More
    KreuLetërsiBibliotekëJeffrey Archer: Perceptim i tjetërsuar

    Jeffrey Archer: Perceptim i tjetërsuar

    Përktheu nga origjinali: Aristidh Shqevi

    Një burrë nga Cape Town udhëton çdo ditë drejt një komune që banohet nga afrikanë të zinj. Ajo quhet Crossroads. Mëngjeseve, ai jep mësim anglisht në shkollat lokale, ndërsa pasditeve, në varësi të sezonit, shndërrohet në trajner regbie ose kriketi; mbrëmjeve, e sheh rrugëve të komunës tek përpiqet t’i bindë të rinjtë të mos krijojnë banda, të mos kryejnë krime, si edhe të heqin dorë nga droga. Ai njihet me emrin i Tjetërsuari i Crossroads.

    Askush nuk ka lindur me paragjykime në thellësi të shpirtit, ndonëse ka nga ata që njihen me to në një moshë të vogël. Në rastin e Stoffel van den Berg, kjo ishte më se e vërtetë. Stoffel kishte lindur në Cape Town, por asnjëherë në jetën e tij nuk kishte udhëtuar jashtë shtetit. Paraardhësit e tij kishin emigruar nga Hollanda në shekullin e tetëmbëdhjetë, ndërsa vetë Stoffel ishte rritur i rrethuar nga shërbëtorë të zinj, të cilët ishin gjithnjë në dispozicionin e tij për t’ia plotësuar edhe tekat më të vogla.

    Nëse djemtë – askush prej tyre nuk ishte hijeshuar me një emër, pavarësisht nga mosha që kishin – nuk i zbatonin urdhrat e Stoffel, ata i shqepnin së rrahuri ose thjesht i linin pa ngrënë. Nëse punën e kryenin më së miri, askush nuk i falënderonte dhe nuk i lëvdonte. E pse duhej dikush ta merrte mundimin për të falënderuar dikë që kishte ardhur në jetë vetëm për të shërbyer?

    Kur Stoffel hyri në klasën e parë fillore, ky paragjykim mendjelehtë iu përforcua edhe më shumë, ngaqë klasat e mbushura me nxënës të bardhë kishin vetëm mësues të bardhë. Të vetmit të zinj që ai hasi në shkollë ishin pastruesit e WC-ve, të cilat, ata nuk lejoheshin t’i përdornin.

    Stoffel ishte nxënës i nivelit mbi mesatar, por i shkëlqyer në matematikë, dhe i një kategorie të veçantë në fushën e sportit.

    Në vitin e fundit të shkollës, djali boer me flokë të verdhë dhe 1m e 88cm i gjatë, luante regbi në rolin e organizatorit për skuadrën e XV-të gjatë dimrit, dhe si shkelmues i topit nga qendra për skuadrën e XI-të, të parën, gjatë sezonit të verës. Flitej shumë se ai do të luante regbi ose kriket për skuadrën Springboks, madje përpara se ai ta bënte kërkesën për në universitet, shumë kërkues talentesh që punonin për skuadrat sportive të kolegjeve, erdhën në shkollën e Stoffel për t’i ofruar atij bursa studimi; sipas këshillës së drejtorit të shkollës, dhe i mbështetur nga babai, ai e nisi jetën studentore në Stellenbosch.

    Përparimi i pandalshëm i Stoffel e pati zanafillën në momentin kur ai mbërriti në mjediset universitare. Në vitin e parë e caktuan në rolin e lojtarit të goditjes së topit nga qendra, meqë lojtari i rregullt i skuadrës universitare ishte dëmtuar. Ai luajti si lojtar bazë në të gjitha ndeshjet e tjera deri në fund të sezonit. Brenda dy viteve, u emërua kapiteni i një skuadre që nuk e kishte njohur shijen e humbjes, madje në ndeshjen e zhvilluar ndërmjet Western Province dhe Natal, arriti të shënojë njëqind pikë.

    Pas përfundimit të studimeve në universitet, Stoffel u punësua pranë Barclay Bank në degën e marrëdhënieve publike, ndonëse gjatë intervistës atij iu bë e qartë se përparësia e tij ishte fitimi i kupës së Kampionatit të Bankave në kriket.

    Pa kaluar vetëm disa javë nga dita e punësimit në bankë, drejtuesit e ekipit Springbok e informuan me anën e një letre se kishte shumë mundësi që ai të luante kriket për ekipin kombëtar të Afrikës së Jugut në turneun e ardhshëm që do të organizonte Anglia. Drejtuesit e bankës, tepër të kënaqur, e njoftuan se ai mund të merrte leje nga puna për aq kohë sa kishte nevojë të përgatitej për ndeshjen me ekipin përfaqësuesen. Ai ëndërronte të shënonte njëqind pikë në Newlands, dhe ndoshta një ditë, pse jo, edhe në stadiumin Lord’s Cricket Ground. Ai i ndoqi me interes ndeshjet e Turneut Ashes që po zhvillohej në Angli. Për lojtarë të tillë si Underwood dhe Snow ai vetëm sa kishte lexuar, por fama që ata gëzonin nuk e shqetësonte aspak. Qëllimi i tij ishte që topin e goditur nga kundërshtari ta flakte sa më larg që të ishte e mundur, në skutat më të largëta.

    Gazetat jug-afrikane e ndoqën Turneu Ashes me një interes të veçantë, sepse ato mëtonin që t’i informonin lexuesit për pikat e forta dhe të dobëta të skuadrave kundërshtare me të cilat do të ndesheshin brenda pak javëve. Më pas, fare papritur, artikujt kaluan nga faqet e pasme të gazetave në faqet e para, pikërisht në çastin kur ekipi anglez thirri në kombëtare lojtarin e talentuar, Basil D’Oliveira, i cili luante për skuadrën Worcester. Zoti D’Oliveira, siç e quante dhe shtypi jug-afrikan, u bë pjesë e faqeve të para të gazetave ngaqë jug-afrikanët i referoheshin atij me emrin ‘I Ziu i Kepit.’ Kjo vinte nga fakti se atij nuk i ishte lejuar kurrë që të luante kriket të nivelit të lartë në vendlindjen e tij, Afrikën e Jugut; ishte kjo arsyeja që ai kishte emigruar në Angli.

    Shtypi në të dy vendet filloi të spekullojë në lidhje me qëndrimin që do të mbante qeveria e Afrikës së Jugut në rast se D’Oliveira do të seleksionohej, nga drejtuesit e MCC-së në Angli, për skuadrën që do ta zhvillonte turneun në Afrikën e Jugut.

    ‘Nëse anglezët do të ishin aq të shkalluar sa ta seleksiononin me ekipin kombëtar,’ i tha Stoffel kolegëve të tij në bankë, ‘turneu do të anulohej.’ Në fund të fundit, askush nuk mund të shpresonte që ai të luante kundër një të ziu.

     Shpresa më e madhe që ushqenin afrikano-jugorët ishte që Zoti D’Oliveira të dështonte në Testin e fundit në stadiumin Oval, dhe për këtë arsye të mos thirrej për ndeshjet në kuadrin e turneut të ardhshëm, gjë që do t’i jepte zgjidhje problemit.

    D’Oliveira dha kontributin e tij në raundin e parë duke shënuar njëmbëdhjetë pikë me po aq vrapime të realizuara, por duke mos pritur asnjë nga topat e goditur nga australianët. Në raundin e dytë, në rolin e protagonistit, ai i dhuroi fitoren skuadrës së tij me 158 pikë të shënuara jo rastësisht, duke barazuar kështu rezultatin e përgjithshëm. Pavarësisht nga ky rezultat ai nuk u thërrit në skuadrën jug-afrikane që do të merrte pjesë në turne, gjë që shkaktoi edhe debatin e radhës. Kur një lojtar tjetër i kombëtares u detyrua të largohej për shkak të një dëmtimi, ai u thërrit në vend të tij si zëvendësues.

    Qeveria e Afrikës së Jugut e bëri menjëherë të qartë qëndrimin e saj: të mirëpritur në vendin e tyre ishin vetëm lojtarët e bardhë. Gjatë javëve që vijuan pati shkëmbime të forta diplomatike midis të dy vendeve, por meqenëse MCC në Angli nuk pranonte që D’Oliveira të largohej nga skuadra e cila do të merrte pjesë në turne, takimi duhej anuluar. Vetëm në vitin 1994, kur Nelson Mandela u zgjodh President, një skuadre zyrtare angleze iu dha mundësia për ta vizituar Afrikën e Jugut.

    Vendimi i MCC ia tendosi nervat Stoffel, dhe ndonëse ai luajti rregullisht për Western Privince duke bërë të mundur që Kupën Inter-Bank ta rifitonte Banka Barclay, ai nuk ishte i sigurt nëse do të luante për ndeshjet Test apo jo.

    Sidoqoftë, pavarësisht nga zhgënjimi që kishte pësuar, Stoffel-i nuk pati as më të voglin dyshim se qeveria kishte marrë vendimin e duhur. Në fund të fundit, përse duhej që anglezët, me fantazinë dhe diktatin e tyre, ta përcaktonin se kujt i lejohej ta vizitonte Afrikën e Jugut?

    Teksa po luante njëherë kundër skuadrës Transvaal, ai u takua me Inga-n. Ajo, jo vetëm që ishte krijesa më e bukur që sytë e tij kishin parë ndonjëherë, por ishte gjithashtu dakord me pikëpamjet e tij të patundura mbi superioritetin e racë së bardhë. Një vit më vonë, ata u martuan.

    Kur vende të ndryshme filluan t’i vinin sanksione Afrikës së Jugut, Stoffel vazhdoi ta mbështeste qeverinë, duke deklaruar se politikanët dekadentë perëndimorë ishin shndërruar të gjithë në ngordhalaq të mefshtë liberalë. Ai i pyeste vizitorët e huaj në Cape Town se çfarë i pengonte politikanët perëndimorë që të vinin në Afrikën e Jugut për të parë gjithçka me sytë e tyre. Në këtë mënyrë ata do ta vërtetonin se ai nuk i rrihte kurrë shërbëtorët e tij, se të zinjtë merrnin një rrogë të mirë, ashti siç e këshillonte dhe qeveria. Ç’donin më tepër? Në të vërtetë, ai nuk arrinte ta kuptonte se si ishte e mundur që qeveria nuk e dënonte Mandela dhe lakenjtë e tij terroristë me varje për tradhti.

    Kur babai shprehte kësisoj pikëpamjesh, Piet dhe Marike pohonin me kokë. Herë më herë, gjatë vaktit të mëngjesit, ai shprehej përpara tyre se ishte e pamundur që t’i trajtoje si të barabartë njerëzit, të cilët vetëm para pak kohësh kishin zbritur nga pemët. Në fund të fundit, Zoti nuk i kishte bërë kështu planet e tij.

    Stoffel pushoi së luajturi kriket pa i mbushur të dyzetat; atij iu dha posti i drejtuesit të seksionit të bankës për marrëdhëniet me publikun, dhe gjithashtu u ftua që të merrte pjesë në bordin drejtues të saj. E gjithë familja u shpërngul në një shtëpi të madhe me pamje nga Atlantiku disa milje në jug të qytetit.

    Ndërkohë që pjesa tjetër e rruzullit vazhdonte t’i vinte në zbatim sanksionet, Stoffel-i bindej gjithnjë e më shumë se Afrika e Jugut ishte i vetmi vend në botë ku punët shkonin më së miri. Ai i shprehte rregullisht pikëpamjet e tij si në mjedise publike, ashtu edhe në ato private.

    ‘Duhet të bëhesh deputet,’ i sugjeroi një mik. ‘Vendi ka nevojë për njerëz që besojnë në mënyrën tonë të jetesës, dhe që janë të vendosur për të mos i lëshuar asnjë fije peri një tufe injorantësh të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve as që ka shkelur këmbë këtu.’

    Në fillim, Stoffel nuk i mori seriozisht këto sugjerime, por më vonë, Kryetari i Partisë Kombëtare mori avionin për në Cape Town me pikësynimin e vetëm që të takohej me të.

    ‘Komiteti Politik shpreson që ju të dilni si kandidat në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme,’ i tha ai Stoffel-it.

    Stoffel premtoi se do ta merrte në shqyrtim idenë e hedhur, por vendimin përfundimtar do ta merrte vetëm pasi të kishte folur me të shoqen dhe kolegët anëtarë të bordit drejtues të bankës. Për çudinë e tij, të gjithë e nxitën që ta pranonte ofertën. ‘Mbi të gjitha, ti je një figurë që të njeh i gjithë kombi, i dashur për shumicën, dhe me një qëndrim të palëkundur ndaj aparteidit, të cilin askush nuk mund ta vë në dyshim.’ Pas një jave, Stoffel i telefonoi Kryetarit të Partisë Kombëtare për t’i thënë se e kishte për nder të dilte si kandidat.

    Kur e zgjodhën që të luftonte për postin e deputetit, fjalimin e tij përpara komisionit të pranimit e mbylli me fjalët, ‘Do të largohem një ditë nga kjo jetë, i vetëdijshëm se aparteidi duhet të jetë i drejtë si për të bardhët, ashtu edhe për të zinjtë.’ Fjalimi i tij u prit me duartrokitje të stuhishme.

    Por gjithçka ndryshoi më 18 gusht 1989.

    Atë mbrëmje, meqë kishte planifikuar të drejtonte një mbledhje në bashki, ai u largua nga banka disa minuta më përpara se zakonisht. Vetëm pak javë kishin mbetur deri në ditën e zgjedhjeve, ndërkohë që sondazhet tregonin me siguri se ai do të dilte deputet për zonën elektorale të Noordhoek.

    Në momentin që doli nga ashensori, ai u takua rastësisht me Martinus de Jong, shefin e përgjithshëm të bankës. ‘Edhe sot, gjysmë dite punë Stoffel?’ pyeti ai me një ngërdheshje në fytyrë.

    ‘Jo, aspak. Kam mbledhje në zonën elektorale, Martinus.’

    ‘Në rregull, plako,’ u përgjigj De Jong.

    ‘Dhe sqaroji mirë se, këtë radhë, askush prej tyre nuk mund ta shpërdorojë votën, domethënë, nëse nuk duan që ky vend të katandiset në atë pikë që ta qeverisin të zinjtë. Meqë ra fjala,’ shtoi ai, bursat shtesë për të zinjtë në universitet nuk na duhen fare. Po të lejonim një grup studentësh në Angli të na diktonin politikën e bankës, vendet e punës do t’i humbnin, në një kohë që të zinjtë do të përpiqeshin të na i merrnin.’

    ‘E drejtë, informacionin që erdhi nga Londra e lexova. Ata po sillen si një tufë strucësh. Më duhet të nxitoj, Martinus, përndryshe do të vonohem për mbledhjen.’

    ‘Patjetër, më fal që të vonova, plako.’

    Stoffel kontrolloi orën e dorës dhe nxitoi përgjatë rrugës së pjerrët deri te vendi i parkimit. Kur e kapi trafiku në rrugën Rhodes, u pa qartë se ishte e pamundur që t’i shpëtonte eksodit të madh të njerëzve që po linin pas qytetin për fundjavën.

    Me t’u larguar nga periferitë e qytetit, duke udhëtuar me marshin më të lartë, ai kapi shpejtësinë maksimale. Ishte 15 milje larg nga Noordhoek, në një terren kodrinor dhe me kthesa. Ngaqë njihte çdo centimetër të rrugës, zakonisht i duhej një gjysmë ore për ta përshkuar distancën e për ta parkuar makinën përpara derës së shtëpisë. Ai i hodhi një sy orës së kruskotit të makinës. Me pak fat, do të mbërrinte në orën e duhur për të bërë një dush, të ndërrohej dhe të nisej pa vonesë për në mbledhje.

    Në momentin që e ktheu makinën në drejtim të jugut në rrugën që të çonte drejt kodrave, Stoffel shkeli fuqishëm pedalin e gazit, dhe herë duke e mbajtur shkelur atë, herë duke e lëshuar, parakaloi automjete dhe vetura, shoferët e të cilëve nuk e njihnin rrugën aq mirë sa e njihte ai. Stoffel rrulli vetullat kur parakaloi me shpejtësi një shofer të zi, i cili me shumë vështirësi po i ngjitej kodrës me mikrobusin e tij rrangallë, i cili nuk duhej lejuar të qarkullonte në rrugë.

    Një veturë u shfaq në kthesën e radhës kur ai ishte rreth njëqind metra larg saj. Vendimi duhej marrë në çast. Të zgjidhte padalin e frenës apo të gazit? Ai shtypi pedalin gaz në dërrasë me mendimin se, pa dyshim, shoferi tjetër do të frenonte. Me lehtësi ai filloi parakalimin e kamionit, dhe në momentin që pothuajse e kishte përfunduar manovrën, teksa u zhvendos përpara tij, nuk arriti që t’i shmangej kontaktit me parafangon e makinës që po vinte drejtimin e kundërt. Për një çast ai pa sytë e tmerruar të shoferit tjetër, që frenoi me forcë, por që terreni i pjerrët nuk mund t’i vinte në ndihmë kurrsesi. Vetura e Stoffel u përplas me forcë në barrierën mbrojtëse në anë të rrugës, dhe përfundimisht u ndal në mes një grumbull pemësh.

    Ishte kjo e vetmja gjë që mbante mend, kur erdhi në vete, pas pesë javësh.

    Stoffel ngriti sytë lart, dhe dalloi Inga-n që qëndronte pranë shtratit të tij. Me ta konstatuar se ai i kishte hapur sytë, ajo e kapi nga dora, dhe me nxitim doli nga dhoma për ta njoftuar mjekun.

    Kur sytë i hapi për herë të dytë, pranë shtratit të tij qëndronte si Inga, ashtu edhe mjeku; u desh të kalonte një javë përpara se kirurgut t’i jepej mundësia për ta sqaruar se çfarë kishte ndodhur pas aksidentit.

    Stoffel, duke dëgjuar në heshtje, i tmerruar, mësoi se shoferi tjetër e kishte humbur jetën pak çaste mbas mbërritjes në spital, si rezultat i dëmtimeve që kishte pësuar në kokë.

    ‘Je me fat që jeton,’ ishin të vetmet fjalë që dolën nga goja e Inga.

    ‘Pa dyshim që kështu është,’ tha kirurgu,’ sepse sapo shoferi tjetër humbi jetën, zemra jote pushoi së rrahuri. Ishte thjesht fati yt që një dhurues i përshtatshëm u ndodh në sallën e operacionit këtu pranë.’

    ‘Shoferi i veturës?’ pyeti Stoffel.

    Kirurgu pohoi me kokë.

    ‘Por…a nuk ishte i zi ai?’ pyeti Stoffel me mosbesim.

    ‘Po, i zi ishte,’ e siguroi kirurgu. “Madje, mund të çuditesh, Zoti van den Berg, se trupi yt nuk arrin ta kuptojë këtë. Thjesht tregohu mirënjohës që gruaja e tij dha pëlqimin e saj për transplantin. Në mos gaboj” – ai u ndal për një çast – “ajo tha, ‘Nuk ka kuptim që ta humbin jetën që të dy.’ Falë saj, ne mundëm ta shpëtojmë jetën, Zoti van den Berg.” Ai ngurroi, rrudhi buzët dhe tha me qetësi, “Më vjen keq t’ju njoftoj se dëmtimet e brendshme ishin aq të rënda, sa që pavarësisht nga suksesi i transplantit të zemrës, prognoza juaj nuk është aspak e mirë.”

    Stoffel qëndroi në heshtje për njëfarë kohe, por në fund pyeti, ‘Sa kohë më mbetet për të jetuar?”

    “Tri vite, mundet edhe katër,” u përgjigj kirurgu. “Ama, vetëm nëse e merr shtruar.”

    Stoffel kapiti sytë dhe ra në një gjumë të thellë.

    Pas gjashtë javësh doli nga spitali; Inga këmbënguli që ai të pushonte mirë për një periudhë të gjatë. Shumë miq i shkuan për vizitë në shtëpi, përfshirë Martinus de Jong, i cili e siguroi se puna e priste në bankë menjëherë sapo të ishte kuruar plotësisht.

    ‘Nuk do të kthehem në bankë,’ tha Stoffel me qetësi. ‘Brenda disa ditëve do ta jap dorëheqjen.’

    “Përse?” pyeti de Jong. “Unë të siguroj… “

    Stoffel e përshëndeti me dorë. ‘Je shumë i mirë, Martinus, por kam plane të tjera.’

    Në momentin që mjeku i tha se ai ishte i lirë të dilte nga spitali, Stoffel i kërkoi Inga që ta çonte me makinë deri në Crossroads, në mënyrë që ai t’i bënte një vizitë bashkëshortes së personit, të cilit i kishte marrë jetën.

    Çifti shtatlartë dhe me flokë të verdhë përshkoi në këmbë rrugën përmes kasolleve të Crossroads, të ndjekur nga shikime të vrertë dhe sy të përulur. Kur mbërritën te baraka ku banonte bashkëshortja e shoferit, ata u ndalën përpara saj.

     Stoffel do të kishte trokitur në derë sikur të kishte pasur një të tillë. Duke zhbiruar me sy zbrazëtinë dhe errësirën, ai vuri re një grua të re me një foshnjë në krahë që qëndronte e strukur si zogu në ferrë në skutën e largët të barakës.

    “Jam Stoffel van den Berg,” tha ai. ‘Kam ardhur për t’ju thënë se më vjen shumë keq që u bëra shkak që yt shoq ta humbte jetën.’

    “Faleminderit, zotëri,” u përgjigj ajo. ‘Nuk kishte përse të vinit për vizitë.”

    Meqenëse nuk kishte gjëkundi se ku të ulej, Stoffel përkuli trupin dhe u ul këmbëkryq përtokë.

    “Doja gjithashtu t’ju falënderoja që më dhatë mundësinë të jetoj.”

    “Faleminderit, zotëri.”

    “Çfarë mund të bëj për ju?” Ai heshti. “Mos ndoshta do të dëshironit që bashkë me foshnjën tuaj të vinit e të jetonit me ne?”

    “Jo, faleminderit, zotëri.”

    “Por, çfarë mund të bëj për ju?”

    “Asgjë, faleminderit, zotëri.”

    Stoffel u ngrit në këmbë me vetëdijen se prania e tij po e shqetësonte gruan. Bashkë me Inga ata përshkuan në këmbë qytetin e barakave, pa folur, në heshtje të plotë, derisa mbërritën te makina.

    “Paskam qenë i verbër,” tha ai ndërkohë që Inga drejtonte makinën drejt shtëpisë.

    “Jo vetëm ti,” pohoi e shoqja me sytë të mbushur me lot. “Por, ç’mund të bëjmë vallë?”

    “E di unë se ç’duhet të bëj.”

    Inga e dëgjoi të shoqin teksa ai i shpjegoi se cili ishte synimi i tij në lidhje me mënyrën sesi do ta kalonte pjesën e mbetur të jetës.

    Të nesërmen në mëngjes Stoffel u paraqit në bankë, ku, me ndihmën e Martinus de Jong, llogariti shumën e të hollave që ai mund të shpenzonte në tri vitet e ardhshme.

    “A i keni treguar Inga se doni ta tërhiqni shumën e sigurimit të jetës?”

    “Kjo ishte ideja e saj,” tha Stoffel.

    “Ç’keni ndërmend të bëni me lekët?”

    “Do të nis të blej libra të përdorur, topa të vjetër regbie dhe shkopa kriketi.”

    “Ne mund t’ju ndihmojmë që ta dyfishoni shumën e lekëve të cilën ju duhet ta shpenzoni,” sugjeroi shefi i përgjithshëm i bankës.

    “Në ç’mënyrë? pyeti Stoffel.

    “Duke përdorur tepricat që kemi në fondet për sportin.”

    “Por, ajo vlen vetëm për të bardhët.”

      “Edhe ju i bardhë jeni,” tha shefi i përgjithshëm.

    Për një copë herë Martinus nuk foli, por më pas ai shtoi, “Mos kujtoni se ju jeni i vetmi të cilit iu hapën sytë pas kësaj tragjedie. Pikërisht ju jeni i pozicionuar më mirë për ta…” ngurroi ai.

    “Për ta…?” përsëriti Stoffel.

    “Për t’i bërë të tjerët, njerëz me paragjykime si ju, të vetëdijshëm për gabimet e tyre në të kaluarën.”

    Po atë pasdite Stoffel u rikthye në Crossroads. Ai shëtiti për orë të tëra në qytetin e barakave derisa u ndal në një truall të rrethuar nga baraka llamarinash, dhe çadra.

    Ndonëse trualli nuk ishte i sheshtë, dhe forma e madhësia aspak të përkryera, ai mati me hapa përmasat e një fushe sporti, ndërkohë që me qindra fëmijë ia kishin ngulur sytë.

     Të nesërmen, disa fëmijë e ndihmuan që t’i vizatonte vijat anësore dhe t’i sajonte flamurët e këndit.

    Për katër vite, një muaj dhe njëmbëdhjetë ditë, Stoffel van den Berg udhëtoi çdo mëngjes drejt Crossroads, ku dha mësim anglisht për fëmijë në një godinë që me rezerva mund ta quaje shkollë.

    Pasditeve, ai i mësonte fëmijët të luanin regbi ose kriket, në varësi të sezonit. Mbrëmjeve, e kishte bërë zakon të endej rrugëve duke u përpjekur që t’i bindte adoleshentët të mos krijonin banda, të mos kryenin krime, dhe të mos merreshin me lëndë narkotike.

    Stoffel van den Berg, ndërroi jetë më 24 mars 1994, vetëm disa ditë para se Nelson Mandela të zgjidhej në postin e Presidentit. Ashtu si Basil D’Oliveira, ai dha kontributin e tij modest për rrëzimin e sistemit apartheid.

    Në kortezhin e varrimit të Të Tjetërsuarit të Crossroads morën pjesë dy mijë persona, të cilët kishin ardhur nga të katër anët e vendit në shenjë respekti për të.

    Çështja, nëse pjesëmarrësit në varrim kishin qenë më shumë të bardhë apo të zinj, ngeli e pazgjidhur; gazetarët nuk ranë kurrë dakord për këtë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË