More
    KreuIntervistaPërgjigjet e William Faulkner-it për romanin “Absalom, Absalom!”

    Përgjigjet e William Faulkner-it për romanin “Absalom, Absalom!”

    Përktheu nga origjinali Granit Zela

    Përkthyesi i talentuar Granit Zela ka dorëzuar për botim tek Onufri, romanin “Absalom, Absalom!”. Kjo është vepra e tretë që Graniti përkthen nga William Faulkner, pas dy romanet e tjerë si “Dritë gushti” dhe “Duke dhënë shpirt”, të botuar po nga e njejta shtëpi botuese.


    Kush është personazhi kryesor i “Absalom, Absalom!”? Duket shumë qartë që është Satpeni, megjithatë është thënë se është edhe historia e Kuentinit dhe doja të pyesja se kush është personazhi kryesor?

    Personazhi qendror është Satpeni, po. Historia e një njeriu që donte një bir dhe pati shumë, aq shumë sa e shkatërruan. Herë pas here është historia e urrejtjes së Kuentin Kompsonit ndaj cilësive të këqija në vendin që ai do. Por personazhi kryesor është Satpeni, historia e një njeriu që donte të kishte bij.

    Zotëri, po kështu doja të pyesja se cili mendohej të ishte qëndrimi i lexuesit ndaj zotit Koldfild, babait të Elenës?

    Epo, sipas meje ai ishte shumë i varfër. S’e di se cili mund të jetë qëndrimi i lexuesit, por prapë ndieja dhembshuri dhe keqardhje për të, por për mendimin tim ishte një i varfër.

    Zotëri, çfarë lloj marrëveshjeje u bë midis Gud’hju Koldfildit dhe Satpenit në lidhje me faturën e transportit? Ata bënë një lloj marrëveshjeje.

    S’më kujtohet. Librin e kam shkruar para shumë kohësh, por Koldfildi ishte njeri i vogël, makut. Satpeni ishte i guximshëm, i pamëshirshëm dhe përdori vogëlsinë e Koldfildit për qëllimet e veta, por s’e mbaj mend saktësisht se çfarë ishte…

    Në një auditor tjetër keni deklaruar se rrallë e keni paraprakisht të shtjelluar subjektin e romaneve tuaja para se të filloni t’i shkruani, por se ato thjesht zhvillohen duke u nisur nga një personazh ose një ndodhi. Nuk e di nëse e mbani mend se çfarë personazhi apo çfarë ndodhie ju bëri të shkruani “Absalom, Absalom!”?

    Satpeni.

    A menduat për atë personazh dhe më pas…

    Po, ideja e një njeriu që donte bij, i pati dhe pastaj e shkatërruan. Personazhet e tjerë më duhej t’i nxirrja nga papafingoja për të treguar historinë e Satpenit.

    Kam hulumtuar për Satpenin – për arsyen e rënies së Satpenit, zoti Folkner, dhe më duket se Lufta Civile luajti rol. A është e vërtetë?

    Po.

    Por kjo nuk është arsyeja kryesore?

    Jo, përdora Luftën Civile për qëllimet e mia. Vendi i Satpenit u shkatërrua nga Lufta Civile, por kjo s’e ndaloi Satpenin, ai ende po përpiqej ta kishte të birin, ende po përpiqej të krijonte një dinasti. Po përpiqej të barazohej me atë njeri i cili në rininë e tij i kishte thënë, “Ik nga dera e pasme”.

    Zoti Folkner, cila ishte domethënia e veçantë që Uosh Xhounsi, njeri shumë i përulur, të ishte mjeti përmes të cilit Satpeni vdiq? A lidhet kjo me shtresën shoqërore nga e cila vinte vetë Satpeni dhe a ka një lloj efekti ironik? Cila ishte ideja?

    Në një kuptim po. Në një kuptim tjetër Uosh Xhounsi përfaqësoi njeriun që i mbijetoi Luftës Civile. Aristokrati në shtëpinë me kolona u shkatërrua, por Uosh Xhounsi mbijetoi i pandryshuar. Kishte qenë Uosh Xhounsi para vitit 1861, dhe pas 1865 ishte ende Uosh Xhounsi dhe Satpeni u përplas përfundimisht me të…

    Sa nga historia e “Absalom, Absalom!” është rindërtuar nga Shrivi dhe Kuentini? Si e di lexuesi se cilin rrëfim të pranojë si të vërtetë objektive dhe cilën ta shoh vetëm si një reflektim të personaliteteve të tyre?

    Epo, historia u tregua nga Kuentini për Shrivin. Shrivi ishte komentatori [i cili] e lidhte historinë me diçka nga realiteti. Nëse do të lihej ta tregonte vetëm Kuentini, do të ishte një histori krejtësisht joreale. Duhej të kishte një katalizator për ta mbajtur reale, për ta mbajtur të besueshme, bindëse, përndryshe do të ishte tretur si kripa në ujë.

    Zotëri, po në këtë linjë diskutimi, ju keni thënë se ju është dashur ta lini mënjanë “Absalomin” në një moment, për ta rifilluar më vonë. Vras mendjen nëse mund të mos ketë qenë fundi i rrëfimit të zonjës Roza – pika ku mund të keni ndjerë që ajo po shkonte shumë larg, sepse menjëherë pas kësaj, ndërhyn Shrivi. A e mbani mend kështu, zotëri?

    S’mund të them se kur vendosa ta ndërpresë të shkruarit, vendosa që s’dija aq shumë sa duhej në atë kohë, mbase, ose kisha ndjesinë se s’kisha pasionin e duhur apo s’isha aq i qartë sa duhet, por s’e mbaj mend se në cilën pikë e ndërpreva. Megjithatë kur e rinisa shkrimin e romanit, gati sa nuk e rishkrova të gjithin. Mendoj se ato pjesë që hoqa ishin fragmente të përafërta që s’pajtoheshin me të tërën dhe pastaj kur e rinisa, siç mbaj mend, e rishkrova…

    A është marrë titulli i “Absalom, Absalom!”  nga pjesa në Bibël tek Samueli i Dytë?

    Po.

    A e keni shkruar romanin me këtë episod në mendje apo e keni shkruar fillimisht romanin dhe më pas duke kuptuar ngjashmërinë -?

    Ndodhi në të njëjtën kohë. Sapo mendova për idenë e njeriut që dëshironte bij dhe bijtë e shkatërruan, mendova për titullin…

    Zotëri, sa gjykatës i mirë i veprës së tij mendoni se mund të jetë shkrimtari?

    Është,  mund të gjykojë vetëm nëse është e shkruar aq mirë sa t’i përshtatet atij apo jo, ose në të kundërt, ndoshta është gjykatës i keq, sepse përfshihet personalisht dhe ndonjëherë nuk pranon të njohë të dobtën dhe këmbëngul që mediokrja është e nivelit të parë – sepse është i përfshirë personalisht.

    Dhe po kështu, mund edhe të mos e vlerësojë sa duhet?

    Ashtu është.

    Zoti Folkner, a ka ndonjë qëllim në përsëritjen e të njëjtave grupe personazhesh gjatë shkrimeve tuaja letrare?

    Jo, vetëm se unë kam jetuar gjithë jetës në një qytezë të Misisipit, dhe atje s’ ka shumë larmi. Një shkrimtar shkruan mbështetur te përvoja, mjedisi i tij, në mbretërinë e tij të imagjinatës dhe bën vëzhgimet e veta. Ky do të ishte shpjegimi, mendoj unë…

    Është thënë që shkruani për sekretin e zemrës njerëzore. A ka një të vërtetë madhore për zemrës njerëzore?

    Epo, kjo është një pyetje gati metafizike. Do të thoja se nëse ekziston një e vërtetë e zemrës njerëzore, do të ishte të besuarit në vetvete, të besuarit në aftësinë për të gjakuar, për të qenë më i mirë se sa është, për shembull. Se kjo ekziston te të gjithë njerëzit…

    Po mendoja nëse Çarls Boni te “Absalom, Absalom!” kishte dyshuar ndonjëherë se kush ishte i ati.

    Mendoj se e dinte. Mbase i tregoi e ëma. Mendoj se e dinte.

    A ishte njohuri e vetëdijshme, sipas jush, apo njohuri e pavetëdijshme?

    Ndoshta ishte njohuri e vetëdijshme në kuptimin që nëna i kishte thënë kush ishte i ati. Ndoshta s’e besoi, ndoshta s’e dinte ose s’donte t’ia dinte. Mendoj, s’besoj se ai ndjente ndonjë afërsi me Satpenin si babë dhe bir, por ndoshta e ëma i kishte treguar se ajo ishte braktisur dhe nëse kishte ndodhur ndonjë gjë, nëse e kishte besuar, ai e urrente Satpenin, natyrisht.

    Zotëri, sipas Nathaniel Haethorne-it, mëkati më i madh ishte dhunimi i zemrës njerëzore. A mendoni edhe ju kështu për sa i përket mëkatit, krimit më të madh ose natyrës së mëkatit? A jeni dakord me këtë pohim?

    Po, po, jam dakord.

    Zoti Faulkner, gjithë veprën tuaj duket se e përshkon tema e mallkimit për Jugun. Do të doja të dija nëse mund të shpjegonit se çfarë është ky mallkim dhe nëse ka ndonjë mundësi që Jugu të shpëtojë.

    Mallkimi është skllavëria, e cila është një gjendje e patolerueshme – askush s’duhet të skllavërohet – dhe Jugu duhet të çlirohet nga ky mallkim dhe kështu do të ndodhë, nëse lihet ta bëjë vetë. S’mund të detyrohet ta bëjë. Duhet ta bëjë me vullnetin dhe dëshirën e vet, gjë që besoj se do ta bëjë nëse lihet të vendos vetë.

    A ishte reagimi i njerëzve ndaj martesës së dytë të Satpenit – kur askush nuk u paraqit [në ceremoninë martesës], a u shkaktua ai reagim nga mospëlqimi i njerëzve për jetën e tij, gabimet shoqërore ose ngaqë s’u ishte treguar pse – ku i kishte marrë paratë?

    Oh, ai kishte prishur zakonet vendase. Ata i druheshin dhe e urrenin për shkak se ishte i pamëshirshëm. S’shtirej të ishte ndryshe nga ai që ishte, kështu ai prishi zakonet vendase dhe ata e izoluan. Jo për hakmarrje, aspak, por thjesht sepse s’donin asnjë pjesë të Satpenit…

    A është menduar që Satpeni të jetë një personazh krejtësisht i shthurur, diçka si Klegërdi te “Billi Bad” i Herman Melvilit ose Jago te “Otello”, apo është menduar që lexuesi të ndiej keqardhje për të?

    Për mua, duhet ndjerë keqardhje për të. Ishte i shthurur – ishte i pamoralshëm, ishte i pamëshirshëm, krejtësisht egoist. Për mua, duhet ndjerë keqardhje, ashtu siç duhet të ndjerë keqardhje për këdo që shpërfill njeriun, për këdo që s’beson se është anëtar i një familjeje njerëzore, i familjes njerëzore. Satpeni s’e besonte. Ishte Satpen. Do të merrte atë që donte sepse ishte mjaft i madh dhe i fortë dhe mendoj se njerëz të tillë herët a vonë shkatërrohen, sepse dikush duhet t’i përkasë familjes njerëzore dhe të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë në familjen njerëzore…

    Në “Absalom, Absalom!”, keni thënë se s’e mbani mend shumë mirëse kur Çarls Boni kupton që Satpeni është i ati? A ndodh para ose pasi ai largohet nga Nju Orliëns për të shkuar në universitet?

    Them se nëna ia ka ngulitur në mendje duke ia përmendur vazhdimisht me të mbushur moshën kur mban mend dhe se ai erdhi qëllimisht për të kërkuar dhe gjetur të atin, jo për të vënë drejtësi për veten, por për t’u hakmarrë për nënën e braktisur. Duhet ta ketë ditur, ky fakt duhet të ketë qenë pjesë e fëmijërisë së tij, dhe kjo grua e braktisur s’e la kurrë ta harronte këtë.

    A ka avokati i Nju Orliënsit përfitimin vetjak në mendje ndërsa ndihmon Bonin dhe të ëmën?

    Ka të ngjarë që po. Po, kur e gjeti vendndodhjen e Satpenit, e dinte që Satpeni ishte një njeri i pasur në atë kohë, po, mendonte se do të kishte përfitim, por Boni s’donte përfitim financiar, ai donte të hakmerrej për nënën e tij.

    Deri ku mendoni se marrëdhënia midis Çarls Bonit dhe Satpenit është paralele me atë që sipas jush është situate e përgjithshme racore në Jug?

    Ishte paraqitje e sistemit të përgjithshëm racor në Jug, i cili ishte i fortë dhe i përqendruar pasi shkrimtari duhet të merret me çdo ndodhi ose formën që merr kjo marrëdhënie, për arsye se s’i ka mbushur gjashtëdhjetë vjet. Shkrimtarit i duhet të bëjë punën e vet në fletët e librit, domethënë, të mishërojë një gjendje të përgjithshme të vazhdueshme në Jug.

    Zotëri, a jeni i vetëdijshëm për ngjashmëri midis Tomas Satpenit dhe Flem Snoupsit? S’mendoj se ka ndonjë komedi te “Absalom, Absalom!”, por ka shumë komedi sigurisht te romanet “Katundthi” dhe “Qyteza”, por që të dy kanë një projekt madhështor dhe i përdorin njerëzit në mënyrë të paskrupullt.

    Epo, vetëm Satpeni kishte një projekt madhështor. Projekti i Snoupsit ishte pak a shumë i thjeshtë – thjesht donte të pasurohej, s’donte t’ia dinte se si. Satpeni donte të pasurohej vetëm për shkak të një ndodhie të rastësishme në jetën e tij. Donte të hakmerrej për të gjithë të bardhët e shtresave të ulëta kundër aristokratit që i tha të kalonte nga dera e pasme. Donte të tregonte se edhe ai mund të krijonte një dinasti – mund ta bënte veten mbret dhe të krijonte një trashëgimi princash.

    Ky qëndrim i pashpirt i Satpenit dhe Flem Snoupsit, kjo aftësi për t’ përdorur njerëzit pa e kuptuar se janë njerëz, një lloj çnjerëzimi i tyre, duket se dalëngadalë përkeqësohet ndërsa kalojnë nga fshati në qyteza dhe qytete. A është kjo e përcaktuar, diçka e vetëdijshme?

    S’u përkeqësua sepse shkuan në qytete. Duhej të shkonin në qytete për të gjetur më shumë njerëz për t’i përdorur. U përkeqësua për shkak të ndjenjës së neverisë që ngjall te të gjithë aftësia për të përdorur njerëzit. Ka shumë pak njerëz që kanë madhështinë e mjaftueshme të shpirtit për të qenë në gjendje t’i përdorin njerëzit dhe të mos ndiejnë neveri për ta. Dhe kjo – neveria për njerëzit – s’u ngjall sepse u zhvendosën në qytet, por për shkak të suksesit…

    A e njohu Satpeni Klitemenestrën si bijë?

    Jo. Epo, kjo s’do të kishte pasur rëndësi sepse Klitemnestra ishte femër. E rëndësishme për të ishte që të krijonte një trashëgimi dukësh, e kupton. Ai do të krijonte një territor që drejtohej nga një dukë. I duhej pasardhës mashkull. Do të krijonte një dukat si hakmarrje ndaj Virxhinasit të bardhë i cili i tha që të shkonte te dera e pasme. Dhe kështu një zezak, një gjysmë-zezak si bir do t’ia prishte të gjithë ëndrrën. Nëse do të kishte menduar se do të zbulohej ndonjëherë që Boni ishte i biri, ai mund ta kishte vrarë vetë Bonin. Nëse do të kishte ardhur ndonjëherë në atë pikë, do ta kishte shkatërruar Bonin ashtu siç do të kishte shkatërruar çdo individ tjetër që do t’i bëhej pengesë.

    Do të doja të kthehesha te Çarls Boni. Kam përshtypjen se deri në fund të fundit të librit ai s’e kupton se është pjesërisht zezak… Në cilën pikë e zbulon këtë dhe si e zbulon?

    Mendoj se Boni e dinte gjatë gjithë kohës që nëna e tij ishte pjesërisht zezake, por gjatë fëmijërisë së Bonit kjo s’kishte rëndësi. Ai u rrit në Indies ose në Nju Orliëns, vendi s’ka shumë rëndësi. Nëna ishte grua e pasur. Mund ta quante veten kreole nëse kishte gjak zezaku së bashku me francezët ose jo. Kjo u bë e rëndësishme vetëm kur Boni e kuptoi se kishte rëndësi për të atin. Mendoj se Boni u përfshi në këtë punë, sigurisht, ngaqë krijoi një miqësi me Henrin dhe ndjeu që Henri, djali i paditur fshatar, kishte për të një lloj adhurimi, admirim dhe adhurim që i pëlqente. Pastaj, kur u përball me një kockë të fortë si babai i Henrit ndërkohë që e dinte se ishte edhe babai i tij, në një farë mënyre i kishte dhënë të atit një shans për të thënë, “do të të pranoj, por nëse e bëj botërisht dhe ti qëndron këtu, ti do të rrënosh atë që i kam kushtuar jetën time, prandaj merre dashurinë time dhe largohu”, mendoj se Boni do ta kishte bërë. Por ky plak kishte frikë ta bënte. Dhe Boni e nxiste të sillej në mënyrë të vrazhdë me të, pjesërisht si hakmarrje ndaj mënyrës si e kishte trajtuar nënën e tij, të Bonit, derisa Boni u përfshi jashtëzakonisht shumë në atë histori. Pra, Boni e dinte që ishte zezak, por derisa e kuptoi se kjo ishte e rëndësishme për Satpenin, s’kishte qenë e rëndësishme për të. Ishte një zotëri, ishte rritur me të gjitha të mirat, ishte kulturuar, arsimuar shumë më mirë sesa Henri.

     A e donte Boni Xhuditën, apo…?

    Mendoj se po, mendoj se e donte. E dinte që nëse ajo do ta merrte vesh që ai ishte pjesërisht zezak, me arsimin dhe formimin që kishte do ta kishte shkatërruar edhe atë,

    Zoti Faulkner, a ka te “Absalom, Absalom!” ndonjë që rrëfen për Satpenin këndvështrimin e duhur, apo është pak a shumë si rasti i trembëdhjetë mënyrave për të parë një mëllenjë të zezë[1] ku asnjëra prej tyre s’është plotësisht e saktë?

    Është pikërisht kjo. Mendoj se asnjë individ s’mund ta shoh të vërtetën. Ajo të verbon. Ti këqyr nga nga ajo dhe sheh një fazë të saj. Dikush tjetër e këqyr dhe sheh një fazë paksa të shtrembëruar të saj. Por nëse merren së bashku, e vërteta është në atë që ata panë, megjithëse askush s’e pa të vërtetën e kulluar. Pra, këto janë të vërteta për sa i përket mënyrës si e panë zonjushë Roza dhe Kuentini. Babai i Kuentinit pa atë që ai besonte se ishte e vërtetë, kjo ishte gjithçka që pa. Por plaku ishte vetë pak më i madh për njerëz me shtatin e Kuentinit, zonjushë Rozës dhe zotit Kompson – për të parë gjithçka njëherësh. Do të ishte dashur ndoshta një person më i mençur, më tolerant ose më i ndjeshëm ose më mendimtar për ta parë atë ashtu siç ishte. Ishin, siç thoni ju, trembëdhjetë mënyra për të parë një mëllenjë të zezë. Por e vërteta, dua të mendoj se del kur lexuesi i ka lexuar të gjitha këto trembëdhjetë mënyra të ndryshme të shikimit të një mëllenje të zezë, kështu, lexuesi krijon imazhin e katërmbëdhjetë të asaj mëllenje të zezë, imazh i cili do të doja të mendoja se është e vërteta.

    Zoti Folkner, zoti Koldfild në “Absalom, Absalom!” mbyllet në papafingo kur fillon lufta midis shteteve. Tani, pse e bëri? Mos vallë sepse ishte një lloj kundërshtari i vetëdijshëm, apo sepse ishte pak ose shumë frikacak?

    Jo, ndoshta për shkak të skrupujve fetarë ishte kundërshtar i vetëdijshëm. Gjithashtu, ka shumë mundësi që ishte Unionist. Që e urrente kërcënimin për shpërbërjen e Unionit. Që s’kishte guximin e mjaftueshëm për të bërë diçka përveçse ta fshihte kokën si struci në rërë. Por mendoj se me shumë gjasë ishte Unionist. Ndoshta ngaqë kishte ardhur nga Tenesi lindor, ku njerëzit asokohe ishin unionistë. Ai kishte një traditë besnikërie ndaj Shteteve të Bashkuara ashtu siç ishin. Ata s’kishin asnjë traditë agrare në të cilën skllavëria ishte një pjesë e rëndësishme e saj.

    Zotëri, ndërsa lexojmë “Absalom, Absalom!” sa mund të ndiejë një lexues që është Kuentini, i njëjti Kuentin i romanit “Buja dhe tërbimi” – domethënë, një burrë që mendon për familjen e tij Kompson, për motrën e vet?

    Për mua, ai është i qëndrueshëm. Iu qas familjes Satpen me të njëjtën turbullirë shikimi që iu qas telasheve të veta, ai ndoshta s’pa kurrë asgjë shumë qartë, ajo që pa ishte vetëm një nga trembëdhjetë mënyrat për ta parë Satpenin dhe mënyra si e pa ai, mund të ketë qenë një nga më të gabuarat. Ndoshta shoku i tij Mekkenën rroku një pamje shumë më të vërtetë të Satpenit nga ajo që Kuentini i tregoi sesa vetë Kuentini.

    Por sidoqoftë është historia e Satpenit. S’është historia e Kuentinit.

    Jo, është historia e Satpenit. Por pastaj, sa herë që ndonjë personazh futet në një libër, sado i vogël qoftë, në të vërtetë tregon biografinë e tij – këtë e bëjnë të gjithë, flasin për veten me një mijë mënyra, por për veten. Kuentini ende po përpiqej që Perëndia t’i tregonte pse, te “Absalom, Absalom!” ashtu si edhe te “Buja dhe tërbimi.”

    A mund t’ju pyes se çfarë mendoni për Xhejms Xhojsin?

    Xhemjs Xhojsi ishte një nga njerëzit e mëdhenj të kohës sime. Ai ishte goditur me elektroshok nga zjarri hyjnor. Ai dhe Tomas Mani, ishin shkrimtarët e mëdhenj të kohës sime. Ai ndoshta ishte – mund të ketë qenë më i madhi, por ishte i goditur me elektroshok. Kishte më shumë talent sesa mund të kontrollonte…

    Në lidhje me këtë, do të doja të pyesja përse Misisipi duket shumë aktiv në aspektin letrar dhe megjithatë s’e gjejmë të njëjtin fenomen në Nju Xhersi.

    Epo, kjo ndodh për shkak se Misisipi është në Jug dhe Nju Xhersi është në Veri. Mendoj se gjëja më e mençur që çdo vend mund të bëjë kur ndodhet në çdo lloj vështirësie ekonomike është të zgjedh një vend të pasur dhe t’i shpallësh luftë, të tejkalosh problemin dhe pastaj të fitosh mbështetjen e tij. Njerëzit në Jug shkruajnë sepse Veriu na ka mbështetur që nga viti 1865. Kishim shumë kohë për të shkruar…

    Ai ishte “Absalom, Absalom!” roman shumë i vështirë për t’u shkruar?

    Po zonjushë, ishte i vështirë. Këtë roman e kam shkruar pas romanit më të vështirë “Buja dhe tërbimi”, me sa mbaj mend. Po, kam shkruar për një vit rresht dhe pastaj e ndërpreva dhe shkrova një libër tjetër, pastaj historia ende s’po më linte rehat dhe iu ktheva. Po, ishte shumë i vështirë. Shumë pjesë në këtë roman i kam rishkruar.


    [1] “Trembëdhjetë mënyra për të parë një mëllenjë të zezë” është një poezi nga libri i parë me poezi i Wallace Stevens, “Harmonium”. Poezia përbëhet nga trembëdhjetë pjesë të shkurtra, të ndara, secila prej të cilave në një farë mënyre flet për mëllenjën e zezë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË