More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBesnik Mustafaj: Një botim me vlera enciklopedike (Shënime rreth librit “Figura shqiptare...

    Besnik Mustafaj: Një botim me vlera enciklopedike (Shënime rreth librit “Figura shqiptare në Lindjen e Mesme (shekujt XVI – XX)” të Muhamed Mufakut)

    Libri “Figura shqiptare në Lindjen e Mesme (shekujt XVI – XX)”, botim i Logos – A, me autor Profesorin Muhamed Mufaku, përbën një prurje të çmuar në bibliotekën tonë enciklopedike kombëtare. Muhamed Mufaku është një historian i spikatur, për disa dekada profesor i  historisë dhe i letërsisë së krahasuar në disa nga universitetet më të rëndësishme të Jordanisë, me një bibliografi shumë të  pasur veprash të  shkruara si në arabisht edhe në shqip. Punimet e tij në arabisht janë të botuara dhe të vlerësuara lart në Liban, Egjipt, Jordani, Siri dhe në ndonjë vend tjetër të botës arabe, në sajë të të cilave ai pranohet sot si një autoritet shkencor fort i  respektuar në Lindjen e Afërme dhe më gjerë. Ai është anëtar i Akademisë Arabe në Damask, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnje – Hercegovinës. Lidhja e tij me botën intelektuale dhe kulturore arabe nuk është e rastësishme dhe as thjesht shprehje e ndonjë kureshtjeje akademike. Ai u lind në Damask në vitin 1952 në një familje shqiptare të shpërngulur nga Kosova më 1931. Ai vetë do të kthehej në atdheun e të parëve në moshë të rritur. Në periudhën 1974 – 1987 do të punonte si lektor i gjuhës arabe në degën e orientalistikës në Universitetin e Prishtinës. Po në këtë universitet do të kryente edhe dy doktoratura, të parën në filologji, në vitin 1981 dhe të dytën në histori, më 1986. Kështu, sipas nevojës për  publikun, të cilit i drejtohet, vepra e tij e gjerë shkencore dhe letrare, është e shkruar dhe vazhdon të shkruhet në arabisht ose në shqip dhe herë – herë në anglisht.

    Ky përshkrim fare i përmbledhur i biografisë së Muhamed Mufakut vlen në këtë rast posaçërisht për të tërhequr vëmendjen mbi qasjen, që ai ka zgjedhur qysh herët për t’u përqendruar në punimet e tij si historian, por edhe si njeri i letrave e që janë lidhjet historike dhe kulturore midis botës shqiptare dhe botës arabe. Këto lidhje janë të vetëkuptuara nisur nga fakti se viset shqiptare në Ballkan ashtu si edhe hapësirat e pafundme arabe kanë qenë për më shumë se katër shekuj pjesë e të njëjtit shtet, që ishte Perandoria Osmane. Një bashkëjetesë e tillë e gjatë do të sillte në mënyrë të pashmangshme shumë pika takimi midis popujve të ndryshëm, sado të pangjashëm të jenë këta popuj njëri me tjetrin. Profesor Mufaku, në kërkimet e tij si historian, ka synuar me përparësi të nxjerrë në dritë dhe të vlerësojë gjurmët e veçanta, të pashlyeshme, që figura të caktuara me përkatësi shqiptare kanë lënë në peizazhin urban, në kujtesën institucionale apo në trashëgiminë kulturore të botës arabe që nga Lindja e Afërme e deri larg në Lindjen e Mesme. Natyrisht që ata burra gjendeshin larg atdheut të tyre më së shpeshti si funksionarë të lartë ushtarakë, fetarë apo civilë të Portës së Lartë. Por Muhamed Mufaku, me punën e tij si historian, ka hulumtuar në trashëgiminë e tyre posaçërisht ato vepra, me të cilat ata kanë shkuar përtej suazës së detyrimeve si pashallarë apo guvernatorë të Sulltanit, duke i bërë kështu shërbime të çmuara njerëzimit.

    Po sjell dy – tre shembuj nga libri në fjalë.

    Sinan Pasha, i lindur në Topojan të Kukësit, është njëra prej figurave qendrore të Perandorisë Osmane në shekullin XVI. Ka mbajtur pesë herë postin e kryeministrit të kësaj perandorie, duke udhëhequr dhe fituar disa beteja me peshë në luftërat e osmanëve kundër austriakëve për dominimin në Europën Qendrore dhe disa beteja të tilla kundër spanjollëve për dominimin në Mesdheun Perëndimor. Ai zotëronte njëherash një pasuri shumë të madhe, një pjesë të mirë të së cilës e shpenzoi për bamirësi, duke ndërtuar objekte fetare, ekonomike dhe arsimore. Ato ruhen ende sot si monumente me vlerë të veçantë dhe mbajnë emrin e tij në Kosovë, Turqi, Siri, Arabi Saudite, Jemen, Egjipt, Tunizi etj., pra në të tri kontinentet, ku ai kishte shërbyer gjatë ngjitjes drejt majës së pushteti.

    Një shembull tjetër është Mehdi Bej Frashëri, i cili, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, do të luante një rol të dorës së parë edhe në ndërtimin e shtetit tonë. Mehdi Bej Frashëri u emërua Guvernator i Palestinës në fillim të verës 1912. Ai u zgjodh për këtë detyrë pikërisht në sajë të përvojës që kishte në administratën e vendeve me tensione ndërfetare dhe ndëretnike. Në këtë kohë sapo kishte marrë formë projekti i hebrenjve europianë për të populluar Palestinën në perspektivë për të krijuar një ditë një shtet hebre, projekt, që kishte gjetur mbështetje, qoftë edhe nën zë, nëpër shtete të ndryshme europiane, por jo te Sulltani, i cili e kishte ende Palestinën vilajet të Perandorisë së vet e as tek arabët vendas. Mehdi Bej Frashëri, me cilësinë e guvernatorit, mori menjëherë lidhje me kolonitë e para hebreje dhe i këshilloi të bashkoheshin në një komunë dhe të zgjidhnin një këshill komunal. Profesor Mufaku tregon në librin e tij, duke cituar shumë burime, si u prit nga palestinezët arabë një këshillë e tillë, e cila pasohet nga një seri lehtësirash, që guvernatori do t’u krijonte kolonive hebreje në rritje të shpejtë. Nën qeverisjen e tij do të shënohej fillimi i organizmit – le të themi politik – të hebrenjve në territoret e Palestinës, për të arritur te themelimi i shtetit të tyre 35 vjet më vonë. Fakt është se Mehdi Bej Frashëri u shkarkua si guvernator vetëm pesë muaj pasi kishte marrë detyrën. 25 vjet më vonë, kur ishte tashmë njëri nga drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Mehdi Bej Frashëri do t’i kthehej kësaj përvoje. Në një fjalim vërtet vizionar në Lidhjen e Kombeve, ai do të propozonte si zgjidhje ndarjen e territoreve të Palestinës pë të krijuar “dy popuj – dy shtete”.

    Qoftë edhe nga këta dy shembuj, të ritreguar nga unë shumë përmbledhtazi, del qartë se autori nuk ka synuar këtu të bëjë një biografi përfshirëse të figurave në fjalë. Synimi i tij ka qenë të na zbulojë vetëm një aspekt të personalitetit të tyre kompleks, duke e vendosur kështu veten në traditën e ndritur historiografike, por edhe filologjike, të themeluar nga Rilindasit tanë e posaçërisht nga Faik Konica, mendoj unë, 130 vjet më parë me revistën e tij “Albania”. Sipas kësaj tradite, historiografia vihet në shërbim të krenarisë kombëtare, duke sjellë për bashkëkohësit dhe po aq për brezat e ardhshëm veprat e mira të paraardhësve tanë, duke treguar kështu vitalitetin e lartë të kombit tonë për t’i dhënë njerëzimit shërbestarë të shquar. Por, në dallim nga shumë prej pararendësve me emër të mirë në këtë fushë, Muhamed Mufaku i kryen hulumtimet me një riogorozitet prej historiani të vërtetë. Siç del nga shënimet që shoqërojnë punimet e përfshira në këtë libër, ai ka gërmuar në arkivat e shumë vendeve të Lindjes së Afërme e të Mesme si dhe në arkivat familjare të pasardhësve të këtyre figurave, ka gërmuar gjithashtu me këmbëngulje në shtypin e kohës si dhe në studimet e kryera nga historianë arabë, turq, shqiptarë, izraelitë, eruopianë të tjerë dhe amerikanë lidhur me zhvillimet  politike, ushtarake, ekonomike e kulturore, ku protagonistët në fjalë kanë marrë pjesë duke luajtur rolin e tyre të rëndësishëm. Në këtë kuptim, punimet e përfshira në këtë botim paraqiten si sinteza serioze, jashtë çdo patetike apo spekulimi dhe të shkruara me një stil të qartë, për t’ia lehtësuar leximin e madje për t’ia bërë të këndshëm çdo lloj dashamiri të letërsisë historike apo enciklopedike. Unë për veten time jam kënaqur shumë gjatë leximit dhe po ashtu kam mësuar shumë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË