More
    KreuArte pamoreKim Knoppers – Dinastia Marubi – 100 vjet të studios fotografike shqiptare

    Kim Knoppers – Dinastia Marubi – 100 vjet të studios fotografike shqiptare

    “Dinastia Marubi – njëqind vjet të studios fotografike shqiptare”, një ekspozitë e risjellë në Shkodër në Muzeun Marubi nga 15 shkurti, zbulon imazhe bardhezi që sigurojnë të dhëna të rëndësishme mbi sferat e ndryshme të historisë së Shqipërisë, shënuar nga tre breza fotografësh të studios. Historia e Studios Marubi nisi më 1850-ën, kur italiani Pietro Marubi emigroi në Shkodër për arsye politike. Më 1856-ën, vetëm dy dekada pasi u shpik fotografia, ai ngriti një studio fotografie me kamerën që solli me vete nga Italia. Ajo nuk u ndal së shkrepuri për më se një shekull. “Dinastia Marubi – njëqind vjet të studios fotografike shqiptare” është ekspozita që çelet më 15 shkurt, në shtëpinë e saj, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, tre vjet pas ekspozimit të saj në muzeun FOAM në Amsterdam të Holandës, kuruar nga Kim Knoppers.

    Tre breza fotografësh shkrepën portrete të një game të gjerë njerëzish, nga borgjezia e qytetit te barinjtë, sunduesit osmanë, Mbreti Zog, deri te kriminelë, aktorë të famshëm dhe piktorë. Një sërë fotografish bardhezi sigurojnë të dhëna të sferave të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve, mbërthyer nga tre breza fotografësh të studios, nga viti 1856 deri më 1959-ën. Koleksioni i pasur prej 150 mijë negativash xhami është interesant nga pikëpamja historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike, po aq sa edhe artistike. Ekspozita, e cila u hap së pari në Holandë, është një prezantim i historisë së pasur fotografike të një vendi të izoluar europian, shpesh i shpërfillur.
    Kultura vizuale në Shqipëri gjatë këtyre viteve ishte pak e njohur dhe koleksioni siguron historinë e pasur fotografike që shtrihet nga periudha e sundimit osman deri në periudhën komuniste dhe përfshin situata sociale, kostume tradicionale dhe portrete grupi me rëndësi sociologjike. “Qyteti kishte mirëpritur krahëhapur një magjistar që ndizte flakë ca pluhura e lëngje dhe më pas të jepte në dorë një copë letër të trashë ku ishe pikërisht ti”, – shkruanin kronikat e kohës. Historia e Studios Marubi nisi më 1850-ën, kur italiani Pietro Marubi emigroi në Shkodër për arsye politike. Pietro Marubi lindi në Piacenza të Italisë më 1834, ndërsa zhvilloi me kohën pasionin për artet, si arkitektura, piktura e skulptura. Me përjetimet e nacionalizmit italian, me lëvizjet maçiniane dhe garibaldine, u gjend i përfshirë në vrasjen e kontit të Piacenza-s, asokohe qyteti qeverisej nga austro-hungarezët. Këto rrethana politike e detyruan të zhvendosej drejt Ballkanit. Nga Korfuzi kaloi më pas në Vlorë, për t’u transferuar përfundimisht në Shkodër, si vend katolik. Qyteti që atëherë, bashkë me Janinën, ishin qendrat më të mëdha të kulturës në trevat shqiptare. E nisi praktikën e tij duke përdorur procesin e kolodionit me pllakë të lagësht, një metodë standarde e fotografisë në Europë gjatë asaj kohe. Më 1856, dy dekada pas shpikjes së fotografisë, ai ngriti një studio fotografie me një kamera që e solli me vete nga Italia. Studioja thuhet edhe se ishte një dhomë, gjysmë prej muri, gjysmë prej xhami, me qëllim që drita të hynte edhe të depërtonte natyrshëm. Klishetë e para bardhezi qenë të formateve 21×27, 26×31 dhe 30×40. Më pas vijnë e ndryshohen dhe fotografi arrin të bëjë klishe thuajse të të gjitha formateve të kohës. Ai vendoste shpesh brenda ateliesë bar, degë e trungje pemësh, përherë me lidhje ideore me subjektin që do fotografonte. Ashtu si kolegët europianë, përdorte beze të pikturuara, të përshtatshme me atë që do fotografohej, si natyra të qeta, peizazhe të natyrës shqiptare apo pamje të mjediseve familjare. Arkivi i dinastisë tani ndodhet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Me vdekjen e mjeshtrit, asistenti i tij Kel Kodheli mori në dorë biznesin dhe ndërroi mbiemrin në Marubi, duke sjellë teknika si efektet speciale dhe retushimi i negativëve – së bashku me kamera më të sofistikuara. Brezi i tretë i studios, i biri i Kelit, Gegë Marubi, u trajnua në shkollën e vëllezërve Lumière në Francë, në vitet ’20. Ai futi si risi përdorimin e celuloidit, duke i ndërruar me pllakat e qelqit, dhe kjo u mbajt si periudha më e suksesshme e studios. Në vitet ’70, Gega ia dhuroi koleksionin e studios – afro 150 mijë negativa xhami – Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Ai ia dedikoi pjesën tjetër të jetës punës për ruajtjen e tyre dhe vdiq në vitin 1984. Arkivi sot gjendet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” që u hap në Shkodër në vitin 2016.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË