More
    KreuLetërsiBotime të rejaShënim i autorit për botimin e dytë të vëllimit poetik 'Aty te...

    Shënim i autorit për botimin e dytë të vëllimit poetik ‘Aty te portat Skée’

    Aty te portat Skée është libri im i parë, i botuar para 25 vjetësh nga shtëpia botuese “Onufri”, që asokohe ishte në Elbasan. Me të nis rishtaria e rrugëtimit tim letrar. Më 1996, kur doli libri, unë isha student i institutit të letërsisë botërore “A. M. Gorki”. Librin e botuar ma dërgoi botuesi, z. Bujar Hudhri, në Moskë, me anë të Olga Kollpakovës, ish-atashe e kulturës në ambasadën ruse në Tiranë. Nuk mund ta harroj kurrë atë emocion, një përzierje midis gëzimit të madh, shqetësimit, parehatisë, madje edhe njëfarë frike. Mezi prita të shkëputesha për t’u mbyllur në dhomë. E kam lexuar i përqendruar, duke u dridhur si në ethe deri në vargun e fundit. Kur mbylla kapakun, thashë me vete: “Po, ky është libri im!” Nuk mund ta banalizoj me asgjë tjetër të krahasueshme atë ndjenjë galdimi e lehtësimi njëherësh.

    Vëllimi përmbledh krijimet e mia poetike të periudhës 1990-1994, një fazë kur unë kisha kapërcyer sprovat e hershme dhe të mundimshme me vargjet në kërkim të një forme shprehëse sa më individuale. Mund të jenë grisur disa libra, dorëshkrime të mëparshme, për të mbërritur te ky vëllim. Kisha botuar disa cikle poezish në shtypin letrar qendror nga viti 1989 e në vijim. Kisha fituar disa çmime poetike kombëtare, disa konkurse, ndër to konkursin letrar prestigjioz “Migjeni”. Periudha e shkrimit të këtyre poezive ka qenë koha e përmbysjeve epokale, e rënies së diktaturës, që për mua dhe shoqërinë e poetëve të grupimit letrar “E përshtatshme” në Fakultetin Filologjik ishte, para së gjithash, koha e shijimit të lirisë krijuese. Tani, pas çerek shekulli, duke rilexuar poezitë e këtij vëllimi nga lartësia e sotme, kuptoj se nuk do t’i kisha shkruar më mirë. Ndaj ribotimi nuk paraqet asnjë ndryshim me versionin e botimit të parë origjinal, me përjashtim të një korrektimi të kujdesshëm. Kuptoj, gjithashtu, se poeti mund të mësojë shumëçka nga kultura, libri, universitetet dhe teoritë, por shqisa e natyrshme e poetit nuk përftohet në rrugën e njohjeve e të dijeve akademike. Ajo ose është e lindur dhe farkëton imazhet në kudhrën e përvojave të brendshme, ose, në mungesë të kësaj dhuntie, do të shpiket një natyrë e dytë, vetëmashtrimi, duke u rrokullisur nga imitimi në epigonizëm. Unë besoj se poeti mëson nga vetvetja, duke “shkepur mish” nga vetja, ose, siç e thotë O. Mandelshtami në një varg: “Vetë jam dhe lule, vetë dhe kopshtar.”    

    Titulli i vëllimit është një metaforë, siç janë rëndom titujt e librave poetikë. Në poemën e Homerit, Iliada, portat Skée janë portat kryesore të Trojës, bri të cilave gjendej Kulla e madhe, prej nga hapej pamja në fushën e luftës para qytetit dhe në det. Nga kjo kullë pleqtë trojanë kundronin luftëtarët akej, ndërsa Helena i jepte shpjegime Priamit për heronjtë që ajo i njihte. Te portat Skée Hektori ndahet me të shoqen Andromakën dhe të birin Astianaksin përpara se të niset në fushë të betejës.

    Besoj se me bërthamën e kësaj metafore shumëplanëshe në titullin e të parit libër kam dashur të bëj një besatim solemn me veten, për hir të gjësë më të çmuar që më kishte mbajtur gjallë gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës dhe së cilës i qeshë përkushtuar: letërsisë.

    Ky libër ka një rëndësi thelbësore për krijimtarinë time. Ai është një këllëf ku janë strukur të gjitha imazhet, tropet dhe figurat e veprave të mia të mëvonshme në poezi e në prozë.

    Agron Tufa


    Harmonika rozë

    Kilikosa veten
    dhe qava i lehtësuar,
    i privuar rëndë
    nga bota e mishit.
    Nëpër brimat e harmonikës rozë
    hyn e del shenjtërisht
    fryma ime e artë:
    e thurur me art të hollë,
    e freskuar dhe e dridhshme,
    e kulluar në filtrin
    prej mushkërish gjethesh –
    ajo ngjall një muzikë prekëse
    që të përpëlitet si flutur e shituar
    në zgavrën e pazbuluar të ngazëllimit.
    Po mjaft!
    Manteli i Centaurit u tund
    tek digjet në shenjë lamtumire.
    Në shkrumbin e tij trazo
    se ke për të gjetur
    eshtrat e frymës sime të artë,
    pa të cilën s’kanë për t’u pjekur
    frutat e kurmit tënd –
    sajuar zjarresh tinëzare…


    Sonet

    N’errësirë shtrihej gruaja, shtrati, sakrilegji…
    Shtrati, sakrilegji, gruaja lakuriq…
    Tej feksnin çarçafët me bardhësi qefini,
    bardhësi qefini që t’i vriste sytë.

    Që të vriste sytë dhe të kallte frikë
    në palcë e në eshtra si zhavorr i thatë:
    gruaja që dihat, unë me veshët pipëz,
    mund ta shihnim fundin shkaras nga një kamë.

    Nga një kamë e gjatë si tërbim, si shpagë,
    dhe të dy fishek për në ferr pastaj,
    por “Ai” vonon, epshi çohet valë,

    më rrëzon pa frymë mbi sisët e saj –
    po me veshët pipëz, sikur vjedh thesarin,
    sikur shtie në dorë botën skaj më skaj.


    Aty te portat Skée

    Portat e qytetërimit tënd do të hapen
    me deshtë që përposh fshehin dashnorë.

    Tejçohet dhe imuniteti i prekjes me sy
    nga heqja dorë e prekjes me dorë.


    Kurrë s’është mjaft

    Se si devijoi jeta një mbrëmje… nuk ndodh
    veçse ndryshe me njerëzit si unë,
    deri atëherë të pamëkatë, madje
    do theksuar: vegjetarianë.

    E ëndërruara u dha përballë:
    e kolme dhe e njëkohshme
    si hëna,
    me gjithsej pak rroba që fshihnin
    mishin e zier me brenga në fshat.

    Thelbi i saj qe detyrim dhe bindje
    për zota dhe djaj. Tashmë
    ajo më urren
    dhe do të më vrasë
    për ujërat
    që me vite ia lashë të ndenjura dhe mishin
    të harruar ndër brenga në fshat.


    Elegji

    Po afrohet njeriu: siluetë e pikëlluar, ku i le
    trokun e ëndrrave dhe thyerjet e shpatave?
    Po afrohet një hije e përmbytur nga barra e fatit
    me dimensione horizontesh. Një nga një
    aviten keqardhjet fqinje me kundërmime shirash
    dhe dritë të djegura në film.

    Pllanga të përgjakura gjethesh flijohen mbi supe
    si spaleta të bronzta.

    O ti i prirur si pakkush në shpresë! Po zbrazet
    planeti ynë i moçëm,
    me vrunduj gjaku e morali,
    e gjarpërusha pikëlimtare
    kanoset mbi fatet e verbra –
    mbi qenien tënde të thërrmueshme,
    kalli i pjekur loti.

    Oh, le të flijohet,
    le të flijohet sonte në vaj për të gjithë
    aorta e kaltër e hënës!


    Pikturat e tua

    Të të dua ty (me ndikim)
    tinëzisht duke ndier
    pengun e një feste të fshehtë
    pezulluar qyshkur…

    Të gjitha kushtet sekrete të ndjenjës
    piqen në muzg dhe marrin dhenë.

    Vijnë mbrëmje bote
    me këngë inferiore.
    Vdes toka me mua
    nën këmbët e tua
    dhe digjet e bie
    e shkrin ndër yje
    fytyra jote –
    e fundit Bastije.

    Të të dua ty:
    pikë në plan të përmbysur.
    Simetria pasqyrohet femër mbi gremisjen time.
    Nëndheshëm uturin qeliza,
    tym nxjerrin damarët… shiko
    si t’i mbështjell gjumi fletë-fletë
    gjinjtë elektrikë me llërë e me seks.

    Me fantazi gjeniale gjithë-gjithë
    je e raportuar
    lakër kaçurrele,
    me rrënjë të përjetshme në mish të munduar.

    Ka dhe mëngjes
    sa për t’u dalluar niveli i neverisë
    në lartësinë e detyrës.

    Të të dua ty (teknikisht)
    e mos të ta shoh
    formën e vagëlluar që humbet
    në rrjetën e karkalecave gri:

    ata që kthejnë nga perspektiva
    lajmërojnë gosti të mbaruar,
    të tjerë nga retrospektiva
    edhe shijen ia kanë harruar.

    Dashuria ime kridhet pingul me ngulm e ide fikse
    në trafikun e rënduar të gjakrave bojëhiri.


    Këngë

    Do të të shpërndaj
    gjithkund në kudo.
    Dëlirma pak barrën moj mëma natyrë!
    Hamall i ngarkuar
    me një dashuri të rëndë –
    ah, me një dashuri të rëndë,
    veshur me lecka të dhimbjes
    dhe këngë,
    me leckat e dhimbjes dhe këngë.
    Bagazhi i egër dhe gjunjët hollakë,
    ah, gjunjët hollakë
    tek dridhen, thembrat rrasen përtokë,
    thellohen në tokë.
    Si anije tokësore lundroj pa shpresë
    me zemër të ngrënë,
    ngado në kudo
    të shpie, tek zbres,
    me tokën e vdekshme nën këmbë…


    Kuajt e ëndërrt

    Kush i lëndoi kuajt e kuq në harbim
    tokës së ardhur të marsit?

    Tutje, perëndimi
    ia qëlloi ligsht zemrës sime
    të gjitha pikat e vdekshme.

    Trokimë e hingëllima
    u pinë pa gjurmë
    në sfungjerin e gjirit tënd.

    E megjithatë,
    i pashë, për besë, kalëruesit
    që behën nën pasione vetëtimash.

    Zigzag elektrik,
    gjarpër verbues
    në segmentin e platitur të horizontit
    përzhitën trëndafilin e pjekur
    me qumështin radioaktiv të verës.

    Më shungullojnë veshët
    nga ai kalërim i ëndërrt
    dhe si flatrat e shkrehura
    të fluturës së vrarë – sytë e mi mjerojnë
    patkoin e skuqur të zemrës
    shqelmuar në sprint…


    Stinë keqardhjeje

    Keqardhja erdhi me varkë dhe lundër pirate,
    rrodhi vjeshtë e përgjakur ijëve,
    e papërcaktuar në shifra romake
    gjithë lëngata për borën e re.
    Hëna shkrin kujtesë në pika gjaku të ndryshkur pyjeve.

    Nuk dëgjohet më briri,
    as skërmitja që zvetënon
    zemrën e pjekur të bishave bojëhiri.

    Angullima vjen e largët,
    e stërvitur në parandjenjë.

    Kapërcej hijen dhe shkund këpucët me borë mbi një prag të huaj.
    Dreqi më çon të shtyj dashuri si fantazmë
    me nusen e tjetrit gjinxehtë në të errët.

    Natë dhe gjinj dhe stinë keqardhjeje.
    N’at fshat të trishtuar: borë dhe vetmi.
    Pendimi godet pingul herë-herë
    misterin e verbër dhe aerobinë.

    Keqardhja vjen si shtjellë,
    si pjalm i hidhur që era e çon
    me lundër të zjarrtë në lukthin e tharë:
    taksën do ta marrë
    taksën do ta marrë
    dhe s’do na e kthejë më kurrë
    kurmin prej drite të ngjirur,
    ashtu të shpërndarë sallatë nëpër dhera.


    Jashtë

    Ngrihesh në mëngjes
    dhe kujtohesh se nuk e di ku e ke lënë syrin.
    Njërin harron se e ke lënë në shpinë
    e tjetri ka pikuar nga çezma në heshtje.
    Pastaj kujtohesh se vetëm je zgjuar
    dhe gjithçka ka qenë një ndodhi pa qerpikë.
    Piqen kushtet
    dhe respekti vërshon si katarakt mbi kafkën e shkuar.
    Të duket se gjithmonë
    ke kositur jonxhë e
    një flijim i butë plot aromë klorofili
    lëron pandehmat e tua bujqësore.

    Fëmijëri lucide,
    e ndodhur rregullisht dhe pa pendesë,
    si gjithë gjërat e dobishme, pa të cilat
    s’do të ekzistonin elipset dhe metafizika,
    fluturimet dhe rëniet, humbjet
    e anijeve liburne
    në kurmin e squllët dhe praktik të burrit…

    Harresa e tashme me harrimin e shkuar
    aq bukur përputhen!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË