More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një natë për burrin", tregim nga Shqiponja Axhami

    “Një natë për burrin”, tregim nga Shqiponja Axhami

    Mbështjellë në një batanije leshi, Rexha ndjente vapë. Kur Zoica dhe tri gratë e tjera të tij kaluan dhe kthesën e fundit të rrugës, ai e kuptoi se kishin mbërritur tek varrezat. Disa metra para se të futeshe në varreza, rruga nuk kishte gropa.

    Që do të mbështillej në një batanije leshi, që do të mbahej nga katër gratë e tij dhe do të dërgohej në mes të varrezave, tek një varr pa emër, këtë nuk e kishte parë as në ëndrrën më të frikshme. Por, siç i thonë një fjale, nevoja të sprovon dhe më strofullën e dreqit. Ai kishte dyzet vite martesë dhe nuk ngjizi që nuk ngjizi dot një trashëgimtar. Në të ri qe martuar si gjithë të rinjtë e moshës së tij me Zoicën, një vajzë e urtë nga Mëhalla e Endësve. Por, pas njëzet vitesh, i vrerosur që barku i saj po dilte shterp, i tha të atit që duhej ta zgjidhnin këtë punë. Në atë kohë, nëse gruaja dilte shterpë, burri kishte të drejtë të martohej prapë. Martesa e dytë e Rexhës e dogji si gacë shpirtin e Zoicës, por nuk kishte rrugë tjetër. Të kthehej tek shpia e të atit as që bëhej fjalë. Nami që qe shterpë do të përhapej si flamë e keqe dhe do t’i duhej të martohej me ndonjë plak. Veç kësaj, ajo e donte me shpirt Rexhën.

    Për fat të keq, as me Fatën, as me Gjylën dhe as me Mrikën, gruan e katërt, ai nuk ngjizi që nuk ngjizi dot një fëmijë. Zoica këndellej gëzimit sa herë që gratë e reja të të shoqit i përgjigjeshin: “Nuk ka gjë në torbë as këtë herë”.

    Kur dhe Mrika, vajza e re që plakun Rexhë e mori nga zori, ngaqë syri i majtë i saj qe pak më i vogël se i djathti dhe asnjë djalë  i moshës së saj nuk ia hidhte sytë, nuk u ngjiz, Rexha u bind që fajin e kishte vetë. Nuk la spital e mjek pa vajtur, por qe ekotë.

    I dëshpëruar dhe mbushur me mllef, megjithëse zor se gjendeshin në atë kohë, mori fshat më fshat hoxhallarë, por as kjo nuk i bëri punë. Kur të gjitha i kishte provuar, nuk kishte mbetur më asnjë shpresë dhe kishte ditë që nuk dilte as nga shtëpia, në fshat u hap lajmi se një plakë që jetonte e vetme në një fshat të përtejqafës bënte çudira. Ajo na paskësh mahnitur të gjithë, sepse, nusen e Dinit që e kapte herë-herë epilepsia, na e paskësh shëruar me një të fryrë të ujit. Por jo vetëm kaq, edhe djalin e Dan mullixhiut e paskësh ngritur nga krevati. Ky i fundit, prej vitesh nuk prekte tokën me këmbë, sepse sipas tij, toka qe mbushur me gjarpërinj dhe akrepa. Madje thuhej se me magjitë e sajkishtë bërë një lopë të pillte dy viça dhe, burrat e mbaruar që kishin vite pa u afruar me një grua, i shndërronte në hamshorë të hazdisur.

    Tek kjo plakë Rexhën e bindi që të shkonte Zoica. Plaka, një grua e kërrusur, me fytyrë të sertë, që nuk të shikonte kurrë në sy, pasi fryu një polik me ujë në prag të derës, urdhëroi që Rexhën ta mbështillin në batanije dhe ta shtrinin në varreza, tek një varr pa

    emër. Rrugës, katër gratë e tij do ta mbanin peshë, nuk do t’i flisnin dhe nuk do t’i jepnin asgjë, edhe sikur ai të kërkonte gjësendi.

    Kur mbërritën në varrezë, Rexha psherëtiu i gufatur vape dhe fshiu djersët që i rridhnin çurg. Zoica i afroi buzëve polikun me ujë dhe urdhëroi të tjerat që të gjenin ndonjë varr të vjetër, që nuk i dihej emri. Pas pak, Rexhën e shtrinë në një varr të sheshuar, gati njësh me tokën dhe katër gratë mbështetën kokën mbi trupin e tij, ashtu siç i kishte porositur plaka, duke përsëritur tri herë fjalët: “Varri i paemër, na sill një emër. ”Më pas Rexha prapë do të mbështillej në batanije, por deri në mes të udhës, bri një arre të vjetër. Aty do të dilte mbështjellës dhe poshtë arrës do të thërriste tri herë: “Njeri! Njeri! Njeri!”

    Mirëpo as pas kësaj nate dhe as pas mbarimit të ujit, që Rexha e piu për dy muaj, nuk ngjizi dot asnjërën nga gratë. Rregulli që të flinte me to ishte i tillë: ai linte nallanet e veta para derës së asaj me të cilën do të kalonte natën. Filloi me Zoicën, megjithëse ajo i kishte kaluar të pesëdhjetat, vazhdoi me Fatmën, Gjylën dhe sosi me Mrikën e re, por qe e kotë. Rexha jo vetëm që nuk ngjizi asnjërën prej tyre, por as të bënte dashuri siç bënte tjera herë, nuk mundi dot. Sapo ato futeshin në dhomë, atë e kapte një siklet, një zjarrmi, si ajo kur e mbështollën mes batanijes dhe mbytej nëdjersë.

    Pikëllimi nisi ta brente çdo ditë e më shumë. Ndihej i zemëruar me veten, i inatosur me krejt botën. Dhe tërë helmin e mbledhur në shpirt ia nxirrte kalit të tij të vjetër, që hingëllinte sikur tallej sa herë që ai përpiqej të ngushëllonte gratë e tij.

    Mllefi ndaj kalit arriti deri aty sa, thuajse çdo mëngjes, dilte duke turfulluar nga dhoma, hynte në stallë dhe e dërmonte kalin në hu. Disa herë Zoica e kishte ndjekur pas dhe qe përpjekur ta ndalte, por qe e kotë. Mbi kalin e gjorë Rexha nxirrte gjithë mllefin e dështimeve të tij.

    Në fakt, kali qe shumë i vjetër, dhëmbët e poshtëm i kishin rënë dhe për më tepër gratë i vinin pesha të lehta, që nga dita kur, në mes të fshatit, ai u plandos gati i ngordhur dhe thasët me drithë që mbante në kurriz u grisën, misri i derdhur zverdhi dhenë.

    I dërrmuar nga dëshpërimi, duke ngrënë nga pak sa të mbante shpirtin, Rexha erdhi u sos, mbeti kockë e lëkurë. Dëshira që të flinte me gratë pothuajse i kishte ikur krejt. Nallanet nuk i linte më tek asnjëra nga dhomat e tyre, por i vinte si pa zhurmë përpara derës së nevojtores. Një natë, kur pas gjelit të parë hingëlliu gjatë dhe kali, ai doli vrulltas nga dhoma, zbriti në stallë dhe e tërhoqi më forcë dhe mllef.

    Zoica që e ndiqte nga pas, i ulëriu:

    “Do e mbysësh, ç’dreqin ke në mendje?”

    Rexha, me një zë të çuditshëm dhe sy të zgurdulluar, ia ktheu: “Do shkoj ta shes! Nuk e duroj dot më coftinën!”

    Kali nxori një hingëllimë të mbytur.

    Pazari i kafshëve ishte në krye të një tatëpjete dhe Rexha mezi e sosi rrugën. Si ai, si kali, qenë të dërrmuar. Sapo disa fshatarë iu afruan ta pyesnin për çmimin, nuk e zgjati shumë me ta, por e shiti për dy para, aq lirë sa shitej një dele. Kur i lëshoi frerët në duart e blerësit, kali hingëlliu i lehtësuar.

    Rexha i hodhi një shikim përbuzës kafshës që sapo ua pati dorëzuar të huajve dhe mori teposhtën i lehtësuar.

    Kur sosi në mes të rrugës, bri arrës së madhe, u ul të pushonte. Kishte ditë që bënte një gjumë të keq dhe hante vetëm pak supë tërshëre, që së fundmi Zoica ia gatuante keq, nga mllefi që nallanet i vinte vetëm para derës së nevojtores. Kur ndjeu freskinë e hijes së arrës, iu kujtua vetja i vogël. Rrëshqiste tirqit me arna në degët e saj, kur fshihej shkopit të gjatë të nënëlokes, që e shponte nga poshtë të zbriste, sepse ishte vonë për në shkollë. Njëherë pati marrë dy vezë nga një fole zogjsh dhe e ëma i tha duke turfulluar se do të ishte i mallkuar gjithë jetën. U ndërmend se atë ditë, kur mbërriti në shkollë, një mësuese e shëmtuar me fytyrë burri e nxori para klase të vizatonte një dre dhe shokët u zgërdhinë me duart e tij të zeza nga lëvozhgat e arrës.

    Një herë tjetër erdhi i ati me kalin, që atëherë ishte i ri, e mori duke e shpullisur dhe kapur për veshi, ngaqë kishte lënë dhentë pa zot, bri Përroit të Dreqit. Kur iu shfaq si nëpër mjegull dita e parë që kishte parë Zoicën në Lugun e Shelgjeve, ku prisnin degë për Ditën e Verës, e këputi gjumi.

    Në ëndërr iu shfaq arkëmorti i vet.

    Në arkëmort nuk ishte aq terr. Ai dëgjonte zërat e grave që e qanin, ndërsa Zoica e vajtonte.

    Na le krahun thatë burro, oii Na le shtratin thatë burro, oii Na le trupin akull burro, oii

    Nuk është zakon që një grua të vajtojë burrin, por ja që ajo e çmendura po e bënte.

    “Moj ju marrtë dreqi, se më turpëruat! Kushedi sa burra janë në varrim!” bërtiti me të madhe brenda arkëmortit.

    Por Zoica nuk e dëgjonte. Pas saj, fjalët e vajit përsëriteshin nga të tri gratë e tjera.

    Rexha sa nuk po pëlciste nga inati dhe turpi. Ndjente nga thellësia e brinjëve një përvëlim, më keq se ai i batanijes. Donte të bërtiste, por nuk mundej. Arkëmorti ishte i rëndë dhe për më keq, me material hekuri. Pas vajit, gratë e lëshuan në gropë. Ai e kuptoi këtë, ngaqë trupi i peshoi poshtë dhe një –oi e Mrikës ndihej më e largët. Kur preku në tokë, kutia e hekurit lëshoi një tingull acarues, që të shurdhonte. Ai mezi i kuptonte gjysmëfjalitë e grave, që, si duket, vendosën t’i hidhnin sipër nga një plaçkë si kujtim.

    “Unë do t’i jap me vete jelekun”, tha mes lotëve Zoica.

    Qe një jelek i punuar me vekë me lloj–lloj ngjyrash, që Zoica e kishte veshur ditën e dasmës. Gratë e tjera heshtën dhe nuk nxorën asnjë fjalë. Si duket, nuk kishin marrë asgjë me vete si shenjë kujtimi. Në momentet e fundit, kur Rexha po e ndjente edhe më frikën e territ, mungesën e ajrit dhe kur qe i bindur se tani gratë do t’i hidhnin dheun, zëri i Mrikës çau heshtjen, si piskamëqyqeje:

    “Daleni, kam dhe unë diçka!”

    Rexha dëgjoi sipër vetes zhurmën tipike të diçkaje, që ai i njihte fort mirë: ishin nallanet. Kur tingulli i tyre me faqet e hekurta të arkëmortit i shpoi jo vetëm veshin, por dhe shpirtin, shtati i kërceu përpjetë, i doli gjumi.

    Muzgu kishte përndezur rrethinat dhe degët e arrës dukeshin si pëllëmbë tëhapura varur në ajri. Një shpend i frikshëm përpëliti flatrat midis degëve ë arrës me zhurmë dhe ndërsa atij i oshëtiu veshëve një fjalë që e mbante mend fort mirë kur e patën çuar pranë varrit të paemër: Njeri! Njeri!Njeri!…

    U ngrit dhe, me hap të shpejtë, mori gjysmën e rrugës së mbetur. Ngjyrat e atij muzgu i zbusnin pak shpirtin, duke i kujtuar jelekun e endur në vekë të Zoicës. E kishte marrë dhe uria.

    Katër gratë zgurdulluan sytë kur e panë të shfaqej në derë. Rexha dukej njëzet vjet më i ri, ngjante i përtërirë vrullshëm, sikur brenda tij digjej një zjarr i fshehtë.

    Pa i kushtuar vëmendje habisë së grave, Rexha ulëriti: “Më sillni për të ngrënë! Po më grijnë zorrët!”

    Katër gratë nxituan të shtronin sofrën. I sollën djathë, bukë të sapogatuar, turshi, një shpatull qingji të pjekur dhe një tas të madh më kos deleje. Nuk e kishin parë prej vitesh të hante me aq oreks e babëzi. Si mbaroi bukën, shkoi dhe mori nallanet që i kishte lënë mbrëmjen e djeshme para derës së banjos dhe i vendosi para pragut të Zoicës. Por këtë veprim e kreu ngadalë e me ceremoni, që gratë ta shihnin mirë se çfarë po bënte. Gratë u çelën në fytyrë dhe ia ngulën sytë me zili Zoicës.

    Zoica nuk e zgjati. U tha natën e mirë tri grave të tjera dhe shkoi në dhomën e vet.

    Edhe tri gratë e tjera bënë të njëjtën gjë, duke i lëshuar një “natën e mirë” të thatë Rexhës, që as e mori mundimin t’ua kthente.

    Pas tyre u ngrit dhe Rexha, që u fut pa zhurmë në dhomën e Zoicës. Pas pak shtrati i vjetër i Zoicës zuri të kërciste, sikur do të thyhej. Të trija gratë e tjera hapën dyert e dhomave dhe po përgjonin në errësirë atë që po ndodhte. Shtrati vazhdonte të lëshonte tinguj të çjerrë, dëgjoheshin rënkime të njëpasnjëshme, psherëtima. Pas njëfarë kohe, dëgjuan Zoicën që thoshte me zë të mbytur: “Dua, por nuk mundem. Dua, po s’mundem më.”

    Dëgjuan dikë që u ngrit nga shtrati dhe të tri gratë u futën shpejt e shpejt në dhoma.

    Pas njëfarë kohe, tingujt mbytës, rënkimet dhe psherëtimat e kënaqësisë erdhën nga dhoma e Fatës. Fata lëshonte ca klithma me zë të mbytur, sikur e kishte ngjeshur pëllëmbën e dorës pas gojës. Pastaj u dëgjua një oooooh e zgjatur që në atë shtëpi nuk ishte dëgjuar kurrë. Fata e kalamendur nuk e kontrollonte më veten.

    Natën vonë, Mrika dëgjoi përgjumësh rënkimet e mbytura që vinin nga dhoma e Gjylës. Nuk ngjanin me rënkime njerëzore, po me murmurimat e mbytura të një shtaze në agoni.

    E përhumbur, Mrika nuk e kuptonte se çfarë po ndodhte asaj nate. U kthye në anën tjetër dhe preku me bulat e gishtërinjve faqen e ftohtë të murit. U rrënqeth. Po unë, unë, unë? i klithte vajtueshëm një zë i brendshëm.

    Atëkohë u hap dera dhe hyri Rexha.

    “Mjalti për në fund”, tha duke u futur në shtratin e saj krejt lakuriq. Mrikës ia shpoi hundët një kundërmim i çuditshëm. Përveç aromës së thartë prej burri të Rexhës, në atë kundërmim ishin dhe aromat e tri grave të tjera. Ky kundërmim i ngjalli një eksitim të papërmbajtshëm. Bënë dashuri deri në dalëdritë, kur ylli i fundit po shuhej në qiellin e perëndimit. Rexha u ngrit dhe shkoi në kuzhinë, ndërsa Mrikën e këputi një gjumë i thellë.

    Kur gratë u ngritën nga gjumi, diku afër mesditës, e gjetën Rexhën të shtrirë në divan, të ftohtë akull. Me siguri kishte dhënë shpirt herët në mëngjes, se shtati i kishte ngrirë.

    Vaji dhe dhimbja e grave vazhdoi për ditë e javë të tëra. Vetëm pas katër muajsh, kur Zoica u tha tri grave të tjera se ishte shtatzënë, ato shpërthyen në lot gëzimi dhe pohuan se edhe ato mbanin fëmijët e Rexhës në bark.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË