The New York Times
Përktheu Granit Zela
Sa i rëndësishëm duhet të jetë për ne identiteti i një përkthyesi? Studiuesit e studimeve të përkthimit u kanë kërkuar përkthyesve për vite me radhë që të jenë më të dukshëm. Libri me ndikim i Lawrence Venuti-t, Padukshmëria e përkthyesit (1995), argumentoi se praktika e shpërfilljes së identitetit të përkthyesit, deri në atë pikë sa ta mohonte veprën si përkthim, ishte pjesë e një mendësie të padobishme hierarkie që i jep vlerë absolute origjinalit, dhe shpërfill faktin se çdo përkthim i ri është në vetvete një vepër e re artistike. Venuti e shihte vokacionin e përkthyesit edhe si politik edhe si përparimtar, pasi punonte në një mënyrë të tillë që ta kalonte “gjuhën e synuar… përtej “një vijeje arratisjeje” nga hierarkitë kulturore dhe shoqërore që mbështet ajo gjuhë, duke ia hequr përkthimit “përkatësinë gjeografike”. Kjo mund të bëhet në aleancë me tekstin origjinal, ose duke i rezistuar tij. Teza nënkupton një marrëveshje të gjerë se është mirë të arratisesh nga hierarkitë kulturore dhe shoqërore dhe t’ia heqësh “përkatësinë gjeografike” gjuhës, edhe nëse hierarkia shoqërore dhe gjuha e përkthyesve mund të jenë krejt e ndryshme nga e atyre që shkruan librin që po përkthejnë.
Nocioni i përkthimit “rezistues” u mbështet nga disa studiues që propozuan lexime feministe të veprave letrare. Emily Wilson e përshkroi përkthimin e saj të Odisea në vitin 2017, përkthimi i parë në anglisht i kësaj poeme nga një grua, si përkthim që “hedh një dritë të qartë në forma të veçanta të seksizmit dhe patriarkatit që ekzistojnë në tekst”. Në një rast të tillë, ku më tepër sesa paraqitja e një kritike të tekstit letrar me një hyrje ose shënime në fund të faqes, përkthyesi kërkon me vetëdije të vërë në pah aspekte të tilla jo tërheqëse, mund të jetë më me dobi që lexuesi ta dijë se kush është dhe nga është përkthyesi.
Në një recensë që shqyrtonte tre përkthime të Orestias së Eskilit, vetë Wilson tregoi se sa e rëndësishme ishte për të, të dinte identitetin e një përkthyesi, duke vërejtur se ajo ishte zhytur në trishtim kur kishte kutpuar se dy prej përkthimeve ishin bërë nga burra të bardhë, të moshuar, të dy profesorë emeritus, dhe tjetri nga një i bardhë më i ri, që s’ishte akademik. Wilson pranon se është “mjaft e lehtë për këdo, me çfarëdo prejardhje shoqërore ose identiteti, të përsërisë të njëjtin vizion të vjetër të lodhur të të njëjtave tekste të vjetra”, dhe është “shumë e mundur, në teori, që burrat e moshuar të bardhë të ofrojnë ide origjinale dhe perspektiva të reja”. Sidoqoftë, duke parë përkthimet në fjalë, “ngjashmëritë midis tyre, veçanërisht në materialin paratekstor, sugjerojnë një lidhje të pjesshme të ndërsjelltë midis pozitave shoqërore të përkthyesve dhe leximeve që ata i bëjnë Orestias”.
Me pak fjalë, siç e sheh Wilson, prejardhja shoqërore ndikon në përkthimin që ti bën. Dhe kjo të çon në këto përfundime: së pari, është e dobishme të njohësh identitetin e përkthyesit; dhe së dyti, do të ishte më e dobishme që në ripërkthimin e veprave klasike do të kishim më shumë përkthyes që janë gra dhe që s’janë të bardhë. Wilson jep statistika që tregojnë mbizotërimin e meshkujve të bardhë në fushën e përkthimeve klasike; kur bëhet fjalë për botën e përkthimit në përgjithësi, mbizotërimi është pa dyshim i të bardhëve, por vështirë se është i përkthyesve meshkuj.
Po të lëmë mënjanë çdo vlerësim me ngarkesë politike, duhet thënë se gjatë viteve të fundit është vënë re tani po botohet më shumë letërsi e huaj dhe përkthyesit po bëhen më shumë të dukshëm. Çmimi Ndërkombëtar Booker për veprën më të mirë letrare të përkthyer tani jep shuma të barabarta parash (rreth 25.000, ose 35.000 dollarë) si autorit edhe përkthyesit. Çmimet posaçërisht për përkthyesit janë shumëfishuar. Tani ka çmime për përkthyesit e rinj dhe çmime për gratë përkthyese. Edhe në rastin e pazakontë i Elena Ferrante-s, pseudonim për një autor anonim italian, romanet jashtëzakonisht të suksesshme të saj në promovime janë “paraqitur”, mund të themi, nga përkthyesja në gjuhën angleze Ann Goldstein, dhe kjo ka çuar në shtimin e vetëdijesimit të publikut për personalitetin e përkthyesit. Po kështu, polemikat që lidhen me përkthimin nga Deborah Smith të romanit të vlerësuar me çmime letrare Vegjetarania të Han Kang e ka bërë më të nxehtë debatin mbi llojet e lirive që mund t’i japë vetes përkthyesi gjatë përkthimit. (Është interesante që Goldstein dhe Smith kanë qasje krejt të kundërta ndaj zanatit të tyre – Goldstein zgjedh respektin e rreptë të tekstit dhe sintaksës së origjinalit, Smith pohon me guxim se “besnikëria” është koncept i tejkaluar, çorientues dhe i padobishëm kur bëhet fjalë për përkthimin”.) Në çdo rast, asnjë festival letrar s’është i plotë nëse s’ka diskutime për përkthimin, diskutime të cilat zakonisht janë mjaft të ndjekura.
Ndodhi që në këtë skenë emocionuese, shumë herë të trazuar, erdhi lajmi se dy përkthyes evropianë të ngarkuar të përkthenin veprën e poetes së re zezake amerikane Amanda Gorman (e cila u bë e famshme pasi lexoi në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Biden) më pas kishin hequr dorë ose ishte tërhequr për shkak të çështjes e identitetit. Megjithëse janë të bardhë, të dy përkthyesit vështirë se mund të ishin më të ndryshëm. Shkrimtarja holandeze që gjakon të jetë përkthyese Marieke Lucas Rijneveld, njëzet e nëntë vjeçe, fitoi vjet Çmimin Ndërkombëtar të Booker për romanin e parë, Trazimi i mbrëmjes, i cili, siç shprehet vlerësuesi i Neë York Times, “është plot me…të gjitha ndyrësitë e jetës”. Identifikimi i personazheve në roman me përemra që s’tregojnë gjini duke mohuar gjininë mashkullore dhe femërore, e bëri Rijneveld-in një personalitet shumë të dukshëm për t’u rreshtuar me poezitë e Gorman-it, dhe për ta përkthyer megjithëse për aq sa kam kërkuar, nuk kam mundur të ndonjë përkthim të botuar me emrin e tyre. Zgjodhën të tërhiqeshin nga projekti pas kritikave nga gazetarja Janice Deul, e cila shkroi se ishte humbur një mundësi për të zgjedhur “një artist të fjalës së folur, të re, femër dhe zezake pa pasur nevojë të shfajësohet për këtë”.
Përkthyesi tjetër në këtë rast, Victor Obiols, është një poet i njohur katalanas, gjashtëdhjetë vjeç, përkthimet e tij të respektuara përfshijnë vepra të Shekspirit, Oskar Uajldit dhe të Walter de la Mare, ashtu si edhe shumë libra për xhazin, rokun, romane grafike, romane për fëmijë, dhe shumë më tepër. Iu hoq përkthimi i Gormanit sepse, sipas fjalëve të tij, botuesit, ose ndoshta agjenti i autorit, “po kërkonin një profil tjetër, duhej të ishte grua, e re, aktiviste dhe mundësisht zezake”. Dhe shtoi: Nëse s’mund të përkthej një poete sepse ajo është grua, e re, zezake, një amerikane e shekullit njëzet e një, atëherë s’mund të përkthej as Homerin sepse s’jam grek i shekullit të tetë para Krishtit. Po kështu s’do të mundesha të përktheja Shekspirin sepse s’jam anglez i shekullit të gjashtëmbëdhjetë. S’është e lehtë ta diskutosh këtë çështje të mprehtë pa u bërë pjesë e një debati tejet të polarizuar. Është e qartë, përkthimi ka një prirje të brendshme për të kapërcyer pengesat – siç e ka thënë Paul Auster-i: “Përkthyesit janë… instrumentet kaq shpesh të harruar të cilat bëjnë të mundur që kultura të ndryshme të flasin me njëra-tjetrën, ato që na kanë mundësuar të kuptojmë se ne të gjithë, nga çdo pjesë e botës, jetojmë në një botë”. Pengesat e çdo lloji hasin në vështirësi nga më të ndryshmet por kapërcehen vetëm prej një gjakimi të tillë. Dhe megjithatë…
Më lejoni të mbështetem në përvojën time për të propozuar një mënyrë të menduari për këtë çështje. Meqenëse në Itali mbërrita kur isha njëzet e pesë vjeç, fillova të përkthej disa vjet më vonë, kryesisht materiale që lidheshin me biznesin dhe teknike të çdo lloji. Shpesh, ndieja se isha personi i gabuar për këtë punë: hiqja të zitë e ullirit me terminologjinë e stomatologjisë dhe guroreve, sintaksën e stërholluar të kritikëve italianë të artit, prozën e zbukuruar të broshurave turistike, protokollet e kontratave ligjore. Angazhimi me përkthimin letrar ishte çështje identiteti. Një tjetër përkthyes italo–anglez, Isabel Quigley, nuk u ndje mirë gjatë përkthimit të disa faqeve të La cosa të Alberto Moravias të cilat sipas gjykimit të saj ishin të turpshme. Duke mos dashur të identifikohej me këtë përmbajtje, ajo hoqi dorë. Botuesit kishin nevojë të gjenin një përkthyes sa më shpejt të ishte e mundur, unë isha i gatshëm dhe s’kisha vërejtje për skenat seksuale të romanit.
Megjithatë, më vonë, s’do të pranoja të përktheja libra që në anglisht e ndjeja se kërkonin stile të të shkruarit të cilat thjesht nuk ishin “të miat” dhe s’mund t’i përktheja. Ka qenë një roman nga autori homoseksual Aldo Busi, Jeta standarde e një shitësi të përkohshëm të getave, i cili pëërdorete gjuhën italiane të theksuar baroke të tregtisë së veshmbathjeve, të cilën s’mund ta imagjinoja ta riprodhoja në anglisht. Dhe ishte një roman i mrekullueshëm nga Enrico Brizzi, Jack Frusciante braktisi bandën muzikore, që kërkonte të jepja në qindra faqe zhargonin urban të adoleshentëve, ndërkohë që unë kishte shumë kohë që jetoja larg Britanisë. Në secilin rast, nuk e mora përsipër përkthimin jo prej çështjes së identitetit, por për shkak të stilit. E shijova leximin në Italisht të Busi-t dhe Brizzi-t dhe m’i përcollën botët e tyre shumë fuqishëm. Kjo është ajo që bën letërsia. Thjesht ndjeva që nuk kisha instrumentet e duhura në anglisht për t’i përkthyer.
Nga ana tjetër, e përktheva Është një vend në botë: një grua në Birkenau të Giuliana Tedeschi-t. Ky libër kujtimesh tronditëse për një viti të kaluar në një kamp përqendrimi nazist përqendrohej shumë në trupin e femrës, humbjen e ciklit menstrual, frikën se femra s’mund të bëj kurrë fëmijë dhe shumë gjëra të tjera që ishin të dhimbshme vetëm po t’i mendoje. Kam përkthyer edhe Ditët e ëmbla të disiplinës të Fleur Jaeggy-t, rrëfim në vetën e parë i një dashurie lezbike të penguar në një shkollë me konvikt vajzash. Në asnjë çast s’kisha merakun se s’mund të jepja versione besnike të historive të këtyre grave pavarësisht se ishin larg përvojës time jetësore, sepse ato ishin shkruar brenda një tradite letrare që e njihja. Ishte çështja e gjetjes së të njëjtit ton zëri, të njëjtave kadenca, të njëjtës gamë leksikore në anglisht, pas së cilës fjalëve, mendova, mund t’u besoje të bënin pjesën tjetër. Faqet e përkthimeve si provë që ua dërgova redaktorëve, meshkuj dhe femra, u miratuan menjëherë dhe recensat përfundimtare të punës së përfunduar ishin të favorshme. Romani i Jaeggy-t në veçanti do të arrinte njëfarë fame.
Sidoqoftë, dy ngjarje sugjeruan që edhe asokohe, në vitet 1990, çështjet e identitetit po bëheshin të rëndësishme për përkthimin. Kur i dërgova shtëpisë botuese Women’s Press në Angli disa faqe të përkthyera të Le confessioni di una piccola italiana, rrëfim anonim i përvojës së një vajze të re në regjimin fashist duke sugjeruar se ata mund të dëshironin ta botonin librin, më thanë se u kishte pëlqyer shumë ajo që kishin lexuar, por unë, ngaqë isha burrë, nuk isha përkthyesi i përshtatshëm. Krejt ndryshe, shkrimtarja Oriana Fallaci i kërkoi posaçërisht botuesit që të më ftojë të përkthej romanin e saj Inshallah. Ajo kërkonte me ngut, siç më thanë, një “autor shumë burrë” si përkthyesin e saj. Si e kishte krijuar atë përshtypje për mua? Çfarë ndryshimi bënte në përkthimin e librit fakti që isha burrë? Siç ndodhi, unë tashmë e kisha provuar ta lexoja Inshallah dhe kisha hequr dorë, pasi stili m’u duk plot emfazë. Nuk ishim krijuar për njëri-tjetrin.
Një ndodhi tjetër para se të nxjerrim disa përfundime. Për njëzet e ca vjet, jam mësimdhënës i përkthimit në nivel pasuniversitar në Milano. Kohë pas kohe, u kërkoja studentëve të mi italianë të përkthenin, midis pjesëve të shumë librave të tjerë, faqet e para të Rrëfimet e një të varuri nga bukuria, roman magjepsës, mund të them pa ndrojtje “letërsi e grave të reja” me autore Nadine Haobsh. Fillon me rrëfimin gazmor për gjëmën e ngjyrosjes së flokëve. Ka kaq shumë detaje teknike. Klasa ime gjithmonë përbëhej nga të paktën 90 përqind gra. Megjithatë më kujtohet rasti kur një djalë i qetë krijoi versionin përkthimor që e bëri të gjithë grupin të shkulej së qeshuri dhe të bërtiste: “E saktë” dhe “E përsosur!” “Si e bëtë? –pyeti një e re. -E kam në kokë – tha ai – kam dëgjuar motrën të flasë kështu në banjë.
Atëherë, ku na lë kjo përballë përkthyesve evropianë të një gruaje të re zezake poete? Kur dëgjon përsëri performancën e Amanda Gorman-it në inaugurimin e Biden-it, shtangesh nga përhapja e gjerë publike e veprës së saj. Fjalët që përdor, të paktën në këtë poezi, janë popullore, retorika është e njohur brenda një tradite amerikane. Titulli, “Në kodrën ku ngjitemi”, kuptohet menjëherë se është analogji. Ajo do që ta kuptojnë të gjithë. Në të njëjtën kohë, ritmet e forta të poezisë, si valë që ngrihen dhe ulen, me rima të shpeshta të brendshme, përsëritje dhe lojërat me asonancë janë të forta, të efektshme, dhe të pagabueshme.
Do të ishte eksperiment interesant të krijohej një grup, për shembull, me përkthyes italianë, të gjithë me përvojë në të shkruarit ose në përkthimin e poezive, por të jenë të moshave, etnive dhe gjinive të ndryshme, dhe të ftohen të paraqesin versione përkthimesh që botuesi më pas mund t’i shqyrtojë pa njohur autorët. Nuk dyshoj do të jetë e vështirë të merret me mend se kush është autori i çdo përkthimi. Suksesi i secilit version do të varet nga përvoja -përvoja e jetës, me lëvrimin e gjuhën dhe letërsisë –në mënyrë që secili përkthyes mund ta sjellë në veprën e përkthyer. Dhe, sigurisht, versioni i përkthyer do të varet nga shkathtësia dhe aftësia krijuese në italisht. Në këtë mënyrë mund të arrihet në një version të fuqishëm.
Por s’jam i sigurt se këtë duan botuesit ose agjentët letrar, apo se kjo është ajo për të cilën shqetësohen. Përkthyesit kanë kërkuar të jenë shumë më të dukshëm dhe tani duhet të jetojnë me atë që kanë dashur. Por për sa më përket mua, nuk besoj se ky lloj përafrimi i identitetit shkrimtar-përkthyes, me të gjitha kufizimet që do të vendoste, është mënyrë e dobishme as për të çuar përpara një kauzë dhe as për të na dhënë përkthimet më të mira. Më e pakta, do të tjetërsonte shumë natyrën e punës. Kur unë përkthej veprën e një shkrimtari tjetër, nuk kam dëshirë të bëhem zëdhënës i autorit, ose të jem pjesë e rrëfimit; thjesht bëj gjithçka që mundem për ta rikrijuar me sukses në gjuhën angleze atë që ka shkruar. Dhe kur përkthehen romanet e mia, zakonisht nga gratë, asnjëherë s’më shkon në mendje të pyes për prejardhjen e përkthyesve apo të vras mendjen se mund të ketë diçka mashkullore të papërkthyeshme në shkrimet e mia që ato s’mund ta japin. Janë profesionistë dhe kam besim se do të bëjnë punën e tyre. Kjo është marrëdhënia shkrimtar-përkthyes që garanton mënyrën më të mirë për të gjithë për të ecur përpara.