More
    KreuLetërsiBibliotekë"Arratia e një shpirti endacak", tregim nga Xheni Shehaj

    “Arratia e një shpirti endacak”, tregim nga Xheni Shehaj

    Agu i mëngjesit më gjeti në morgun e qytetit. Gjeti trupin tim në fakt pasi shpirti im i lirë e endacak endej në një diskotekë, më saktë në vendin ku më vranë. Shiriti i verdhë që policia kishte vënë nuk di përse ma tërhiqte aq shumë vëmendjen. Ndoshta ngaqë të gjallët duhet të respektonin rregullin për të mos kaluar vijën e verdhë ndërsa unë si shpirt që isha mund ta kaloja sa herë të doja, madje dhe të rrija në mes e askush nuk më shihte.

    Kisha vdekur prej disa orësh por nuk ia pranoja dot vetes. Trupi im i drobitur dergjej nën një çarçaf të bardhë. Shpirti, pra unë, duke mos pranuar vdekjen endesha mes njerëzve në atë disko në të dalë të qytetit. Diskotekën e lashë në mëngjes dhe ndalesën e radhës e bëra në një kafene. Ndërkohë që u ndala për të cimbisur një briosh e për të kthyer një gllënjkë kafe të zezë dëgjoja se lajmi i vdekjes sime po transmetohej në TV.

    Dreqi e marrtë! – mërmërita nën zë.

    Mbarova mëngjesin (mëngjes i thënçin) dhe pa asnjë dëshirë u nisa drejt morgut. Morgu ndodhej afër spitalit dhe spitali afër qendrës. Sapo u afrova pashë së largu makinën e tim eti. Prej andej doli ai dhe nëna. Ajo e veshur me peliçe të zezë, ndërsa babai me kostum blu. Brofa përpjetë. S’di as vetë si por shpirti m’u rrëmbush. Ishte një çast shumë i dhimbshëm. Prindërit duhet të identifikonin kufomën time. Rrëshkita pas tyre dhe i ndoqa përgjatë korridorit të heshtur. Roja u printe gojëkyçur. Ndalëm para një dere. Roja e hapi ngadalë dhe bëri para. Prindërit e ndoqën pa fjalë. Unë pas tyre.

    Kufoma me numrin 42 nuk ndryshonte aspak në pamje të parë, pra mbuluar me çarçaf, nga kufomat e tjera. Vetëm numri e dallonte. 42.

    Me mendje po kujtoja diçka lidhur me numrin.

    Mosha e pedagoges sime të preferuar.

    Numri i këmbës së babait.

    Shifrat e fundit të numrit të celularit të mikes sime.

    Numri i …

    “Afrohuni ju lutem!”

    Zëri i rojës që u drejtohej prindërve të mi e ndërpreu lojën me numrin 42. Babai u afrua dhe dorën e djathtë e vuri përpara trupit të nënës për ta ndaluar atë ti qasej kufomës. Me të majtën ngriti ngadalë çarçafin. Fytyra pas mbulesës ishte e imja. Mend më zuri ngashërimi aty teksa shihja fytyrën time pa jetë. Pa asnjë kujdes dhe vrulltas im atë e mbuloi fytyrën time. U kthye nga roja dhe qetësisht mohoi se më njihte. Roja puliti sytë, nëna seç mërmëriti ndërsa unë i kisha shqyer sytë nga habia. Nuk më besohej që im atë nuk më kishte njohur. Fytyra ime ishte e paprekur dhe e bënte lehtësisht të mundur identifikimin.

    Fillin e mendimeve të mia mjerane e preu zëri i nënës. Ajo po i kërkonte babait që ta shihte edhe vetë kufomën. Roja dha konfirmimin e tij, babai dukej i nervozuar dhe pasi dha edhe ai miratimin u kthye e doli nga dhoma. Ndoshta nuk donte të ishte dëshmitar i ulërimës dhe ngashërimeve të nënës kur të shihte fëmijën e saj.

    Nëna, me një gjest teatral dhe pa ndonjë dhimbje të dukshme zbuloi edhe një herë fytyrën time. Heshtje. Prisja nga çasti në çast shtrëngatën që do shpërthente nga gjoksi i gruas që më kishte mëkuar. Roja ishte zbehur e bërë meit. Sekondat në atë dhomë u bënë të padurueshme. Pikërisht kur mendoja se shpërthimi në vaj i sime mëje ishte pas dere ajo deklaroi thatë e shkoqur:

    – Nuk e njoh. Më vjen keq. Është hera e parë që e shoh.

    Britma që doli nga shpirti im do kish qenë në gjendje të thyente xhamat e dritareve por duke qenë se nuk doli kurrë jashtë, në dhomë mbizotëroi heshtja. Roja nuk e zgjati më tej, këmbeu një falënderim më nënën dhe u nis me të drejt daljes. Dera u mbyll pas tyre. Në dhomë mbeta unë, trup e shpirt.

    Një mendje më këshillonte ta mbysja shpirtin tim. Por si do thoni ju? Duke e helmuar me fjalë për shembull. Duke i përsëritur pa ndalim se asnjë nuk e do, se as prindërit nuk e duan, ata ishin të parët që e mohuan. Se ka mbetur vetëm dhe tani askush dhe asgjë nuk i bën dot derman. Është një shpirt i dënuar të vuajë përjetësisht. Nga gjithë këto fjalë me siguri që shpirti im do të thyhej, do tkurrej e dosmosdo me helmin e mbledhur do helmonte veten.

    Kalova disa minuta të gjata ku shpirti mendonte si të vriste shpirtin. Trupi im nuk më zgjonte asnjë lloj kureshtjeje por përpara se të dilja përgjithmonë nga morgu më duhej të përshëndetesha me atë që kish qenë për shumë vite banesa ime. U afrova pa u ndjerë, ashtu siç vetëm një shpirt mund ta bëjë dhe tërhoqa çarçafin. Trupi im i ndjerë pushonte në paqe tashmë. Plaga ishte pastruar dhe nuk ngjallte neveri. Fytyra kish marrë një nur të bukur aq sa po të mos ishte fytyra ime do isha dashuruar me të. Munda vetëm të pëshpërisja:

    – Lamtumirë!

    E mbulova trupin dhe ndërkohë e kisha vendosur se çfarë do të bëja tanimë si shpirt. U largova nga dhoma me shpejtësi dhe dola në ajrin e pastër. Nuk do të kthehesha në ferr, as në purgator. Në parajsë jo e jo. Edhe pse fleta e thirrjes për t’u paraqitur në botën e përtejme më kishte ardhur, (pasi tanimë isha banor i asaj bote) zgjodha me vetëdije të plotë të arratisesha. Do ti bija botës kryq e tërthor. Askush nuk mund të më ndalte. Dhe ashtu bëra. E nisa rrugëtimin tim nëpër botën e gjerë, larg miqve, prindërve që më harruan, dhe gjithë atyre që kurrë nuk më kuptuan.

    Epilog

    Kam shumë vite që jam në arrati. Gjatë gjithë këtyre viteve, kudo ku kam qenë, më kanë ndjekur pas tre engjej. Në çdo hap timin, në çdo ndalesë, në çdo vend, nuk më ndaheshin.

    Engjëlli i Ferrit më thërret ta ndjek, sipas tij shpirti im i përket Djallit.

    Engjëlli i Purgatorit më fton ta ndjek e thotë se kam për t’ja kaluar mirë aty.

    Engjëlli i Parajsës as më flet, as më fton me gojë. Ai ka të shkruar në gjoks.:

    “Kthehu tek unë, tek Krijuesi yt. Shpirti yt është krijimi im”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË