More
    KreuLetërsiShënime mbi libraJosif Papagjoni: Një afresk burlesk si një gaz-a-vaj që na mahnit

    Josif Papagjoni: Një afresk burlesk si një gaz-a-vaj që na mahnit

    Përsiatje rreth romanit “I kam shërbyer mbretit të Anglisë” të Bohumil Hrabal

    Rrugës për Sarandë kinoregjisori i njohur Piro Milkani më dhuroi një roman të shkrimtarit të shquar çek Bohumil Hrabal: “I kam shërbyer mbretit të Anglisë”. Ai e kishte përkthyer atë kohë më parë, ndofta kur ishte ambasadori ynë në Republikën e Çekisë. Ai e njihte mirë çekishten sepse aty edhe e kishte mbaruar shkollën e lartë për kinematografi. Romani dhe vetë shkrimtari ishin një zbulim për mua. Nuk kisha lexuar kurrgjë prej tij, ani pse ai ishte ndër më të mëdhenjtë shkrimtarë çek, i barabitur me Jaroslav Hashek, Karel Çapek dhe Milan Kundera, i përkthyer në 27 gjuhë të botës, dhe diç të tillë e dija. Romanet e tij “Perlat e thellësive”, “Leksion vallëzimi për të moshuarit”, “Trenat e vëzhguar rreptë”, “Vita nuova”, “Kafeneja botërore”, “Balada vrastare dhe legjenda të tjera”, “Barbarët xhentilë”, “Hidhërimi i bukur”, “Në shtëpinë e dasmave”, “Duke e prerë shkurt”, “Milionat e Harlekinëve” etj., e kanë bërë këtë shkrimtar në syrin e lexuesit një mjeshtër i të thënave të të vërtetave përmes dyzimeve të njëpasnjëshme dhe një ambiguiteti të gjithpranishëm, ku nuk merret vesh ku është realja dhe ku trillimi pa të keq, ku hareja dhe ku loti i fshehur pas një fraze të shpenguar. Dhe teksa e lexoja romanin e tij të famshëm “I kam shërbyer mbretit të Anglisë”, në syrin tim hyri një botë e trazuar, një aventurë njerëzore që shkonte cep më cep pa e “çarë kokën”, si vrapi i një pele të hazdisur dhe hergjele, e gjitha e rrëfyer me një frymë, nën një shpoti të pamëshirshme për kohët, ideologjitë e rrejshme dhe indoktrinimet, për vuajtjen dhe përpjekjen për t’i përballuar me stoicizëm ato, shpesh falë një vetëbesimi dhe moskokëçarjeje sfiduese. Aty lëvizte me shpejtësi brenda “një jete”, krejt jeta. Qenë pranë e pranë egërsia dhe bukuria. Të dyja së bashku vejevinin brenda një çasti, një dite, një jete; vejevinin dhimbja njerëzore e përzier me ndjesitë, sjelljet dhe praninë e  kafshës, mik i njeriut, i vetmisë dhe i mizantropisë së tij. Turavrapej atyre fletëve po aq pasioni për punën, të veçantën, të bukurën, turavrapej magjia e lirisë, gjente një strehëz prehjeje nevoja e njeriut të margjinalizuar e të dëbuar për vetminë, heshtjen, natyrën dhe personalitetin. Është pikërisht siç e pohonte edhe vetë shkrimtari: “Atë muaj vere kur e shkrova këtë tekst, jetoja nën ndikimin e fortë të “kujtimit artificial” të Salvador Dalisë dhe të “dashuri e ndryshur”, që sipas Frojdit “shpërthen te gjuha””.

    Pra një jetë dhe një dashuri, që shpërthen te gjuha (e cila duket se i shpërthen vargonjtë e saj sintaksorë, rreptësinë e shenjave të pikësimit dhe bredh “rrëmujshëm” në një narrativë të çlirët e pa mëgojza); një jetë dhe një dashuri që na duket krejt-krejt e çuditshme, “qesharake”, si e pabesueshme, me dy krerë, tokë e qiell bashkë, llum e rërë përzier, ujë i pisët kënete dhe ujë qelibar prej burimeve malore, ku e besueshmja dhe e pabesueshmja bëheshin po bashkë, edhe tragjedia e komedia po bashkë, e bukura dhe e shmëtuara, e hirshmja dhe e neveritshmja. Një “çorbë” apo amalgamë alla Salvador Dali. Dhe të habiste fakti se si ti kaloje nga realja te surealja. Dhe ecejakeshin të dyja këto te njëra-tjetra, përherë së toku, në marritë a bukuritë e tyre, duke përplotësuar mrekullisht shoqi-shoqin. Fillimisht kjo “rrëmujë” e paramenduar sikur më lodhi ca, por pastaj umësova dhe si lexues ia hipa gjogut vërvëlitës të Buhomilit dhe i graha për mrekulli pyjeve, ujëvarave, shkretive dhe rrëpirave ku ai më çonte, tek ato aventura që vështirë se mund t’i përfytyroja.

    …Dhe ja tek e ndiqja djaloshin shtatshkurtër, që zgjaste qafën të dukej më i gjatë për lezetin e syrit të femrave, teksa shkon “pikolik”, ndihmës kamerier, në një restorant në Pragë para Luftës II Botërore, njohja me zakonet dhe sqimatarët e hotelerive, gatimeve, klientëve të klasave të ndryshme, fisnikët që humbin mes fustaneve dhe mishit të vashave të “porositura”, thënë ndryshe prostitutave, dashuritë e fshehta dhomave duke u arratisur nga burgjet e grave pa shije dhe rituali i lodhshëm i familjes, shoqërisë, për të kërkuar pak liri, dalje nga vetja, dehje, zdërhallje, gjer te një president që vinte aty, në hotelin mes pyjesh me të dashurën e tij, dhe ashtu përthithur sy më sy, pasi pinin e pinin, ia mbathnin pyllit të vetmuar, hiqnin petkat e ritualit, bënin dashuri, thithnin atë pak lumturi të munguar dhe aq të ankthshme, për t’u riveshur sërish me kostumet dhe kopsat e shumta zyrtare dhe për të shkruar rishtazi drejt “rregullit”, “moralit”, “fisnikërisë”, “ndershmërisë”. Ose një gosti e orgji në pritje të perandorit të Etiopisë, më verëra, erëza, lëngje e gjellë të papara, që i shkulnin njerëzit nga “llogoret” e sqimës prej fisnikësh e zyrtarësh hijerëndë të shtetit dhe i bashkonin që të gjithë në një ekstazë marramendëse, çliruese e çudane.

    Mes këtyre njerëzve e kësaj zallamahije vërtitet edhe heroi ynë shkurtabiq, por i zgjuar e me sqimë, me pesë copëzat që e përbëjnë romanin: “Një gotë limonatë”, “Hotel Qetësia”, “I kam shërbyer mbretit të Anglisë”, “Dhe kokën nuk e gjeta më”, “Si u bëra milioner”. Secila nga këto pjesë a novela qëndron edhe më vete, por të pesta ofrojnë një strukturë romanore që i lidh e i bashkon aventura e personazhit të saj, paçka se i paemër; është po ai “Unë” letrar, i kudogjendshëm i rrëfimit në vetë të parë. Aty ai provon së pari trupin e femrës teksa pleqtë i ndezullonin ato më herët dhe ai priste më pas orgazmat e tyre të tërbuara mbi trupin e tij; aty u njoh me një gjermankë, Lizën, idhtare e “racës së pastër ariane”, martesa me të cilën kërkonte të vërtetonte pastërtinë e gjakut të tij për të qenë i denjë kundruall saj; me të edhe lind një fëmijë të gjymtë që ngulte natë-ditë gozhdë në dysheme, mijëra e mijëra gozhdë, të cilat u bënë vuajtja, ndëshkimi dhe stërmundimi i tij si baba, një metaforë e bukur kjo, por e thënë, si për dreq, me aq shpoti; aty ai përcjell gjithë tmerrin e luftës, segregacionin racor e nacional, oficerët gjermanë që takonin për të fundit herë gratë e tyre para se të shkonin në frontin rus, ku me siguri nuk do të ktheheshin më; aty e përcolli edhe çlirimin e Çekosllovakisë, ardhjen e komunistëve me shtetëzimet, dëbimet, internimet, zhbërjen e bukurisë së jetës dhe thatësirën shpirtërore që ata sollën; dhe po aty vjen edhe një nga skenat më të mrekullueshme, më prekëse, sidomos filozofike, të rrugëtimit të heroit në thellësitë e pyllit, si mirëmbajtës rruge, me një karrocë dhe katër shokët e tij të pandarë: kalin, qenin ujk, dhinë dhe macen. Këtu gjithçka merr një tjetër konotacion. Kafsha-njeri qenka më e keqe se vetë kafsha. Kafshërimi që ka mbuluar vendin me komunistët dhe komunizmin, edhe pse nuk tregohet, nënkuptohet. Është kjo metaforë e jashtëzakonshme që Buhomil na e sjell gjithë mprehtësi e që na e lëndon fort shpirtin. Është ajo mace e egër që ka nevojë për ushqim dhe për dorën e njeriut, por frika dhe instinkti e lënë gjithnjë pas, gjersa një ditë ajo e pranon dorën e heroit që t’i fërkojë kokën e të shtriqet, kur kafshët-njerëz vrasin qenin ujk, mikun e tij dhe mikun e saj. E si mund të shprehej vuajtja më mirë se kaq! Kafsha ishte më njeri se njeriu!

    Siç vetë romani është pa “pika e presje”, me fraza të gjata, të pareshtura e të padisiplinuara nga sintaksa, mu si një rrjedhë ndjesish, mendimesh e aventurash duke ndjekur teknikën e “përroit të ndërgjegjes”, ashtu të rrëmben edhe fati i personazhit, një kamarier i ardhur diku nga thellësitë dhe që falë talentit dhe vullnetit të tij bëhet një mjeshtër, i quajtur ndryshe “kamarieri që i ka shërbyer perandorit të Etipoisë”, më pas një hotelier, dhe akoma më pas një pronar i pasur, saje aftësisë dhe fantazisë së tij për të gjetur të bukurën dhe të veçantën aty ku mendja e fjetur nuk e gjente dot.

    Dhe të duket sikur në “rrëmujën” e rrëfimit, që s’është veçse stili i shkrimtarit, formë postmoderne e ligjërimit romanor, ti kridhesh në atë dramë njerëzore, madje shoqërore e kombëtare, por ndryshe: duke tallur veten dhe të tjerët, pa ia hequr syrin ironik gjithë asaj çka ngjet, edhe pse në brendësi aty gëlojnë dukuri e veprime të vrazhdëta, dramatike e tragjike, në zgrip të mbijetesës dhe buzë vdekjes. Kjo mënyrë rrëfimi e Buhomil Hrabal, ku e besueshmja dhe e pabesueshmja, logjikja dhe absurdja, e njëmendëta dhe e sajuara, realja dhe surealja pleksen aq mrekullisht, na bën saora që aty të mprehim mendjen dhe të reagojmë ndaj jetës njerëzore të rrëfyer si një gaz-a-vaj, dhe po aty të qeshim tok me autorin për shpotinë që ai përdor duke u tallur dhe duke asgjësuar çdo pasion, çdo veprim e situatë, sado e trishtë a dramatike qoftë. Vetironia e shkrimtarit në rolin e heroit letrar kthehet në një ironi tërësore, për gjithçka dhe për të gjithë. Është një afreskë burleske si një gaz-a-vaj që na mahnit.

    Që të shpjegosh stilin e Buhomil Hrabalit të duket vetja i pafuqishëm për ta thënë më bukur se vetë ai, me gojën e tij, se si lindi ky roman dhe në ç’mënyrë u ngjiz: “Këto radhë janë shkruar nën diellin përvëlues të verës që e ndizte aq fort makinën e shkrimit saqë disa herë në minutë ngecte e bëlbëzonte. Duke mos i parë dot fijet e letrës së një bardhësie verbuese, nuk arrija të kontrolloja ato që shkruaja, shkruaja pra në mënyrë automatike në një dalldi drite, drita e diellit më verbonte në atë pikë sa shihja vetëm siluetën e ndritshme të makinës së shkrimit, mbas disa orësh kapaku prej alumini ishte aq përvëlues sa fletët e shkruara rrotulloheshin nga nxehtësia. Dhe duke qenë se ngjarjet e këtij fundviti po më binin në kokë pa më lënë as kohë për vdekjen e nënës, këto ngjarje më detyrojnë ta lë tekstin ashtu siç është hedhur në dorë të parë, e të shpresoj se herët a vonë do të kem kohë dhe kurajo t’i futem përsëri e të djersit mbi të, ta lëmoj e ta përpunojë drejt një lloj perfesksioni klasik ose – i ndikuar nga frymëzimi i momentit dhe me rrezikun se mund të fshijë spontanitetin fillestar të imazheve – t’i fus gërshërët tekstit dhe me frymëzimin e çastit të heq në to ato imazhe, të cilat edhe pse ka kaluar kohë, e ruajnë ende freskinë. Dhe në qoftë se nuk do të jem më në këtë botë, le ta bëjë këtë ndonjë nga miqtë e mi. Le të nxjerrë nga kjo një novelë të shkurtër apo një tregim të gjatë. Kjo është e gjitha.”

    E shikoni se si ka qejf të shpotisë e të tallet edhe me vetë mënyrën e të shkruarit të tij Buhomil Hrabal, kur këtë roman e ka parë dhe stërparë aq e kaq herë?! E atypëratyshmja, e papërfunduara, e rrëmujshmja, vetëtallja, ambiguidja është, në të vërtetë, një mënyrë vetjake të shkruari, stili i tij, autorësia e vetë Hrabalit…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË