More
    KreuIntervistaLuan Topçiu: Nuk mund të flasësh për historinë e një populli pa...

    Luan Topçiu: Nuk mund të flasësh për historinë e një populli pa marrë parasysh letërsinë dhe kulturën e tij

    Bisedoi Andreas Dushi

    A.D: Më 1919, historiani i njohur rumun Nicolae Iorga, kur do të shkruante “Brève histoire de l’Albanie et du peuple albanais”,  do të shprehte nevojën e botimit të një historie të letërsisë shqipe. Këtë nevojë e plotësoni ju, në vitin 2021 kur botuat studimin ”Istoria Literaturii Albaneze, de la origini până în prezent” (Historia e letërsisë shqipe nga zanafilla deri më sot). Punë e mundimshme, por edhe e bukur, apo jo? Gjithashtu, nismë vërtetë e guximshme, ndaj edhe më bën kureshtar shtysa… Çfarë ju shtyu ta ndërmerrni një të tillë nisëm?

    L.T: Historiani i njohur europian dhe miku i madh i shqiptarëve, Nicolae Iorga, në veprën e tij “Brève histoire de l’Albanie et du peuple albanais”, në përçapjen e tij për të ilustruar idenë e tij se shqiptarët, së bashku me baskët, janë nga popujt më të vjetër të Europës dhe se Shqipëria meriton të ketë shtetin e vet, ka sjellë dëshmi për trashëgiminë letrare të letërsisë shqiptare, por ka ndjerë mungesën e një informacioni të sistemuar. Nicolae Iorga donte të dëshmonte, përmes veprës së tij, se shqiptarët kanë një histori të lashtë, por edhe një histori të jetës shpirtërore që lidhet me kontinentin europian, sepse letërsia është enciklopedia e vërtetë e një populli, është jeta shpirtërore e tij, është historia e qenies kulturore. Me fjalë të tjera, nuk mund të flasësh për historinë e një populli pa marrë parasysh letërsinë dhe kulturën e tij. Mbas njëqind vjetësh kam kënaqësinë të sjell para lexuesit rumun, për të gjithë studiuesit e albanalogjisë,  për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare, një histori të detajuar të letërsisë shqipe.

    Shtysat e mia të para për të shkruar historinë e letërsisë shqiptare kanë filluar qysh nga viti 2005-2006, kur kam dhënë disa ligjërata për letërsinë shqipe në Universitetin e Tiranës, faculteti i Gjuhëve të Huaja, dega gjermanisht. Më pas, në vitin 2012 kam dhënë disa leksione të letërsisë shqipe, në rumanisht, si profesor i ftuar pranë Universitetit të Bukureshtit, në një master të quajtur “Studime kulturore ballkanike”. Fillimisht kam menduar të shkruaj një skicë të historisë së letërsisë për lexuesin rumun dhe leksionet ishin boceti i parë, që më pas, për interesa madhore, të një projekti shumë më të rëndësishëm, për krijimin e themeleve të albanologjisë në Rumani, u transformua në një vepër masive. Në kuadrin e Qendrës Kulturore Shqiptare në Bukuresht, kemi botuar gjithashtu një libër të përbashkët me historianin dhe shkrimtarin me origjinë shqiptare nga nëna, Dr. Liviu Lungu, “Historia e Shqipërisë në data” (2020). Gjithashtu, janë tre libra të albanologut Robert Elsie për Shqipërinë të përkthyera nga historiani i feve, Dr. Radu Savulescu, që presin dritën e botimit. Po kështu, janë në proces botimi dy fjalorë akademikë shqip-rumanisht dhe rumanisht-shqip, ku jam bashkëautor së bashku me bashkëshorten Dr. Renata Melonashi-Topçiu etj., pa harruar revistën kulturore dhe shkencore “Albanica”, e cila është kthyer në një hapësirë ku takohen të gjithë studiuesit që merren me albanologji. Si të thuash, Historia e letërsisë shqipe është pjesë e projektit ambicioz për ndërtimin e themeleve të albanologjisë në një vend mik siç është Rumania.

    Siç vetëkuptohet, të hartosh një histori letërsie pesë shekullore, është një “aventurë e shkrimit”, për vetë gjerësinë e informacionit, përmasat masive të veprës, vështirësitë e ndërtimit, kriteret e përzgjedhura, grupimin e materialit, për vetë zhvillimet e pazakonta të letërsisë shqipe, dramatizmin e saj, burimet heterogjene, mungesën e një historie të letërsisë shqipe aktuale dhe të depolitizuar, por edhe për shkak të politizimit të skajshëm të burimeve të informacionit, hirarkive të politizuara etj. Letërsia shqipe është shkruar në disa shtete të ndryshme, ku niveli i lirisë ka qenë i ndryshëm, është shkruar në dialekte të ndryshme, nën diktaturë, në çenzurë, në burgjet e tmerrshme komuniste, është shkruar në vise të ndryshme: Itali, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, SHBA, Rumani, Turqi, Bullgari, Egjipt etj., pra tabloja e saj është komplekse.

    A.D: Kriteret e hartimit të një historiografie letrare janë të diskutueshme. Në studimin tuaj, mbi ç’kritere përzgjedhëse e studimore jeni bazuar?

    L.T: Historia e letërsisë është një disiplinë me një fizionomi të posaçme, që ka mjetet e veta metodologjike, objektiva dhe qëllime të posaçme. Çdo hartim i historisë së letërsisë sjell me vete dhe diskutime, sepse, për nga vetë natyra e saj, zgjon debate, madje të ashpra. Historia letrare, fizionomia teorike e konceptit dhe statusi i disiplinës si e tillë nuk kanë pushuar së diskutuari, duke ndarë, nga njëra anë, historinë letrare nga kritika, por, nga ana tjetër, në një fazë tjetër të evolucionit të konceptit, duke ruajtur lidhjen e pazgjidhshme midis dy disiplinave. Ka shumë syresh, qysh nga mesi i shekullit të kaluar që madje mohojnë dhe nevojën e ekzistencës së historive të letërsisë.

    Studimi ka 15 kapituj kryesorë. Në këtë narracion historik përshkruhen rreth 5 shekuj letërsi. Lënda është përzgjedhur në bazë të kriterit të rrëfimit historik, i cili synon të japë disa koordinata aksiologjike, tematike, stilistike etj., të cilat, sigurisht, ilustrohen më mirë tek disa shkrimtarë sesa tek të tjerët. Çdo ndërtim/krijim mendor, në çdo lëmi, do të ishte ideale në se do të ndërtohej duke respektuar një kriter të vetëm, për të ruajtur koherencën e ndërtimit, qoftë atë kronologjik, apo atë të shkollave e drejtimeve letrare etj., por realisht e praktikisht është e pamundur. Duke pasur parasysh situatën historike dhe kulturore të shqiptarëve si dhe vetë zhvillimin e letërsisë, do të dilte një histori e cungët, e paplotë dhe e mangët. Të gjitha historitë letrare ëndërrojnë të jenë të pastra nga mëtimi dhe janë të papastra për nga natyra. Për të qenë konseguent me parimet e ndërtimit të saj, do të ishte ideale të respektoheshin kritere të papërzjerë, koherentë. Po lënda është johomogjene. Ndaj rrokja tërësore e saj, nuk mund të përmblidhet duke u bazuar vetëm tek disa kritere të pastra teorike.

    Në hartimin e kësaj vepre janë përdorur disa zgjidhje klasike: ndarja e evolucionit të letërsisë në shekuj, epoka (për periudhat më të hershme) ose breza shkrimtarësh, duke synuar edhe zhvillimin e letërsisë sipas zhanreve dhe llojeve letrare, temave dhe motiveve, por edhe ndërndikimet me letërsitë e tjera. Një strategji tjetër e ndjekur është përcaktimi i rrymave dhe grupeve kryesore kulturore, i cili funksionon plotësisht kur është fjala për letërsinë mesjetare, për humanizmin, romantizmin, letërsinë e bejtexhinjve, realizmin në shekujt vijues, për realizmin socialist, modernizmin dhe postmodernizmin në shekullin XX e XXI. Por, kur vjen fjala për letërsinë shqipe nuk mund të mos marrim në konsideratë çfarë shkruante profesor Eqrem Çabej në lidhje me kriteret e përzgjedhura në studimin e letërsisë shqipe, siç ishte ai i qarqeve kulturore dhe letrare, si qarku italo-shqiptar, qarku i letërsisë së veriut, apo qarku i letërsisë së jugut etj. Janë disa elementë, që të kashtosur, përcaktojnë rravën e formimit të shkrimtarisë. Duhet të thuhet që në fillim të herës se ky kriter nuk i kundërvihet aspak letërsisë kombëtare, përkundrazi plotëson më mirë tablonë.

    Përpos këtyre kritereve, të mirënjohura në hartimin e historive të letërsisë, duke qenë se lexuesi është i huaj, libri përmban edhe një vështrim imagologjik mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, mënyra se si e kanë perceptuar Shqipërinë albanologë dhe antropologë të huaj. Duke qenë se receptori i saj është lëçitësi i huaj, libri bazohet në tre kolona kryesore: konteksti historik, konteksti estetik dhe fragmente nga veprat, sipas rastit, nga poezia apo proza e disa prej autorëve. Kjo strukturë imponohet për ta bërë letërsinë të prekshme, më të lehtë për ta lexuar, më konkrete dhe më të asimilueshme. Pra, historia e letërsisë është një punë shumëvjeçare studimesh, botimesh, përkthimesh, të përmbledhura në një korpus madhor, e sendërtuar sipas disa kritereve bazë, të ndihmuara nga disa të tjera ndihmëse, për të hedhur dritë mbi gjithë peisazhin e letërsisë shqipe etj.

    Së fundmi, duke qenë i pamundur hartimi i historisë së letërsisë me të gjithë autorët e letërsisë shqipe të të gjitha kohërave, vjen në ndihmë një inventar i plotë i autorëve. Me fjalë të tjera, libri përmban edhe një kronologji të shpjeguar të letërsisë shqiptare, qysh nga zanafilla e saj dhe deri në vitin 2020, krahas analizës dhe shtjellimit të ecurisë të letërsisë shqipe në vite si dhe një bibliografi e zgjeruar, për të qenë sa më gjithëpërfshirëse.

    A.D: Hartimi i një historie të letërsisë shqipe mbetet temë e nxehtë në Shqipëri. Në universitete, mungesa e një të tille, të pranuar gjerësisht, ndihet e diskutohet. Mos ndoshta do të ishte më mirë sikur, përkarshi gjuhës rumune, “Historia e letërsisë shqipe nga zanafilla deri më sot” të botohej edhe në shqip?

    L.T: Debati mbi rishkrimin e Historisë së Letërsisë Shqipe nganjëherë bëhet tepër agresiv dhe ka shumë zëra që sugjerojnë sesi duhet të jetë kjo histori, çfarë kritere duhet të ndiqen si dhe gabimet eventuale. Kjo dukuri është e pranishme kahmos, jo vetëm në Shqipëri. Por, fatkeqësisht, në Shqipëri, ka vetëm debate, se si duhet të jetë historia e letërsisë, por nuk ka histori të letërsisë.

    Sigurisht, një agresion i tillë nuk ka asnjë lidhje me ndonjë çështje të hartimit të një historie të letërsisë në ndonjë kulturë. Në shumicën e rasteve, roli i historianëve të letërsisë, kritikëve dhe studiuesve letrarë zëvendësohet nga gazetarë që përdorin letërsinë ose shkrimtarët për të transmetuar lajme “të bujshme”. Disa nga gazetarët e sotëm, duke mos qenë specialistë në fushën e historisë dhe teorisë letrare, bëjnë gjykime sipërfaqësore dhe krejtësisht të gabuara. Ato mbartin të metat karakteristike të shtypit si nguti, mungesa e kulturës, mungesa e respektit, të qenit të sipërfaqshëm, shija banale, ndonjëherë keqinformimi dhe gënjeshtra, por edhe impulsi për të bërë gjykime të nxituara në fushën e letërsisë dhe arteve. Duke qenë dhe vend i vogël, në mënyrë të pashmangshme, ekzistojnë dhe simptoma të një provincializmi kulturor, ndarja në grupime e tarafe, klane krahinore, imponime të dhunshme etj.

    Është shumë e rëndësishme të kuptohet sot që rishikimi i Historisë së Letërsisë Shqipe duhet të bëhet jo vetëm për arsye ideologjike, thjesht duke ndryshuar perspektivën ideologjike, por për një numër arsyesh shkencore. Ideologjizimi është, në fakt, mohim, mungesë e vështrimit të nuancuar, është, në fund të fundit, mosnjohja e thelbit të letërsisë! Kështu, tekstet e trashëguara vuajnë nga dogmatizimi i tepruar, nga një deformim i rrjedhës historike të produktit letrar, i cili dëshmon mungesën e kompetencës.

    Siç mund të shihet, problemet janë serioze, shumë specifike dhe komplekse aq sa të zgjidhen shpejt. Mungesa e produkteve konkrete, përshtjellimi në lidhje me kriteret që duhet të zbatohen në një ndërtim të tillë kulturor, amatorizmi, guximi për të hyrë në fusha specifike shkencore pa trajnimin dhe informacionin e nevojshëm, janë po aq të dëmshëm dhe shtrembërues sa kriteri politik, që ishte kriteri i vetëm në historiografinë komuniste. Përmbysja e regjimit komunist ringjalli kritikat ndaj historiografisë shqiptare dhe, në veçanti, përpjekjet për të propozuar kritere dhe metoda të reja. Është e pafalshme që ende nuk ekziston një histori e letërsisë shqipe e shkruar në Shqipëri, ku të përfshihen në të: Gjergj Fishta, Faik Konica, Martin Camaj, Kasem Trebeshina, Frederik Rreshpja, Et’hem Haxhiademi, Arshi Pipa, Visar Zhiti, Bilal Xhaferri e shumë të tjerë.

    Duhet të përfshihen autorë të cilët, për arsye politike, u lanë jashtë historive të letërsisë, në tekstet pas viteve 1950 dhe polemikat e shkaktuara tashmë nga kriteri sociologjik, historiko-kulturor i bashkërendimit të historive të letërsisë shqipe. Ajo që më duket më trishtueshme sot, është një “ristaurim” i përdhunshëm i hirearkisë së periudhës komuniste dhe mohimi, në mënyrë të nënkuptuar, i aradhës së shkrimtarëve të mohuar, harruar, që duhet të zënë vendet e nderit në letërsinë shqipe.

    Çfarë po ndodh në historinë letrare shqiptare sot, cilat janë shanset për të zhvilluar këtë disiplinë në të ardhmen? Është e pamundur të shmangësh letërsinë e krijuar në burgjet shqiptare, letërsinë e “sertareve”, letërsinë e ndaluar dhe të pabotuar. Nuk besoj se ka në gjithë botën një letërsi aq dramatike, aq shumë gjak dhe vuajtje për lirinë dhe bukurinë e fjalës, për gjuhën shqipe. Aq shumë shkrimtarë të pushkatuar, të burgosur, të poshtëruar, të mohuar.

    A.D: Vihet re se studimi, njëkohshëm me ndjekjen e një rendi kronologjik, ndërtohet edhe mbi vështrime krahasimtare brenda letërsisë shqipe, por edhe në raport me letërsitë e tjera? Ç’dallime e ç’të përbashkëta dalin, në plan të gjerë, nga kjo qasje?

    L.T: “Historia e letërsisë shqipe nga zanafilla deri më sot” është shkruar, në mënyrë të pashmangshme, dhe në rrafshin krahasimtar brënda letërsisë shqipe, por edhe në raport me letërsitë e tjera, veçanërisht me ato ballkanike, por dhe europiane. Përpos analizave, ideve kritike, interpretimeve, jepet një hierarki e propozuar e vlerave dhe një vizion i përgjithshëm i letërsisë shqiptare si letërsi europiane.

    Shkrimtarët shqiptarë, në mënyrë të pashmangshme janë ndikuar nga autorë, nga drejtime letrare, nga fryma që ka ekzistuar në letërsi të tjera (por dhe brenda letërsisë shqipe) me të cilat kanë pasur kontakte, qoftë gjuhësore, qoftë për shkak të formimit në këto vende. Letërsia e Rilindjes Kombëtare ishte një letërsi me trajta romantike, e stimuluar nga konteksti politik e social i vendit, po aq edhe nga fryma nacionaliste e letërsive të Ballkanit, ku kishin shpërthyer levizjet për pavarësi. Për këtë arsye qe një letërsi që interferoi me letërsitë brenda dhe jashtë rajonit, duke manifestuar disa tipare të përbashkëta.  

    Natyrisht, duke qenë se historia e letërsisë shqiptare i drejtohet lexuesit rumun, janë nxjerrë në pah elementet e përbashkëta me autorë të letërsisë rumune, përkime në evolucionin stilistik të disa autorëve shqiptarë që jetuan dhe shkruan në Rumani. Shumë syresh, ndonëse kanë shkruar në gjuhën shqipe, janë shumë pranë “matricës kulturore rumune”.  Sigurisht kam nxjerrë në pah rolin e botimeve në Rumani dhe rëndësinë e komunitetit shqiptar të Rumanisë, veçanërisht në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe më pas.

    A.D: Periudha në të cilën shtrihet studimi juaj fillon qysh nga ilirët e vijon deri në ditët e sotshme. Cilat janë referencat kryesore historike e shkencore që ju kanë ndihmuar gjatë punës tuaj?

    L.T: Burimet e studimit janë në rradhë të parë studimet shqiptare, pastaj ato rumune dhe të huaja. Pa mëdyshje, janë të gjitha tekstet e historisë së letërsisë shqipe, studimet mbi periudha të ndryshme, studimet tematike e monografike nga autorët tanë. Burimet e studimit i kam përdorur edhe në mënyrë aktive. Por, sigurisht, kur është fjala për interpretimin e veprës, anën kritike të këtij materiali, risinë dhe vendin që zë një shkrimtar në këtë histori letërsie, janë, më së shumti, vetjake. Duhet të them se qëllimi im nuk ka qenë të shkruaja një vepër të përkryer, bazuar mbi kritere puritane skolastike dhe shterpë, por një tekst të gjallë, dinamik, sepse unë nuk përfaqësoj një autor abstrakt, të përjetshëm, nuk ekziston një njësi matëse universale në gjykimin e letërsisë, por gjykimet e mia janë bërë në bazë të lëçitjeve të mia, të kompetencës sime, shijes letrare etj.

    A.D: Në letërsinë dhe gjuhën shqipe, një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe shqiptarët e Rumanisë, veçanërisht gjatë shekullit XIX. Çfarë vendi zënë ata në “Historia e letërsisë shqipe nga zanafilla deri më sot”?

    L.T: Ky botim fiton një rëndësi të veçantë edhe për faktin se, në një masë të konsiderueshme, letërsia shqipe ka lidhje me Rumaninë, me komunitetin shqiptar të Rumanisë, por edhe me vetë letërsinë rumune. Dihet se letërsia shqipe nuk u shkrua vetëm në Shqipëri, por edhe në hapësira të tjera kulturore, ndërkohë që një pjesë e veprave të rëndësishme të kësaj letërsie kanë parë dritën e botimit në Rumani dhe vende të tjera të Europës dhe më gjërë. Në Rumani janë botuar që nga abetare dhe tekste mësimorë, letërsi e mirëfilltë, drama, përkthime letrare, gazeta e revista të panumurta.

    A.D: Prania e tyre në studim është një lloj nxitjeje edhe për lexuesit e studiuesit rumunë?

    L.T: Është, sigurisht, një arsye më shumë, që kjo histori letërsi të zgjojë kureshtjen e lexuesit rumun dhe interesin shkencor të studiuesve rumunë. Letërsia shqiptare është një letërsi e një populli të lashtë europian, me plot konvergime e paralele, simbole e shenja historike e kulturore të përbashkëta me popujt e tjerë europianë.

    A.D: Përtej kësaj, në tërësi, si është pritur nga bota akademike ky studim?

    L.T: Ky libër studimor sapo ka dalë, por pritshmëria është e madhe. Menjëherë u dha një njoftim në televizionin kombëtar rumun TVR1. Në rradhë të parë, sepse është botimi i parë i këtij lloji. Personalisht kam ndjerë nevojën e shkrimit të këtij libri, sepse atmosfera kulturore e këtushme e ka kërkuar, sepse kam qenë i nxitur dhe i vlerësuar nga kolegë shkrimtarë dhe studiues të letërsisë dhe dashamirës të kulturës shqiptare në veçanti, sepse kam pasur përkrahjen dhe motivimin e miqve të mi për të kurorëzuar këtë projekt që kërkon shumë mund, ngulmim dhe shumë durim.

    A.D: Ju shkruani në dy gjuhë, shqip dhe rumanisht e gjithashtu, përktheni nga njëra në tjetrën, ku secila mund të jetë edhe njëra, edhe tjetra. Në ç’mënyrë bashkëjetojnë këto dy gjuhë brenda jush?

    L.T: Të qenit dygjuhësh në kohët tona nuk është një dukuri e izoluar për shkrimtarët shqiptarë. Shkrimi në një gjuhë tjetër është një veprim që lidhet me mërgimin, me shkëputjen nga matrica. Ky lloj mërgimi, sot, është një short kulturor i modernitetit. Të them të drejtën, në një kohë kur dhe jetën fizike e kam ndarë midis dy vendeve, e thënë metaforikisht, nuk jetoj në asnjë qytet apo fshat, por jetoj në këto dy gjuhë. Kam një numër librash në shqip dhe një numër librash në rumanisht. I ndodhur në këtë hipostazë e shikon veten si një urë midis këtyre kulturave, letërsive. 

    A.D: Lexuesit shqiptar i keni dhënë disa nga penat më të shquara rumune e njëkohësisht, atij rumun disa nga emrat më të mirë të letërsisë shqipe. Në të dyja anët, si priten letërsitë respektive, pra në Shqipëri ajo rumune dhe në Rumani ajo shqipe?

    L.T: Gjithmonë do të ekzistojë një interes dhe kërshëri e lexuesit të huaj për të njohur tjetrin. Një nga mënyrat më të mira është përkthimi i shkrimtarëve më përfaqësues të një kulture kombëtare. Jam autori i një antologjie të poezisë shqipe në rumanisht, në të cilën kam përfshirë, në një rend historik, poetët më në zë shqiptarë. Antologjia fillon me disa fragmente të përkthyera nga letërsia gojore shqiptare, nga baladat, që mendoj, se plotësojnë fizionominë e kësaj poezie. Kam përkthyer nga De Rada, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Migjeni, Martin Camaj,  Ismail Kadare, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Visar Zhiti, Xhevahir Spahiu, Frederik Rreshpja, Agim Isaku, Bardhyl Londo, Ilirjan Zhupa, Agron Tufa e shumë të tjerë. Janë botuar dy vëllime me poezi dhe një roman nga Visar Zhiti, të cilat konsiderohen si befasi të mëdha për lëçitësin rumun dhe kanë hyrë në vëmendjen e kritikës. Po kështu, kam përkthyer prozë shqipe nga prozatorë të mirënjohur shqiptarë, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Agim Isaku, Visar Zhiti, Besnik Mustafaj, etj. Kurse për lexuesin shqiptar kam ofruar autorët rumunë të rangut të parë si poetin e madh rumun, Lucian Blaga, shkrimtarin dhe filozofin rumun, Emil Cioran, poetin kombëtar Mihai Eminescu, poetë bashkëkohorë, shumë të vlerësuar si: Nichita Stănescu, Ana Blandiana, George Bacovia, Cezar Ivănescu, Gabriel Chifu, Linda Maria Baros etj.

    Përkthimi i një shkrimtari të rëndësishëm në një hapësirë tjetër kulturore bëhet pjesë e kulturës së atij vendi. Kur edhe përkthimi arrin nivelin e pritshmërisë, atëhere shanset që një libër i përkthyer të zgjojë interes dhe të asimilohet nga lexuesi i huaj janë të mëdha. Besoj se librat që kam përkthyer kanë pasur rastin të mirëpriten dhe të botohen nga shtëpi botuese me emër në të dyja vendet. 

    A.D: Ju, sikurse e cekëm edhe pak më lart, jeni edhe kryeredaktor i një reviste albanologjike, “Albanica” e cila botohet në Rumani. Cilat janë temat apo problematikat kryesore që ajo trajton dhe në ç’lamie ndihmon plotësimin e tablosë së kulturës shqiptare?

    L.T: Revista “Albanica”, revistë shkencore dhe kulturore, është organ i Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë. Ndodhet në shtyp numri 11 i saj. Revista është semestrale me rreth 250 faqe. Ilustrohet dhe me vepra arti, vizatime dhe grafika të piktorëve shqiptarë dhe rumunë. Emri i revistës ringjallet pas 83 vjetësh. Dr. Anton B.I. Balota, në vitin 1936, botoi revistën “Albanica” në Bukuresht, një revistë që propozonte, atëbotë, të ishte një nismëtare në filologjinë shqiptare. Fatkeqësisht, kjo nismë nuk pati vazhdimësi…Pas 83 vjetësh, me një frymë të re, u rimorr ky projekt i pezulluar në histori. Qëllimi i ringjalljes së “Albanica-s” është botimi i teksteve të rëndësishme, shkruar nga autorë rumunë, shqiptarë e të huaj që lidhen me gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, me komunitetin shqiptar të Rumanisë dhe personalitetet e tij, me historinë e Shqipërisë, me marrëdhëniet e ngushta rumuno-shqiptare, duke përfshirë histori, letërsi, gjuhësi, antropologji, spiritualitet, sociologji, filozofi, muzikologji, arte etj. “Albanica” mbledh rreth vetes të gjitha forcat shkencore universitare si dhe forcat krijuese përfaqësuese të letërsisë dhe artit shqiptar dhe të albanologëve të huaj. Ajo u drejtohet elitave të Rumanisë, universitarëve dhe studiuesve të këtij vendi, të gjithë atyre që janë të interesuar për të njohur në mënyrë të thelluar kulturën dhe spiritualitetin shqiptar, përtej Shqipërisë së sotme, me historinë, antropologjinë, artin, gjuhësinë, letërsinë etj. Kështu, autorët e botuar janë personalitete të botës shkencore të djeshme dhe të sotme: Nicolae Iorga, B.P. Hașdeu, Sextil Pușcariu, Aurel Candrea, Gr. Brâncuș, Eqrem Çabej,  Robert Elsie,  Faik Domenik Konitza,  Nilo Borgia, Lasgush Poradeci, Gisel Vahnese, Simon Sebag Montefiore, Margaret Hasluck, Anton Balotă, Alexandru Balaci, Paul Stahl, Victor Eftimiu, Stefan Zweig,  Cătălina Vătășescu, Mircea Muthu, Matteo Mandalà, Stoica Lascu, Bardhyl Demiraj, Daniel-Cristea Enache, Ina Arapi, Liviu Lungu, Radu-Cosmin Săvulescu, Constantin Scurtu, Manuela Nevaci, Dorian Koçi, Lavinia Dumitrașcu, Don Lush Gjergji, Marius Chelaru, Renata Topciu Melonashi, Daniela-Carmen Stoica, Holta Sina, Neli Naço, Piro Gaqi,  etj. Kemi botuar medalione poetike për: Nënë Terezën, poetët Mihai Eminescu, Nichita Stănescu, Lucian Blaga, Cezar Ivănescu, Ana Blandiana Linda Maria Baros dhe poetë shqiptarë bashkëkohorë: Visar Zhiti, Luljeta Lleshanaku, Fatos Arapi, Bardhyl Londo etj. Gjithashtu kemi botuar prozë shqipe: Ismail Kadare, Mitrush Kuteli, Visar Zhiti, Agim Isaku, Thanas Medi, Ylljet Aliçkaj, Jusuf Buxhovi   etj. Revista përmban Dossiere për Aleksander Moisiun, Gjon Milin, Edward Lear-n, Victor Eftimiun, Cezar Ivănescun etj. Faqet e revistës janë ilustruar me vepra të Ibrahim Kodrës, Abdurrahim Buzës, Guri Madhit,  Gentian Zekës etj. si dhe nga piktorët e shquar rumunë: Corneliu Baba, Marcel Iancu, Iosif Iser, Alexandru Ciucurencu, Ion Țuculescu, Nicolae Dărăscu, Lucian Grigorescu, Dan Ercianu etj,  

    A.D: Prej vitesh tanimë, ju jetoni në Rumani. Besoj se mund të na thoni nëse ka pika përputhjeje mes kulturës dhe konteksteve shqiptare me ato rumune? Po qe se po, cilat janë?

    L.T: Shqiptarët dhe rumunët janë ndër popujt më të vjetër të rajonit dhe Europës, me një histori të lashtë bashkëpunimi, shkëmbimesh, madje edhe bashkëjetese në periudha të gjata historike. Ekzistenca në të njëjtat kushte historike (pushtimi romak, bizantin, otoman, komunizmi dhe më pas periudha e tranzicioit drejt një sistemi demokratik) si dhe afërsia gjeografike, kanë rezultuar edhe në tipare të përbashkëta antropologjike dhe kulturore. Fondi i përbashkët gjuhësor në shqip e rumanisht është një dëshmi reale e kësaj bashkëjetese në një kuadër historik më të gjërë. Afiniteti shfaqet në të gjitha rrafshet e jetës materiale e shpirtërore, në letërsinë gojore, por edhe në atë të lavruar. Kështu që ekzitojnë të gjitha gjasat që edhe prodhimi letrar dhe artistik në përgjithësi të ketë pika takimi, tematika sigurisht, me nuancat përkatëse origjinale, varësisht nga aspektet specifike shoqërore, politike të akëcilit vend dhe nga ndikimet e ushtruara nga kultura e tjera fqinje ose jo.   

    A.D: A është i ndjeshëm ndikimi i pranisë së një komuniteti shqiptar atje në diversitetin kulturor rumun?

    L.T: Prania e shqiptarëve në tokën rumune ka një histori të pasur. Fisërimi historik, gjuhësor dhe shpirtëror, si dhe afërsia gjeografike, i bëri shqiptarët të vendosen në veri të Danubit që nga periudha mesjetare. Shqiptarët ishin tregtarë të mirë, por edhe ushtarë të aftë. Më vonë u krijua një shtresë intelektualësh shqiptarë që u integruan shpejt në jetën e Trevave Rumune. Pas vitit 1990, me kalimin në regjimin demokratik, shqiptarët në Rumani filluan të rizbulojnë dhe të riafirmojnë identitetin e tyre, të ndihmuar nga politika e shtetit rumun ndaj pakicave kombëtare. Dua të theksoj se të gjitha botimet, përfshi dhe revistën “Albanica”, financohen nga shteti rumun. Viteve të fundit, falë punës së shoqatës së shqiptarëve (ALAR), qendrës kulturore shqiptare, kultura shqiptare është gjithmonë e më e respektuar dhe e pranishme.

    Shumë faleminderit!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË