More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAlfred Çapaliku: "Infiniti blu", një roman shkencor jo vetëm për rininë

    Alfred Çapaliku: “Infiniti blu”, një roman shkencor jo vetëm për rininë

    Pas vlerësimit të romanit shkencor “Pika trëndafil” si libri më i mirë i vitit 2019 në letërsinë për fëmijë dhe për të rinj, çmim i akorduar nga Ministria e Kulturës, autorja Mimoza Hafizi është paraqitur me një vepër të re të po këtij zhanri,  titulluar “Infiniti blu”, shtypur nga Shtëpia botuese Albas, Tiranë 2020.

    Tre kapitujt zhvilluar në tri vende të ndryshme, por me të njëjtin qëllim, popullarizimin e  shkencës, organizojnë planin e minisubjektit. Veprimi nis më  2013 tek Instituti i Astrofizikës në Paris – Francë, vijon më 2016 tek Instituti i Studimeve të Përparuara në Princeton – SHBA dhe përmbyllet më 2020 në Universitetin Gôttingen – Gjermani.

     Po ashtu tri janë pyetjet bazë që marrin përgjigje në prologun, në epilogun dhe në recto – versot   e romanit:

    1. A është e pafund bota?

    2. Sa thellë ka depërtuar imagjinata dhe dija shkencore?

    3. A mundet mendja jonë të kuptojë infinitin?

    Tre janë edhe personazhet kryesore që vërtisin ngjarjet:

    1. Dona, mesogrua  e pashme shqiptare, astrofizikane e njohur në Francë, që dijet e saj i bën pronë të gjimnazistëve në atdhe,

    2. Marina, vajza e saj e çlirshme, studente postmaster për matematikë në Gjermani, me një simpati afruese për një djalë të ri studiues, francez.

    3. Profesor Martini, që 80 – vjetorin e feston mes të rinjve e të rejave në konferencën luks kushtuar atyre: “Valët gravitacionale janë kapur”.

    Nëna dhe e bija kanë përjetuar me intensitet të njëjtën dhimbje gjurmëlënëse, të paanashkalueshme. Dona vuan humbjen e bashkëshortit, profesor  i çmuar historie. Marina ndjen mungesën e babait, studiues i Rilindjes evropiane. Për të dyja Maksi rri i pazevendësueshëm dhe i pakrahasueshëm. Maksi vazhdon që të jetë një burim frymëzimi te hapat e dy femrave në hapësirë dhe në kohë. Maksi dashurues etern i ngjyrës blu, sa është pikë referimi në horizontin e ngjarjeve si kimerë e lëvizshme; aq është energji pozitive në sistemin mikrovalor kozmik,  si lëndë rezistente ndaj vrimave të zeza të universit të pafund. Dona, doktoruar në kozmologji, ndjen pranë interesimin e kolegëve të skuadrës së madhe të misionit hapësinor Plank, Gabrielit dhe Davidit, me të cilët rri në komunikimin  e monitorit e të WhatsApp-it, me frekuencën dhe amplitudën e frymëmarrjes së shpirtërave binjakë. Marina rrethohet nga ngrohtësia dhe interesimi i bashkëmoshatarëve të motivuar  për punë kërkimore, por edhe të hapur për të shijuar jetën. Shkëmbimet e ideve me Morganin në kopjuter, për doktoraturën, i bëhen asaj si pa kuptuar sistola dhe diastola të zemrës.   

    Ndërsa Profesor Martini, pa moshë, evergreen si të kishte pirë eliksirin, gjeneron ide të reja, me praninë e gjeneratave në ardhje dhe me shprehjen e respektin të thellë ndaj tij të Prof. Paul-it dhe Prof. Russell- it, bashkëreferues në takimin e shumëpritur.  Studentët që popullojnë auditorin universitar, me intuitë shkencore i bëjnë jehonë duartrokitjesh çdo postulati dhe çdo formule të tij. Përvoja matëse e shkencëtarit flokëbardhë Martin  kap  tre mijëvjeçarët e fundit të Tokës, qysh nga Pitagora, Euklidi dhe Arkimedi, gjer tek gjurma e  Armstrongut në Hënë, sonda eksloruese në Mars dhe Sfondi Mikrovalor në Kozmos.

    “Një histori e ndritur ka kaluar zenitin e vet. Një histori e re sapo ka filluar.”

    Faqe 130.

    Kështu shkruan me bindje shkencëtarja e yjeve Mimoza Hafizi.

    Është fjala për arritjen e fizikës në mikrobotë. Jo thjesht prej shpikjeve mahnitëse të nanoteknologjisë, por në radhë të parë prej kontributeve sui generis të nobelistëve Max Planck, Albert Ajnshtajn, Niel Bohr, Warner Heisenberg, Paul Dirac, Wolfang Pauli, Lois De Broigle,  Arthur Comton,  Erwin Schròedinger, Max Born dhe i shumë të tjerëve, që do të vijnë ngarkuar me materjen e hirtë.  Shpaloset një enciklopedi e të përjetshëmve.

    “- Panorama e Sfondit Mikrovalor Kozmik vjen drejtpërdrejt nga viti 380000 pas krijimit.” – Profesor Martini duket se nuk ka asnjëfarë hezitimi për të çmuar aftësinë depërtuese të valëve gravitacionale”.

     Faqe 142.

    Këtë opinion shpreh saktë fizikania profesioniste Mimoza Hafizi.

    Romani shkencor “Infiniti blu” është libër me shkronja, i lindur nga matrica e numrave. Ai libër librash synon si target lexuesit e rinj, me qëllimin fisnik që t’i frymëzojë për të hyrë  nëpër observatorë jo si diletantë, por si konkurues, atje ku bota reale dhe virtuale shkrihen në një. Prandaj në 320 faqet e tij poliedrike, shoqëruar me figura dhe me formula, “Infiniti blu” sa është informues kurioz, në të njëjtën kohë është edhe formues serioz.

    Në këtë mision të mundshëm, përmes një prerjeje të artë, letërsia dhe shkenca takohen si dy motra:

    GIACOMO LEOPARDI

    (1798 – 1837)

    INFINITO – PAFUNDËSI

    “… Cosi tra questa

    Immensità s’annega il pensier mio:

    E il naufragar m’é dolce in questo mare.”

    Faqe 86.

    “… Kështu

    Mes kësaj pafundësie shkimet mendimi:

    Dhe mbytja më vjen e ëmbël në këtë det.”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË