More
    KreuLetërsiShënime mbi libraShaban Murati: Identiteti i së përgjithshmes

    Shaban Murati: Identiteti i së përgjithshmes

    Vëllimi “Mëkat i trilluar” noton në ujërat e pjekurisë, e krijmtarisë së poetit dhe shkrimtarit, dramaturgut, përkthyesit Resul Shabani . Hulumtimi i shpirtit dhe i fjalës në poezinë e Resul Shabanit është veprim e kërkim poetik prej një poeti që e njeh dhe ndjehet në poezi si në shtëpinë e tij, që din ku të kërkojë e të gjejë atë që don, që din si dhe ku të zbukurojë, që din kur  dhe sa të trishtohet apo psherëtijë. Poezia e Resul Shabanit është poezi e mendimit të thellë, meditativ e emocional paralelisht, që kërkon angazhimin e kritikës për zbërthimin e vlerave të saj. Unë do të cek disa tipare, të cilat më tërhoqën më shumë në këtë vëllim dhe që natyrisht nuk janë as të vetmet dhe as më të plotmet e “Mëkati i trilluar” . Një tipar poetik që bie në sy është identiteti i së përgjithshmes. Njihet se në shtjellimin poetik e veçanta, e përveçmja, që sjellin edhe impresionet e ngacmimet e para të drejtpërdrejta, janë më të lehta në kompenzim dhe asimilim. E përgjithshmja e konkretizuar, është më e vështirë dhe ajo kërkon dhunti e mjeshtri poeti. Gurë, liqej, pyll, dru, dhimbje, ka kudo  në poezinë shqipe, të vjetër e të re. Por tek Resul Shabani, siç ndodh edhe me shumë poetë të shquar, ndjehet qartë se ato janë pjesë dhe simbol i qenies së tij personale dhe kombëtare. Ai ndjen, kupton e zbërthen shqip, gëzohet, trishtohet, filozofon shqip. Nga ky vizion i parë i së përgjithshmes së konkretizuar ai gjen pastaj dyert për t’u shpërndarë në përgjithësimet e mëparshme mbi kombet, mbi kufijt, mbi kohët.

    Për poetin çdo gjë është rebus. Edhe e kaluara: qoftë në kohë, qoftë në vend. Po e kaluara tek “Mëkati i trilluar” është vazhdimësi pa fund, siç e kërkon arti i mjeshtrisë poetike. Tek Resul Shabani nuk ka toponim në vjershat. Në një rrethanë kjo mund të jetë dobësi, në një rrethanë tjetër (sado absurde të duket) është pikërisht toponimi. Poeti “përpëlitet të shkruajë dhembjen e vetë me shkrimin e palexueshëm të testamentit e asgjësë”, po lexuesi e sheh dhe e ndjen se ato janë  nëntë plagët e Gjergj Elez Alisë, tek Mani i Kalishtit lëkunden armët e Pal Golemit, tek Ura e Strugës gjen urën e Qabesë dhe të Bunës, te kisha e nuses së vëllait gjen Doruntinën. Poeti arrin përmes artit të tij të rafinuar poetik njësinë shpirtërore me popullin, me racën, me ekzistencën dhe, me ferrin dhe parajsën e popullit që i takon.

    Vëllimi “Mëkati i trilluar” kapërthehet nga nje nerv i tendosur i kërkimit poetik në gjithë vargun , figuracionin, organizimin e fjalorin e vet poetik . Resul Shabani nuk është poeti i thinjur mbi artin poetik, që vetëm shfleton albumin e kujtimeve dhe interpretimeve të tij. Ai kërkon pa-jada, hap dyer, çan fjalë e shqyen kuptime, zbërthen edhe tinguj edhe heshtje, nuk është i kënaqur dhe kjo forcë e brendshme e shpirtit poetik e bën atë të lëvizë, të kërkojë, të konfigurojë një poezi që paraqet nivele.

    Resul Shabani duke qenë i lindur dhe dashuruar me liqenin, shpesh identifikohet me të nga kritika. Kjo është arritje dhe çdo poet aspiron ta identifikojë me liqenin apo shkembin ku ka lindur. Por unë do të thoja se Resul Shabani është më shumë poet i detit me tallaset, shkulmet e dallgëve, me trazimet dhe shqetësimin dimensional që sjell. Këtë permasë filozofiko-poetike unë do ta cilësoja vlerë të poezisë së tij.

    Resul Shabani është poet i kërkimit vertikal, i zgjimit të thellësive, siç e përkufizon misionin e poezisë miku im dhe një nga poetët më të shquar shqiptarë, Xhevahir Spahiu . Si mjeshtër i konfirmuar i fjalës poetike autori nuk kërkon misionin vetëm ne fushat e pamata të tematikës, ku mjaft të lëshosh Pa gesin dhe arrin deri tek vjersha. Ai i hyn shtegut poetik të kërkimit të ri në temat dhe pikat e njohura të horizontit poetik. Bilbili, Korbi, Pylli, Trungu, Mani, janë pika të kënduara që kur lindi poezia, por sa të jetë poezia do të ketë diçka për të gjetur apo për të përthyer poetikisht në këto pika. Dhe Resul Shabani këtë dimension synon t’i japë poezisë së vet, “Mëkati i trilluar” plotëson edhe më qartë portretin krijues të poetit, si një nga përfaqësuesit me seriozë dhe me të talentuar të popullit shqiptar në Maqedoni.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË