More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ubla e princeshës", fragment romani nga Mehmet Kraja

    “Ubla e princeshës”, fragment romani nga Mehmet Kraja

    I

    Para se të binte mbrëmja, tej Qafës së Ljares qielli u duk i kthjellët dhe i largët, edhe mbi liqen ishte po ai qiell, vetëm se atje ngjante disi i ngrirë dhe i ftohtë, si i veshur me akull, teksa pak më vonë, se nga dolën ca re të holla dhe e mbuluan me vransim lindjen dhe perëndimin, u duk sikur stinët u ndërruan përnjëherësh dhe papritmas u bë vjeshtë, disa çaste më vonë retë u dendësuan, u bënë të turbullta dhe më të errëta dhe po nga ajo anë doli një natë e ngrysur, e cila nga dita e shkuar mori vetëm përzierjen e reve dhe ca hije të tejdukshme, qielli mbi liqen së pari u zhduk dhe në vend të tij, nga fundi i errët, doli një turbullirë vjeshtore, u ngjit përpjetë dhe u përzije me natën, liqenin e përpiu errësira dhe befas u zhduk. Nata dhe qielli morën ujanën e turbullt dhe filluan të hidhnin rrëke e shtrëngatë mbi male dhe shkëmbinj, mbi rrugina dhe monopate, mbi shkurre dhe lisa.

    Përnjëherësh u bë vjeshtë dhe nata e parë e asaj stine solli mbi katundet e Krajës së Epërme shi e fërtymë.

    Kur dolën në një qafë mali dhe prapa lanë një pjesë të asaj nate vjeshtore, të pesë vetat, që kishin shaluar pesë mushka të zeza, u ndalën dhe u mblodhën kokë më kokë dhe seç i thanë njëri-tjetrit, nëpër atë fishkëllimë ere dhe nëpër atë shtrëngatë nuk mund të dëgjohej se çfarë thoshin dhe dukej se as ata nuk merreshin vesh mes veti, dikur nisën të thërrisnin me zëra të fortë, përsëri nuk u dëgjua asgjë, përveç shtrëngatës dhe erës, njëri syresh tregoi me dorë një monopat të ngushtë, që zhdukej në natë dy-tre hapa më tej. Nga ajo anë u nis kalorësi i parë dhe u zhduk në errësirë, edhe katër të tjerët u zhdukën pas tij dhe, kur vetëtima ndriti qiell e tokë, të pesë vetat që kishin shaluar pesë mushka të zeza u dukën edhe një herë. Pastaj humbën. Nuk u dukën, as u dëgjuan më.

    II

    Ishte po ajo natë dhe po ajo vjeshtë, e cila e mbuloi katundin tonë me erë dhe shtrëngatë, me vetëtima që shqyenin qiellin në një mijë vende dhe që andej rridhnin rrëke të panumërta. Tre veta atëbotë ishin strukur nën strehën e Kishës së Shna Ndout dhe me sy të ngrirë shikonin natën e përzier me shi dhe vetëtima.

    A po ndini ju çka ndiej ù, tha njëri prej tyre, ai ra përmbys mbi ujë e mbi baltë dhe ia vuri veshin tokës.

    Asnjëri nuk iu përgjigj. E ju, a po shihni çka po shoh ù?

    I treti, që rrinte midis të dyve, po ashtu i strukur nën strehën e kishës, tha, as po shoh, as po ndiej gja, sytë m’i verbuon këto vetëtima dhe veshët m’u shurdhuon prej shungullimave e rr’feve.

    I pari dëgjonte tri ditë rrugë larg edhe përtej fishkëllimës së erës dhe fërtymës; i dyti shihte tri ditë rrugë larg edhe përtej natës dhe errësirës; ndërsa i treti as shihte e as dëgjonte aq larg, por nga ato që i thoshin dy të tjerët merrte vesh se ç’gjëra bluanin në kokë ata që bënin rrugë aq të largët, për të arritur aty.

    Era m’i sjell do zana, tha i pari, që thërrasin nëpër natë, megjithëqë nuk e dinë se kujt i thërrasin, kurse unë, tha i dyti, as vetë nuk e di se çka po shoh, por po shoh një njeri që ka shaluo një mushkë të zezë dhe ecë nëpër natë, pa e dijtë se ku po shkon, katër tjerë, që aq shumë duken si ai, i shkojnë mbrapa pa thanë asgja.

    Ti ndigjo ma mirë se çka thonë, tha ai që as shihte e as dëgjonte, kurse ti më kallëzo se si duken këta kalorës të panjohun që e paskan humbë rrugën, i pari përsëri u shtri mbi ujë e baltë dhe ia vuri veshin tokës, nuk ndigjoj asgja, tha, vetëm thirrjet e tyne vijnë deri këtu janë aq afër por nuk e di çka thonë, herë m’duken si hije e herë m’duken si njerëz, tha i dyti, janë afër i shoh por nuk e di kush janë.

    Eeeh, tha i treti me ankim, çka me ba unë që nuk shoh e as ndigjoj as aq sa shihni e ndigjoni ju por ti që ndijen aq larg m’kallëzo a fryn erë dhe a ban shtrëngatë edhe atje njisoj si këtu, po, tha ai, thirrjet e tyne përzihen me erën, e ti që sheh aq larg, më thuaj, a bën natë edhe atje njësoj si këtu dhe vetëtimat edhe atje a e çajnë qiellin, po, atëherë ikim, tha ai që as dëgjonte e as shihte sa dy të tjerët, por nga ato që i rrëfenin ata, merrte vesh se çfarë ndodhte në të katër anët e botës, ata e paskan humbë rrugën dhe kërkojnë ndihmë që të shpëtojnë nga kjo natë dhe ne do të jemi të parët me të cilët do të takohen.

    Pak çaste më vonë ata nuk ishin më nën strehën e kishës, nuk u panë se nga shkuan dhe ku u futën.

    Kliko për ta blerë

    III

    Shtrëngata ulëriti tërë natën, ajo ngjante me një të lajthitur, i cili në çastin e marrëzisë zë e çirret dhe bërtet dhe me gishtërinj e me thonj gërvisht fytyrën e vet, fyt e kraharor; e herë tjetër ajo ngjante me egërsirën që hakërrohej dhe donte ta shqyente edhe errësirën, bashkë me të edhe katundin e vogël të strukur në luginë.

    Ata që fjetën atë natë, panë ëndërr gjëra të frikshme, e ata që nuk fjetën, panë dhe dëgjuan gjëra edhe më të frikshme, se nga kishte dalë atë natë një si kuçedër dhe hidhte nga mali dhè e gurë dhe donte t’i bënte rrafsh kodra e lugina, ndërsa një drangua, i cili prej kohësh kishte qenë i fjetur aty në rrëzë, qe zgjuar nga ajo batërdi dhe tani i qe ngjitur shpatit përpjetë dhe atje lart mbi kreshta kishte filluar ajo mundja e tmerrshme, e cila paskësh zgjatur deri kishte rënë mbi dhè drita e parë e mëngjesit. Këtë ëndërr u duk se e panë të gjithë ata që fjetën atë natë, kurse ata që e kishin bërë natën pa asnjë pikë gjumë, thoshin se me sytë e tyre e kishin parë atë mundje dhe krejt qartë i kishin dëgjuar gjëmë e britma.

    Më afër rrugës, e cila kalonte pranë katundit, e kishte shtëpinë Mark Junku, e ai as fjeti atë natë dhe as u ndal të dëgjonte zërat e frikshëm të shtrëngatës. Atij iu duk se për një çast, përmes asaj ulërime, dëgjoi ca thirrje të largëta, që përsëriteshin kohë më kohë. Ç’zë e ç’njeri mund të ishte ai që thërriste nëpër një natë të këtillë? Mbajti vesh dhe dëgjoi për një kohë të gjatë, thirrjet nuk u shpeshtuan, por nuk u bënë as më të rralla; nuk u afruan, por nuk u bënë as më të largëta.

    Mark Junku u mbështoll me një rrogoz dhe bëri të dilte jashtë, por nata e mbushur erë, shi e vetëtima iu përplas në fytyrë dhe e bëri të mërdhinte, Zot i madh, tha me vete, çfarë nate, u kthye brenda, u shtri dhe po me atë rrogoz u mbulua përsëri. Për herë të parë i erdh keq që shtëpinë e kishte afër rrugës, se, nuk thoshin kot, një e tillë shtëpi sy e veshë i ka gjithmonë andej.

    Pak më vonë shtrëngata u bë më e fortë dhe zërat nuk u dëgjuan më, Mark Junku përsëri mbajti vesh t’i dëgjonte rrapëllimat e njohura të kalimtarëve, të cilëve u rastiste që këtë rrugë ta bënin edhe natën, por përveç zhurmës së shtrëngatës, nuk dëgjoi gjë tjetër, atëherë u vesh me të shpejtë dhe doli, nuk diti nga t’ia mbante, sepse mund të ndodhte që furtuna ta përplaste diku dhe ai të mos ngrihej më, sepse Mark Junku nuk ishte as i fortë dhe as i ri, siç kishte qenë dikur, vetëm se ai kishte dëgjuar nëpër natë ca zëra, ca si thirrje dhe, meqë ato thirrje edhe nëpër një natë si kjo arrinte t’i dëgjonte, ata që thërritnin nuk mund të ishin aq larg. Eh, sikur Kisha e Shna Ndout të kishte kambanë! Sa e sa herë kishte thënë Mark Junku se kisha pa kambanë ishte si njeriu pa gojë.

    Nga këto mendime e ndau po ajo thirrje, që disa çaste më parë i dukej se vinte nga larg, kurse tashti e dëgjoi qartë, në vete disi i erdh mirë që nuk doli i gënjyer në këtë punë, dhe menjëherë, aty në oborr të kishës, iu shfaqën para sysh ca si kalorës a hije kalorësish, që u dukën dhe u zhdukën përsëri, priti që vetëtima ta ndriste sërish oborrin e kishës, ajo e çau qiellin dhe hodhi mbi dhè një dritë të kaltërreme, po, kalorësit ishin aty, rrinin si të ngrirë dhe Mark Junkut iu duk sikur ata papandehur i mbuloi një flakë e blertë, pastaj u zhdukën sërish. Njëri prej tyre, ai që dukej se kishte zë më të fortë, thirri: O-eee! Asgjë tjetër nuk dëgjoi Mark Junku. Kush jeni ju dhe çka kërkoni këtu? Mark Junku thirri me zë të fortë dhe me të folmen e tij të Ljares e Shestanit.

    Asnjeri nuk iu përgjigj, tani Mark Junku foli me vete, ç’është kështu, Zot i madh, mos më bëjnë veshët dhe sytë më mashtrojnë, por ai e dinte se kalorësit ishin aty, vetëm se nata për një çast i kishte fshehur nga sytë e tij.

    Edhe kur u afrua pranë tyre, edhe kur e zuri për kapistre njërën nga mushkat, dhe e tërhoqi nga oborri i vet, edhe kur u futën në shtëpi dhe kur i pa nga afër fytyrat e tyre dhe i pyeti për të dytën dhe për të tretën herë se kush ishin, ata nuk i thanë asgjë, madje asnjëri prej tyre nuk e hapi gojën të thoshte diçka, njëri seç kishte një plagë në këmbë dhe herë pas here rënkonte mbyturazi, por këtë e bënte disi fshehtas, duke shtrënguar dhëmbët, që t’i dilte zëri sa më i dobët, ndërsa Mark Junku pa se në sytë e të gjithëve ende bënte natë, një natë e frikshme, e mbushur vetëtima dhe shtrëngatë.

    Kur u futën në oborrin e tij, Mark Junku pa se ishin pesë, se që të pestët mbanin pelerina të zeza, e edhe mushkat e tyre ishin gjithashtu të zeza.

    IV

    Dita e nesërme u duk se erdh më vonë se rëndom, toka ngjante e lodhur, tani shtrihej si e alivanosur dhe merrte frymë me zor, mbi kreshtat e maleve retë ende rrinin pezull, e shikonin me mëri katundin e strukur përposh shpateve të zhveshur, gjurmët e asaj mundjes së frikshme, e cila kishte zgjatur tërë natën midis kuçedrës dhe dragoit dukeshin gjithkund, përrenjtë dhe rrëketë kishin prerë kryq e tërthor çdo rrugicë e çdo shteg dhe ngjanin me ca gërvishtje të thella, që ende e bënin tokën të rënkonte. Vetëm ca gjurmë mushkash, të cilat kishin kaluar nga oborri i kishës dhe ishin futur te konaku i Mark Junkut, nuk kishin arritur t’i fshinin plotësisht rrëketë e fundit të shtrëngatës.

    Meqë mua më pëlqenin siç tregoheshin rrëfimet në anët tona, atëherë një rrëfim i tillë do të sajohej afërsisht kështu: Kalorësit që u futën në konakun e Mark Junkut nuk i pa askush, por hijet e tyre së pari i panë zogjtë e malit, të cilët se ku e kishin kaluar mbrëmë natën dhe tani gjithandej degëve të pyllit aty afër shpupurisnin pendlat e tyre të ngjyrshme, zogjtë e malit cicëronin dhe cicërimën e tyre e dëgjoi era e lehtë e mëngjesit, e cila ende frynte pas shtrëngatës së mbrëmshme, dhe ajo erë e lehtë e mëngjesit pëshpëriti dhe pëshpëritja e saj iku tejanës (kështu do të rrëfehej në anët tona), dhe kur u duk se nuk do të kthehej më, u dëgjua sërish të fëshfërinte dhe po me atë fëshfëritje të erës u dha lajmi se në shtëpinë e Mark Junkut mbrëmë natën, nëpër shtrëngatë e nëpër fërtymë, ishin futur pesë veta, se ata njerëz nuk ishin futur fshehurazi, por as nuk dolën që t’i shihte dikush, ndërkohë që pëshpëritja e erës arriti deri te veshët e Dardhojmelit, i cili, posa dëgjoi sa thuhej për ndodhinë e mbrëmshme, u vesh e u ngjesh, mbërtheu shpatën dhe vuri parzmoren dhe u nis rrugës që çonte në lindje të katundit, atje ku ishte Kisha e Shna Ndout dhe afër saj konaku i Mark Junkut.

    Tani dihet se rrugës Dardhojmeli trokiti edhe në dy shtëpi të tjera dhe, kur u bë vetë i tretë, u afrua te oborri i kullës së Junkajve dhe që andej thirri me zë të fortë e të rëndë: (Dardhojmeli foli me Mark Junkun ashtu siç këndohet në këngët për të, me një ‘uo’ të rëndë e të thellë, si gropë që shkon deri në fund të tokës, ashtu siç flitet edhe sot në Brisk, Ljare e Shestan, ndërsa unë e kam parë të arsyeshme që këtë të folme ta ndryshoj pak, ta zbres nga malet, ta çoj deri afër Shkodrës, për aq sa rrëfimi të mos mbetet matanë mjegullës së dendur të kohëve të shkuara.)

    Pra, Dardhojmeli thirri me një zë të fortë e të rëndë, o Mark Junku, dil o burrë se e kemi nji fjalë me ty!

    Por Mark Junku nuk doli dhe nga konaku nuk u dëgjua ndonjë zë, edhe kulla heshte, dhe dukej si e braktisur, sikur nuk kishte brenda asnjë frymë njeriu.

    Atëherë Dardhojmeli thirri për herë të dytë dhe po ato fjalë i tha me zë të fortë dhe të rëndë, dhe atëherë, pikërisht atëherë, iu duk se dera që nxirrte në hajat u hap për një çast, se atje pa një shtat të hedhur vajze, po, po, kështu pëlqehet të rrëfehet te ne, asaj vajzës Dardhojmeli ia pa edhe balluket si krah dallëndysheje dhe një “tring!” i kërciti në kraharor!

    Duan të thonë se Dardhojmeli, edhe pas asaj që pa, nuk e bëri veten, por thirri për të tretën herë, dhe tha: A isht dikush i gjallë kët vend e, nëse nuk isht, a gjindet dikush që na thotë se ç’mordje ishte ajo që paska ra dhe të gjithë i paska farue deri në nji!

    Fjalë të randa po thua more djalë, ia bëri Mark Junku me të dalë nën strehë.

    Dardhojmeli e ndjeu veten ngushtë, sepse nuk priti as kësaj here të dilte njeri dhe t’i përgjigjej thirrjes së tij, dhe, pasi u përmbime zor, i foli Mark Junkut, se ç’ma kapi veshi, o Mark Junku, se në konak mbajte njerëz të panjohur dhe se ua hape zemrën njësoj siç ua hape derën, Mark Junku iu përgjigj, do fjalë i ke ndigjuo mirë, o djalë, por do nuk t’i paska kapë veshi si duhet! Kush ishin ata, pyeti Dardhojmeli, ti e di mirë, o Mark Junku, se Prijësi mua më ka ngarkuo këtë detyrë të randë, që me dijtë e me mësuo se kush vjen e kush del nga tokat tona.

    Mark Junku tani u bë i rëndë nga çehrja dhe nga fjalët, i thuaj Prijësit kur të piqesh me të, tha ai, se Mark Junku nuk tradhtoi dhe nuk i shkeli rregullat e tij.

    Dardhojmeli përsëri e ndjeu veten ngushtë dhe e pa se që në fillim ishte ngutur, pastaj, seç ishte ajo figurë vajze që iu shfaq përsëri dhe sërish bëri që t’i sëmbonte në kraharor, mirë, mirë, tha Dardhojmeli me zë më të butë, po cilët janë këta që mbramë kërkuan konak dhe e gjetën konakun në kullën tande?

    Mark Junku nuk u zbut as nga zëri as nga fjalët e Dardhojmelit, e kush pra, tha, nuk i njoh dhe nuk ua di emnat, nata i gjeti në rrugë dhe shtrëngata bani ta humbin atë, si të pushojnë pak dhe ta marrin veten prapë, kam me i nxjerrë në rrugë dhe me iu thanë udha e mbarë.

    Dardhojmeli uli kokën dhe, duke murmuritur diçka me vete, doli nga oborri i konakut të Mark Junkut, prapa i shkonin të heshtur dy shokët e tij, të veshur e të mbathur njësoj si ai, vetëm që ata, në vend të shpatave, në brez mbanin nga një këlliç të shkurtër.

    Fragment nga romani “Sëmundja e ëndrrave”, 2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË