More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Sadik Bejko

    Poezi nga Sadik Bejko

    Brigje dhe brezni

    Gjyshit tim

    Për mua fëmijën
    pleqtë ishin të përjetshëm si brigjet
    (s’dija ç’ishte vdekja:
    djemtë do të mbeteshin djem dhe burra – burrat).
    Që atëherë më pëlqyen brigjet dhe pleqtë,

    që kur dorën ua shkoja sipër mbi rrudhat;
    nga të parët historitë e fisit dëgjoja
    që njësoj të lashta më dukeshin
    me rapsoditë që rridhnin me ujërat;

    e qëndroja shumë pranë tyre,
    pranë brigjeve dhe pleqve unë fëmija,
    siç kanë qëndruar e do të qëndrojnë bashkë
    fëmijët, ujërat dhe përjetësia.

    Dhe s’dija që pleqtë në rrëfime
    shtonin dhe kohërat e tyre –
    brigjet thinjnin të njëjtat shushurima, të lashta –
    s’e dija që më vonë unë fëmija
    rrëfimet e plakut do t’i bëja më të begata.


    Kënga e fundit për zjarrin

    Zjarri digjet si një godinë e rubintë.
    Si re ngrihet tymi,
    mjegull shkundet hiri,
    rrënohet e rrëzohet e brofëtin i guximtë –
    hije-dritë, natë-ditë, muzgu-agimi.

    Vërshëllen e shkrofëtin,
    buçet e ulërin
    dhe platitet tufani dimëror në oxhak –
    por përndritur nga zjarri,
    të strehuar te zjarri, kuvendohej përqark.

    Ja, pllakoste heshtja:
    (si heshtin të gjithë ndonjëherë kështu, vallë?)
    Heshtnin, po ti së thelli një këngë agimesh të kuqe brambullije
    për ne të gjithë që na kish përpirë tufani,
    të ftohtët na kish përpirë si në një përrallë
    ku luftonin diva, shtriga me hije.

    Dhe s’dëgjohej më lëngata e trojeve prej tufanit,
    lëngatë njeriu nga syri i keq, magjira a xhinde –
    roniteshin tok me hirin nën brambullimën e zjarrit,
    ku vezullonin në miniaturë agime fantastike.

    E zbruhej kjo heshtje nën tendën-murmurimë,
    rifillonin prapë kuvendimet e mbrëmjeve.
    Ç’ishte kjo e ngrohtë, e pashuar brambullimë,
    buruar si nga dheu në vatrat e këtyre vendeve?

    Mos vallë qe zëri i ndonjë gjyshi të urtë
    që digjej bashkë me zjarrin
    dhe nën thinjat e platitura, nën hirin,
    me rubinët e prushit fshihte nën themele
    këtë rapsodi të mbrëmjes që i ngrohte gjirin?

    Ç’ishte ai që në atë tufan-rropamë
    frikën dhe errësirën i tërhiqte në shpellat e mitit,
    sa herë u dogj që ta dëgjonim vallë
    dhe tërhiqej vatrës thellë, mbuluar prej hirit?

    Dhe koha kishte të tjera drita,
    të tjera këngë mbrëmjet i përtërinin.
    Ne u strehuam te zjarri
    …zjarri që në njërën dorë mban muzgun,
    në tjetrën agimin.


    Lumi

    Mbrëmjeve në trurin tim feksin…
    as vetë s’e di çfarë, por ka diçka që feks.

    Krah me rrugën rrjedh një lumë.
    Kërruset mbi të e bie mahnitshëm
    nëpër reflekse një qytet,
    reflekse që e joshin,
    sa nuk e verbojnë nëpër net.

    Mbrëmje, gjysmerrësirë, eci unë
    dhe lumi me drita mbi shpinë;

    lumi duhet t’i dojë shumë këto drita,
    ndërsa rrëshqet e ikën vjedhurazi nën to,
    si prindi që s’do t’i zemërohet fëmija.

    Ato e përkëdhelin nëpër trup,
    ato ia dinë dhe gurët e ftohtë të shtratit në fund.

    Po atë s’e mban vendi, gurët,
    as qyteti,
    në imazhin e tij,
    në mishin e tij,
    në vrapimin e tij është deti.

    Kur përpara i dalin fushat,
    këput e u jep masa ujërash nga trupi i vet,
    tej, mes të dy brigjeve brenda shtratit të tij rrëshqet.

    Po mua, kur eci pranë tij mbrëmjeve,
    nëpër tru diçka më feks.
    Ndoshta brenda meje derdhet ky lumë
    me tërë dritat, gjerësinë dhe shqetësimin e vet;
    në qetësinë a në gëzimin,
    në lodhjen a në mërzinë time
    dhe fare pa dashjen time
    dritat e tij më feksin, më feksin,

    ndërsa si ujërat shtratin,
    hapat e mi rrugën ndjekin.


    Dhe diçka ikën

    Dhe diçka ikën, ikën, më vidhet,
    nga gjumi im vidhen dëshirat,
    si zogjtë që u vidhen çerdheve të tyre
    në heshtjen e mëngjesit,
    siç vidhen vajzat e dashuruara nga shoqet,
    siç vidhen kuajt e bardhë nëpër kullota…

    E ndodh që mbetem bosh
    pa kurrfarë pasurie në vete;
    po ja, lindin ditët mbi mugun,
    si bari mbi fytyrën e ftohtë të dimrit,
    si vajzëria mbi gjymtyrët e miturakes,
    si fyejt nga shtogjet e lëngëzuara
    dhe nga kërcejtë e tërshërave plot me tinguj,
    që flenë në vlagën e dheut të palosur arave…

    E nga unë, që nuk kam kurrfarë pasurie,
    diçka vidhet, përjetësisht ikën diçka;
    i shtrëngoj gjer në gjak gishtërinjtë e mi,
    po prapë më vidhen, më vidhen…
    edhe prej fyellit tim fluturojnë larg tinguj,
    që flenë në vlagën e dheut të palosur arave.


    Është deti

    Ajo më thosh: atje në jug e në perëndim
    është deti
    dhe të fejuarit atje kanë një shtrat te hoteli;
    i bardhë, krejt i bardhë është,
    pa njolla fare,
    thua se e kanë prerë nga qielli,
    thua se e ka larë me shi të artë dielli,
    thua se është një refleks nga deti,
    shtrati i bardhë atje te hoteli.

    Ajo më thosh se pas rrugëve të gurta,
    pas shkëmbinjve me fije bari të tharë,
    pas qyteteve,
    pas fshatrave
    është deti
    me një faqe të larë me dritë;
    atje venë e lahen të gjithë,
    nga qielli e nga toka
    atje yjet dhe njerëzit përqafojnë ujërat e ngrohta.

    Atje ka shkëmbinj të çuditshëm,
    shkëmbinj që kanë hije të buta si bari,
    që kanë hije të holla si ajri.
    Me ato unë do të mbështillem ndonjë ditë
    e do vish të më kërkosh nëpër shkëmbinjtë
    e unë nën hijen cipëhollë do jem e fshehur, e fshehur
    e do të dashurohemi shumë
    e shumë kemi për të qeshur.

    Ajo më thosh se, pas rrugëve të ngushta,
    pas shkëmbinjve me fije bari të tharë,
    pas qyteteve,
    pas fshatrave
    është deti.


    Hamleti

    Kur në histori fryjnë erërat
    dhe shemben muret e kalbura të botëve,
    kur kombet, shtetet shkunden si fletët
    në vorbullën e madhe të shqotave,

    ti vret naivitetin e shkollarit,
    vështron shekujt nga kështjellat bosh,
    braktis skenat, del prej ekranit,
    nuk pyet më: “Të rrosh a të mos rrosh?”

    Pa i hedh përsipër dashurisë,
    shtjella monologësh si savanë:
    kënga e fundit e mjellmës Ofeli,
    fashitet brigjeve, ujërave në valë.

    Dhe ecën mespërmes tragjedisë
    nën monologët e ankthët si nën barrë,
    shkel e harron ëndrrat e rinisë
    në erë e mjegulla kurthesh vërdallë.

    Kur në histori fryjnë erërat e janarit,
    kur shemben skenat, ekranet mbesin bosh,
    ti me shpatën në emër të birit e të atit,
    nuk pyet më: të rrosh a të mos rrosh?


    Nuk mund të fle

    Nuk mund të fle në shtëpi sonte,
    një re, e vogël sa një sandale vajze, zuri diellin
    e mbeti perëndimi si trëndafil petalengrohtë.

    E në rrugë diçka mbeti bosh,
    mbeti një gur i pavënë në kalldrëm,
    një gur i vogël sa pupa e motakes.

    Mbrëmja shkoi në shtëpi
    dhe dikë e la jashtë rrugëve të natës
    e udhëtari ra e fjeti pa e mbaruar rrugën.

    Dhe një urë sot nuk u var
    në supin e bregut tjetër
    e nuk e shkoi si në unazë rrjedhën e lumit.

    Ka mbetur në sqepin e zogthit të vogël
    një kokërr rëre
    e në rrugë milingonës i ka dalë një kokërr rëre.

    Mbeti një kopsë e pazbërthyer në gushën e së dashurës.

    E një fjalë sonte mbeti në honin e gojës,
    e rrëzuar nga kreshta e dhëmbëve të shtrënguar,
    një fjalë e vetme pajtimi midis prindit dhe birit.

    Nuk mund të fle në shtëpi sonte, nuk mund.


    Në stacionin e fundit

    S’kish gjë që të ndihej e të kuptohej më lehtë:
    ne po përcilleshim përgjithnjë, kjo ishte ndarja.
    Kështu një ditë largohet nga ne ajo që e deshëm
    dhe një copë udhë e përtypëm bashkë.

    Ndërroi stina. Sa vjen,
    do të fryjë me batërdi një erë:
    ia ndiej zallahinë nga stoli i stacionit,
    ku prehem pas ndarjes.

    Ndërsa hapat largohen e sheshi mbetet bosh,
    ndiej lemerinë e fjalëve,
    kërcënimeve: “I pacipë, na le vajzën”,
    “I poshtri, e la të shkretën; ajo e kish sinqerisht”, po atë, ndarjen,
    më mirë se ne as e ndien njeri dhe as do ta ndiejë ndonjë ditë.

    Dhe mbas stacionit, ku u ndërruan stinët,
    pas rrapëllimës së fjalëve,
    ajo largohet përgjithnjë;
    mbetet vetëm e dashura tek unë,
    e dashura e atyre ditëve kur ne, unë dhe ajo,
    kujtonim se ndarje nuk do të kishte kurrë.


    Nuk e di përse

    Nuk e di pse na takon t’i prishim dikujt ëndrrat.

    Nuk e di pse nuk i pranojmë
    fjalët e bukura që përgatiti për ne,

    dhuratat që bleu,
    pse ia mohuam vendet e bukura,
    ku mendoi të dashurohet me ne.

    Nuk e di?
    Ato sende që na bleu,
    ato rrugë që na ndoqi
    ato net që s’fjeti,
    ato vende që ëndërroi,
    mbeten, i rëndojnë të ftohtë si gurët…

    Nuk e di pse padashur në jetën tonë
    shtrojmë kalldrëm të ftohtë në jetën e dikujt të pafaj
    me po ato sende dhe mendime,
    me të cilat krijonte një rrugëz me bar e diell të ngrohtë.

    Nuk e di pse padashur dikujt i prishim ëndrrat.


    Dashuri

    I

    Mbrëmja bëhet si hija e një peme të madhe;
    e lehtë, e hollë, ajo mbulon
    ata dy metra katrorë vend që i duhen dashurisë në natyrë;
    vjeshta se nga i nxjerr,
    si fruta të ndritura e të pjekura në pemë, yjet
    që i flladit me frymën e saj të butë.
    Dritat e parqeve
    janë si ca balona drite të varura nëpër plepat,
    që mbështjellin siluetat shëtitëse të dashurisë.
    Bari i tharë nga vera,
    gjethet e mëdha (që ranë nga yjet, nga mbrëmja, nga vjeshta)
    janë shtresat ku fundosen trupat tanë
    mbuluar nga hija depërtuese e pemës madhështore të mbrëmjes.

    II

    Kjo dashuri më dha kaq shumë ajër,
    kaq shumë rrugë, qytete e njerëz;
    kaq shumë bimë, plepa, vreshta, fusha
    m’u bënë të shtrenjta e të dashura,
    se i preku lumturia ime, dashuria ime,
    dashuri që treti në një
    verën dhe vjeshtën, natën dhe ditën,
    mërzinë dhe gëzimin, vetminë dhe gjallërinë,
    qytetin e bukur dhe kodrën e zhveshur,
    …dashuri
    që hapi gjerësinë e bardhë e të thellë në zemër.

    Jeta ime ka dalë nga toka
    Për prindërit e mi

    Kur kthehen nga fushat mbrëmjeve vonë,
    i shoh me krahët varur,
    me supet e mprehta varur nën rroba
    sikur diçka m’i tërheq poshtë:
    me siguri – toka, toka!

    Edhe ata e tërheqin çdo ditë,
    ma sjellin në tryezë
    në feta të buta e të ngrohta.

    Kështu… jeta ime ka dalë
    nga toka.


    Ka ardhur pranvera

    Ka ardhur pranvera në këtë fshat.
    Zgjohem gjumit me një mbresë erë lulesh,
    me një mbresë erë mjaltë.
    Ditët kanë në mes lulen e qeshur të diellit.
    Lëngu i athët i fushave rrit grurë të blertë…
    Po ç’kam kështu një si tronditje të fshehur,
    që po m’i lumturon mëngjeset,
    më bën nga pak si të dehur?
    Ndofta se pranvera vetë është e ëmbël,
    ndofta se e ndiej që do të shihem me ty,
    me ty që sapo u ndava në ëndërr.


    Tek unë janë kërraba dhe mushka

    Po të kthehesha atje në malësitë e mia të djeshme,
    ashtu si fëmija
    që bie kokëposhtë nga shkallët,
    do ta gjeja prapë atje fatin tim,
    mbështetur në kërrabën e bariut
    dhe në vithet e mushkës së fshatarit.

    Po të mos ishte shkolla, librat,
    unë do të isha atje, në fatin tim,
    në malësitë e mia të djeshme.
    Atje rrugët e botës janë thikë e spicë, të gurta;
    që të ngjitesh te bari i hollë, i hollë,
    të ngjitesh te delja, te buka,
    të duhen patjetër kërraba dhe mushka.

    Kur ulem në biblioteka,
    në sallat e ngrohta pranë tryezave me libra,
    kur eci mbi parketet e verdha me qilima,
    më duket se rrëzohem nga këto rrugë të buta.
    E do rrëzohesha vërtet njëzet herë ditën si fëmija,
    po të mos ishin ende tek unë kërraba dhe mushka.


    Mbrëmje

    Ata janë larg… prindër e të malluar,
    e unë këtu në këto rrugë qyteti.
    Kur flora e mbrëmjes kërruset e kërruset e mugët,
    për ata larg, atje malli më merr.

    Pleqëria i preku trupat e tyre eshtakë
    e në dy shelgje të buta m’i ktheu,
    e kjo vjeshtë e vyshkët ra në flokët
    e në rrudhat e fytyrave të dashura,
    e kjo mbrëmje i rrëqeth me erë.

    E, sa kohë jam larg, mua malli më merr.
    Në gjymtyrët e tyre të kërrusura
    janë ende dashuria dhe ëndrra,
    sado që tek unë u volën krejt.
    E, sa herë mbrëmja do të lëkundë shelgjet e këtij qyteti,
    mendja do të më shkojë tek ata.


    Gurët

    Plot me gurë është vendi im,
    majëmalet me pak borë,
    ullinjtë e hershëm në breg të detit,
    në mishin e njomë
    toka ime rrënjon gurët.

    Atje në fëmijërinë time gratë rrobazeza
    nën shami ruanin kujtimet e burrave që ua mori lufta,
    rritnin jetimët e tyre
    që nesër një luftë mund t’i donte prapë.

    Cigare e alkool nuk piu hidhërimi në dheun tim.
    Hidhërimi në gurët e ftohtë hapi guvat e dhembjes
    dhe u mpreh në thepat kthyer erës.

    Vendi im në mishin e butë të tokës,
    në rrënjë i mban gurët.
    Dashuria atje nuk piu kurrë cigare e alkool.
    Në mishin e saj janë ngulur gurët, plumba e sëpatat.

    E verbër ndaj tyre,
    siç verbohet fyelli para se të nisë kënga,
    si i verbohen vajzat thirrjes për t’u bërë nëna,
    si gurët verbuar ngulen kokëposhtë në tokë,
    gruaja atje u lidh vetëm me burrin…

    Me burrin që, kur plaket, merr fytyrën e rrafshnaltës
    së gurëzuar me pak bimësi të rrudhosur
    nga erërat që fryjnë nga deti.

    Kohërat gdhendën gurë në fytyrat e atjeshme.
    Gurët ka nata e nata e dimri u përqafuan në ngurtësim,
    peshë që rëndoi deri në gjak,
    deri në mishin tim të tokës së bukur…

    Gurët që kyçnin rrezen e diellit,
    krahun e pëllumbit
    dhe një vetull qielli midis dy shpateve…

    Gurët që sot, si kuajt nga vatha,
    ikin, zbrazin hambarët e maleve,
    në trup të autostradave shtrirë,
    shtegtuar tej deteve, tej zalleve.


    Mugullimi i barit të ri

    Fërfëri, o bar, fërfëri!

    Është po ajo tokë e thinjur, mësuar me jetën, me mizoritë,
    po ai bar gjithmonë i thjeshtë e mospërfillës,
    mbirë si perde mbi fytyrë stine e si kufi stinësh.

    Stina e re na gjen futur thellë në brazdat e tokës,
    me baltën e saj ngarkuar deri në fyt,
    e kemi dalë andej, si nga llogoret,
    me të vdekurit tanë mbi shpinë,
    mbi shpinë e brenda vetes,
    kemi dalë andej sikur të ishim secili vet’ i dytë.

    Nga veshët dilnin zërat e brendshëm të tokës,
    troku i gjerë i thellësirës,
    sipër takonin zërin e barit,
    zërin e gjelbër, të hollë e dridhës.

    Fërfëri, o bar, fërfëri!

    ***

    Atdheu im barin e rrit në pranverë e në vjeshtë,
    vera për barin ka qenë pamëshirë e nxehtë,
    dimrat – të shpeshtë,
    mugullimin e hollë të barit e paguanim me jetë.

    Në tokë të ushqehej bari,
    përmbys te rrënjët kemi vdekur;
    përsipër prisnim të na mbinte bari
    si mirënjohje e blertë, e heshtur.

    Mbinte. Kështu e pushtuam tokën,
    gur më gur, shkorret mbi shkorret.
    Mbi eshtrat,
    mbi mermerët e dimrave,
    mbi vdekjet tona mbimë të blertë.

    ***

    Kur vjen maji me ditët e gjata,
    njerëzit e tokës lodhur flenë ku t’i zërë gjumi:
    përdhe, mbi plisa, ndër ara.

    Bari gjithë ditën lot me erën, por, sa vjen nata,
    përthyhet mbi trupa. Murmurima e tij bie
    në veshët e atyre në brazda;
    tani pa frikë mund të themi: bari ka
    mbirë mbi shputa, mbi thembra, mbi shpatulla.

    Rrëke-rrëke murmurin në veshët e njerëzve,
    mbush honet, mbulon brigjet
    me melhemin e mirë, me përrallën e artë,
    thërrmon gurët, mëritë, ndarjet,
    bashkon, barazon njerëz (kjo nuk është ëndërr),
    ura e barit përhidhet nga zemra në zemër.

    Kështu, kështu bari i ri rri zgjuar gjithmonë,
    harkohet tej mbi brigje të tjera njerëzore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË