More
    KreuIn memoriamAli Aliu: Një sagë ballkanike me pikënisje sagën familjare shqiptare (IN MEMORIAM:...

    Ali Aliu: Një sagë ballkanike me pikënisje sagën familjare shqiptare (IN MEMORIAM: LUAN STAROVA)

    I

    Luan Starova u lind në Pogradec të Shqipërisë më 1941 prej nga, pas dy vjetësh (’43), familja e tij u shpërngul dhe u vendos në fillim në Strugë e më vonë në Shkup, ku jeton edhe sot. U shkollua në gjuhën maqedonase. Si student i gjuhës dhe i letërsisë frënge, punoi një kohë si gazetar. Më vonë u pranua asistent në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë frënge në Fakultetin Filologjik të Shkupit, në të cilën ka qene profesor i rregullt i letërsisë frënge.  Është anëtar i Akademisë të Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave e Shqipërisë, dhe e Akademisë Mediterane në Napoli.

    Për dy mandate ka qenë me misione diplomatike, në fillim si ambasador i ish-Jugosllavisë në Tunizi, dhe, që nga viti 1994 deri në fund të viteve ‘90, ishte ambasador i parë i Republikës së Maqedonisë në Francë, duke mbuluar UNESKO, Spanjën dhe Portugalinë. Është fitues i çmimit më të lartë francez për artet dhe letërsinë.

    Ka botuar rreth njëzet romane, dy vëllime me tregime, një me poezi, disa vëllime me ese dhe studime dhe ka përkthyer poetë të njohur francezë në shqip dhe maqedonisht. Shkruan paralelisht shqip dhe maqedonisht. Pas botimit të katër  romaneve të parë në frëngjisht tre nga botuesi i madh Fajar në Paris (“Librat e babait”, “Koha e dhive” dhe “Muzeu ateist”)  dhe (“Bregu i egzilit”) si dhe pas jehonës pozitive që i bëri kritika, disa nga romanet e tij u përkthyen në rreth njëzet gjuhë. Pas Ismail Kadaresë, është shkrimtari shqiptar më i përkthyer në botë.

    * * *

    Shkrimet e para letrare të Luan Starovës, të botuara maqedonisht, në një gazetë të Shkupit (Mlad Borec), datojnë që nga fillimi i viteve ‘60. Duke qenë aso kohe edhe unë gazetar në Shkup, i lexoja ato shkrime ende pa e njohur autorin e tyre. Dikur, pas një takimi, e ftova që të bashkëpunonte me gazetën “Flaka e vëllazërimit” ku  redaktoja faqet për kulturë.

    Në fillim, i pasigurt në gjuhën shqipe, me ndihmën e lektorit të gazetës, Luani vite me radhë bashkëpunoi rregullisht me gazetën “Flaka e Vëllazërimit “. Rezultat i kësaj periudhe bashkëpunimi qe botimi i romanit të parë të autorit “Kufijtë e pranverës” (’71) nga shtëpia botuese “Rilindja” në Prishtinë ku unë kisha kaluar si redaktor. Të gjitha veprat letrare të L. Starovës, pas kësaj periudhe, do të botohen në maqedonisht e pjesërisht edhe në gjuhën shqipe.

    Në qarqet romanistike të kulturës shqiptare, Luan Starova është afirmuar si një ndër njohësit më të mirë të veprës letrare dhe gjuhësore të Faik Konicës, i cili për shumë vite pati lidhje letrare dhe miqësore me Apolinerin, paraardhës i surealizmit dhe i modernizmit evropian. Mbi këtë bashkëpunim, Luani ka mbrojtur tezën e doktoratës në Zagreb. Ismail Kadare në parathënien e këtij libri, tek “Onufri” në Tiranë,  e thekson kontributin e Luan Starovës në ndriçimin e kompleksitetit të figurës së Faik Konicës.

    * * *

    Deri në fillim të viteve ’90, Luan Starova botoi një varg veprash, kryesisht ese dhe studime letrare. Më 1992, botoi romanin e parë të ciklit familjar “Librat e babait”, që u shpall libri më i suksesshëm i vitit në Maqedoni, dhe vëllimin e parë me poezi “Kartagjena nuk mposhtet”. Është me interes të theksohet se, deri më sot, i vetmi vëllim me poezi, të shkruara kryesisht në Mesdheun afrikan (Tunizi), ku autori ishte ambasador, shënon shkallë të lartë artistike dhe ky libër është botuar frëngjishte me parathënie te Adonisit. Poezia në fjalë shpalos natyrën e lirikut refleksiv, që është shfaqur më parë edhe në shkrimet eseistike, si edhe më vonë në prozën romanore. Bie në sy prirja e autorit për kërkimin e kuptimeve, enigmave e mistereve të pranishme në gjurmët dhe shenjat e kohës, kërkim identitetesh dhe rezonancash filozofike e që është bosht kryesor i individualitetit krijues të L. Starovës. Edhe pse e një cilësie artistike të shënuar, i vetmi vëllim i tij me poezi do të mbetet në hijen e suksesit të bujshëm dhe të sigurt të prozës romanore.

    * * *

    Proza e gjatë dhe e shkurtër e Luan Starovës, tematikisht lidhet përmes një shtylle të përbashkët dhe përbën një projekt të vetëm që është emërtuar Saga ballkanike. Boshti kryesor i këtij cikli romanor të Starovës është kërkimi i rrugës së kthimit nga egzili, i rrugës që nuk ekziston, i të pamundshmes, i udhëtimit në rrethana komplekse dhe shumështresore të gadishullit, ndryshe nga disa autorë tjerë ballkanikë që i antagonizojnë ato. Pikërisht për këtë, Edgar Moreni me një rast do të shkruajë: Luan Starova është përfaqësues i bashkëjetesës ballkanike, i hapjes.”

    Boshti i historisë së rrëfyer në këtë cikël romanor, është rruga, fati i një familjeje që emigron nga vendlindja drejt hapësirave më frymëmarrëse dhe gjakimi i saj dramatik, sa për të lëshuar rrënjë në truall të ri e sa për t’i mbajtur të gjalla ato të origjinës. Kërkimi i një baraspeshe mes këtyre dy ngasjeve të brendshme, përkatësisht dy identiteteve, prore të zgjuara dhe, në çaste agresive, të dhembshme, është tharmi kryesor që e përshkon historinë e familjes, përkatësisht rrëfimin – autorrëfimin e Birit të Familjes, narratorit që mban mend.

    Historia e familjes shtrihet në një hark kohor 100-vjeçar që Babë e Bir e mbulojnë gjithë shekullin e 20-të. Atë e rrëfen Biri në rolin edhe të narratorit, pa ndier fare nevojë ta fshehë zërin autorial apo të distancohet nga ai. Identifikimi i qëllimshëm i autorit në këtë projekt narrativ, personalizimi që kufizon me dokumentin, relativizimi i konvencionit zhanror, me këtë rast është në funksion të dinamizimit të rrjedhës së kohës dhe njëkohësisht dëshmi origjinaliteti dhe narracioni modern. Shija e narracionit biografik dhe tharmi i rrëfimit eseistik përsiatës, i japin gjallëri të veçantë fabulës romanore të Luan Starovës, qartësi dhe kthjelltësi lëvizjes në hapësirë dhe kohë, sfondit kryesor të poetikës.

    Parashenja e narracionit personal, me prirje autobiografike, që animon autori, të cilën e gjallëron  me sovranitetin e talentit, me erudicionin komod dhe formatin sipëror të intelektualit, i mundësojnë një diskurs të shkujdesshëm. Në gjakimin për të gjetur thelbin e qenies, në të cilin shpesh përballet me mure të pakapërcyeshme, autori zë vendin kryesor në këtë kronikë familjare. Për t’ia arritur këtij pikësynimi, ai, zgjedh  zërin autorial, pa distancë, zgjedh perspektivën për vetërrëfim, në dukje të shkujdesshëm në përzgjedhjen e procedimeve narrative, kënd ky që i jep dorë të ndërhyjë, të bëjë digresione dhe të japë gjykime, të përsiatë e filozofojë.  Nga ana praktike, këtë vetëkërkim e përshkon një përqendrim i brendshëm, herë-herë me ngërçe dramatike e që vihet re në parimin e përzgjedhjeve të mozaikut kronikë: pse pikërisht ato oaza bëmash dhe pse ai pozicionim i autorit ndaj tyre, pse ai ngjyrim i ngjarjeve drejt atij pozicionimi? Para çfarë provash dhe katarzash mëtojnë ta vënë ato autorin? Përzgjedhja, renditja, kronologjia e rrëfenjave nga kronika e familjes, është kod më vete tregimtar në këtë projekt romanor. Fragmentet e përzgjedhura nuk pretendojnë të jenë bëma të bujshme, aq më pak madhore e përmasash dramatike. Përkundrazi, ato ngjizen, shtjellohen dhe kthehen prapë në gjirin e familjes. Përbërësit e tyre janë Babai dhe librat, dhe të tjerë, me emër apo pa emër fare. Por, të gjithë janë në shërbim të shpalosjes dhe vetëshpalosjes të familjes dhe të Babilonisë etnike të Ballkanit. Rrëfimi, nga perspektiva dhe ritmi real i jetuar i autor-narratorit, ofron për lexuesin lehtësi dhe qartësi absolute për lëvizjet, perceptim të plotë për mjedisin dhe hapësirën e shtrirjes së historisë.

    Cipa e hollë e ironisë shoqëruese, prore e zgjuar dhe e gatshme për të ndërhyrë në çastet e duhura, vjen si jehonë objektive në hapësirën dhe kohën përkatëse. Ajo, ironia, në momente të caktuara mëton shkallën metaforike të rrëfimit të historisë ballkanike përplot paradokse dhe absurditete. Gjëja më fatale në këtë kontekst janë kufijtë, të jashtëm dhe të brendshëm, që vendosin dhe përcaktojnë fatet e njerëzve. Në këtë hapësirë, refuzimet dhe paragjykimet janë ngasësit e parë të njerëzve për veprime. Luan Starova gjakon të identifikojë, pra të kapërcejë rrënjët, gjenezën e këtij fataliteti. Pikërisht kjo frymë synuese, që e përshkon tërësinë e veprës letrare të Luan Starovës, është ana më vitale e saj.

    Narracioni është fuqimisht personal, i një diskursi jashtë kallëpeve. Është fjala për një zë rrëfyes të kultivuar, me formim e dije eruditi, e cila i nënshtrohet individualitetit të fuqishëm krijues, natyrë që shquhet për qartësi në përshkrimin e mjedisit ballkanik me tërë inercionin lindor e perëndimor të shtresëzuar si konfuzion shekullor. Është histori e rrëfyer përmes copëzave të qarta si kristali që nuk shkëputen për asnjë çast nga boshti i fabulës, duke e shpënë rrëfimin përpara, përmes lëvizjes së lehtë të këndit perspektiv. Edhe pse kthimi te Babai, te librat, është këmbëngulës, madje obsesiv, përherë ke përshtypjen se rrëfyesi pushton hapësira të re.

    Vetë fillimi i rrëfimit është spontan, si ballafaqim me vetveten: i ngarkuar me kaq kujtime, të ngjeshura në kohë, ngasjesh e shtytjesh dramatike në momente të kundërta – pra, ç’duhej të bënte me to? Pse të mos i rrëfente ashtu si për shpirt të vet? Dhe, pas librit të parë, nga kjo mënyrë rrëfimi, më parë si histori, si kronikë, e vetvetiu si letërsi, autori do të ecë më tej, meqë ishte ngjizur planimetria e projektit të sagës. Këtu zë fill shija aq personale, prandaj njësimi autor-narrator, i cili rrëfen pikërisht atë që ka ndodhur, duke përjashtuar, përkatësisht neutralizuar funksionin e dokumentit në zëvendësim me të mundshmen dhe të besueshmërisë…

    II

    … Matrica narrative e sagës romanore  e Luan Starovës është familja shqiptare, Sulstarova nga Pogradeci, e cila, në pikun e luftës të dytë botërore – fillim i vitit 1943, vendos të braktisë vatrën e lindjes, për të mos u kthyer kurrë; shtyllë e familjes gjashtë anëtarëshe, dy prindërit dhe katër djemtë, do jetë babai që merr fatin e familjes, tani me vulën e emigrantit, nëpër Ballkan, dhe, me trungu-familjar nëpër botë….

    Kjo do ishte një qasje drejt leximit të historisë familjare të sagës romanore në fjalë. Po e theksoj këtë në fillim të fjalës sime për të sjellë në vëmendje poetikën narrative, romanore fare të veçantë të Luan Starovës: në kujtim- rrëfimin e vet, narratori e sjell të qartë sfondin e kohës, kronologjinë historike të rrjedhave, sjell hapësirën brenda së cilës lëviz familja, personazhet reale, me sivi dhe bëma reale, sjell rrënjët dhe degët e trungut familjar të shtrira brenda një shekulli (20) dhe përtej; është histori saktësisht e regjistruar, me data emra e dokumente, hapësirë gjeografike, vende, qytete, pelegrinazhe; të pranishme rrjedhat globale, që në vete bartin koordinatat dhe kodet orientuese për familjen, Babanë, shenja orientimi të brendshme dhe të jashtme; të gjitha këto përbërës të poetikës romanore, vijnë reflekse kuptimësimi i golgotës familjare, i shestimeve psikologjike dhe filozofike të Babait, ëndrra për të gjetur një strehë për familjen ngarkuar mbi shpatulla; saga ballkanike pra sjell historinë e familjes shtrirë në harkun kohor 100 vjeçar dhe që e mbulojnë Babë dhe Bir, dhe që e rrëfen Biri, në rolin e narratorit, pa ndjerë nevojë të distancohet nga zëri autorial; identifikimi i autorit në këtë projekt narrative, personalizimi që kufizon me dokumentin, relativizimi i konvencave zhanrore, vijnë dëshmi origjinaliteti dhe mëtim trendësh moderne. Kjo parashenjë narrative e personalizuar, me prirje autobiografike që e animon autori, zotërohet artistikisht, falë dhuntisë krijuese ku shquhet prirja përsiatëse e estetit, eseistit, erudicioni komod dhe, përmasa e intelektualit sipëror e Luan Starovës; nga kjo perspektivë narratori nuk është i limituar në lëvizjet e veta, ngjashëm me rrëfimin e narratorit fëmijë, ( Hese, Kadare…), por i lejon vetes të ndërhyjë, hamendësojë, filozofojë; vetë përzgjedhja e nyjeve, e oazave historike, biografike, e bëmave, detajeve që përzgjedh varg në sagën romanore, janë përbërës kryesorë të kësaj poetike, ato fshehin një kod, ofrojnë busullën orientuese, domethënëse të çdo detaji, të çdo shenje, gjurme të përzgjedhur në kohën dhe hapësirën, që është sfond i madh i sagës ballkanike…; përbërësit realë të kësaj poetike romanore, e shmangin funksionin e dokumentit, e vënë ad acta në favor të funksionit të besueshmërisë; i vetmi përbërës fiksional i saj është enigma e dijes, e urtisë që fshehin librat, i dhënë në shkallë apasionante Babai, është biblioteka e tij që gjatë shtjellave dramatike, filozofike drejt mëtimit për të gjetur strehë dhe truall ku të lëshojë rrënjë, narratori, nga perspektiva që rrëfen, në secilin roman të radhës, sjell gjetje, shtigje, horizonte, dhe perspektiva të reja, pa u shkëputur nga shtylla bartëse e babait; korrespondimi i indeve mes rropatjeve të Babait për kthim nga azili që nuk ekziston dhe mbamendjes së birit narrator me lëvizjet e shlirshme sfondit kohë-hapësirë, përbën tharmin artistik të sagës romanore të Starovës; shkurt, rrezatimi narrativ shtrirë në kohë dhe hapësirë, përplotësohet, kuptimësohet mbi këndin perspektiv të kujtimeve të Birit, kryesisht fëmijë që lidhet me familjen emigrante, e vendosur në një shtëpi të vjetër buzë lumit Vardar në Shkup; brenda këtij universi dhe perspektive narrative, Biri narrator gjurmon qetësinë, dijen, urtinë, misterin e shtresuar në librarat e Babait…

    Hapësira ballkanike ku janë ngjizur rrënjët e familjes shqiptare pogradecare dhe, ku ndodh çrrënjosja, dhe në të cilin ateron shkrimtari me rrëfimin e vet, është hapësirë sa e kufizuar, sa e mbyllur në fatumin e vet, po aq edhe metaforë globale, planetare; lundrimin mespërmes gjolit det, Babai, ngarkuar familjen, tani me vulën e emigrantit, cak të pare të strehës ka fqinjin e pare; trualli ballkanik ndërsa, që ngre mure edhe mbi ujë e nën male, i kreshpëruar, i gatshëm për shere, për dhunë, me kufi ngarkuar zjarr, me mërira e llogari fqinjësore të katranosura, me paragjykime shtresuar kodra, aratisshëm kërkon strehë familja…; i pranishëm Ballkani i tillë në artin letrar, ballkanik sidomos, kryesisht përplasës, antagonist; saga romanore e Luan Starovës ndërsa vjen ndryshe; rrëfimi i tij, i vetëdijshëm për truallin e kontaminuar minash, mbi të cilin ka vendosur të ecë, sjell frymën e shmangies së përplasjeve, frymën e vizioni të ri mirëkuptimi, në vend të refuzimit, atë të pranimit, mes barrikadimit betonues, atë të kërkimit, të ofrimit të alternativave bashkëjetuese; pa i sjellë zëshëm përmes asnjë shenje, asnjë bëme të përbërësve të sagës, por përmes kodeve të brendshme narrative, përmes buzëqeshjes së lehtë të narratorit, që përvidhet, pa hetuar ironia; rrëfimi romanor i Starovës nuk i bën karshillëk, nuk e ngacmon dreqin e dremitur me synim se mund të lihet anash tërë ai rezervat inventari refuzues; përmes atij buzëgazi ironik, në secilin rrëfim të radhës së sagës, mund të ndjehet ndërtekst sugjerimi se, edhe kësaj hapësire, sinonim i mërisë dhe konflikteve, nuk i duhet shumë, vetëm një lëvizje e lehtë, e brendshme, e mendjes dhe shpirtit, vetëm një kthjellim iluminimi, për të gjetur zgjidhje, edhe për dhitë që rrezikojnë gjelbërimin, duke na dhuruar eliksirin jetësor, bardhësinë qumështore, edhe për  ngjalat, përballë mureve dritësjellëse, duke u përvjedhur dhe depërtuar poreve shkëmbore drejt udhës së përjetësisë, edhe, edhe, nga romani në romanin e radhës, përmes alternativave të reja por me po atë vizion ëndërror të Babait, të rrëfyer me buzagas miqësor, me elegance të përsosur estetike, për çfarë, atë, ciklin romanor të Luanit, e pëlqejnë kudo ajo është përkthyer; nuk zmbrapset nga vizioni i tillë këndi narrative i sagës, sado, në kërkim të strehës për të lëshuar rrënjë, sado rropatja për zhbërjen e vulës azilant familja, Babai has në murin e radhës, në zhgënjimin e radhës, Biri narrator do vazhdojë të besojë se Ballkani, bota, do marrin për të mire…

    Në sagën romanore të Luan Starovës, librat, biblioteka e Babait është përbërëse e familjes pogradecare, ngarkuar si e tillë me fatin e emigrantit; librat brenda saj janë të sistemuara nga dora e Babait, sipas statusit të tij, sipas filozofisë së tij, sipas sheshtimeve të tij në kërkim të rrugëve, në kërkim shpëtim për familjen; sistemim në përputhje me besimin e tij se brenda tyre qëndron dija, qëndron urtia shtresuar ndër mote, për të ndrequr botën dhe, edhe atë të azilantët, për të çrrënjosurin që kërkon strehë për lëshim të ri të rrënjëve; tek sistemimi i librave që, mes faqeve shpesh gjendet hiri i cigares, rënë në çaste kotjeje ëndërrimtare të Babait, këtu mistere dhe kode të sistemuara; përballë këtij sistemimi të tërë historisë rropatëse të familjes, autori mbase edhe mund të jetë tunduar, herë-herë, për ta regjistruar; dhe një ditë vendos ta nisë nga e para, regjistruar në kujtesën e tij, biografia, autobiografia, ashtu e gjallë, reale, pa ndryshuar asgjë, as emër as status; thjesht të jetë zëri i parë, pa distancë nga asnjë perspektivë narrative, pa konsiderata ndaj konvencave zhanrore, teknikave, poetikave narrative; dhe që një vendim i tillë, ngasje e brendshme është manirë, natyrë e shkrimtarëve të mëdhenj, që vijnë ngarkuar përvojë shkollash të qëndrueshme në këtë zeje dhe që pikërisht nga kjo përvojë dhe formim majash, mund t’i nënshtrohen zërit kreativ të vet, të brendshëm, siç ngjan me Starovën…

    Tani le të provojmë të shohim si krijohet në art letrar të madh, në këtë rast romanor, rrëfimi i historisë reale, fije për pe, e familjes azilantë nga Pograderci, me biografi e sivi, dokument i secilit përbërës të familjes dhe të përfshirë në trungun familjar, në sagën romanore të Luanit…

    Para së gjithash, udha, historia e familjes së çrrënjosur që ka marrë dhenë për të gjetur strehë ku të lëshojë rrënjë të reja, vendoset brenda një kornize-sfond kohor dhe hapësinor, brenda së cilës do lëvizë familja; ky sfond përmban koordinatat dhe kodet e lëvizjeve fabulare, ai i kuptimëson, i motivon, i bën të besueshme vetvetiu lëvizjet, mban në vëmendje rrjedhën, kronologjinë, statuset, ëndrrat, frikën, vulën e të huajit, të tjetrit, përcakton tavane, limite, detaje; shndërrohet në një mulli artistik që bluan, fisnikëron tërë lëndën e parë nga statusi i një shkolle narrative, e cila natyrshëm e shmang nga vëmendja dokumentin brenda rrëfimit, duke e zëvendësësuar atë me të mundshmen dhe të besueshmen artistike…

    Brenda këtij sfondi të madh, – kohor dhe hapësinor të kësaj poetike narrative, autori i sagës krijon edhe mikrosfonde, siç është rasti me Babain, shtyllë bartëse e ciklit, përkatësisht me statuset e tij; e para Babai student në Stamboll në fillim të shek.. njëzet; pastaj juristi i diplomuar, me ofertë për të bërë karrierë të sigurtë në Turqinë e Re të Ataturkut, ku, ai, Babai kishte familjarin e vet personalitet të dytë në hierarki dhe, së tretë ngasja mallit për vendlindjen si fitimtare; statusi i avokatit në epokën e zogut; parandjenja për rrezikun që i afrohet familjes, nga fundi i vitit 1943, – drejt fundit të Luftës dhe hija komuniste që afrohet; vendimi i çrrënjosjes dhe marrjen e statusit të emigrantit në krye të familje; trokitja në dyert e fqinjit, thuaja përherë me raporte antagoniste me të atdheun e vet; me statusin e mendimtarit që kërkon shtigje shpëtimi edhe nga kodet e fshehura të dijes tek librat, si një Borges..Të gjitha këto statuse përcaktojnë koordinatat e lëvizjes së tij në ciklin romanor, që, besoj është njëri nga çelësat magjikë në poetikën narrative të Luanit që, e bën atë të perceptohet e përjetohet si rrëfim kreativ i veçantë, freskues dhe njëkohësisht në frymën e trendeve bashkëkohore.

    2 KOMENTE

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË