More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBehar Gjoka: Pjetër Budi-poeti i parë i letrave shqipe

    Behar Gjoka: Pjetër Budi-poeti i parë i letrave shqipe

    “Si për nga risia e temave dhe gjinive, ashtu për nga aftësia kompozicionale, gjithashtu për nga fuqishmëria e shprehjes Pjetër Budit kurrsesi nuk mund t’i mohohet cilësia jo vetëm e të parit lëvrues frymëgjatë të poezisë letrare shqipe, por njëherazi edhe e të parit poet shqiptar, të pajisur me një ndjeshmëri fetare-kombëtare të pasionuar”

    Selman Riza

    Dija letrare bashkëkohore, e larme si fushëveprimi dhe që vazhdueshëm tenton përhershmërinë e pambarimtë, kodifikuar si shqyrtim tekstologjik, sidomos duke thelluar vatrat stilistike dhe gjuhësore, mundëson detyrimisht edhe rishqyrtimin dhe rivlerësimin e arealit letrar të gjuhës shqipe. Veçse, në rastin e letrave shqipe, që kanë njohur vonesat dhe frenimet jashtë dhe brendaletrare, jo vetëm si nivel ngacmueshmërie, është një detyrim specifik dhe dobisjellës.

    Them kështu, veças sepse periudhat letrare, autorët dhe veprat e tyre, për një kohë relativisht të gjatë, janë lexuar me syze ideologjike të një momenti të caktuar, pra si përkohësi e vetëkufizuar. Shihet qartë që ky lloj leximi, dyfish i mangët, ka më tepër gjasa të jetë konsumuar tanimë. Në realitetin e ofruar, kryesisht, duke u nisur nga leximi jashëtekstor, janë të prekshme treguesit se ky lloj leximi është formatuar si i tillë qysh në zanafillë. Pikërisht, nisur nga përdorimi i këtyre rrafsheve, kjo ka bërë që të mbulohen, enkas, me pluhur harrimor jo pak fakte të mirëqëna letrare. Për të mbërritur gjer në rrethin vicioz, ku papërjashtimisht, s’ka mbetur autor i së kaluarës pa iu gjetur ndonjë “cen”, ose siç formulohej dikur, prania e “kufizimeve ideore”.

    Megjithatë, krejt mrekullisht, faktologjia letrare e shqipes, pavarësisht rrudhjes dhe rrezbitjes së herëhershme, tashmë e kundruar edhe nëpër lenten prizmatike të vetëdijes teorike dhe shqyrtimore, prapëseprapë do të nxirrte në dritë vlera të njëmendta letrare. Vetvetiu, kuptohet qartë, se procesi kompleks rivlerësues i periudhave të hershme, veçanërisht i letërsisë së shekujve 16 dhe 17-të, që rëndom emërtohet si letërsi e vjetër ose biblike, do të jap rezultatet e veta.

    Bindja e tillë, përveçse në tekstet e trashëguara prej aso kohe, lidhet me nivelin e ngritur të shkencës letrare moderne, që pafundësisht nxit idenë e shqyrtimeve shumëplanore.

    Për të tejkëqyrur dhe kapur gjurmët letrare të asaj periudhe, patjetër të krijimtarisë së shkrimtarëve katolikë dhe veriore e më gjerë, që tëhuajtën nga Bibla dhe e vunë në shërbim të krishtërimit, motivet kryesore të shkrimtarisë, do të ndihmonte artikulimi sugjerues i Benedeto Kroçes, se “… ne nuk ngurojmë të shkojmë për ta vizituar poezinë aty ku gjendet apo aty ku fshihet…” (1998 :48), në librin “Poezia Antike dhe Moderne”.

    Formatimi kësodorshëm është i vlertë për të gjithë hartografinë letrare të shqipes, gjithëkohore dhe gjithëhapsinore. Por sa i përket krijimtarisë së kuartetit viriak dhe, sidomos veprës poetike të Budit dhe Bogdanit do të ishte si një ujdhesë përndritëse, për të kërkuar dhe gjetur spovat e poetikës së pranishme.

    PRIJATAR I POEZISË SHQIPE

    Lëvruesit e parë të vjershërimit, sipas dokumenteve, kryesisht në trajta sporadike, janë Gjon Buzuku dhe Lekë Matrënga. Me Budin puna qëndron ndryshe, kryekreje, sepse ai arriti të botonte libra poetikë, të përkthyer ase si përshtatje, por edhe origjinalë. Ky fakt ka tërhequr vëmendjen e studiuesve më seriozë, ndonëse po ashtu ka vijuar ndërdyshja formatuese, qysh më herët, se a janë vetjake apo të përkthyera vjershat e tij. Niveli shqyrtimor në trajtimin e poezisë budiane, të përcaktimeve të vlershmërisë së saj, ka njohur ngritje në dhjetevjeçarët e fundit, sidomos me tre akte themelore të sendërgjuara në këtë ndërkohë.

    Së pari: Transliterimi i gjithë krijimtarisë së Budit, poezi dhe prozë, përkatësisht i librave “Doktrina e Kërshtenë”, “Pasqyra e të Rrëfyemit”, “Rituali Roman”, si dhe botimi i tyre në vitin 1985 prej studiuesit danez Gunar Svane. Gjithashtu, ky autor, bashkë me tejshkrimin e krijimtarisë së Budit, ka hedhur dhe gjykime të vlerta sa i përket vlershmërisë së poezisë dhe prozës.

    Së dyti: Botimi i poezisë së shtrirë në të tre librat e Budit, në vitin1986 nga studiuesi Rexhep Ismaili. Fytyrëzimi i plotë, patjetër i transliteruar, por njëkohshëm duke ruajtur edhe frontespicin origjinal shkrimor, i Budit si poet është një prurje e paçmuar per kulturën dhe letërsinë shqipe. Mandej, bashkëshoqërimi i poezisë së plotë të Budit edhe me një hyrje të gjatë, në caget e një studimi plotëror për jetën e autorit, mbi natyrën e poezisë së lëvruar apo shenjëzimet letrare, në prozën e tij, pra, si një poetikë budiane.

    Së treti: Botimi i një studimi të plotë, në vitin 1995, nga studiuesi dhe pedagogu i letërsisë shqipe në Shkup, Zeqirja Neziri, rreth poezive të DOKTRINËS. Përfundimet e nxjerra prej tij në rrafshet tematike, zhanrore dhe të figurshmërisë, e zbulojnë të freskët parafytyrën poetike budiane. Gjithashtu, po te ky libër, me vlera identifikuese, janë edhe formulimet autoriale se poezia e Budit i përket barokut religjoz dhe se poezia e tij, rezonon natyrshëm me poezinë mesjetare perëndimore.

    Sjellja ngjatë e krijimtarisë poetike budiane, si dhe përcaktimet e shënuara mbi të, nxisin kërshërinë, por jo vetëm atë, për t’iu qasur si tanësi apo edhe në aspekte më të ngushta, specifike, gjithsesi e shoqëruar edhe me formatimet teorike bashkëkohore. Kështu ideja e formuluar prej T. Todorovit, se: “Ekzistojnë disa vlerësime stereotipe që u vishen veprave letrare të Mesjetës, të cilat janë shumë të ndryshme: disa nga këto vepra janë shkruar me një stil “të zbukuruar”, disa të tjera me një mënyrë “naive” ose “të padjallëzuar”. Veprat letrare të Mesjetës i kanë gjykuar “interesante” jo si të tilla, por për aq sa ajo pasqyron tipare të jetës shoqërore (domëthënë atë e kanë gjykuar në perspektivën e historisë shoqërore, jo të historisë letrare), për aq sa ajo përmban të dhëna…”(2000:54), sugjeruar në librin “Poetika e Prozës”, që e zgjeron ndjeshëm gamën e qëmtimeve dhe të riformulimit të vlershmërisë së letërsisë. Vetëkuptohet që Budi, prapa vellos fetare, trajtoi jo pak motive, natyrisht si alegori e tërthortë, përmes stilemash poetike zgjoi admirimin e shqiptarëve për gjuhën shqipe dhe çeli hullinë e vetëdijes atdhetare.

     Mjafton edhe fakti i thjeshtë që prej tij trashëgojmë një pasuri poetike në rreth tre mijë e dyqind vargjesh, gjithsesi të përftuara si kangë biblike (litani), e që padyshim prekin edhe ndjesitë emocionale. Aq më tepër që pjesa dërrmuese është realizuar nëpërmjet kadencave ritmike, konceptimeve poetike të vetëdijshme, si dhe figurshmërisë së lazdruar. Për të krijuar bindjen se ai është i  pari poet i letërsisë sonë, me vetëdije artistike të shenjuar, është e nevojshme të thellohet depërtimi nëpër rrafshet tekstore të materies poetike. Ky proces shpeshtjellues kryhet vetëm nëpërmjet leximit të vjershave, të cilat do të duhet të vendosen në kontekst të rrethanave krijuese, si dhe të atyre rrethanave ekzistenciale si poezi e kënduar për dobi të sakramenteve fetare.

    Kryerja e këtij operacioni, përpos tjerash, paraqet vështirësi edhe për atë ç’ka sugjeron, që prej shumë kohësh T. S. Elot-i, tek shprehet: “…një shije të prapë të leximit rreth veprave artistike në vend se tëedukojmë shijen” (1982:36), në librin me Esse të zgjedhura.

     Sai përket letërsisë së shekujve XVI dhe XVII dhe, përgjithësisht autorëve të periudhës së parë të letrave shqipe, është pranuar dhe pohuar, sidomos rëndësia e saj si fakt gjuhësor dhe historik. Kështu,lexohen ato, kështu mund të pajisemi me opinion në vendDhimitër Shuteriqi, në të përmuajshmen letrare, artistike, shoqërore, politike, “Nëntori”, Nr. 12., e formulon qartë këtë aspekt, tek thekson: “Shkenca e ka çmuar atë letërsi kryesisht për vlerat gjuhësore dhe historiko – gjuhësore të saj, duke u ndalur pak në vlerat estetike që ajo ka, dhe në rolin e tyre në artin tonë të fjalës” (1989: 28).

    Deri para pak kohësh, po edhe tani, në jo pak mjedise kjo periudhë nistore dhe tepër e vlertë, është heshtur si fakt letrar. Kuptohet vetevetiu se shija e prapë e leximit, sipas Eliotit, pra, duke i bërë verifikim social faktologjisë letrare, ka krijuar vakum dhe hendek përndarës ndërmjet periudhave të artshkrimit. Po ashtu, po kjo shije e prapë e leximit, ka mënjanuar, pothuajse, si arketip letrar dhe krijimtarinë letrare, prozë dhe poezi, të Pjetër Budit, njërit prej lajmëtarëve të qytetërimit shqiptar. Më shumë sesa debatet, diskurset e stërholluara mbi këtë çeshtje, merr vlerë qasja në këndet tekstologjike të autorit. Rimarrja nëpërmjet leximit real, pra tekstologjik, më teper se borxh i pakthyer shkrimtarit, është një rrekje për të riformuluar panteonin letrar në gjuhën shqipe në kufijtë ndërkohor.

    Lajtmotivi shtytës, pothuaj në të gjithë vargënimin e Budit, është nevoja për të kryer shërbesat fetare, patjetër në gjuhën shqipe, veçse të përcjellura me gjuhën e poezisë, herë-herë, tentojnë dhe arrijnë të shkëputen nga prirja utilitare dhe, jo rrallë kapin edhe caqe interesante, gjithnjë duke qëndruar brenda qerthullit të dyzuar, poezi dhe rit fetar i kënduar, si një frymë motorike që ka ekzistuar  në letrat shqipe kryesisht mesjetare, por edhe pas saj, si përfshirëse e shtjellave të kohës. Prandaj, ndriçimi i anëve interesante, gjellojnë nëpër tekstet e Budit, e vlen përpjekjen e sipërmarrë duk etentuar disa pikësynime:

    Së pari: Leximi tërësor i krijimtarisë poetike, por edhe asaj në prozë, domethenë i të gjithë lëndës së vjershëruar, që gjendet në të tri librat, posaçërisht në DOKTRINËN, PASQYRËN dhe RITUALIN, tashmë si njësi unike.

    Së dyti: Leximi i poezisë budiane, tanimë si fakt letrar, që ngërthen dukuri dhe faktologji konceptimi dhe figurshmërie.

    Së treti: Leximi i pranisë së frymës poetike të autorit të parë në letrat shqipe ndërkohore.

    Kuptohet që secili prej këtyre pikësynimeve, të parashtruara hapur, është paraparë në kontekst të alternativës së leximit, si një akt me disa rrafshe, që mundësohet nga natyra ndërkomunikuese e teksteve letrare. Poezia e Budit, gjithnjë brenda mbishtresimit fetar, vibrues, në sematikën që përfshin, mbase padashje, mbulon dhe pështjell shqetësimet e kohës së tij, sidomos shqetësimet e krijuesit, e mbi të gjitha poezia autoriale, që figuron ujdhesën e parë rrezëlluese, shenjon dhe paraqet parafytyrën tronditëse të plagëve të pafundme të trojeve arbërore, të përndara për të vuajtur.

    Madje, në ndonjë rast, impenjimi shkrimor ngritet gjer në pika kulmore, si nër vargjet:

    “Ku janë ata pleq bujarë

    qi qenë përpara ne

    e ata trima sqimatarë

    të çpejtë si rrufe?

     Ku janë ata letërorë

    turtë e dies të dëgjuom

    të bardha posi vdorë

    letrat tue kënduom?”

    (DOKTRINA.1986:73)

    ku krejt qartë dhe shkoqur pyetjet retorike si figurshmëri, toni dhembshurak si ndjesi, nëpërkëmbja e krenarisë së vdarun, zbulohet drama dyfishe:

    • e atdheut që lëngon në kthetrat e pushtuesit,

    • paksa më e prekshme si ndjenjë, e poetit si njeri.

    Mbase dhimbja personale ka shpirtëzuar edhe të parën, natyrisht, si përjetim që ka sjellë këmba e pushtuesit. Prandaj, poeti me “pavetëdije” sublime, i lutet vetes, iu përlutet dhe përgjërohet njerëzve që e rrethojnë, atyre që kanë veshë për të dëgjuar por edhe atyre që kanë sy për me pa. Ai u drejtohet përmes klithmës që rrok tashmërinë e poetit, por që mrekullishëm, statura e vargjeve, mesazhi përtejkohor, mbështjell ardhmërinë këndejkohore. Këtu dhe tjetërkund, në poezi dhe në prozë, Budi u përshpirtet njerëzve që kanë shpirt dhe mendje. Ky rezonim kreativ, moral dhe afektiv, transhendent për adresimin dhe formatimin shprehës, hyn në akord fare natyrshëm me fatin e kombit, të gjuhës dhe të kulturës shqiptare.

    Ndërsa, episodet e marra nga Bibla, siç është përshkrimi i vrasjes së Abelit nga Kaini, përveç dramatizimit, dëshmojnë dhe për rravgime poetike, ku, larg retorikës, kemi shprehje të ngjeshura që zbulojnë aktin gjakatar përmes shkallëzimeve të njëpasnjëshme.  Fakti se dorasi, ai që kryen veprën makabre, kujton që këtë krim e kryen në fshehtësinë ma të madhe, kur realisht, pikërisht në po ato çaste po e vëzhgon mbarë qiella, formëzon kontrastin më të bukur artistik dhe me disa shtresëzime njëherit.

    Mbase, veçmas poetin në këto përfundime logjike të paqëllimta, gjithsesi endur nën ombrellën qëllimore, ku adresimi i këtillë, që nëpërmjet fokusimit të pasazhit biblik të aludojë plagën më të egër dhe shumëshekullore, vëllavrasjen, kësaj murtaje nga më të hidhurat, që mbillte vdekjen në trojet tona. Mbillte dhe po mbjell vdekjen, në jug e veri, si një kukudh i keq, frikëndjellës, fatkob e pa një grimë idealiteti. Këtij makthi dhe kobi të zi, poeti i del krejt ballazi, me thirrje prekëse dhe shpresësjellëse, sidomos në vargjet:

    “Shokëtë, fqinjëtë ti doni,

    ambëlz tue argëtuom,

    Gjanë taj shpenzoni

    atyne me u ndihmuom.

    Mos vidhni, mos kusëroni,

    posi disa janë msuom

    po tuajtë pa kujtoni

    kush ka me na gëzuom.”

    (DOKTRINA,1986:255)

    Siç duket këto vargje, në kuptim të drejtëpërdrejtë, përcjellin porosi morale, aq të nevojshme për qenien njerëzore në çdo kohë, por artikulimi shestues dhe tingullor, bën që vetvetiu të kapërcehen kufijtë e një sentence thjeshtë fetare, dhe për më tepër të shpërndajë jehonë edhe përtej kohës shkrimore. Poezia ka si subjekt një episod nga jeta e Arbërisë, që në konceptin e Budit, ashtu si dhe të shkrimtarëve të tjerë të hershmërisë, shënon njësi përfaqësuese unike dhe tërësore.

    Ajo, pra Arbëria, njëkohshëm shenjon atdheun, shenjon edhe vetëdijen atdhetare, duke u bazuar tek njësia e gjuhës, si materia e parë dhe themelore unitare. Fakti tjetër, domethënës dhe shenjëzues, që ky pasazh nuk haset në librin e Belerminos, i jep të tjera përmasa vetëdijes tërësore autoriale, padyshim edhe poetikës së realizuar me vetëdije letrare.

    Andaj, me bindje të kthjellët, mund të themi se vargjet e kësaj vjershe janë krejtësisht origjinale, të krijuara prej Budit me nuancime të qarta didaktike, përftuar si një klithmënajë gjithëkohore,përfshirëse dhe qarkuese, për ta rifutur edhe shqiptarin në shtigjet e qytetërimit.

    Fjala poetike, përgjithësisht në vjershërimin e tij, si një artefakt letrar simbiozik, sentencë fetare dhe krijim letrar, plazmuar me natyrshmëri dhe organicitet, ide dhe dhimbca trishtuese, përmallim dhe shtysë, si dëshirë e shprehur për ndryshim, duke rrokur kështu disa shtresëzime domethënie:

    Në radhë të parë: Ai, pra, poeti dhe prifti, pothuaj në nivel të barabitur, tek predikon me bukurinë e fjalës së gjuhës shqipe, rreket dhe ia arrin të sendërtojë vargënimine vetë, kryesisht si një teksturë sinkrete, poezi dhe këngëtim, çka e paraqet edhe më hyjnor famulltarin tek flet poetikisht.

    Në radhë të dytë: Shqipen e bukur, gjuhën plot ngjyra dhe muzikalitet tronditës, me tharm natyral letrar, Budi dhe shkrimtarë të tjerë të letërsisë së shekujve XVI dhe XVII-të, e shkëputën prej pelenave të mjegullta, duke e bërë mjet komunikimi të kishës, formë kumtuese të kulturës dhe të letërsisë.

    Në radhë të tretë: Mesazhet e pranishme, gjithnjë prekëse dhe shkulmuese, drithëruese dhe njerëzore, adresohen hapur në palcën e qenies. Prandaj ato shestime, si mbishtresim i kapshëm, kanë edhe fuqinë e ngacmimit të shpresave dhe ëndrrave, aspiratave dhe dëshirave flakëruese, aq shumë dobiprurëse për humanitetin si formante komunitare dhe individuale.

    Në radhë të katërt: Një gjuhë, në kryeherë, zakonisht shpërfaqet në trajtën e folur, patjetër si forma e parë dhe thelbësore e saj, por artikulimi në nivel shkrimor e, sidomos kur shërben si gjuhë kulture dhe arti, poezi a prozë, asohere ajo gjuhë fiton pavdekësi si dukuri.

    Këto shtresëzime, thuajse të pranishme në të gjithë vargëzimin e Budit, madje si një kod, gati i përputhur, ndërmjet artefaktit gjuhësor dhe letrar, janë potencuar, përpos të tjerash, edhe prej adresimit autorial të trefishuar!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË