Libri që po lexoj ndërkohë:
Po lexoj librin e Rexhep Shahut “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën”. Ky libër ka në “themelet” e tij aktet më të fundit në kohë të nderimit të kujtimit të poetit Havzi Nela: vendosjen e bustit para shkollës që mban emrin e tij, rindërtimin e shtëpisë në Kollovoz në vitin 2018, botimin e një numri të veçantë të revistës “illz” kushtuar Havzi Nelës, Vilson Blloshmit, Genc Lekës dhe Trifon Xhagjikës, dhe të gjithë shkrimtarëve martirë, botimine e librit “Shkrimtarët për Havzi Nelën”, botimi e veprës së plotë poetike, e nderuar me çmimin kombëtar të letërsisë nga Ministria e Kulturës si vëllimi më i mirë poetik në vitin 2018, pelegrinazhet e shumë shkrimtarëve në Kukës e në Kollovoz te shtëpia e Havziut, në Peshtan të Tepelenës te shtëpia e Trifonit, dhe Bërzhestë të Librazhdit te shtëpia e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Janë këto ngjarje të rëndësishme, parateksti i këtij libri që e kanë frymëzuar autorin të shkruaj një libër më së shumti në formën e dialogut me poetin e vdekur, duke iu drejtuar në vetë të dytë, formë eseistike e cila krijon një ton përsiatës, reflektues, dramatik, revoltues, dhe shumë herë elegjiak. Ky libër u në shkak që të rilexoja të gjitha librat që kam në bibliotekë për Havzi Nelën: “Fjala në litar: shkrime për Havzi Nelën” (2005) dhe librin eseistik të Petrit Palushit “Kryqëzimi i Havzi Nelës” (2008), libra – dëshmi të rrugëtimit të vështirë të Havzi Nelës për t’u bërë pjesë e ndërgjegjës sonë shoqërore dhe kujtesës kolektiv si hero i fjalës së lirë dhe si poet. Rexhep Shahu e ka shoqëruar librin, ndër të tjera, edhe me fotografi të shkrimtarëve që morën pjesë në sesionin përkujtimor për Havzi Nelën në Kukës në qershor 2018, A. Tufa, S.Bejko, B. Londo, P. Zogaj, B.Gjoka, P. Shllaku, B.Ahmetaj, N. Dokle, etj, si provë e nderimit më të thellë që shkrimtarët shqiptarë i bënë kolegut të tyre të varur në litar. Bardhyl Londo, ka një poezi në vëllimin “Prilli i hidhur” (Onufri 2020) të shkruar “ditën që u vendos në Kukës busti i martirit Havzi Nela” poezi e cila përmbyllet me vargjet:
Dielli lind në Kukës me fytyrën e Havzi Nelës
trupi i tij i varur në trekëndëshin e tri maleve
kurmi i tij shtrënguar në nyjën e dy lumenjve
Një lajmës i përjetshëm midis qiellit dhe tokës.
Herë i jep tokës sinjale me këmbë
Herë mesazhe i kumton qiellit me dy duart e ngritura lart.
Mëngjesi vjen në Kukës me Havzi Nelën
ndërmjetës midis qiellit dhe tokës.
(“Mëngjesi në Kukës”, Qershor 2018).
Të gjitha këto ngjarje kanë lënë mbresa të thella jo vetëm te autori i këtij libri ashtu si edhe te shumë poet dhe shkrimtarë të cilët kanë shkruar fatin tragjik të poetit Havzi Nela. Te “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën” shqetësimi kryesor autorial është se shumë dukuri të kohës totalitare vazhdojnë edhe sot, njeriu i ri i dikurshëm thjesht vijon të njëjtën mënyrë sjelljeje në një habitat të ri, e shkuara është shndërruar në një makth të së sotshmes, sepse kemi po atë kult të udhëheqësit, po atë gatishmëri për nënshtrim, po ato vese e ligësi ndaj njëri-tjetrit.
Libri që më ka ndryshuar jetën:
Është libri “Një mijë e një netë”. Leximi i këtij libri ishte përnjimend magjepsës: “Zbardhëllimi i dritës s’e la Sheherazaden që ta vazhdonte më tej këtë histori; por të nesërmen, në orën e zakonshme ajo e vazhdoi me këtë fjalë…” Kishte një magji të veçantë në ndërprerjen e këtij rrëfimi, mbaj mend se më mbante në ankth ideja nëse Sheherazadja do të mundej të vazhdonte pafundësisht me rrëfimet e saj mahnitëse, dhe ajo vazhdonte, “nata e njëqindenjëtë, nata e njëqind e dytë…Ajo vazhdonte pafundësisht për një mijë e një net të fëmijërisë time. Sigurisht që fund të këtij rrëfimi të gjatë, jeta ime kishte ndryshuar, kisha zbuluar pushtetin e pakufishëm të imagjinatës.
Libri që do të doja të kisha lexuar:
Do të doja të kisha lexuar romanin “Zgjimi i Fineganëve” të Xhojsit. Më tërheqin librat shumë të vështirë, gjatë leximit të të cilëve ti je si një somnambul që ecën me sy mbyllur dhe të duhet të orientohesh me zhurmërimat që dëgjon në pyllin e errët, të ndiesh fushën gravitacionale të tekstit, të orientohesh nga intuita që të dikton modeli i frymëmarrjes dhe fuqia e mendjes dhe kulturës letrare që ke grumbulluar ndër vite. Natyrisht, në lexime të këtij lloji, paraplëqej që të lexoj paraprakisht gjithçka që të tjerët kanë shkruar për librin. Besoj se do të vijë koha (ajo që duket se nuk mjafton kurrë) për të pasur këtë përjetim të pazakontë leximi që ta japin librat e patëdytë.
Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia:
Është shkruar se te romani “Dodona” ka një jehonë të “E madhe është gjëma e mëkatit” e Kutelit, për sa i përket personazhit të femrës-hyjni. Në kohën e shkrimit të këtij romani, “E madhe është gjëma e mëkatit” ishte ndër ato vepra që përshkruajnë madhështinë e një dashurie, dhe e lexoja bashkë me romane si “Lolita” e Nabokovit, “Dashnori i Ledi Çetërlejt” i D. H. Laërence-it, dhe “Letra gruas time të vdekur” të Gjovalin Gjadrit. Këtë të fundit, atëherë e pata lexuar në përkthimin e Petraq Kolevicës. Kreu i parë me titull “Të parat fjalë trishtimit” fillon kështu: E dashur! Sot, më 3 Shtator, bëhen shtatë vjet që kurse jemi martuar dhe ti nuk jeton më. Ti vdiqe, vatra jonë u shkatërrua. Ne nuk do rrimë së bashku të ngohemi pranë zjarrit, nuk do të ulemi pranë tryezës të hamë së bashku, nuk do festojmë asnjë përbvjetor të dasmës sonë. Nuk do të puth më duart e tua të dashura. Me vdekjen tënde gjithçka e bukur dhe e mirë për mua vdiq”. Personazhi i romanit tim “Dodona”, një shkrimtar që gjakon të shkruaj një kryevepër letrare citon Edgar Allan Poe-n të ketë thënë se “subjekti më i bukur në botë është ai për një grua të vdekur”. Kur shkruaja romanin, si autor, shumë herë kam menduar se si mund “ta vrisja” kryepersonazhin tim që të kisha këtë subjekt, por nuk e vrava dot, pesonazhi nuk e vret dot, se nuk është e tillë fabula e romanit, e cila ka jetën e vet. Shkrimtari i romanit, Lum Drini, nuk arrin ta shkruaj kryeveprën dhe i djeg librat e tij ashtu siç kisha bërë edhe unë pasi kisha botuar me vetëfinancim për disa vjet disa nga librat e mi. Libri i Gjadrit, u botua në 2018 i përkthyer nga Ardian Ndreca, me titullin “Letra grues seme të vdekun” dhe unë e lexova me kërshërinë e madhe nëse do të më ngjallte po ato ndjesi të dikurshme. E vërteta është se e shijova edhe më shumë për shkak të magjisë së përkthimit. Kreu i parë i librit “Të para fjalë pikëllimi” në përkthimin e Ndrecës tingëllon kështu (them “tingëllon” se përkthimi ka raste që ngjan me muzikën): “E dashuna jeme! Sot me 3 shtator janë mbushë shtatë vjet qyshse jemi martue e ti nuk jeton ma. Ti ke vdekë e votra jonë asht shqymë, nuk kemi me zanë vend bashkë rreth saj për me u ngrohë, nuk kemi me u ulë bashkë rreth saj për me hangër, e s’kemi për me kremtue ma përvjetorin e martesës sonë. Unë s’kam me puthë ma duert tueja të dashuna, me vdekjen tande kam bjerrë çdo gja të mirë e të bukur”. Ndoshta ky libër ka ndikuar te shkrimi i atij romani.
Libri që më ndryshoi mendjen:
Është romani “Kronikë në gur”, i Kadaresë. Deri në kohën kur e lexova këtë roman, në vitin 1997, nuk kisha menduar se do të shkruaja prozë. Atëherë e shihja veten si dikush që do të shkruante vetëm poezi, por pas leximit të këtij romani, pasi e mbylla librin, pata dëshirën e madhe që unë të bëhesha, të shkruaja, të rrëfeja një histori si rrëfimtari i këtij romani. Një përjetim të tillë, një lloj magjepsje nga rrëfimtarët e kam provuar edhe me romanin “Njëqind vjet vetmi” dhe “Fëmijët e mesnatës” të Selman Rruzhdie.
Libri i fundit që më bëri të qaj:
Libri “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes” i Rodrigo Gacia-s. Ishte ai episodi ku infermierja thotë se Gabriel Garcia Marquez-it “I ka pushuar zemra”, dhe sakaq, i zhytur në lexim, unë isha te ajo dhomë dhe nisa të qaja. Dhe mendoja, sa çudi, ky shkrimtar që e kam në mendje dhe në zemër, pra është një nga njerëzit e mi të dashur, ka vdekur para shtatë vitesh dhe unë nuk kam qarë për të. Sa mirë që i biri e ka shkruar këtë rrëfim prekës që edhe unë, ndoshta si shumë lexues të tjerë të bëhemi pjesë e kësaj lamtumire.
Libri i fundit që më bëri të qesh:
“Liza në botën e çudirave”, një libër me ilustrime e frymëzuar nga kryevepra e Lewis Carroll-it. Ua lexoj në darkë nganjëherë dy çunave të mi të vegjël, dhe personazhi me të cilin qeshim më shumë është ai i mbretëreshës, e cila ka një ushtri me ushtarë që janë letra bixhozi, dhe për çdo gabim që bëjnë nënshtetasit e saj urdhëron: “Pritjani kokën!”. Në fund, askujt nuk i pritet koka, dhe libri mbaron kur Liza zgjohet nga gjumi.
Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar ende:
Janë librat që i kam në bibliotekë dhe nuk i kam lexuar ende për shkak të mungesës së kohës dhe vijimit të pasurimit të bibliotekës me libra të rinj. Nuk më vjen turp, por kam një lloj ankthi nëse do të gjej kohë t’i lexoj sa më shpejt të jetë e mundur. Nga ana tjetër, ndërsa lexoj, e di se do të vazhdoj të blejë të tjerë, dhe këndi i librave të palexuar do të jetë aty, gjithmonë.
Librat që kam dhuruar:
Në fillimet e mia si krijues, kam dhuruar shumë libra të mi, me një lloj guximi të verbër se të tjerët duhet t’i lexojnë patjetër. Atëherë, si shkrimtar i ri, mendoja se mes shkrimit të një libri nga unë dhe leximit ose përkthimit të një kryevepre, unë duhej të zgjidhja shkrimin e një libri origjinal.
Libri me të cilin dua të mbahem mend:
Nuk i kam shkruar dhebotuar të gjithë librat e mi që të zgjedh njërin prej tyre. Do të doja të mbahesha mend si përkthyes i kryeveprave letrare. Sivjet mbarova përkthimin e romanit “Absalom, Absalom!”, libri më i ndërlikuar dhe më i vështirë që kam përkthyer nga Folkneri. Siç shkruan Kadare te “Ftesë në studio: “Uiljam Folkneri e çoi atë (letërsinë) gjer në skaj. Që të mos i futej kush në zotërim të vet, njëlloj si pronari që ngre gardhe të pakapërcyeshme, ai krijoi një krahinë-shtet të paqenë, “Yoknapataphwa”. Ishte mënyra më e mirë për të qenë krejtësisht veç. Portat e këtij shteti, lumenjtë, kryeqytetin, bankat, kufijtë, nuk i gjente dot askush. Atje lëviznin personazhet e Folknerit, pa dalë kurrë jashtë, por dhe pa u trazuar prej askujt”. Romanin “Absalom, Absalom!” Folkneri e ka pajisur me hartën e perandorisë së tij letrare, të vizatuar nga ai vetë, me dorë, “Uiljam Folkner, Zotërues dhe Pronar i Vetëm”, vend imagjinar me një popullsi prej 15.611 personash të shpërndarë në 2400 milje katrorë, i pajisur me kronologjinë e ngjarjeve, dhe me gjenealogjinë e prejardhjes së personazheve të tij ndër breza. Përkthimi është duke u redaktuar nga Bujar Hudhri dhe do të botohet nga Onufri. Është nga ato romane që e kanë të përhershëm vendin e tyre në kanonin e letërsisë botërore dhe unë kam shfrytëzuar edhe përvojën e fituar si përkthyes i Folknerit me romanet “Dritë e gushtit” dhe “Duke dhënë shpirt”. Natyrisht, pas përkthimit të këtyre tri kryeveprave të Folknerit, sipërmarrja ime më e madhe në zejen e përkthimit, është përkthimi i tetralogjisë së John Updike për Herri “Lepur” Engstrëmin, “Lepur, vrapo”, (1960) “Lepuri kthehet”, (1971) tashmë të përkthyera si dhe “Lepuri është i pasur” (1981,) dhe “Lepuri prehet” (1990), një sage romanesh e cila ashtu si edhe romanet e Folknerit përfshihet te ai që quhet “romani i madh amerikan”.
Libri që me bën të ndihem mirë.
Libri “Frymë të vdekura” i Gogolit në shqipërimin e Mitrush Kutelit. Është rast fatlum kur një vepër e madhe gjen edhe një përkthyes të denjë në një gjuhë tjetër.
Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar:
Mendoj seshumë vepra të botuara në Kosovë dhe mërgatë kanë kaluar pa jehonën e duhur te kritika letrare dhe nuk kanë gjetur lexuesin që meritojnë.