More
    KreuLetërsiBibliotekëZylfi Tola: Me Havzi Nelën, në një udhëtim të hershëm dhe befasues

    Zylfi Tola: Me Havzi Nelën, në një udhëtim të hershëm dhe befasues

    Në vitin 1962, së bashku me trupën e Shtëpisë së Kulturës të Kukësit, Sokol e Musë Spahiun,  Hanë Baftjarin, Sheqer Ademin, Maliq Cenajn e disa të rinj nga gjimnazi i Kukësit, me një brigadë kulturore, bëmë një udhëtim dhe dhamë shfaqje, por dhjetë ditë në krahinën e largët të Bushtricës. Në këtë trupë artistike bëja pjesë edhe unë e i ndjeri, martiri i demokracisë, HavziNela. Unë kisha një leksion për zhvillimin e shkencës në ato vite dhe kryesisht për njeriun që kishte pushtuar hënën, si u arrit ky sukses dhe të tjera. Ndërsa Havziu bënte pjesë si këngëtar, me ato melodi të krahinave tona, ku vend të parë zinte ajo për EjupTopojanin, e kënga për Sahit Gegën, që dëgjohej me shumë interes e ndiqej edhe ajo e barinjve të Bajram Lulit. Havziu kur këndonte, gjithnjë kokën e mbante lart dhe fyti i dridhej.  Ai i binte edhe çiftelisë, që shoqëronte ato pjesë që këndonte vet. Duke qenë se të dy ishim arsimtarë, na shkonte më shumë muhabeti, mandej edhe malësorë në të njëjtin paralel, ai nga Kollovozi e unë prej Buzëmadhes.

    Ishte qershor e në katundet: Kalis, Gurrë, Pralisht, Gështenjë, gjetëm  edhe qershia, që posa ishin pjekur. 

    Në Kalis qëndruam dy net. Ne, veç shfaqjeve që jepnim në fshat, grumbulloheshin shumë pjesëmarrës, edhe në ato familje ku flinim, mbrëmjet i kthenim në festë, pasi këngët e ndryshme, edhe jashtë programit, kishin pjesën e vetë. Unë dhe Havziu në Vilë kemi fjetur te Azem Billa. Një pritje më të vërtetë sipas traditave të këtyre anëve, pastaj të veçanta për këtë fshat. Bile, djaloshi nga Kollovozi  këndoi edhe dy tri këngë nga ato që s’kishte demonstruar në shfaqjet e fshatrave, pasi këtu, te Billa i pëlqeu shumë ambienti, pritja. AzemBilla qe një kuadër i njohur, kryetar kooperative e me shumë autoritet. Programi ynë zakonisht zgjaste deri një orë e pak më shumë.  Por edhe Sokoli dhe Musai me ato thumbat e hostenin e tyre kritikonin zakonet e vjetra, fejesat me diferencë moshe, ngrënien së bashku, veshjet etj. Unë kisha me vete edhe një pushkë sportive, ku në kohën e lirë bënim gara në qitje.

    Jemi ndalur te kepi i Gjanajve, mes katundit Fshat dhe Bushtricës, mbasi kemi mbyllur aktivitetin në fshatrat: Kalis, Vile, Palush, Gjegje e Matranxh. Këtu horizonti ishte i pakufi. Matanë Lusna, thellë, fshatrat e Grykës së Çajës, Ura e Lapave, Laku i Erës.

    Havziu, me sa mbaj mend, ka hipur në një shkëmb dhe ia mori këngës,  “Luma e serbi po luftojnë”.  Këtu kemi bërë edhe qitje sportive. Në shenjën e parë, Havziu nuk e goditi shkrepësen, ndërsa të dytën e qëlloi me saktësi, e mes tjerave shtoi: -Shenjëtarët asnjëherë në gjuajtjen e parë nuk e qëllojnë shenjën, e dyta është vërteta. Duke u largua nga këto vise, ne nisemi për në Fshat dhe Buzëmadhe, tepër i emocionuar ai u shpreh: Ndoshta është ifundit ky udhëtim për mua. Sidoqoftë, me kaq jam shumë i kënaqur. Në katundin Fshat kemi fjetur tek vëllezërit Mehmet e Tasim Shtini, të njohur edhe si valltarë e instrumentistë të talentuar. Atë natë te Shtinët qëndruam gjatë dhe krahas pjesëve me këngë dhe me valle, muhabeti për traditat, zakonet, qe i shumtë. Sidoqoftë, shumë herë tek Havzi Nelaj zbuloja diçka të brendshme, heshtja dhe thellësia e mendimeve i kalonte normat e qetësisë së zakonshme. Diçka mendonte dhe se çfarë, vetëm ai e dinte.  E mbyllëm  javën kulturore në krahinën e Bushtricës me shfaqjen që dhamë në fshatin tim të lindjes. Këtu pjesëmarrja që e madhe, veç burrave, edhe shumë gra e vajza.Me trupën tonë u bashkuan edhe dy këngëtarët: Shani e Nezir Lala, që u ranë fyejve të gjatë dhe i kënduan dy këngë, atë të Fushës së Korabit dhe këngën për Mahmut Dacin. Një natë me Havziun e kaluam edhe në stanin tim, në Krua të Bardhë. Kishim thirrë në darkë edhe kushërinjtë e mi, Hasan, Jahë dhe HamdiTolën.  Havziu qe shumë i gëzuar, këndoi dy këngë, pasi lodhja dhe pagjumësia gjatë dhjetë ditëve kishin ndikuar shumë në fizikun e tij. Të nesërmen, pjesa tjetër e trupës, veç meje e Havziut, u nisën për në Kukës, të shoqëruar me kuaj. Shokun tim, HavziNelën, e përcolla deri te Kepi i Gjelit, ku prej së largu dukej Kollovozi, vendlindja e tij. U përqafuam dhe i shtrënguam fort duart njëri-tjetrit. Havziut iu rrokullisën mbi faqe disa pika lot. Që larg ai ecte dhe më përshëndeste me dorë, gjithashtu edhe unë. Ecëm e ecëm në ato bjeshkë të mrekullueshme, ku përballë kishim Gjallicën dhe në horizont Korintikun e mes tyre Kollovozin. Ky qe edhe udhëtimi i fundit me HavziNelën.

    Ngjarjet që e përcollën Havziun për disa vite në vazhdim, qenë sa interesante aq edhe tragjike, deri në ekzekutimin e tij.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË