, duke u ankuar për mesin që ka filluar t’i dhembë. Ç’shkruan vallë? Unë e di se ç’shkruan, pasi njëherë e zura gafil, duke shënuar në letër dhe ai ma dha ta lexoja dhe m’u lut t’ja korrigjoja.
– Tani, ju dini më shumë se unë, por mos ia trego njeriu këtë që do të lexosh. Merre dhe korrigjoje në shtëpi… – tha ai duke ma zgjatur letrën.
E futa pa gjë të keq letrën në xhep, duke buzëqeshur. “Ka filluar të shkruajë vjersha Abdurahmani”! thashë me vete dhe dola. Prapa shpine ndjeva dorën e tij.
– Jo, unë nuk marr vesh shumë. Unë jam njeri i thjeshtë, por kam menduar ca gjëra me kokën time…
– Mirë, do ta lexoj, – thashë unë dhe u mata të ikja. Ai më ra pas e më hoqi nga krahu.
– Dëgjo, kjo të mbetet mes nesh, – tha ai, duke i dhënë fytyrës një shprehje misterioze, si të atyre njerëzve që fshehin një sekret të madh.
Unë shpejtoja për në një mbledhje dhe nuk kisha kohë ta lexoja shkrimin e tij. Në mbledhje i harrova letrat në fund të xhepit dhe vetëm në shtëpi, vonë pasdreke u kujtova t’i lexoja. Gruaja dhe fëmijët kishin rënë të flinin dhe në dhomë ishte qetësi. Atë natë unë ndieja një lehtësi në shpirt, se vajza ime kishte mbaruar me nota të mira klasën e parë të tetëvjeçares. Me këtë ndjenjë të lehtë i hapa edhe letrat e Abdurahmanit për të qeshur pak me vjershat e tij. Por balli im u rrudh dhe përnjëherësh më pushtoi një trishtim. Në krye të fletës së parë ishte shënuar: “Informacion”. Pastaj: “Drejtorisë së Institucionit N. Për njoftim organizatës bazë të partisë dhe Komitetit të Partisë”. Pastaj: Unë, i nënshkruari Abdurahman Arbana, portier i institucionit N., nën përgjegjësinë time personale, njoftoj si më poshtë vijon: Unë kam dhjetë vjet që punoj në këtë institucion. Detyrën e kam kryer me nder. Edhe të meta kam pasur, por me ndihmën e kolektivit i kam zhdukur. Si njeri i thjeshtë unë kam vënë re kohët e fundit se në institucionin tonë ka gjëra që nuk venë, ka imoralitet, më falni për këtë fjalë. Në këtë drejtim ka imoralitet. Te vajzat, të quajtura Shega dhe Elvira, nëpunëse në institucionin në fjalë, vijnë dy djem. Kodosh, më falni edhe për këtë fjalë, është bërë Vangjush Cilja. Këta dy djemtë vijnë e kërkojnë Vangjushin, futen brenda me anën e tij dhe takohen me Shegën dhe Elvirën. Kjo nuk i ka hije moralit tonë. I kam parë njëherë këta dy djem dhe kanë qeshur në shkallë me Shegën dhe Elvirën. Kjo përsëri nuk është e hijshme. Mund të zbardhësh dhëmbët në një institucion shtetëror? Në këtë drejtim nuk mund të zbardhësh dhëmbët! Edhe një sinjalizim tjetër. Vajzat të quajtura Shega dhe Elvira, kanë një veshje e mbathje të modës borgjeze. Fustanet i kanë dy gisht mbi gju, takat e sandaleve i kanë të trasha dhe të larta me lloj-lloj ngjyrash. Mbajnë rrypa e ku ta di unë, si të borgjezisë. Edhe në drejtim të flokëve kanë mbeturina borgjeze. Njërin sy e fshehin me flokët që i lëshojnë në gjysmën e fytyrës, si ato gratë që kemi parë në filma. Me sa jam informuar unë, njëra nga ato ka televizor dhe nga ky televizor kanë mësuar shumë gjëra të këqija, domethënë borgjeze. Në këtë drejtim mendoj të merren në shqyrtim nga ajo drejtori. Me nderime, Abdurahman Arbana”.
E lexova letrën, e mbylla dhe e hodha në qoshe të tryezës. Çupa ime qeshte në gjumë. Unë ndeza një cigare e fillova të mendoja për Abdurahmanin, për “informacionin” e tij, për gjykimet e tij. Dhe papritur psherëtiva.
3
Abdurahman Arbana është mbështetur në tryezën e vogël të kabinës së tij, ka vënë dorën në faqe e mendon. Para meje kalojnë dy vajzat, Shega dhe Elvira. Ato ngjitnin shpejt shkallët dhe fustanet e tyre lëviznin si dy krahë fluture. Ai shikon vajzat i menduar dhe nuk më vë re mua. Kur më vë re, e heq dorën nga faqja dhe zgjat kokën nga kamarja e kabinës. Në xhepin tim rëndon “informacioni”.
– E, ma korrigjuat? Tani ju i dini këto punë, unë jam njeri i thjeshtë! – thotë ai i ndrojtur.
Unë e vështrova dhe nuk fola për një çast.
– Apo nuk e kam shkruar mirë? – pyeti ai dhe doli nga kabina.
Qëndroj para tij i heshtur. Përtoj të flas. E fut dorën në xhep dhe ia jap shkrimin. Ai e merr dhe e hap. Nuk shikon asnjë ndryshim.
– Ti nuk e paske korrigjuar! – psherëtin Abdurahmani.
– Nuk e kam korrigjuar, Abdurahman! – i them.
– E kam shkruar mirë, domethënë, – buzëqesh ai duke vërtitur letrat në duar.
Mollëzat e kuqe të faqeve të tij fillojnë të formojnë nga një rreth të zbehtë. Një zbehtësi e tillë përhapet edhe në të dy anët e hundës, mbi buzën e sipërme. Sytë e vegjël shkëlqejnë dhe bëhen të rrumbullakët si dy kopsa.
Unë vazhdoj të qëndroj i heshtur me vështrim nga kamarja, ku duket koka e Abdurahmanit. Për një çast nuk e dalloj kokën e tij. Ajo shkrihet në sfondin e murit gri, i heq sytë nga kamarja, kthej krahët dhe matem të ngjit shkallët. Abdurahmani diç murmurit si zakonisht. Unë shpejtoj hapin. Në shkallën e tretë ndiej se dikush më tërheq për mënge.
– Unë mund ta dorëzoj edhe të pakorrigjuar, por thashë se do të ishte më mirë sikur të ma ndreqnit.
Ktheva kokën nga ai. Qëndronte një shkallë më poshtë se unë me letra në dorë. Për herë të parë vura re se maja e kokës së tij nuk kish flokë. Ç’është e vërteta, kishte flokë, por i kish të imta, si push. Ai ngriti sytë e vegjël nga unë dhe buzëqeshi me një ndrojtje të madhe. Përsëri, për herë të parë unë vura re se sytë e tij ishin pakëz të kuq dhe bebet të kaltërta, ose më mirë me një ngjyrë të papërcaktuar.
– Nuk më the, e kam shkruar mirë? – pyeti ai po me atë buzëqeshje.
Unë nuk fola. E pashë me një vështrim tërë mërzi e bezdi. Ai e kuptoi dhe dora që mbante letrën u drodh. Për ta fshehur këtë dridhmë, e futi letrën në xhep dhe nuk e nxori andej dorën.
– E sheh? E dija që duhej korrigjuar, prandaj ta dhashë, – tha ai.
– Nuk korrigjohet, Abdurahman! – thashë unë dhe i dhashë të kuptonte se nuk kisha më dëshirë të rrija bashkë me atë në shkallë.
Atëherë ai heshti. Unë dëgjova se si kërciste në xhepin e tij letra e shkruar. Ai e trazonte me dorë. Nuk e dëgjoja dot këtë kërcitje letre.
Hodha një hap dhe fillova të ngjitja shkallët, që i kisha lënë përgjysmë.
Kisha arritur në krye të shkallëve, kur ndjeva përsëri një prekje të lehtë në bërryl. Ai prekte vetëm me majat e dy gishtërinjve të dorës, prekte ngadalë-ngadalë. Përsëri nuk më ndahej! Kjo i shëmbëllente një ëndrre: ikën e nuk shkëputesh prej dikujt.
– Për të mirën e shtetit e bëra… Ju dini më shumë se unë. Jam njeri i thjeshtë e pa shkollë… Por janë ca gjëra që… – tha ai me kokë të hedhur prapa qafës ngaqë unë qëndroja dy shkallë më sipër prej tij.
– Shko, Abdurahman! – thashë unë dhe vazhdova të ecja.
Ai zbriti ngadalë shkallët dhe hyri përsëri në kabinën e tij. Diçka fliste me vete…
1972