More
    KreuIntervistaIchiro Iura: Lexuesit japonez i pëlqejnë pasuria dhe larmia e letërsisë së...

    Ichiro Iura: Lexuesit japonez i pëlqejnë pasuria dhe larmia e letërsisë së sotme shqipe

    Bisedoi Andreas Dushi

    A.D: Zoti Ichiro, është vërtetë e veçantë: një albanolog japonez! Çfarë ju lidh kaq shumë me Shqipërinë, një vend jo edhe aq i madh, ndikimi i të cilit nuk ndihet aq shumë?

    I.I: Fillimi ishte interesimi për gjuhën, më shumë se 30 vjet më parë. Atëherë kisha filluar të studioja gjuhësinë në fakultet. Gjatë mësimit të gjuhës greke antike, fillova të mësoja gjuhët e tjera ballkanike si bullgarishten, rumanishten etj. Kur arrita në mësimin e gjuhës shqipe, më ka vënë vëmendjen karakteristikat dalluese gjuhësore. Më pas, jam njohur me kulturën shqipe pranë studimit në fushën e gjuhësisë.

    A.D: Ju keni drejtuar katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Hiroshimës në Japoni. A njihet kultura shqiptare atje?

    I.I: Me saktësi; në dekadën e fillimit të këtij shekulli, kam qenë në katedrën e gjuhësisë të fakultetit të letërsisë të Universitet të Hiroshimës, në të cilën kam zhvilluar leksionet e gjuhës shqipe. Në ato kohë kjo katedër është e shquar me studimet e gjuhësisë filologjike. Unë sapo isha kthyer nga Mynihu, Gjermani, ku pata marrë pjesë në seminarin e albanologjisë të drejtuar nga Wilfried Fiedler dhe Ardian Klosi. Prandaj fitova një mundësi për t’u ligjëruar studentëve japonezë për gjuhën shqipe në kornizën e gjuhësisë “historike” dhe “indoevropiane”. Në kursin kanë marrë pjesë rreth tridhjetë studentë në çdo semestër. Aty kanë marrë njohuri jo vetëm për gramatikën e shqipes, por edhe kulturën e Shqipërisë (edhe pjesë-pjesë atë të Kosovës). Por fatkeqësisht, pas riorganizimit të fakultetit, ky kurs mori fund për shkak të mungesës financiare.

    Prej vitit 2011 jam drejtori i shkollës private të lartë për studentët e huaj. Këtu zhvillohen kurset e gjuhës japoneze për studentët që përgatiten për të hyrë në universitet. Pranë kësaj pune, po merrem me përkthimin e letërsisë shqipe. Një pjesë e përkthimeve e kam botuar ose në formën e librit, ose në internet.

    A.D: Po interes, ka? Pra studentët, vendosin të studiojnë për gjuhën apo letërsinë shqipe?

    I.I: Siç e përmenda më lart, tani nuk më ka komunikim me studentët që kanë marrë në kursin tim.

    Shpresoj se ata vazhdojnë të mbajnë të pandryshuar interesin për gjuhën e letërsinë shqipe.

    A.D: Kur vendosët t’i përkushtoheshit me kaq seriozitet shqipes e Shqipërisë, ndjetë ndonjë frikë mos ndoshta s’do të merrnit feedback-un e dëshiruar ngase njerëzve nuk do tu interesonte ç’ndodh me kulturën apo letërsinë e një vendi të vogël e tejet të largët?

    I.I: Në fundin e viteve ‘80 nuk ka patur mundësi për të vizituar Shqipërinë. Në ato kohë, Shqipëria ishte tepër larg meje. Më kujtohet se e kam vazhduar mësimin e shqipes vetëm për një pjesë të gjurmimeve ballkanologjike. Që kur nga viti 1995, kur bëra vizitën e parë në Shqipëri, duke thelluar miqësinë me shqiptarët, jam angazhuar në albanologjinë më intensiv, por në mënyrë të ngadalshme. Frikën… s’e kam patur asnjëherë! Në të vërtetë, këtu në Japoni s’ka koleg që punon në të njëjtën fushë. Por, jashtë Japonisë, po ekziston komuniteti ndërkombëtar i albanologëve. E kam ndjerë ekzistencën e tij jo vetëm në Shqipëri, edhe në Kosovë, Gjermani, Austri. Edhe tani ndiej se po gjendem në këtë komunitet të madh… pra, në një cep të largët të sallës.

    A.D: Po historia e katedrës së gjuhës shqipe në universitetin e Hiroshimës, cila është? E keni themeluar ju, apo dikush tjetër më herët?

    I.I: Siç e përmenda më sipër. Ishte një veprim jetëshkurtër, por një përvojë e pazëvendësueshme për mua.

    A.D: Nëse keni informacion, a kanë universitetet e tjera japoneze katedra kushtuar gjuhës tonë?

    I.I: Mendoj jo, më vjen keq. Por, në Universitetin e Tokios mbeten disa profesorë që janë marrë me programin e studimeve ndërdisiplinore për historiografinë të Evropës juglindore pas viteve ‘90 (edhe unë kam marrë pjesë në atë program). Ka mundësi që studentë mësojnë shqipen nga nevoja për të lexuar tekste.

    A.D: Falë punës tuaj, janë përkthyer nga gjuha origjinale shqipe autorë të rëndësishëm shqiptarë si Ismail Kadare apo Ylljet Aliçka. Si është pritur në Japoni letërsia shqipe?

    I.I: Në Japoni ka një grumbull i dashuruesve të letërsisë botërore. Midis këtyre “tifozëve”, Ismail Kadare është një nga autorët më të njohur. Disa vepra të tij janë përkthyer në gjuhën japoneze, shumica e të cilave janë përkthimi nga frëngjishtja. Në internet e kam shfaqur përkthimet e tregimeve si “Ëndrra mashtruese” dhe “Përbindëshi” që s’ishin aq të njohur ende në Japoni. Sapo e mbarova përkthimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Këto janë pritur pozitivisht nga lexuesit japonezë që njohin mirë rëndësinë e Kadaresë. Tregimin e Ylljet Aliçkës “Parullat me gurë” e përktheva në kohën kur filmi me të njëjtin titull u vlerësua me Çmimin e Artë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio më 2001. Shumica e lexuesve ishin njerëzit që kanë treguar interes për filmin.

    Përveç kësaj, shpresoj se do të bëhen më të njohur autorët e tjerë si Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Fatos Kongolli, Viktor Canosinaj, Ermir Nika etj., veprat e të cilëve i kam përkthyer pjesërisht. Si rezultat i punës, “I humburi” i Kongollit u botua një vit më parë, ka dalë në qarkullim. Tani përgatitem për përkthimin e romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, po rastësisht në kohën kur do të shfaqet një film i “shokut Zylo”.

    A.D: Ndonëse falë internetit bota është kthyer në një fshat të vogël, sërish mbetet perceptimi se largësia mes Shqipërisë dhe Japonisë është shumë e madhe, ndaj mund të ndodhin ngjarje të cilat mbeten pa u marrë vesh. Kështu që, lejomëni t’ju pyes nëse ka studime për letërsinë tonë? Po aktivitete kushtuar asaj si për shembull promovime a konferenca?

    I.I: Në Japoni studimet për letërsinë shqipe mund të zhvillohen në kornizën e studimeve për letërsi evropiane. E njoh se në Tokio e Kioto janë zhvilluar disa seminare apo simpoziume të vegjël, në një të të cilëve një profesoreshë ka mbajtur një kumtesë lidhur me letërsinë shqipe. Ajo ka hapur përkthimin e tregimit “Kopshti” të Ernest Koliqit në një antologji të letërsisë botërore (Nuk e di nëse e ka përkthyer nga shqipja).

    A.D: Kam vërtetë interes të di, çfarë vlerëson më shumë lexuesi japonez nga elementët e letërsisë shqipe?

    I.I: Lexuesit japonezë i pëlqejnë, unë mendoj, pasuria dhe larmia e letërsisë shqipe së sotme. Ata shikojnë me çudi dhe me adhurim, se kjo karakteristikë ka ekzistuar në një vend kaq të vogël, i cili ka qenë në kampin socialist, madje në të ashtuquajturin “izolim”. Në romanet e autorëve si Kadare, Agolli, Kongoli, mund të shikojmë jo vetëm elemente lokale (apo rajonale), por edhe ato universale.

    A.D: E parë nga perspektiva juaj, si është sot gjendja e letërsisë shqipe? Kush janë autorët kryesorë të saj?

    I.I: Kaloi tridhjetë vit pas rënies së diktaturës, kultura e botimeve ka shtrirje të madhe në hapësirë. Është e vështirë të ndjek të gjithë rrymë letrare. Për mua, përveç Kadaresë, Fatos Kongoli dhe Dritëro Agolli mbeten autorët kryesorë për mua. Këta të dyja janë mjaft të shquar në zonën shqipfolëse, pa tjetër. Por duhet të “zbulohen” dhe njihen më mirë jashtë Shqipërisë, kryesisht në Azi.

    Përsa i përket autorëve në fillim të shekullit XXI, unë lexoj jo sistematikisht, por sipas shijes sime personale. Këto ditë kam interesin për vlerësimin ndaj librit “Flama” të Tom Kukës. Ka mundësi të mirëpritet ky roman edhe në Japoni, ku ka histori dhe traditë e gjatë të romaneve detektive, ashtu si në Britaninë e Madhe.

    A.D: A është ajo sot në gjendje të qëndrojë dinjitoze përballë lexuesit të një tjetër kombi, e aq më tepër të një kombi si Japonia me të cilin, vlerësuar nga sipërfaqja, nuk gjenden shumë pikëtakime?

    I.I: Është në një gjendje të tillë, pa tjetër! Mosngjashmëria në sipërfaqen midis dy kombeve, nuk është as pengesë, as problem. Në letërsinë shqipe mund të gjejmë përvojë bashkëkohore, gëzimet e vuajtjet njerëzore, që ka vlerë, ka rëndësi të njëjtë për të gjithë. Në të vërtetë, në vendin tonë, gjatë këtyre 75 viteve, s’kemi jetuar nën regjimit totalitar, s’jemi përfshirë në konflikt rajonal. Por absurditeti enigmatike që shikohet në figurat të veprave e Kadaresë ose Kongolit, burokraci qesharake që satirizohet në ato të Agollit, këto u zgjojnë simpatinë edhe lexuesve japonezë sot. Këtu s’ka nevojë për koment për kontekst historik. Po mbetet vetëm një pengesë e pashmangshme; largësia gjuhësore. Unë, si një përkthyes, përpiqem të heq perden (apo murin?) e trashë për t’u dhënë tejdukshmërinë lexuesve.

    A.D: E për të ardhmen e letërsisë tonë çfarë mendoni?

    I.I: Më duket se ka kaluar mjaft koha për të provuar “rishikimin” letrare ndaj jetës personale në kohën e diktaturës. Po tani, shikoj se si autorët e rinj do të vlerësojnë kohën e tranzicionit të viteve ‘90, në të cilën ka tërbuar kaosi me shpresa e zhgënjime. Sepse e vizitova shpesh Shqipërinë pikërisht në atë periodë. Këto pikëpamje, akoma nuk janë njohur mirë në Japoni.

    A.D: Kontributi juaj për t’i dhënë zë një gjuhe të vogël sikurse është shqipja meriton një vlerësim të madh e të paçmuar. E keni ndjerë këtë vlerësim?

    I.I: Po, gjithmonë. Tani ju falënderoj që më dhatë shansin për të shfaqur mendimin tim. Më kënaq kur e pranoni me respekt përpjekjen time për të folur apo shkruar shqip. Shpresoj se përpjekja ime, akoma e vogël, do të kontribuojë për prezantimin e vlerës më të mirë të krijimtarisë në letërsinë shqiptare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË