More
    KreuLetërsiBibliotekëRexhep Ferri: Një herë jemi ne e herën tjetër dikush tjetër

    Rexhep Ferri: Një herë jemi ne e herën tjetër dikush tjetër

    1.

    Ra rrëfeja.
    Veten e gjeta se ku mundem për ta ruajtur kohën e për ta fshehur kohën e për ta humbur terrin…
    Edhe kur nuk duhet të fsheh asgjë…
    Pse nuk e shkrova këtë ese?
    Koha më pyeti:
    Ku po më lë?
    Ku po më çon?
    Duhet ta kuptoj se deri ku mund të shkojmë…
    Të gjithë po ankohemi për krizën.
    Për keqkuptimin në kohën e keqkuptimeve…
    Çfarë ka për t’u thënë tjetër!…
    Për surratin e ditëve tona që janë bërë klishe.
    Më shumë se klishe.
    Pse u mashtrova aq shumë?!…

    2.

    Shkruaj diçka, të lutem, më thanë fëmijët.
    Nuk rrihet.
    Bën diçka…
    Dashuria.
    Frika.
    Jeta –
    Janë probleme.
    Vija vjetare.
    Pikë.
    Pikë…
    Edhe për nesër plane, plane e plane…
    Plani i dytë.
    Plani i tretë, – më thanë fëmijët kur erdhën e më vizituan në spital.
    Edhe për këtë besim jam shtatë herë hero.
    Kur e pashë vdekjen se po më afrohet, nuk u frikësova.
    Nga muzika e heshtjes.
    Nga thellësia për thirrje.
    Nga jeta për ndihmë, si pjesë e jetës në kujtesën time.
    Rrezikohet fundi.
    Frymëmarrja ime e lodhur qeshi.
    Gjatë sëmundjes së zjarrit me njëzet e katër orë në njëzet e katër orë, në shtrat vetëm me veten.

    3.

    Duke shkruar këtë ese edhe dashurisë i kisha lënë vend.
    Një kopilicë, kopilicë ma prishi qetësinë.
    Nata me hënë qeshi.
    Kopilica më thirri.
    Atë natë donte të bëhej nami.
    Kërkonte një burrë.
    Të bëhej nënë e një djali.
    Përtej maleve ku unë dikur shkruaja poezi.
    Para meje u vizatua një mace që grith.
    Një qen që leh.
    Dhe një pritje gjatë natës me hënë kur unë shkoj dhe humbi.
    Shkoj e kthehem.
    Natën vonë ajo kopilicë e bardhë dhe e zezë, e gjatë dhe e shkurtër, e trashë dhe e hollë ma kishte humbur gjumin.
    Mori çikë, mori kopilicë, më ke çuar fjalë. Më ke lënë pa fjalë.
    Thirrja yte di me lyp.
    Di me dhënë.
    Me gjirin prush nuk ka vend për të humbur.
    Herët a vonë.
    Pikë së pari.

    4.

    Lexo buzët.
    Jeta është shpesh e padrejtë.
    Ajo shikon qiellin. Aty isha edhe unë.
    Me ëndrra për të humbur kohën.
    Me ëndrra të forta si shkëmbi.
    E çka të shoh pastaj?…
    Njerëz dhe fytyra të panjohura të cilat po më urrejnë që nuk po i njoh.
    Faji është i tyre.
    Kur prezantohem pa maskë, koha mendon se po na kupton.
    Më duket se njihemi?!
    Më pëlqen çmenduria.
    Djalli njeriun nuk e njeh.
    Kush do të na shpëtojë?…

    5.

    Pashë një ëndërr të keqe.
    Çdoherë, çdoherë…
    Koha ka probleme me fytyrën.
    Njerëzit po më urrejnë që nuk po i njoh.
    Faji është i tyre.
    Portreti i borgjezisë së re është më shumë se karikaturë.
    S’desha ta bëj të madhe.
    Vdiq Enver Hoxha.
    Rroftë Enver Hoxha!
    Vdiq Mbreti Zog.
    Rroftë Mbreti Zog!
    S’duhet ta bëj të madhe.
    Dialogu i hapur nuk po gjendet kurrkund.
    S’ia kam as besimin.
    Ejani të flasim!
    Keni të drejtë.
    Më vjen keq.
    Kush na tradhtoi?
    Më vjen keq.
    Kush je ti i huaji, po kush do ta paguaj lirinë tonë?!
    Dhe kush s’e ka problem.
    Kush e tha se shumë histori janë dëgjuar?
    Qetësohuni.
    Gjithçka në rregull.
    Për të marrë një përgjigje, kujdes!
    Ne jemi gati.
    Presim…

    6.

    S’kemi çka të nxjerrim në dritë.
    Pa vetveten, as kohë, as kuptim, as shpjegim.
    A nuk ka shpjegim?
    Çdo përngjasim është avulluar.
    Çdokush i dëshpëruar nga jeta.
    E di se është dikund e askund.
    Historia dëshpëruese e pas luftës, menjëherë u ndez një luftë e re dhe e zezë.
    Pas historisë së shekullit njëzet, nga një e papritur edhe deri tek unë erdhi vdekja.
    Por nuk më mori.
    Kjo botë dhe çdo gjë rreth saj ishte vetëm e bardhë.
    Edhe muzika ishte e bardhë dhe e pafjalë…
    Çdo gjë, dhe ne njerëzit ishim lart në qiell pa trajtë.
    Bashkë vetëm me retë e bardha, me çdo gjë mes reve të bardha.
    Në lëvizje pa fjalë e pa trajta.
    Ishte viti njëzet i këtij shekulli…
    E pas luftës së zezë si dialog që e kemi humbur.
    Ju ndoshta mendoni se isha në kërkim të jetës?
    Nga e zeza që më gjeti isha këmisha e lëkurës së gjarprit.
    Me peshën e humbur të trupit tim tri herë e përjetova vdekjen dhe nuk e kisha frikën.
    Frika çuditërisht më ishte e panjohur.
    Jeta ishte e vdekur.
    Vetëm fjala vdekje ishte e gjallë…

    7.

    Çfarë ka për t’u thënë?
    Mos u tallni me veten!
    Njeriu është djall apo djallëzor?
    Pyeteni njëherë veten e mandej mua.
    Kur mbaron historia: A fluturon qielli?!…
    E mandej ndaluni e më tregoni diçka për luftën.
    Na mbyti historia.
    Peshku në det nuk po e kupton.
    Jeta është edhe kënaqësi, edhe humbje kohe.
    Në mes të askujt dhe askund.
    Diku larg…
    S’duhet të fsheh asgjë.
    Deri ku mund të shkojmë flasim nesër.

    8.

    Çka mund të bëjmë sot?
    U tremba dhe më doli gjumi.
    Prit o njeri, i thashë vetes.
    Kur afrohem shumë vetëm digjem.
    Shënimi im më thotë nuk e di.
    Kohë pas kohe, gjatë historisë…
    Edhe pse nuk kemi kohë, jemi vetvetja… Në planetin tonë Tokë nga hapi i kohës me gabime dhe gënjeshtra.
    Kjo kohë prapë qenka vetëm kaq!
    Vetëm kur del nga bota ime, duke kaluar kah sheshi i Skënderbeut më vie një fjalë e madhe:
    Unë e pashë se kisha pritur gjatë, shumë gjatë…
    Kali i Skënderbeu qeshi.
    Mandej shkova në Krujë.
    Në tyrben e bektashinjve ndeza një qiri.
    Erdhi koha për t’u ndarë.
    Historisë i thashë:
    Pjesa e parë e qëllimeve prapë është të shohim njerëz normal.
    Por jo me çdo kusht.
    Besoj se do të jetë mirë edhe pse jemi duke jetuar në kushte të një varfërie të ftohtë.

    9.

    Një shekull pas varfërisë për historinë e madhe nuk ndodhi asgjë.
    Vetëm thellësia e oqeanit e ndan tokën nga toka.
    Dhe dashurinë nga dashuria, urrejtjen nga urrejtja.
    E njeriun nga njeriu.
    Ëndrra që tregohet e nuk tregohet është mungesë horizonti.
    Pa shumë fjalë.
    Në Darkën e Fshehtë dhe të famshme të Leonardo da Vinçit, kur dikush e tradhtoi Jezu Krishtin.
    Por Jezu Krishti kur e gozhduan në kryq, duke i ikur realitetit tha:
    O Zot, nuk po e di se çka janë duke bërë!
    Pastaj filloi lufta.
    Nuk mund t’i fshihemi vetvetes…

    10.

    Jeta mashtrim dhe përpjekje.
    Pasqyrim i frikës.
    Krah për krah me banalitetin e së keqes.
    Duke gjetur kohë.
    Fati historik i pasluftës përgjigje nuk ka.
    Koha është adhurues i zjarrit.
    Portreti im si pikturë në qiellin e studimeve të mia nuk ishte asgjë figurative pos e bardha në të bardhën dhe e zeza në të zezën.
    Të pikturosh me dritën nuk e kam mësuar as nga Leonardo da Vinçi e as nga Pikaso, por nga fotografi shqiptar Xhon Mili i cili në Paris e pikturoi Pikason me dritë duke vizatuar kentaurin…
    Të gjitha këto ngjarje ndodhin diku në ëndrra për të cilat vetëm flasim.
    Për të bardhën që del nga e bardha si pikë loti…
    Kështu është historia.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË