More
    KreuIn memoriamNë kërkim të humanistit të fundit

    Në kërkim të humanistit të fundit

    109 vjet nga lindja e profesor Injac Zamputit

    Nga Mimoza Hysa

    Pyetja e përsëritur “A të kujtohet ajo kohë?” më sjell ndër mend poezinë A Silvia të Leopardit, që gati kësisoj zë fill dhe që ka qenë përpjekja ime e parë për të përkthyer, çuditërisht ende e papërfunduar. Si për të nënkuptuar se përkthimi vetë është vetëm një proces i papërmbyllshëm. Apo, në njëfarë mënyre, një provë e përhershme dështimi, po të perifrazoja disi Beckett-in. Gjithsesi, nuk e kujtoj për këtë gjë, por për një fakt shumë më të qenësishëm: kjo poezi më dha mundësinë të njihja një njeri që dukej si i shtegtuar nga të tjera kohë, nga të tjera vise, si personazh mesjetar i romaneve klasikë. Me një emër të huaj, ama të shqipëruar, Injac Zamputi. Por, si në çdo përkthim, kishte humbje: emri i shkruar siç shqiptohej, mbiemri me nevojën për të ruajtur shenjat e origjinalit, mostjetërsimin, ruante “z”-në fillestare italiane dhe shqiptohej si e tillë, jo si “z” e shqipes, e fill mandej plaga e mungesës: shkulja me dhimbje e “t”-së dyshe, që ndihej qartazi kur mbartësit e këtij mbiemri prezantoheshin. Asnjë përshtatje nuk mund të jetë e plotë. Madje as diktatura nuk kishte mundur ta bënte alla shqiptarçe, apo alla “socialiste” këtë emër. Ishte e vështirë të fshiheshin në emër gjurmët e prejardhjes. Por, edhe pse për emrin mund të merrej si katolik nga Veriu, mbiemri pastaj ishte vulë gishti a putre.
    Emrat janë histori më vete, ashtu si edhe fytyrat ndonjëherë, vendlindja, vendbanimi dhe e tërë lista e të dhënave të patjetërsueshme që njeriu ka në kartën e identitetit. Emri i profesorit e kishte kundërshtinë, të veçantën, të ndryshmen në trup. Kishte vulën e papërkthyeshmërisë. Dëshmonte lëvizjen, zhvendosjen nga botë të tjera, të huaja. Një ndërmjetësi të brishtë, një kulturë të veshur me mister dhe shkëlqim për brezin e kohës sime.
    Përkthimi u bë shkas për t’u njohur. Ndërkohë që u gjenda përballë njeriut që përfaqësonte përkthimin: si emër, si histori vetjake, si profesion. Krijimi dhe përkthimi letrar nuk zëfillin si disiplina, kthehen më pas në të tilla. Nisin me dëshirën për të thënë një gjë ndryshe, me ngutin për t’u shprehur, me ëndrrën për të komunikuar, shpeshherë edhe për t’iu kundërvënë kohës, me një kundërshti thelbësore, të heshtur, të përmbajtur, të ngadalshme, si një ujë i qetë që gërryen e shemb urat. Për mua përkthimi kishte nisur si mundësi për të ushqyer krijimin. Pak rëndësi kishte asokohe se nuk i dija mirë ende kohët e foljes dhe se, edhe për fjalë të thjeshta, më duhej të hapja fjalorin. Rëndësi kishte se poezia e Leopardit më linte pa gjumë, se trishtimi i tij ekzistencial përligjte atë ndjenjë zbrazësie dhe papërmbushjeje të rinisë së viteve tetëdhjetë. Ndjesia për të përzgjedhur e ngulmuar për të përkthyer atë lloj letërsie, që nuk ta ofronin letrat e kohës, ishte si nevoja e fëmijës që gërryen dhe ha suvanë e murit, ngaqë ka mungesë kalciumi.
    Profesor Injaci banonte në katin e dytë të një pallati ngjitur me shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”. U paraqita me drojë, ndjesi që as vitet mbi supe nuk ma kanë regjur. Më ftoi të hyja brenda bashkëshortja, Roza, një grua e dobët, e buzëqeshur, me një dialekt të ngrohtë shkodran, e shkathët, që dukej sikur ngutej së mos i digjej diçka në zjarr, si të gjitha nënat që bëjnë shumë punë njëherësh. Më drejtoi për te dhoma e profesorit përmes një korridori që ndante dhoma në të majtë e në të djathtë dhe që ngjante më tepër me një korridor konvikti. Dhe vërtet i tillë ishte: familja e profesorit e ndante jetesën me një tjetër familje në po të njëjtën hyrje. Dhoma e profesorit ishte si sallë biblioteke e vogël, me rafte me libra deri në tavan, një tavolinë mesi e një makinë shkrimi Olivetti. Më mbetën sytë te skedat me shkrim të qartë, si të Bibliotekës Kombëtare, si dhe sirtarët e përshtatur për to. Lexuesi i sotëm duhet të ketë parasysh se ato fletë kartoni, që gati të njëllojta ekzistojnë sot e kësaj dite në biblioteka, asokohe përfaqësonin objektet ndjellëse, mbështjellë me një mister fetishizmi. Sidomos kur ishin në gjuhë të huaj. Kisha gërmuar me orë nëpër skeda të tilla, me një aromë të rëndë myku e lagështie, në bibliotekën e vjetër të Tiranës, ku nuk hynte kurrë dielli. Ishte si rrëmimi i arkeologut në varre të vjetra. Librat që mund të gjeje aty ishin përtej gjysmë shekullit. Të krijohej përshtypja se po zbrisje radhët e Ferrit të Dantes dhe po endeshe të laje teshat në Arnon e hirtë të mesjetës. Po njeriu është i prirur t’i turret pas së vërtetës, edhe sikur ta dijë që e pret gremina. Kjo ndoshta ishte arsyeja që zgjidhja më me dëshirë atë mjegullinë lashtësie se qartësinë sterile të letrave të kohës. E skedat e profesorit ishin të tilla: në gjuhë të huaj. Ishin kureshtje, drojë, frikë e grishje.
    Jam e bindur se as në imagjinatën më të skajshme profesori nuk do ta besonte se për një të tretë ajo dhomë ishte tërheqëse e një vend i denjë për të. Aq më tepër që jetonin gjashtë vetë në një hyrje: profesori me të shoqen dhe familja e re e të birit me dy fëmijë, në vetëm dy dhoma e një kuzhinë. Pa dyshim që ajo dhomë e ruante veshjen me libra si lëkurë të patjetërsueshme, por ndryshonte hapësirën në orët e vona, duke u kthyer në dhomë ngrënieje a gjumi, a të dyja bashkë. Megjithëse në vitet e mëpasshme dhe sidomos në ditët e sotme, kam parë dhoma studimi të ndrequra për së mbari, me përsosmëri arredimi, kam mundur të kem edhe vetë një dhomë me mure të veshura me “lëkurë” libri, ajo ishte ndër të parat që m’u gdhend tatuazh simboli në kujtesë. Si dhoma ku punonte një studiues, një historian, një përkthyes. Një humanist i mbijetuar. Një njeri i gjallë i një shekulli të vdekur.
    Sërish lexuesit të sotëm me dhjetë vëmendje e gjymtyrë të zgjatura kompjuterike, figura e një humanisti i ngjan si skelet i denjë për t’u ekspozuar në muzetë e mesjetës. Po Leopardi do të kishte vdekur tek unë bashkë me Silvian, nëse nuk do të ma kishte shpjeguar fjalë për fjalë e varg për varg profesor Injaci. Për mua ishte ora e parë e analizës së tekstit. Ishte ora e parë e përkthimit letrar. Ishte ora e parë e stilistikës. E leksikologjisë. E shkrimit krijues. Deri atëherë kisha bërë vetëm orë leximi ose këndimi, recitimi më saktë. Ishin një breshëri fjalësh të fryra me lumturi e të ngjyera me dritë, ku printe prijësi i madh dhe të gjithë duartrokisnim me ritëm. E ndieje veten “armike” e “të sëmurë” që doje, dreqi e mori, të hiqeshe ndonjëherë prej rreshtit, të zhyteshe në vetmi e të të brente makthi i vdekjes, i humbjes, i palumturisë, i vetmisë. Kishte pasur ndër tekstet e kënduara edhe nga ata që nguleshin në kujtesë jo thjesht si përgjigjja e përmëngjesshme: “Gjithmonë gati.” Por, edhe kur kishin qenë të tillë, i kisha ruajtur për vete. I kisha përsëritur me vete. Askush nuk më kishte shpjeguar me aq qartësi, thjeshtësi e mençuri se çfarë fshihej pas fjalëve, si mund të përqaseshin ato vargje me të tjerat, si mund t’u ndryshohej rendi i fjalëve, si mund të zëvendësoheshin fjalët me të përngjashme, e çfarë ndryshonte kur zhvendosej presja, vargu apo strofa. Profesori e bëri të gjithë shpjegimin duke vënë përballë dy poezi: A Silvia të Leopardit, shkruar nga data 19 deri 20 prill të vitit 1828 gjatë qëndrimit të shkurtër të poetit në Piza, asokohe një djalosh me shpresa të prera, me poezinë Silvës të përkthyer po një ditë prilli më 1982 – i ka rënë pikës Eliott-i që e ka përcaktuar prillin si muajin më mizor – nga një pesëmbëdhjetëvjeçare, gati një moshë me vajzën e poezisë, me shpresa po aq të vobekta. Ajo përballje më bëri për herë të parë të përgjegjshme për aktin e përkthimit. Pas kësaj dite do të kuptoja se nuk ishte thjesht një dëshirë për të thënë diçka ndryshe. Ishte krijim në gjuhën time, me bekimin a mallkimin e autorit. Profesori më vuri përpara edhe Silva të tjera. Të përkthyera në kohë të tjera. Nga të tjerë përkthyes. Adoleshentë, të pjekur apo të urtë me mjekër të bardhë. Nuk më përmendi emra: tha vetëm që ishin burra të urtë që kishin provuar kohë përpara meje të përkthenin Leopardin. E kishte fjalën, ndoshta, për përkthime të bashkëkohësve të tij: Koliqin apo Arshi Pipën? Ndoshta përkthimi me shumë shënime ishte sprovë e vetë profesorit? Gjithsesi, ndihej gegërishtja në të gjitha variantet. Fjalë të veçanta që për mua kërkonin një përkthim të dyfishtë. Diç më tha për paskajoren: “Si ia bëhet për me e përkthy pa humbje?” Dhe kishte pyetur duke e përdorur. Më tepër se orë e gjuhës italiane, ishte orë e gjuhës shqipe. Orë e historisë së ndryshimeve, gjymtimit e pasurimit, dialekteve. Orë e çmuar, që ndërpritej nga ndërfutja e Rozës si flutur e lehtë. Vinte përpara një gotë shurupi. Zhdukej e shfaqej për të sjellë diçka a për të marrë diçka tjetër, pa e prishur atmosferën. Si aromë trëndafili. Dhe ëmbëlsia me të cilën këqyrnin njëri-tjetrin, për mua ishte gjuhë e huaj.
    Nuk kishte asnjë grimë nxitimi se po humbte kohë të vyer. Ishte mësuesi ideal që kuptonte se një orë shprese për të rinjtë është një farë e hedhur për të nesërmen. Nuk ka rëndësi në kushtoi shumë apo pak orë. Rëndësi ka që më nguliti modelin e mësimdhënësit, të studiuesit të heshtur, përkthyesit ngulmues, njeriut të mirë.
    Nuk do të rreshtoj këtu gjithë kontributin e tij si themelues i diplomatikës shqiptare, gjë që e ka bërë prof. Aurel Plasari më së miri në një shkrim kohë më parë. Edhe pse kjo fushë është e njohur për mua, veç kur më ka shërbyer ta shfletoj në ndihmesë të përkthimit. Ia kam ndier nevojën profesorit kur ndërmora përkthimin e Nilo Borgia-s “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri. Shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI-XVIII”. Ai më tepër se gjithkush do të më kishte ndriçuar në përkthimin e dokumenteve nga arkivat e Vatikanit. Aq më tepër që i përkisnin periudhës ku kishte dhënë më tepër kontribut. Po, ama, kisha pasur fatin të mësoja prej tij parimet e përkthimit. Edhe pse për një poezi që druaj t’i jap formë edhe sot e kësaj dite.
    Janë të pakta në jetë ndalesa të tilla njohjesh të vlefshme, modele që formojmë idealin e figurës njerëzore. E nuk ka rëndësi në i ke njohur për pak apo shumë kohë, në kanë qenë ose jo miq të tutë, e rëndësishme është që koha e shpenzuar me ta është përqendrim e një kënaqësie transcendentale, e cila përjetohet më tepër me heronj të vdekur se me modele të gjalla.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË