More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKosovare Krasniqi: Gjuha romanore e Petrit Palushit - Dashuri, tradhti, dhembje dhe...

    Kosovare Krasniqi: Gjuha romanore e Petrit Palushit – Dashuri, tradhti, dhembje dhe vetmi

    (Ermelinda Kashah “Proza e Petrit Palushit” Monografi, Lumbardhi, Prizren 2021)

    Libri studimor “Proza e Petrit Palushit” i studiueses Ermelinda Kashah është studim mbi një personalitet të rëndësishëm të letrave shqipe.

    Ermelinda Kashah përveç që është profesoreshë e Universitetit të Gjirokastrës “Eqrem Çabej”, është e njohur edhe si studiuese e letërsisë shqipe, sepse është autore e shumë titujvestudimorë, të publikuar brenda dhe jashtë vendit.

    Krijimtaria e romansierit Petrit Palushit është ndër të veçantat në letërsinë shqipe, dhe rruga shkencore që studiuesja Ermelinda Kashah ndjek, është të shpalosë botën krijuese të tij, e cila shpërfaqet kryesisht në fushën e romanit.

    Jo pak here e pyesim veten si studiues, si do ta gjykojë lexuesi punën tonë studimore?

    Dhe, përgjigjja e një pyetje të tillë është kjo:Vlera e një studiuesi qëndron gjithnjë në zbulimin e një diçkaje që e veçon shkrimtarin nga shkrimtarët tjerë.

    Dhe, cila është vlera e autorit Petrit Palushi si shkrimtar?

    Trajtimit dhe studimit të krijimtarisë së romancierit Petrit Palushi, studiuesja Kashah i qaset me mjaft kujdes dhe nga këndvështrime të ndryshme.

    Në monografinë gjithëpërfshirëse të krijimtarisë së Palushit, studiuesja sjell të dhëna me interes për lexuesin, e gjithashtu lexuesi njihet me një vepër origjinale për romansierin  Palushi.

    Ajo që e bën artin të veçantë, mendoj se është qartësia e mendimit. Kjo është arsyeja pse studiuesja duke ecur nëpër krijimtarinë romanore të Palushit thotë se, arti i romanit të Palushit, është art i pastër dhe jep ide origjinale. Për më tutje, studiuesja shton se, letërsia e shkrimtarit Palushi, është shpërthim i përjetimeve emocionale, që derdhet përmes një ligjërimi gati të figurshëm, por jo mbi koncepte teorike, dhe jo krijimi një egoje “eksperimentale”.

    Metodat e studimit të cilat studiuesja zgjedh t’i përdorë, janë krahasuese e cilësore, pastaj metoda e mbledhjes së të dhënave, si, kërkimet shkencore e konferencat kombëtare, duke dashur që origjinaliteti të jetë tipari që e karakterizon librin.

    Struktura dhe rrjedha e librit

    Struktura mbi të cilën studiuesja Kashah ka ndërtuar kornizën e librit, mund të konsiderohet si studim gjithëpërfshirës i krijimtarisë së Petrit Palushit. Kjo strukturë e librit në fjalë, vështrohet edhe nga prizmi i studiueses Klara Kodra, e cila sa i përket krijimtarisë së shkrimtarit Palushi dhe studimit të studiueses Kashah, thotë: “Autorja e punimit ndalet edhe në meritat e Petrit Palushit si kritik dhe eseist letrar. Merita kryesore e autores është ajo e qarjes së një toke gati të virgjër. Ermelinda, pse jo gjithashtu, përpiqet të tregohet origjinale dhe objektive”. Pra, edhe pse Palushi është mjeshtri i cili krijon rrëfenja dhe me këmbëngulje e kultivon prozën, ku edhe mbetet prozator deri në fund, dhe i dalluar në fushën e romanit, studiuesja Kashah nuk e veçon, andaj shprehet: “Shkrimtarin Petrit Palushin e vlerësova si prozator cilësor në krejt plotëninë e vet letrare” (Kashah, 2021:16)

    Një pasqyrë e romaneve

    Me temat që trajton shkrimtari në romanet e tij, pastaj me mënyrën si e formëson lëndën në romanet, dhe me gjuhën dhe stilin e tij të veçantë të tij, proza e Petrit Palushit e nxit lexuesin të përsiasë për të, të mendojë më thellë, por edhe kritikën të gjykojë për këtë vepër, për secilën veç e veç, por edhe si vepër në tërësi.

    Mprehtësia e shkrimtarit të mbështetet në imagjinatën dhe i lindur në një mjedis ku realiteti bëhet një me botën e legjendave, duke shfrytëzuar këtë botë, krijon një prozë moderne. Studimi i profesoreshës Kashahi trajton pikërisht këto romane me vlerë dhe siç e mendon ajo,“Shkrimtari Petrit Palushi hyri në letërsi siç hyn një studiues me rrëfime madhështore të ideve. Hyri me tema që hasen shpesh, si ajo e artit të bukur, për të mbërritur drejt një pjekurie problematike dhe të kuptueshme, drejt një humanizmi të ri që konsiston në pranimin e vetëdijshëm të jetës”.(Kashah, 2021:26)

    Dhe, si gjithnjë kur kemi pranë monografinë gjithëpërfshirëse të krijimtarisë së Palushit, pyetja që do lindë përnjëhershëm në laboratorin e kokës tonë është, çfarë kanë në qendër të subjektit romanet, pastaj si ecën autori në trajektoren romanore të tij me strukturën dhe mikrostrukturën e prozës së tij?

    Profesoreshë Ermelinda në monografinë e saj është përpjekur të na sjellë të gjitha përgjigjet lidhur me këtë çështje, për të cilën pse-të ekzistojnë.

    Lidhja e studiueses me shkrimtarin Palushi u nxit nga një libër i vetëm, “Artemisa e mëkatit”, dhe kërkimi i saj në zgjidhjen e pse-së në romanet e autorit Palushi kishte filluar sapo kishte lexuar romanin. Në subjektin e kësaj vepre paraqitet bota e femrës dhe jeta erotike e saj. Autori, Artemisën e portretizon me simpati, por edhe me vërtetësinë më të pamëshirshme. Sipas studiueses, me ardhjen e kësaj vepre vjen edhe një prozator i fuqishëm, por edhe me ç’segment elegant e narrativ, ajo thotë:“Romani është shkruar me elegancë, ka një ndërthurje të narracionit, meditimeve digresioneve, imazhit shpëtimtar ndaj imazhit të rremë”.(Kashah, 2021:45)

    Shkrimtari Palushi parapëlqen që në romanet e tij të subjektizohen anët e errëta të sistemit komunist, dhe jeta nën diktaturën e egër komuniste janë kryesisht temat të cilat trajtohen në veprën e tij krijuese. Tema dhe probleme tjera njerëzore, si mungesa e lirisë së fjalës, ndalimi i religjionit, varfëria e skajshme, mungesat më elementare në një kohë kur mund të thuhet se edhe ëndrrat ishin të ndaluara dhe që shpërfaqen në pjesën dërrmuese të romaneve të tij, janë trajtuar nga studiuesja Kashah. Ajo jep një analizë të shkëlqyeshme të një vizioni të veçantë,kur bën prezantimin mbi atmosferën ku zhvillohen ngjarjet e romaneve. Autori është shumë realist, dhe bota tematike e ngjarjeve në romane përshkruhet pa u dhënë shumë anë të ndritshme apo të errëta, shumë të ëmbla apo shume të hidhura, shumë serioze dhe shumë ironike, pra jep jetën me nota reale të saj, pa anuar nga asnjëra anë – as nga ajo e keqja e as nga ajo e mira, gjithnjë shkon në një mjedis gri. Pra, një analizë e tillë do të fokusohet edhe brenda kornizës së këtij studimi,“Shkrimtari prek konceptin e tij për kohën, të tashmen historike, ose të tashmen e amshueshme , e cila qëndron aty ku priten boshti i kohës dhe i hapësirës reale me boshtin e kohës dhe hapësirës ireale. Koha në veprën e autorit nuk është vetëm gjykim vlerëmatës, edhe pse vetë zgjedhja e temave dhe e autorëve përmban në vetvete parapëlqimin dhe nevojën e domosdoshme të gjetjes së vendndodhjes në strukturën e sistemit tonë letrar”. (Kashah, 2021:27)

    Për të arritur mendimin esencial në vëmendjen e lexuesit për një autor dhe krijimtarinë e tij, metoda krahasuese është materiali më i përshtatshëm. Dhe, Ermelinda si në një formë të pyetjes, na thotë,Gjithmonë një studiues gjatë leximit zbulon të përbashkët atdhe të veçantat që ky ka me shkrimtarë tjerë; ç’rëndësi ka se të kujt drejtim janë, modernistë, postmodernistë apo realistë. Megjithëse, gjykimi kritik i saj na shpije te një autor, romanet e të cilit janë balada për dashurinë dhe jetën në tërësinë ë vet. (Kashah, 2021:65).

    Gjithashtu, një element i cili kërkon vëmendje të veçantë dhe që është në harmoni me veprimin shkencor, të cilin studiuesja Kashah vë në dukje, është edhe elementi publicistik i këtij autori. Pikërisht për këtë arsye studimi plotësohet edhe me fjalët e studiuesit Prof. Dr. Zeqir Kadriu, cili e mbështet idenë se, “Me shumë përkushtim profesoresha Ermelinda Kashah vë në dukje elementin publicistik të këtij shkrimtari, i cili është në harmoni me veprimin shkencor apo atë analitik, duke i dhënë këtij punimi monografik vlerën e këtij botimi të formatit të gjerë”. Unë mendoj se kritika e vërtetë i kushton rëndësi edhe intervistës me autorin, dhe në librin në fjalë nuk mungon një dialog kritik i tillë, nga biseda me të cilin ne mësojmë për surpriza të rëndësishme e gjëra interesante.

    Edhe kritikët tjerë letrare nuk kanë kursyer lavdet për romansierin Palushi. “Opinione të kritikëve dhe studiuesve shqiptar” është pjesa ku kritika shqipe jep një pasqyrë koncize dhe shumë informuese të zhvillimit të artit të autorit. Emrat më të njohur kritik të krijimtarisë së Palushit janë: Vath Koreshi, Sali Bytyçi, Abdullah Konushevci, Arta Marku, Ahmet Selmani, Prend Buzhala e shumë të tjerët cilët përmenden në libër.

    Përfundim

    Në këtë monografi për veprën letrare të shkrimtarit shqiptar Petrit Palushi, Ermelinda na shpjegon se pse Palushi është shkrimtari i saj i përzgjedhur dhe pse vlerëson ajo veprat e këtij shkrimtari.“Pasi lexova veprat e shkrimtarit, kuptova se sistemi i ideve të tij është i mirëngritur, funksional dhe i specializuar fakte këto që ndriçojnë dhe tërheqin mendjen e lexuesit” (Kashah, 2021:24). I tërë arti i shkrimtarit dëshmohet në fjalët e saj.

    Bota e romancierit ka forcën të bëjë vetëm me kënaqësinë e të treguarit. E frymëzuar nga një shkrimtar, romansier, i cili në krijimtarinë e tij, përveç lëvizjes në realitet të personazheve, merr krahë fuqishëm edhe fantazia,studiuesja krijon një përshtypje të fuqishme dhe një admirim për profesionalizmin e autorit. Për këtë Ermelinda thotë: “Një nga intencat e këtij studimi, është edhe trajtimi i lidhshmërisë, apo bashkëjetesës së koncepteve kohë dhe hapësirë në letërsi. Letërsia shpreh kohen ose alegorinë e kohësisë. Koha sillet në raportet hapësinore shkak-pasoje, në raportet kuantifikuese, prandaj edhe vepra është refleksion i saj më i thellë”.(Kashah, 2021:74).

    Do ta përfundoja duke shtuar se studimi “Proza e Petrit Palushit”, i studiueses Ermelinda, është një e arritur dhe me vlerë studimore, studim për një autor, i cili fuqishëm jep mesazhin e veprave të tij, në të cilat temë mbi temat mbetet liria e individit dhe dashuria e tij ndaj njeriut.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË