More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ur-Libri", tregim nga Ismail Kadare

    “Ur-Libri”, tregim nga Ismail Kadare

    I

    Kur miku im K. V. më foli për pasionin e tij të fundit, ngaqë kishte bindjen se edhe ky do të ishte diçka e përkohshme si gjithë të tjerët, e dëgjova duke u përpjekur të hiqem si i vëmendshëm, ndërsa, të them të drejtën, mendjen e kisha gjetkë.

    – A po më ndjek? – pyeti ai papritur, ngaqë e ndjeu, siç duket, që unë s’isha aty.

    – Natyrisht, – i thashë dhe u përpoqa të mos e vështroj. – S’është herë e parë që flasim për këtë.

    Në të vërtetë, s’ishte herë e parë që bisedonim lidhur me artificin në letërsi. Kohët e fundit, çdo ditë e më tepër ai ngulte këmbë se kishte shumë artifice në librat që botoheshin, aq shumë, saqë habitej se si njerëzit, të lodhur prej tyre, nuk i braktisnin libraritë, duke thënë “mjaft!”. Ka shumë mbërthecka, stisje, sajime të qepura me pe të bardhë, vazhdonte ai. Ne qeshim sot me ato romane, ku autorët i fillojnë krerët me fraza të tilla, si: “Dhe tani, i dashur lexues, le ta lëmë heroin tonë në brengën e tij dhe le të ndjekim fatin e heroinës etj., etj.”. Ne shqyhemi gazit me to dhe nuk mendojmë aspak se ajo që shkruajmë vetë nuk është më pak e stisur se këto dhe se brezat e ardhshëm do të qeshin me ne njëlloj si ne me të mëparshmit.

    Kishim folur, pra, gjatë për këtë. Ai ngulte këmbë për domosdoshmërinë e një freskimi rrënjësor, sidomos në gjininë e romanit, një rinovimi (ose risie, siç thoshin kohët e fundit kritikët), të tillë, që të ishte i aftë t’i bënte të panevojshme të gjitha gjetjet letrare, klishetë, trajtat e ngrira, gjithë këtë zhguall bezdisës, që po i merrte frymën artit.

    Unë e kundërshtoja. Po ta merrje kështu, vetë akti i të shkruarit ishte i stisur, pra, artificial. Ca shenja e shenjëza mbi letër, mbi të cilat njeriu rrinte me orë të tëra seriozisht, si i lajthitur. A s’është kjo gjë, shpikja, gjetja, risia, kinserisia, kriptokinserisia, me fjalë të tjera, marifeti (merre si ta duash) më i madh që ka shpikur njerëzimi, në krahasim me të cilin gjithë freskimet e mundshme të gjinive letrare s’janë veçse çikërrima?

    Ai hutohej një çast, po hutimi qe i përkohshëm. E merrte veten më shpejt se ç’e prisja, për të më kujtuar Floberin, i cili, i pakënaqur nga ato që kishte krijuar, ëndërronte të shkruante një libër “për asgjë”, por që do të ishte në të vërtetë një libër për gjithçka. A nuk e kishte joshur mendjen e kaq krijuesve të mëdhenj ëndrra e librit të përgjithshëm, përmbledhës, total, me fjalë të tjera, të një ur-libri? Bibla qe përpjekur ta luante atë rol, por ajo qe ende larg, shumë larg. Të tjerë krijues, madje të kohës sonë, si Ezra Paundi e Borgesi, kishin rendur pas kësaj ideje, po pa e njëmendësuar dot. Kishte dhe institucione të tëra që merreshin me këtë, si për shembull, në SHBA, ku në një bunker kolosal nën tokë, në fletore apo shirita të pafundmë po regjistroheshin gjithë emrat e njerëzve që kanë jetuar e jetojnë në këtë planet. Është një gjë e hatashme, më kupton, vazhdonte ai. Gjithë emrat e racës njerëzore, siç janë gjetur në dokumente, libra, shënime, kujtime, brez pas brezi e epokë pas epoke. Vetë ideja është e bukur: përftimi i botës si një shtëpi, një familje, me të gjallët e të vdekurit e vet. Ide e bukur, pa dyshim, po prapë mbetet e mangët. Lënda ishte tepër e shtrirë, e palidhur nga mendimi. Ishte njëlloj si të përpiqeshe ta kuptoje këtë botë vetëm nëpërmjet leximit të fjalorit ose të enciklopedisë. Kurse unë e mendoj këtë gjë ndryshe. E përfytyroj, për shembull, që kjo botë, ky trup qiellor, ku breznitë njerëzore erdhën e ikën, u shua një ditë, mbaroi dhe ti, për një lojë rrethanash, shpëtove. Ti i vetëm, pra, i ike vdekjes, shuarjes dhe, ashtu vetmitar, dëshmitar vetmor i globit tokësor, ndien për detyrë t’i rrëfesh universit atë çka u shua në globin e vogël të kaltërt, çka ndodhi atje gjatë mijëra vjetësh, si lindën e vdiqën breza njerëzish e gjallesash, shtete e popuj, pamje, ëndrra e tinguj. Ti nuk ke arritur të marrësh me vete asgjë nga ky planet: asnjë shtatore a kristal, asnjë dosje a gjymtyrë femre, asnjë fotografi, hartë, mineral, send të çfarëdoshëm, madje asnjë grusht dhé. Ti s’ke asgjë nga këto, por ti ke një libër të vogël, ku je përpjekur të përmbledhësh mbarë botën, një libër që e ke hartuar për një rast të tillë fatkeq. Me të nën sqetull, ti do të dalësh përpara universit për të dëshmuar.

    Merret me mend se sa i vështirë ka qenë shkrimi i këtij libri. Atje s’duhej të kishte asgjë të tepërt e, ndërkaq, asgjë të mangët. Por edhe më e vështirë se kjo ishte ruajtja e përpjesëtimeve të drejta për vendin që do të zinin në faqet e librit ngjarjet, gjallesat e dukuritë e ndryshme. Se nuk ishte e lehtë të gjeje ç’kishte qenë më e rëndësishme në këtë botë: oqeanet, ligjet, seksi femëror, simfonitë e njëfarë Bethoveni, piramidat, elektriciteti, ulërima e erërave, pendimi njerëzor, përmbysja e shtetit, ankthi i letrës së vonuar, gjumi i miliardave, hyjnitë, çmenduria, alfabetet, kinezët, thika mbretvrasëse, ferri, sperma e njeriut, zbërthimi i uraniumit, kryqëzimi i Krishtit, revolucionet, mallkimi, pikëllimi vjeshtor nën pikat e para të shiut që s’ka rënë prej kohësh, egërsimi i tiranit, netët me hënë, netët makbethiane (sipas emrit të njëfarë Makbethi), tërmetet, vetmia e Don Kishotit (kalorës endacak), komunizmi, internimet, ankthi i kthimit të të vdekurit, krediti bankar etj., etj.

    Ndërsa fliste, ai përsëriste vazhdimisht “më kupton tani” dhe unë duhej të tundja kokën gjithmonë e më energjikisht, në mënyrë që ai të mos më lodhte me atë “më kupton tani” të mallkuar.

    Kështu e mbaj mend prej vitesh: të shqetësuar, në ankth, në kërkim të së pamundurës.

    – Ti mendon se një libër i tillë është i pamundur? – pyeti pas pak. – E shoh që ashtu mendon, s’ka nevojë ta thuash.

    – E mundur është vetëm ideja e tij, po mendoj që edhe kaq mjafton.

    Ai tundi kokën.

    – Kurse unë mendoj ndryshe. Kur lind ideja për diçka, ajo diçka është në prag.

    – Ndoshta, – iu përgjigja i lodhur. – Po ndoshta njerëzimi s’ka nevojë për librin total, kjo është ndoshta edhe arsyeja që ai s’është shkruar.

    Ai prapë tundi kokën në mënyrë mohuese.

    – S’mund të jetë ashtu. Shumë gjëra njerëzimi s’i ka arritur ende, po kjo s’do të thotë se s’ka nevojë për to.

    Përpiqesha të mos e acaroja, ngaqë e dija se çdo shpërthim i tij e lodhte atë vetë më tepër se mua. Në të vërtetë, kisha kënaqësi ta dëgjoja, kur fliste më i qetë. Kisha kënaqësi, sepse shumë nga idetë e tij ishin të bukura, megjithëse të parealizueshme. Një vit më parë më kishte thënë se dëshironte të shkruante një libër vërtet të jashtëzakonshëm: Historia e Perandorisë Osmane me TV, një libër, pra, të hamendësuar, se si do të ishte historia e këtij shteti sikur të kishte ekzistuar rrjeti televiziv, ç’ngjarje do të qenë shpejtuar e ç’të tjera do të frenoheshin ose do të ndaleshin fare e kështu me radhë. Për fat të mirë, e kishte braktisur shpejt këtë projekt, për t’u dhënë pas një tjetri, që mua m’u duk tepër i arsyeshëm: një libër për rrugën ku banonte, një libër i vogël alla George Perec, me përshkrimin e të gjitha banesave e të gjithë banorëve që banonin në to, me të dhënat e plota për jetën, gëzimet, brengat, sëmundjet, gjyqet, librezat e kursimit etj., etj., që plotësoheshin me kanalizimet e nëndheshme, rrjetin e ujësjellësit, rrjetin telefonik, faturat, prishjet etj., etj., e gjer te të dhënat e tjera, që ngjanin si vocërrima: riparimet e ndryshme, vizitat e së dielës e gjer te numrat që mbanin varret sipas regjistrimit në librin e varrezës së qytetit.

    Një libër i tillë, pavarësisht nga teprimet, më qe dukur i mirë, për arsyen e vetme se e lidhte atë me jetën dhe njerëzit. Mirëpo kurrsesi nuk e kisha menduar se ai do të ishte një shkallë, e cila do ta shtynte atë drejt një synimi të ri: librit total.

    II

    Veç të mos jetë për atë, mendova, kur më mori pas disa muajsh në telefon dhe me një zë të rëndë më ftoi në kafene. Një parandjenjë jo e mirë më thoshte se ishte pikërisht për atë… librin total. Dhe parandjenja nuk më gaboi. Porsa hyra në kafene, ku ai më priste, e kuptova që jo vetëm e kishte shkruar, por e kishte me vete librin.

    E larguam sa mundëm të dy bisedën për të, unë me një shpresë të fundit, të dobët, se ndoshta pendohej e nuk ma tregonte, ai për ta shijuar ndoshta më shumë pritjen përpara lumturisë, gjersa erdhi çasti kur asgjë nuk mund të shtyhej më.

    Kisha një nervozizëm të brendshëm, të shurdhër, saqë, fill pas fjalëve të tij të para, e ndërpreva.

    – Po si arrite t’i futësh të gjitha ato që më ke thënë: të gjallët, të vdekurit, zhurmat, sendet, me një fjalë, tërë atë kazan që zien ditë e natë e që quhet botë?!

    Ai më vështroi ngulazi.

    – Unë nuk kam bërë asgjë nga këto, – tha ngadalë. – Madje, kam bërë të kundërtën.

    – Të kundërtën?

    Ai buzëqeshi me vete.

    – Më tepër se pasuria e të dhënave, librin tim e bëri total e kundërta e tyre, domethënë mungesa.

    – S’po kuptoj asgjë.

    Ai buzëqeshi prapë. Siç dukej, kështu e kishte menduar këtë punë: sa më tepër që libri të shkaktonte habitje, mundësisht, shastisje të bashkëbiseduesit, aq më origjinal ishte.

    – E, pra, mungesa, heshtja, shkretimi, sidomos për tre-katër mijëvjeçarët e fundit të njerëzimit, atëherë kur ai ka qenë edhe më i zhurmshëm, është karakteristika kryesore, baza e ngrehës së librit tim.

    Ai priti që unë të lëshoja klithma të tjera habie ose mosbesuese, por unë e kisha mbledhur ndërkaq veten për të mos ia dhënë atë kënaqësi. Pa i hequr sytë nga çanta e tij e zezë, e fryrë pak në mes, si të ishte shtatzënë me djallin (pikërisht me një zë të tillë, që do ta përdorja për t’i thënë: “tregoma më në fund atë djall”), i thashë:

    – Tregoma më në fund librin.

    Ai e hapi çantën dhe me një lëvizje të kujdesshme nxori prej saj atë që gjer në grimën e fundit e prisja që të ishte gaforre, shishe rakie, orë muri e ndrequr a dreqi e di çfarë, sesa libri për të cilin më kishte folur.

    III

    Gjatë më shumë se një ore më shpjegoi thurjen e tij, e cila, duhet ta pohoj, m’u duk më se e çuditshme.

    Ishte vërtet një libër total, për botën dhe njerëzimin gjatë njëqind mijë vjetëve të fundit, domethënë nga njeriu i Neandertalit gjer në ditët tona. Gjer këtu s’kishte ndonjë gjë origjinale, përderisa ishin shkruar me qindra të tillë. Origjinale ishte tjetër gjë dhe pikërisht sasia e faqeve ose e rreshtave që i kushtohej çdo periudhe. Kjo sasi ishte në përpjesëtim të drejtë me gjatësinë e periudhës që përshkruante. Në bazë të këtij parimi, përderisa të dyqind faqet e librit ngërthenin një kohë njëqindmijëvjeçare, çdo mijëvjeçari i takonin vetëm dy faqe, rrjedhimisht çdo shekulli rreth gjashtë rreshta. Gjithmonë sipas kësaj qoke, gjithë historia e njohur e qytetërimit njerëzor (rreth katër mijë vjet) përmblidhej në rreth tetë faqe, kurse shekullit të njëzetë mezi i takonin gjer tani pesë rreshta.

    Ai priti, me siguri, që t’ia bëja unë pyetjen: “po pjesa tjetër e librit, pra, njëqind e nëntëdhjetë e dy faqet e tjera, me se merret?”, po, kur pa se unë vonova, e humbi durimin.

    – Ti do të thuash, po pjesa tjetër e librit me se merret? Tani do të ta shpjegoj.

    Ajo që më shpjegoi ishte edhe më e habitshme. Në të njëqind e nëntëdhjetë e dy faqet e tjera, domethënë, në faqet që i përkisnin periudhës përpara qytetërimit, përshkruhej koha e gjatë, e errët e monotone e njerëzimit dhe kjo nuk bëhej as me përfundime a zhbirime shkencore, po thjesht në trajtë kronike. Dhe pikërisht këtu qëndronte kyçi i librit. Ndërsa, sipas këtij kriteri, Luftën e Dytë Botërore autori duhej ta jepte me një të tretën e një rreshti (pra rreth dy-tri fjalë), mprehjen e kockave, fërkimin e drurëve për të ndezur zjarrin ose veprime të tilla të ngjashme të njeriut parak ai i përshkruante me dhjetëra e dhjetëra faqe dhe në një mënyrë të përsëritur, monotone e lodhëse, që t’i përgjigjej pak a shumë kohëzgjatjes së tyre nëpër shekuj. Është e tepërt të nënvizohet se, ndërsa gjithë shpikjeve të mëdha të botës, me vështirësi u takonin një ose dy rreshta, mprehjes së kockës në trajtë thike i kushtoheshin gati dhjetë faqe të librit.

    – Ti e kupton se sa mund më ka kushtuar e gjithë kjo, – më tha ai. – Mund i tmerrshëm për të dhënë tërë atë përsëritje lodhëse, të pafundme, skëterrore të përparimit të ngadaltë të njeriut, nga njëra anë, dhe po aq mund, në mos më tepër, për të dhënë në mënyrë sa më të dendur, ashtu siç ta shpjegova, kohën e re.

    Ai më shpjegoi pastaj se kishte një mënyrë për të zgjedhur vendin që zinte koha moderne, po kjo sillte ndërlikime të tjera. Kështu, për shembull, në qoftë se e rriste gjer në pesë herë kohën e re, duke i dhënë një shekulli jo gjashtë, po tridhjetë rreshta, gjë që dukej një luks i madh, ishte i detyruar që librin nga dyqind, ta kthente në një mijë faqe. Rrjedhimisht, mprehja e kockave ose fërkimi i drurëve nga njeriu parak, që edhe kështu siç qe ngjante i zgjatur e monoton, do të zinte qindra faqe.

    – Ja në ç’mëdyshje ndodhem, – tha ai. – E vështirë, apo jo?

    Porositëm edhe nga një kafe tjetër dhe unë më kot përpiqesha të kujtoja nga njohuritë e përcipta që kisha për psikiatrinë se në çfarë deliri mund të hynte shkrimi i një libri të tillë.

    – E megjithatë kjo s’është dhe aq e vështirë për ta krahasuar me projektin e parë, të cilin, e pohoj sinqerisht, e braktisa, ngaqë nuk ma mbante. – Sipas tij, në libër do të jepej jo vetëm koha që nga njeriu i Neandertalit, po që nga njerëzit e parë, me fjalë të tjera, jo njëqind mijë, po një milion vjet. Dhe atëherë, gjithçka do të ishte shumë më e dendur dhe një shekulli nuk do t’i takonin më gjashtë rreshta, po dhjetë herë më pak, domethënë pak më shumë se gjysmë rreshti, me fjalë të tjera, rreth dyzet shkronja…

    Nuk e di ç’na shtyu të vështroheshim të dy në sy dhe në vend të ndriçimit të marrëzisë unë dallova në to një pikëllim të madh. Si të qe kapur në grackë, ai u përpoq më kot ta hiqte vështrimin, pastaj befas zuri kokën me duar dhe u shkund i gjithi nga gulçi.

    Nuk e pyeta “ç’ke?”, sepse m’u duk më e udhës ta lija të çlirohej. E kishte ende zërin të zbutur nga gulçimi, kur më tha:

    – Mua s’më do gruaja.

    Qëndruam të dy në heshtje, pa i hequr sytë nga çanta e zezë, brenda së cilës ishte libri, ai që duhej të ishte streha e tij e sigurt kundër vogëlsirave të jetës, pika madhështore e krahasimit, në varësi me të cilin gjithçka tjetër duhej të dukej e përkohshme, e parëndësishme dhe kalimtare; ngushëllimi i tij, harresa, çlodhja, burimi i smirës e i admirimit të të tjerëve: (sa lart, në ç’sfera të paarritshme endet mendja e tij) shkurt, droga e tij, që për herë të parë ndoshta nuk po e mpinte dot.

    Nuk di sa qëndruam ashtu, unë pa e hequr shikimin nga çanta e zezë, ai duke fshirë herë pas here sytë me shuplakat e duarve, gjersa erdhi kamerieri dhe ne, për habinë e tij, porositëm nga një kafe të tretë.

    Tiranë, 11 korrik 1986

    2 KOMENTE

    1. Nga Kadareja dua te shkepus vetem nje tregim, qe per mua eshe tipik! Ur-libri. Tregimi flet per autorin qe ne kete rast eshte kadare, i cili ka zbuluar dicka interesante! Te shpjegosh historine njerezimit duke i kushtuar aq faqe libri sa kohe ka marre cdo ngjarje! Psh: latimi i gurit merr 300 faqe nga ur-libri, nderkohe qe lufta e dyte boterore ze dy faqe gjithsej. Tani Kadare eshte rruges per te takuar nje recenzent te asaj kohe. Dhe duke i shpjeguar komceptin e ur-librit, ne debat e siper me recenzentin deklaron: mua nuk me do gruaja!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË