More
    KreuLetërsiBibliotekëRexhep Ferri: Kupa e argjendtë është e mbushur me helm

    Rexhep Ferri: Kupa e argjendtë është e mbushur me helm

    1.

    Shpina e pasqyrës, e fundit të shekullit njëzet:

    – A jemi në luftë apo në gjah?

    Në mes është ky shënim:

    Pritni edhe njëqind vjet!…

    Nën ndikimin e ëndrrës mashtruese, kot kërkova përgjigje.

    Në luftë e në gjah!

    Kush e nisi i pari, është emër i panjohur.

    I dyti u vra, para se ta kapte pushkën.

    I treti me ëndrra mashtruese e vodhi thesarin e shtetit e të kombit.

    Gruaja e tij paratë për t’i ruajtur i futi në banka jashtë shtetit.

    Nuk i besonte bankës së shtetit të vet, të kombit të vet.

    Don Kishotin shpesh e ngatërrojmë.

    Ai nuk i përgjigjet personazhit komik, por trimit që nuk ka pasur fat të mbërrijë me kohë në luftë.

    Mbarimi i shekullit njëzet shumë mirë e shpjegon këtë histori.

    Me elegancë të jashtëzakonshme, shprehet mllefi dhe mosbesimi.

    Shpina e fletës së parë të historisë e tha të vërtetën:

    – Luftë pas lufte…

    Ndër shumë maska që sot shiten në tregun e maskave, më fatkeqe na doli maska bizantine.

    Maskë me fytyrë xhelati.

    Me tmerrin e kokave të bishave.

    Histori e shkurtër.

    Thesar i mbyllur në arkën e sarkofagut.

    2.

    E marrtë dreqi.

    Leckamani i rrugëve u bë dikushi.

    Nuk më besohet që e njoh e që e shoh.

    Më ka lënë durimi dhe kujtesa.

    Jam shumë i turpshëm.

    Nëse doni diçka duhet të keni diçka.

    Jo për të bërë poza, por për të rrokur një sfidë.

    Me kënd të flas.

    Harrojeni natën e 40 hajdutëve të Ali Babës.

    Të Ali Babës së 1001 netëve.

    Për të ruajtur fytyrën e jo maskën.

    A jemi afër.

    Siç po e shihni, nuk po mund ta zotëroj sekretin.

    Imagjinata një botë tjetër.

    Forca e gravitacionit edhe në ëndërr po na del përpara.

    Nuk po e kupton qiellin që e ka mbi kokë.

    Mjaft më me Don Kishotin.

    Me Shekspirin.

    Hamletin.

    Me mbretin mbi lumë, mbi lumë.

    Vdiq mbreti.

    Rroftë mbreti.

    Vetullat e rrudhura, të fjalëve të pathëna flasin për të njëjtën kohë.

    Kupa e argjendtë është e mbushur me helm.

    Bishti i dallëndyshes nuk flet me gjithkënd.

    E ardhmja e fatit të njeriut po e shqetëson.

    3.

    Për të jetuar nuk po na ec.

    Të dalim nga loja.

    Mos të mendojmë se shpejt po kalon koha.

    Në një shtëpi pa kulm.

    Nuk po e them kot.

    Humbje dhe fitore e çuditshme për maskën e vetmuar.

    Për vëmendjen e zhdukur.

    Për njerëzit që pozojnë me maskë.

    Gjithçka e zezë.

    Lirinë shumë herë e kam parë të plagosur.

    Në jetën domethënëse.

    Harrova t’iu them edhe diçka:

    – Në shpinën e pasqyrës, me disa figura të stilit të lartë, loja e madhe e luan lojën e fatit.

    Tregtarët e pasqyrave me dy fytyra thonë:

    Vetëm bishti i dallëndyshes e shpreh elegancën e fluturimit.

    Në pamjen e parë dhe pamjen e tretë.

    Shëtitja e bishtit të dallëndyshes me krenarinë e Murit kinez e përshëndet Piramidën me një sy.

    Me lojën e fatit koha e kujtimeve mbyllet në mendjen e shikimit frontal.

    Syri frontal.

    Ende lufta e kentaurëve dhe lapidëve mbeti legjendë…

    4.

    Në gjysmë shtizë të flamurit ra edhe një det në zi.

    Tani ju keni ardhur në ekspozitën e mitit për burrin dhe gruan.

    Të njerëzve me kokë dhe pa kokë.

    Dhe të mitit për zotin që ende është mes nesh.

    Nuk na intereson më lufta.

    Luftërat po bëhen për t’u pasuruar hajdutët.

    Nuk është koha për të humbur më shumë kohë.

    Kjo liri nuk është më liri.

    Kush e ka rrëzuar lirinë nga kali nuk po flitet.

    Nga një botë e dalë nga kontrolli, ku flet jeta dhe vdekja kemi hyrë në një krizë për të ardhmen.

    Për fat të keq prapë na duhet të dëgjojmë atë që vlen ta dëgjojmë.

    Nuk duhet të shoh edhe njëherë fytyra dhe maska të patriotëve mashtrues.

    Gjatë tridhjetë e pesë viteve të fundit kam kërkuar të gjej një mik si Kadri Kusarin, si Antonin (Pashkun) dhe disa  miq që janë më pak se gishtat e një dore.

    Bëra të pamundurën.

    E kaluara më thotë:

    – Pse më kërkon?

    Nuk mendoj se kemi qenë më mirë.

    Kemi bërë e s’kemi bërë asgjë…

    5.

    Gjuha e vdekur dhe gjuha e gjallë e shqiptarëve.

    Për lirinë jemi marrë vesh.

    Të mbajmë zi për lirinë më shumë se për njeriun.

    Pse?

    Nuk di të pyes.

    Unë kërkoj shpresë.

    Kjo kohë e pakohë m’i humb shpresat.

    Unë lirinë nuk e pashë në pikturë të madhe, por në pikturë të vogël duke e shkatërruar shqiptarinë.

    Pritni pak.

    Sherrnaja bizantine nga na erdhi?

    Në pazar për të shitur gogla për rrush.

    Po puna e rrushit, ku shkoi?

    E kemi lënë për të bërë verë e raki.

    Të dehemi para se të na merr gjumi.

    E të çohemi kur të na kruhet pas veshi.

    Nuk ka më as trima e as heronj.

    Bali Katravella me shpatën prej shevari tha:

    – Burra, unë shkova!

    Mirë e di ku është qielli i shtatë.

    Pranvera, pranverë.

    Dimri, dimër.

    Atje as korbi i zi nuk është korb i zi.

    6.

    Ambiciet po shkojnë deri te idetë që të mos vdesim kurrë.

    Për të arritur këtë qëllim njeriu po bën gjithçka…

    Problemi është si të përdoren të gjitha kohët në të njëjtën kohë e të mos plakemi.

    Idetë fillojnë me ngritjen e trurit.

    Gabimet që flasin për të ardhmen nuk e dinë se çka është normale.

    Për të ardhmen…

    Faleminderit që më dëgjuat.

    Besojini fjalës sime.

    Mos mendoni se një ngatërresë është një urdhër dhe një arsye në jetë.

    Po ik nga kjo çmenduri.

    Po shkoj në bordel të prostitutave e të bëj një qetësi.

    Nuk jam as i çmendur e as i dehur.

    Gjatë këtyre ditëve kam parë çdo kund shumë paturpësi të paturpshme.

    S’ka problem.

    Po kërkoj qetësi.

    Gjërat s’po ecin.

    Ka shumë kërkesa.

    Jeta është edhe marrëzi dhe me rreziqe.

    Njeriu është më shumë se i çendur.

    Mendon se jeta është si ujëvarë e bjeshkëve të larta…

    7.

    Majmuni nuk e vret majmunin.

    Njeriu për pak interesa personale e vret njeriun.

    Kujt po i flasim.

    Pse po flasim.

    Ai që e di, vdes nga plaga në kokë.

    Nuk do ta sheh më dritën e diellit.

    Edhe pse diellin e kemi mbi kokë.

    Pa pasur kohë.

    Pa pasur fat.

    Alfabeti i grushtit të ngritur lart i komunistëve, me mashtrim e tallje, ende shpërndahet.

    Si ta gjejmë, në bisedat tona hyn deri te heshtja.

    Kur e kërkojmë ecjen e lirisë.

    Edhe njëqind vjet do të presim…

    Kupa e argjendtë është e mbushur me helm.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË