More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDr. Jorina Kryeziu (Shkreta): Korpusi kadarean-- Variante titullore në arealin frankofon

    Dr. Jorina Kryeziu (Shkreta): Korpusi kadarean– Variante titullore në arealin frankofon

    Krijimtaria e I. Kadaresë njeh një përtëritje të vazhdueshme brendatekstore, titullore e zhanrore drejt përplotësimit: kemi vepra të përplotësuara nga tregimi në roman (Gjenerali…, Qyteti i jugutKronikë në gur etj.), nga novela në roman (Përbindëshi, Doruntina, Pallati, Muzgu etj.). Po kështu, nga botimi në ribotim, vepra është retushuar – artistikisht – si kërkesë e vetë shkrimtarit, si përkryerje artistike, duke buruar vijimësisht prej rezervuarit autentik, për ta shndërruar në një dukuri e traditë të vetën, e cila përbashkohet dhe dallohet prej lexuesit që e njeh veprën si sistem, duke e shndërruar njohjen ndaj këtij korpusi në një “enciklopedi vetjake”. Këtij rezervuari, padyshim, nuk mund t’i shpëtojë as aparati titullor.

    Titulli, si shenjë e element i rëndësishëm paratekstor, përbën kontaktin e parë me veprën. Titujt kadareanë, burimorë e të përkthyer, janë metaforikë, metonimikë, shprehës të vlerave konotative e asociative e, njëherësh, joshës për lexuesin, duke e angazhuar atë në interpretim, ende pa nisur leximin. Raporti titull – variant titullor mund të kundrohet në disa aspekte, bazuar në stilin e shkrimtarit po dhe në përballjen (face to face/ vis-à-vis) me lexuesin.

    Përkthimi i kësaj vepre në vitet ’70 të shek. XX, në Paris, bëri që Franca të shndërrohet në atdhe të dytë, ndërsa frëngjishtja, gjuha e madhe, shërbeu si përcjellëse për gjuhët e Evropës Perëndimore e më gjerë, duke u bërë urë lidhëse letrare-kulturore për përkthimet në: holandisht, finlandisht, suedisht, norvegjisht, portugalisht etj., madje edhe për arealet e afërta me shqipen, siç janë greqishtja e italishtja.

    Gjatë hulumtimeve të kryera për titujt kadareanë në arealin frankofon, u evidentuan një sërë elementesh mbi veprimtarinë e përkthimit, specifikën gjuhësore dhe stilistike, krijimin e ekuivalencave semantike, riprodhime titullore identike të teksteve burimore, po dhe vepra me dy tituj brenda të njëjtit sistem pritës. Gjithashtu, u vërejt se variantet titullore zunë fill në arealin frankofon, më 1972, me romanin Kështjella, i cili ndërrohet në Daullet e shiut (Les tambours de la pluie[1]). Ky ndërrim, apo çështja e ndryshimit ose/dhe ndërrimit të krejt titullit, shndërrohet në një marrëdhënie komplekse mes titullit dhe vetë veprës. Nga njëra anë, varianti titullor duket se nuk ndikon në përmbajtjen e veprës e, ndoshta, as në përzgjedhjen e saj për lexim, por, nga ana tjetër, nëse do të analizonim me përimësi faktorët brenda-e-jashtëtekstorë, që kanë ndikuar në ndërrim, kjo mund të na çonte deri në një “semiotikë” historike-gjuhësore të titullit (Leo H. Hoek, La marque du titre), në të cilën nuk duhet të mënjanohet përmasa socio-kulturore. Në rastin e romanit Kështjella, kjo përmasë mund të na ndihmojë në kontekstualizimin historik të varianteve: Kështjella/ Daullet e shiut/ Kasnecet e shiut/ Rrethimi – të para si eksperimente letrare-gjuhësore-historike-kulturore, hallka e të cilit këputet te Kështjella, për të na larguar përfundimisht nga formula e gatshme e ekzotikës mesjetare. Këta tituj përshkojnë e bashkojnë të gjitha grupet diskurse, elementet peritike dhe njësitë joverbale të tekstit. Ky zinxhir titullor mbetet padyshim i qëllimshëm, u bindet dhe u përgjigjet procedeve artistike, si ligjshmëri të stisura nga vetë autori. Titujt, në këtë rast, hapin një horizont estetik dhe kanë efektet e veta të leximit e, madje, ngrenë disa probleme, “ndoshta më shumë se çdo element tjetër i paratekstit” (Gérard Genette).

    Ndërtimi i “imazhit” të veprës, përmes perspektivës fillestare të elementit peritik, realizohet si një tërësi komponentësh ekzogjenë, që kërkojnë njohje të rregullave sintaksore, narrative, psikologjike apo edhe etike, duke marrë parasysh edhe shitjet – fuqinë reklamuese të titullit. Variantet titullore të arealit frankofon nuk prekin vetëm sferën gjuhësore, po dhe atë kulturore, pasi, përgjithësisht, përfshijnë një aluzion kulturor, qoftë të lexuesit shqiptar/të vendit të origjinës, qoftë të lexuesit të huaj/të sistemit pritës.

    Veprat kadareane, në shqip e në gjuhë të huaja, përmbajë një sërë elementesh peritike, me karakteristika të veçanta shtesë: nëntituj – kur kanë ose kur shtohen, “teksti” i ballinës së pasme dhe/ose i jakës, fjalë/fraza shoqëruese, fotografi të shkrimtarit, parathënie/pasthënie/forma të tjetra, ilustrime të ballinave etj. Krahas titujve, edhe këto elemente shoqëruese luajnë një rol të posaçëm në bartjen e kuptimeve e mund të kenë impakt të menjëhershëm dhe funksion udhëzues, duke e ndjellë lexuesin në lexim, në interpretim po dhe drejt blerjes.

    Në përkthime, lexuesi, në çastin që prezantohet me paratekstin, duket se nuk shfaq interes për marrëdhëniet gramatikore se dhe semantike midis dy gjuhëve: veprës dhe tekstit burimor/të përkthyer/ndërmjetës. Hapësira dhe shtrirja metalinguistike e titullit (Léo H. Hoek, 1973) mund të analizohen gjerësisht, aq sa në finalizimin e procesit të aparatit titullor, nuk mund të përjashtohet roli i “industrisë” së botimit: botuesi, përkthyesi, kryeredaktori, redaktori – sidomos për të tërhequr shitje. Referuar audiencës së synuar, edhe titujt e kolanave apo të serive, të vendosura prej botuesve, kontribuojnë në identitetin dhe pritjen e veprës letrare, duke u shtuar të dhëna që shoqërojnë e “ndriçojnë” leximin, sidomos në sistemin pritës.

    Ndërrim-kuptimi i këtyre titujve në veprimtarinë përkthimore nuk mund të mbetet një konfigurim kalimtar e as i rastit, model i propozuar apo variant, por shënjon kuptime linguistike e ekstralinguistike që lidhen drejtpërdrejt me veprën, me njohjen e “mekanizmave” gjuhësorë të variacioneve titullore dhe me rëndësinë e njohjes së tipareve specifike të stilit, përkthimi i të cilëve shfaqet si njësi tekstuale e posaçme në gjuhën e kulturën pritëse.

    Ndër njëqindenjëzetepesë tituj burimorë ka fare pak tituj pa variante, si: Përbindëshi, Gjenerali i ushtrisë së vdekur (përveç përkthimit në portugalisht: O general do exército fantasma/ Gjenerali i ushtrisë fantazmë), Autobiografia e popullit në vargje, Shkaba, Hija, Vajza e Agamemnonit, Pasardhësi, Aksidenti.

    Variante titullore dhe vepra me dy tituj  

    Dukuri interesante e këtij areali, përveçse ndërrimeve të titujve, mbetet edhe dinamika e ribotimeve, aq sa kemi vepra me variante titullore po dhe vepra me dy tituj, si vijon:

    * Raste të veprave me një titull të ndërruar

    Kështjella Les tambours de la pluie (Daullet e shiut), titull që merret kalk i gatshëm edhe për përkthime në gjuhë të tjera: portugalisht, katalanisht holandisht, spanjisht, italisht, greqisht, kinezisht etj.;

    – Nga një dhjetor në tjetrin Le Printemps albanais (Pranverë shqiptare) – titull që do të merret kalk edhe për përkthimet në gjuhët e tjera;

    – Pashallëqet e mëdhaLa niche de la honte (Kamarja e turpit)ndryshimi ka ndodhur në frëngjisht dhe do të përdoret edhe në përkthime në gjuhë të tjera. Pashallëqet e mëdha konsiderohet një titull burimor (1978, 1989, në Tiranë; 1980, në Prishtinë), i cili nuk do të përdoret më as në botimet në gjuhën shqipe;

    – Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave Le Palais de Rêves (Pallati i Ëndrrave) ndryshimi ka ndodhur në frëngjisht dhe do të përdoret edhe në përkthimet në gjuhë të tjera;

    – Nata me hënë Clair de lune (Dritë hëne) ndryshimi ka ndodhur në frëngjisht dhe do të përdoret edhe në përkthimet në gjuhë të tjera;

    – Viti i mbrapshtë L’Année noire (Viti i zi) ndryshimi ka ndodhur në frëngjisht dhe do të përdoret edhe në përkthimet në gjuhë të tjera;

    – Ndërtimi i Piramidës së Keopsit La piramide (Piramida) titull që do të përdoret edhe në përkthime në gjuhë të tjeraetj.

    * Raste të veprave me dy tituj

    Kronikë në gur: Chronique de pierre dhe Chronique de la ville de pierre (Kronikë e qytetit të gurtë);

    Dimri…: Le grand hiver (Dimri i madh) dhe L’hiver de la grande solitude (Dimri i vetmisë së madhe);

    Koncert në fund të dimrit: në Le concert (Koncerti) dhe Le concert en fin de saison (Koncert në fund të stinës);

    Ikja e shtërgut: La menace du soleil (Kërcënimi i diellit) dhe L’envol du migrateur (Ikja e shtërgut) etj.

    Bilinguizmi titullor

    Në disa prej gjuhëve, kryesisht me alfabet jolatin, titujt kadareanë shfaqen në trajtë bilinge, duke u shndërruar në një praktikë përkthimore e sistemit pritës. Krahas titullit, kryesisht prej nga është përkthyer vepra, në gjuhën e sistemit pritës në ballinë bashkëvendoset edhe titulli në alfabet latin, kjo ka ndodhur në:

    – Koreanisht–frëngjisht:

    Pasardhësi: 누가후계자를죽였는가 – Le successeur;

    Vajza e Agamemnonit: 아가멤논의딸 – La Fille d’Agamemnon;

    Dosja H: H서류 – Le Dossier H.;

    Pallati i Ëndrrave: 꿈의궁전 – Le Palais des Rêves;

    Kronikë në gur: 돌의 연대기 – Chronique de pierre;

    Çështje të marrëzisë: 광기의풍토 – Un climat de folie etj.

    – Kinezisht–frëngjisht:

    Piramida: 慾望金字塔 – La pyramide etj.

    – Japonisht–frëngjisht:

    Prilli i thyer: 砕かれた四 – Avril Brisé;

    Muzgu i perëndive të stepës: 草原の神々の黄昏単行本 – Le Crepuscule des Dieux de la Steppe etj.

    (*Dukurinë e bilinguizmit titullor në gjuhët aziatike nuk e hasim vetëm për frëngjishten, por edhe për anglishten dhe për shqipen.)


    [1]  Titulli i parë i ndryshuar: Les tambours de la pluie/Daullet e shiut (titulli burimor Kështjella), “Hachette Littérature”, Paris, 1972, përkth. Jusuf Vrioni.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË