More
    KreuLetërsiBibliotekëTri letra të poeteshës së njohur italiane Antonia Pozzi

    Tri letra të poeteshës së njohur italiane Antonia Pozzi

    Përktheu Anxhela Lepuri

                                                                                              Milano, 3 qershor 1923

    Të dashur mami dhe babi,

    a mbërritët përfundimisht në Barcelonë? A patët një udhëtim të mirë? Kushedi ç’festë ju ka bërë teze Pina!

    Këtë mëngjes teze Ida më shoqëroi te revista, të cilën e shfletuam mirë. Dje profesori për herë të parë gjatë këtij viti, lexoi në klasë një shkrim timin të bërë në shkollë, për të cilin isha e vetmja që mora nëntë. Dje shkova tek zotërinjtë Xhusani dhe në mbrëmje, me teze Idën dhe Luixhin, shkuam tek Arena për të parë fishekzjarrët, që ishin vërtet të bukur; dhe goditjet mjaft argëtuese, sa të çanin daullen e veshit. Ngjanin si gjuajtje topi!

    Të hënën kemi ftuar zonjushën Delon për drekë, të cilës do t’i lutem të mos vijë të martën, sepse zonja Xhusani më do për mëngjes. E dini që i mbarova ato fletët e famshme me ngjyra? Kanë dalë për mrekulli. Titina është shumë mirë, edhe pse e trallisur, është gjithnjë një yllkë. Të dashurit e mi, njëqindmijë puthje për ju; për teze Pinën dhe Poldinon shumë dashuri nga Antonia juaj e trazuar, që ama mendon për ju gjithmonë me shumë mall.

    Shumë puçje në hundë nga e juaja

                                                                                                                                                                                              Titina


                                                        […], 15 mars 1930

    […] mos ma përsërit më frazën: Unë duhet ta mbaj për vete të gjithë dhimbjen time. Nuk dua që ta përsërisësh më […] çfarë do të ishte freskia ime, nëse nuk do të kisha ty për të ta dhuruar? Mua më mungon drita dhe hijeshia: po a nuk je ti, vetëm ti, drita ime? […]. Dhe çfarë mund të bëhej dëshira ime e hareshme për të jetuar, përveçse egoizëm dhe krenari e shterpët, nëse nuk do të kisha ty për të ta ofruar rininë time? Unë jam një gjë e shkretë, që ndofta nuk kupton. Por nëse ti mendon se unë jam e denjë të qëndroj në zemrën tënde, të përgjërohem: ma jep dorën, le të ecim tok  […]. Ti nuk duhet të vuash i vetëm  […]. Barra nuk mund të shkatërrohet: ama nuk e ke idenë sesa e lehtë bëhet kur e mbajnë dy vetë? […]. 


                                                                                                                                                                              1 dhjetor 1938

    Babi dhe mami, fort të dashur, kurrë më shumë sesa sot, ju duhet të kuptoni se kjo ishte më e mira. Kam vuajtur shumë… Duhet të jetë diçka e fshehur në natyrën time, një zezonë nervash që më firos çdo shpresë qëndrese dhe më ndalon t’i shoh gjërat e jetës të ekuilibruara…

    Çka më ka munguar ka qenë dashuria e fortë, e qëndrueshme, besnike, që të mund të bëhej qëllimi dhe të përmbushte gjithë jetën time…

    Edhe nxënësit e mi, që deri vjet më përmbushnin, tanimë nuk më përmbushin. Sytë e tyre më bëjnë të qaj teksa më vështrojnë…

    Është pjesë e këtij dëshpërimi vdekjeprurës edhe shtypja mizore që ushtrohet mbi rininë tonë të venitur…

    I thoni Nenës që ishte një sëmundje e papritur dhe pa rrugëzgjidhje.

    Dëshiroj të varrosem në Pasturo, nën gurët e Grinjës, mes tufash azaleaje.

    Do të më rigjeni në të gjithë kanalet që aq shumë i kam dashur. Dhe mos qani, sepse tani unë jam në paqe.

                                                                                                                                                                              Antonia juaj

    (Letra origjinale është djegur. Është rishkruar më vonë bazuar në kujtesën e të atit.)


    Shënim:
    Antonia Pozzi lindi në Milano më 13 shkurt 1912. Jeta e saj qe shumë e shkurtër: u shua në moshën njëzetegjashtëvjeçare duke u vetëvrarë në Chiaravalle, në 3 dhjetor 1938. Gjatë viteve të ekzistencës së saj njerëzore të trazuar, përjetoi dashurinë e thellë për natyrën dhe malin, shpirtin e gjërave, raportin e vështirë dhe kontradiktor me botën mashkullore dhe intelektuale të epokës së saj, vëmendjen e ndjeshme për të varfrit dhe fëmijët, si dhe për periferitë e sapolindura milaneze. Në bazë të të gjithë aktivitetit të saj, qëndron një pasuri njerëzore dhe një pasion dërrmues i pleksur me një ndrojtje ekstreme. E hijshme, udhëtare, sportive, poezia e saj ‘e jetuar e gjitha së brendshmi’ është dëshmi e një identiteti femëror jashtëzakonisht aktual. Këto letra janë shkëputur nga vëllimet “Të shkruaj nga tavolina ime e vjetër” dhe “Është e tmerrshme të jesh grua”. Letrat, në fakt, janë mjeti më i dobishëm për t’iu përqasur historisë njerëzore të Antonias dhe maturimit konkret të poetikës dhe poezisë së saj, në sfondin e Milanos dhe Italisë së viteve ’20 dhe ’30.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË