More
    KreuIntervistaArben Kallamata: Sa më shumë ta mendosh, aq më i frikshëm...

    Arben Kallamata: Sa më shumë ta mendosh, aq më i frikshëm të duket përkthimi

    Bisedoi Andreas Dushi

    A. D: Arben, fillimisht më lejoni t’ju përgëzoj me zemër për punën e mundimshme që si rezultat pati sjelljen e përkryer të Orwellit në gjuhën shqipe. Së fundmi, “Onufri” pas botimit të “Ferma e Kafshëve”, ka botuar edhe “1984” nën përkthimin tuaj. Ky proces përkthimi, si ka qenë për ju?

    A. K: Ju faleminderit. I jam mirënjohës “Onufrit” jo vetëm për dashamirësinë dhe besimin ndaj meje si përkthyes, por edhe për punën e shkëlqyer e serioze për t’i sjellë lexuesit shqiptar vlera të vërteta letrare. Midis botimit të këtyre dy kryeveprave të Orwellit ka një humnerë kohore prej gati tridhjetë vjetësh, aq sa mund të flitet për epoka të ndryshme. “Ferma e Kafshëve” është përkthyer në një kohë kur ishte ende e rrezikshme të përktheje Orwellin dhe iu soll në dritë lexuesit pikërisht në çastin historik kur Shqipëria po linte pas një sistem për të kapërcyer te tjetri. Pra në një kuptim ishte periudhë kapërcimi, përmbysjeje, revolucioni. “Ferma e Kafshëve” është metafora e revolucionit që merr për keq (si shumica e tyre).

    Kur nisa ta përktheja atë libër, e shihja thjesht si parodi të asaj që kishte ndodhur me të ashtuquajturin revolucion proletar në Shqipëri. Ndërsa kur erdhi koha për ta rishikuar para se ta dorëzoja për botim, isha i bindur se kishte lidhje edhe me atë që po ndodhte, pra me përmbysjen e madhe të fillimit të viteve ’90-të. ‘Ferma e Kafshëve’ vinte jo vetëm si kujtesë për atë që kishte ndodhur, por edhe si paralajmërim për atë që po ndodhte dhe mund të ndodhte. Derri i quajtur Napoleon mund të marrë pamjen e Sekretarit të Parë të KQ të Partisë me kasketë proletari, por mund të marrë edhe pamjen e një kryeministri me kostum të errët dhe atlete të bardha.

    Por ndërsa ‘Ferma e Kafshëve’ është metafora e revolucionit që merr për keq, ‘1984’ është pamja brutale e revolucionit që ka marrë për keq, është mishërimi i qartë dhe i prekshëm i makthit me formën më të egër që mund të marrë diktatura.Unë e lexova për herë të pare “1984” në 1986 dhe nuk kisha se si të mos e përqasja me atë që shihja dhe përjetoja përreth. Ishin dy realitete frikshmërisht të ngjashme. Mbaj mend që i kthehesha dhe i rikthehesha shënimeve biografike për Orwellin sepse nuk e përceptoja dot se si mund ta kishte shkruar ai atë libër qysh në vitet 1940, duke parashikuar me aq saktësi realitetin e vitit 1984 apo 1986 në Shqipëri. Dëshira për ta përkthyer ‘1984’ më lindi që në atë kohë si një dëshirë për të ndarë me sa më shumë njerëz gjenialitetin e Orwellit dhe ndoshta si nevojë për t’iu bërtitur të gjithëve rreth meje: Hej, shikoni se ku jemi katandisur. Por natyrisht, në atë kohë nuk bëhej fjalë për përkthimin e Orwellit, ndërsa disa vite më vonë, në vitet ‘90-të unë nuk e ndjeja veten aq të zotin sa të përktheja ‘1984’.

    Ishte koha kur mua m’u dha rasti të shkoj për të studiuar në SHBA. Libri i parë që bleva atje? ‘1984’. Nxitoja ta kisha në formë libri atë që e kisha lexuar nga një lidhje artizanale fletësh të fotokopjuara. Natyrisht, u vura gjithë kënaqësi ta lexoja përsëri, duke zbuluar pas çdo fraze nënkuptime të reja. Por befasia erdhi, kur përfundova librin. Botimi që kisha blerë dhe që e ruaj ende përmbante edhe një pasthënie të shkruar nga Erik From. Aty u shtanga, pasi për herë të parë hasa idenë se ‘1984’ nuk ishte vetëm parodi e diktaturës komuniste, por ishte parodia e çdo diktature. Mustaqet e dashura të Vëllait të Madh, po aq sa të Stalinit mund të ishin edhe të Hitlerit.

    Ky zbulim më bindi edhe më shumë se unë nuk isha gati ta përktheja ‘1984’. Prandaj prita. Prita disa vjet, derisa u desh një bisedë me Bujar Hudhrin që të më nxiste të hiqja dorë nga hezitimi. Në atë kohë unë kisha vite që jetoja në mjedis anglisht-folës (në Kanada) dhe kisha krijuar një përfytyrim të qartë të jetës dhe mënyrës se si funksionon shoqëria në Perëndim.

    Fillova të përkthej në vitin 2005. Fatkeqësisht, ose ndoshta edhe fatmirësisht, Onufri në atë kohë nuk mund ta botonte menjëherë përkthimin, pasi nuk kishte mundësi të siguronte të drejtën e botimit (copyright). Si botues serioz, Bujari nuk mund të shkelte rregullat më elementare të botimit. Na u desh të prisnim vite të tëra, gjatë të cilave unë i rikthehesha herë pas here përkthimit. Pati çaste kur isha i bindur që ai përkthim nuk do të botohej kurrë, e megjithatë vazhdoja e punoja për të sepse më jepte kënaqësi puna për të shkuar drejt asaj që të paktën unë e shoh si të përkryer. Zakonisht, unë përpiqem të gjej hapësira për përmirësim në çdo rresht që lexoj, pavarësisht nëse është shkruar nga unë apo nga dikush tjetër (një nga huqet e vjetra të punës si redaktor). ‘1984’e kam rishikuar aq shumë saqë është ndoshta e vetmja gjë që e ndjej se s’kam ç’i bëj më.

    A. D: Kuptimi i asaj që ju e përktheni Gjuhëre, edhe kur e lexon në anglisht krijon një vështirësi, një lloj ngërçi. Ju, si e kapërcyet atë dhe e sollët rrjedhshëm Gjuhërenë në shqip?

    A. K: Më vjen shumë mirë që po më pyet për Gjuhërenë sepse është pjesë e përkthimit tim për të cilën ndihem më krenar. Kapitulli ‘Parimet e Gjuhëresë‘ është përfshirë si Apendiks, si shtesë e romanit, por përbën në fakt, një nga sfidat më të forta për përkthim, sepse është një ndërthurje e mrekullueshme e leksikologjisë dhe gramatikës me fantazinë dhe sarkazmën, të gjitha këto në funksion të idesë kryesore të librit. Pa qenë pjesë integrale e ngjarjeve të romanit, ajo është në një farë mënyre pjesë funksionale e një prej ideve bazë të librit – idesë se ‘1984’ është një formë e ndërlikuar diktature që arrin të kontrollojë jo vetëm veprimet e njerëzve, por edhe mendimin, gjithçka që njeriu arrin të krijojë brenda kokës së vet. Pakësimi i numrit të fjalëve dhe kufizimi i kuptimit të tyre i kushtëzon krijimin në mendje vetëm atyre ideve që i përshtaten politikës së Partisë. Gjithçka tjetër është e pamundur të artikulohet nga truri, pasi nuk ekziston lënda e parë – fjala. Për mendimin tim, edhe sikur të shkëputej ‘Parimet e Gjuhëresë‘ nga i gjithë romani dhe të paraqitej ajo më vete, si ese, do të kishim të bënim me një kryevepër.

    Fati e ka sjellë që unë të punoj me fjalën edhe si dhe gazetar, si krijues, por edhe si mësues, përkatësisht mësues i gjuhës angleze. Kjo e fundit më ka diktuar nevojën e njohjes në thellësi të gramatikës dhe të nuancave nënkuptimore të fjalëve, gjë që më ka ndihmuar në përkthim, veçanërisht në përkthimin e ‘Parimet e Gjuhëresë‘. Në këtë kapitull çdo fjali, çdo frazë, çdo fjalë është sfidë më vete që për mua ishte jo vetëm punë, por edhe kënaqësi ta përballoja. Fillova ta përkthej gjithë librin, vetëm pasi u sigurova që isha në gjendje të përktheja si duhet ‘Parimet e Gjuhëresë‘. Përndryshe, nuk do të kishte kuptim.

    A. D: Goethe, te “Shënime për divanin perëndim – lindje”, duke folur për përkthimin, ngulmonte te “afrimi i së huajës tek e vendit, të së njohurës me të panjohurën” (A. Klosi, ABC e përkthimit letrar, fq. 18). Ndonëse në rastin e Orwellit, kulturës së gjuhës pritëse nuk iu paraqit diçka krejt e huaj, e panjohur, si e ndjetë ju të ndodhte ky afrim gjatë procesit të përkthimit?

    A. K: Fjala dhe mënyra se si përdoret, apo keqpërdoret ajo, qëllimisht apo jo, është një nga temat më të rëndësishme për Orwellin. Flas jo vetëm për trajtesa të drejtpërdrejta si eseja e njohur Politika dhe Gjuha Angleze (Politics and the English Language), por edhe për të gjithë stilin e të shkruarit të tij. Orwell i përket atij grupi shkrimtarësh që i lexon me lehtësi, pasi përdorin fjalë në dukje të thjeshta dhe jo shumë të vështira. Por, po t’i shohësh me vëmendje vëren se thjeshtësia në dukje është rezultat i një kujdesi të jashtëzakonshëm për ta vënë gjithçka në vendin e vet, për ta puthitur sa më mirë dhe për të mos e ndërlikuar frazën pa qenë e nevojshme. Thellësia e mendimit nuk ka nevojë të fshihet pas shprehjeve të errëta dhe të vështira për t’u kuptuar. Por që të arrihet kjo, kërkohet më shumë punë, më shumë talent dhe njohje e thellë e gjuhës. E njëjta kërkesë është edhe për përkthyesin, nëse ky është vërtet serioz dhe kërkon ta përçojë me sa më shumë vërtetësi natyrën e vërtetë të autorit që po përkthen.

    A. D: “Ferma e Kafshëve” ngërthen ngjarje që krijojnë një prej alegorive më mbresëlënëse. Të gjenit në shqip gjetjet e fijeve që ndërtojnë atë pëlhurë letrare, qe e vështirë?

    A. K: Jo, gjetja e fijeve nuk ishte edhe aq e vështirë për vetë faktin se kur unë përktheja “Ferma e Kafshëve’ ne sa po dilnim nga komunizmi dhe të gjitha fijet i kishim ende nëpër këmbë. Për një  njeri të lindur dhe të rritur në diktaturë nuk ishte e vështrë t’i dalloje ato. E gjithë llafollogjia, i gjithë inventari i ideve propagandistike trushpëlarëse ishte vërdallë, i freskët, i prekshëm. Duhej vetëm vetëdije dhe prirja për t’i mbërthyer dhe përshtatur. Po sjell si shembull një pasazh të shkurtër:

    ‘Tani ferma prodhonte më shumë dhe ishte më e organizuar; ishte zgjeruar me dy ngastra të tjera të blera nga zoti Pilkington. Më në fund kishte përfunduar me sukses edhe ndërtimi i mullirit, ndërsa pronave të fermës u ishin shtuar edhe një makinë shirëse e një transportier drithi… Kafshët i qenë përveshur me mobilizim punës për ndërtimin e një mulliri tjetër.’Të gjitha këto fjalë: fermë, organizim, ngastra, makinë shirëse, transportier drithi, përveshur punës me mobilizim – janë pjesë e fjalorit të përditshëm propagandistik të diktaturës komuniste.

    A. D: Teoritë e përkthimit dallojnë mjetet që përdoren për përkthimin e teksteve informuese dhe atyre letrare. Ndonëse edhe në një bisedë me V. Zhitin bëj një pyetje të ngjashme, përgjigjia juaj më ngjall shumë interes: Mendoni se “1984” është diçka përtej letrares, gati pranë informimit të botës mbi utopinë e diktaturës?A e trajtuat si të tillë, ndërkohë që po e përkthenit?

    A. K: Shumë pak shkrimtarë arrijnë të ndikojnë aq fort në kulturën botërore sa të bëhen pjesë e fjalorit të përditshëm. Njerëzit nuk kanë nevojë të përmendin Shekspirin kur thonë ‘të rrosh apo të mos rrosh’, Servantesin kur përcaktojnë se dikush ‘po lufton me mullinjtë e erës’, apo Moljerin kur përcaktojnë dikë si harpagon, sepse janë shembuj kur letërsia i ka kapërcyer caqet e veta dhe është bërë pjesë e kulturës së përgjithshme dhe gjuhës së përditshme. Në të njëjtën mënyrë janë bërë pjesë e gjuhës Big Brother (Vëllai i Madh), ‘të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat’, ‘lufta është paqe, liria është skllavëri, padija është forcë‘. Edhe më fort se këto ka hyrë në fjalorin e përditshëm jo vetëm të anglishtes, por të shumë gjuhëve, një numër, 1984, që përdoret për të përçuar një ide, ose një gjendje të caktuar politike, një distopi të cilës i druhemi, duhet ta shmangim dhe që fare mirë, në forma të ndryshme, mund të jemi duke e jetuar. Është fjalë që përdoret nga një numër shumë më i madh njerëzish se sa mund të jetë numri i atyre që e kanë lexuar librin.

    A. D: Si përkthyes, ju jeni gjithmonë mbi një litar tejet të tendosur i cili është i kapur në dy skaje, atë të gjuhës nisëse dhe atë të gjuhës pritëse. Si ja dilni të lëvizni mbi të, duke ruajtur gjithmonë drejtpeshimin?

    A. K: Po sjell një nga ngjarjet që ka ndodhur diku nga gjysma e dytë e viteve 80-të, kur punoja si redaktor në gazetën “Drita”. Një mik (e kam për nder ta quaj mik sepse është ndër më të shquarit poetë që ne kemi) vjen një ditë me një fletë ku ishin shkruar nja katër-pesë poezi të shkurtra të Robert Burnsit.‘Ti di anglisht,’ më tha. ‘Ma përkthe pak se ç’thuhet.’ Mua më kapën të dridhurat. E para unë nuk përkthej poezi. E dyta, flitej për Bërnsin, që edhe anglisht të dish mirë, nuk e përkthen dot. Duhet të dish edhe skoçezçe. Dhe e treta, kujt po ia përktheja – poetit? Por ai më qetësoi. S’ka problem, tha. Pak a shumë më thuaj me fjalët e tua çfarë thuhet. Unë bëra sa kisha mundësi, ndërsa ai mbante shënime. Më falenderoi dhe më tha që pak a shumë tani e kishte të qartë, sepse e krahasonte edhe me një variant italisht të poezive.

    Përfytyroni habinë time kur po atë fundjavë pashë në gazetë një cikël me poezi të Burnsit të përkthyera prej poetit.

    Ka përkthyes që mjaftojnë sa t’i marrin pak idenë origjinalit dhe pastaj i lëshojnë fantazisë së tyre. Përkthyes-krijues. Pesha e tyre si krijues i rëndon aq shumë atij litarit që thoni ju i lidh të dyja gjuhët, të dyja variantet, origjinalen dhe përkthimin, saqë litari zgjatet e lëshohet pa fund. Pra, i vënë peshën e vet përkthimit, gjë që mund të jetë e tolerueshme kur përkthyesi është krijues i mirë, si në rastin në fjalë. Megjithatë, mua nuk më pëlqen ky lloj përkthimi. Të përkthesh Bërnsin pa ditur anglisht, pa njohur dialektin e Skocisë, pa njohur historinë e Skocisë, është njëlloj si t’i mbash erë trëndafilit me kundragaz dhe pastaj të përpiqesh t’ia shpjegosh erën dikujt që nuk e ka ndjenjën e nuhatjes.

    E kundërta e kësaj janë ata përkthyes që përpiqen të përkthejnë gjithçka fjalë për fjalë, që ndikohen aq shumë nga origjinali saqë nuk gjejnë dot fjalë në shqip, përdorin fjalë të huaja dhe sintaksa iu del e shfytyruar.

    Unë them që në atë figurën e litarit të tendosur të kapur në dy skajet, përkthyesi duhet të përpiqet të jetë sa më i pa-peshë, sa më i lehtë, që litari të mbetet i tendosur. Unë jam gazetar dhe një gazetar i mirë duhet të jetë si ajo miza në murin e dhomës, që i dëgjon të gjitha ç’ndodhin por nuk ndikon në ngjarje. Në një farë mënyre, këtë rol duhet të ketë edhe përkthyesi. Përkthyesi duhet të ketë peshën e mizës mbi litar. Por që të arrijë ta bëjë këtë, duhet të njohë mirë të dy gjuhët, të dyja kulturat dhe veçanërisht, të njohë mirë autorin. Përkthyesi duhet t’i qëndrojë sa më besnik origjinalit, duke përçuar regjistrin ose shkallën e formalitetit, tonalitetin, nivelin e sofistikimit të fjalorit, dendësinë e përdorimit të idiomave apo shprehjeve popullore, masën e lojës me gjuhën që ka pasur ndërmend autori. Anglishtja ka idioma që përkthehen fjalë për fjalë me të njëjtin figuracion edhe në shqip. Pastaj ka idioma që i gjejnë të barazvlefshmet e tyre në ndërthurje krejt të ndryshme fjalësh. Dhe së fundi, ka idioma që nuk përkthehen dot me idioma tonat. Siç edhe shqipja ka idioma që mund të përdoren fare mirë në kontekste kur autori po t’i kishte pasur në gjuhën e tij do t’i kishte përdorur. A e përcakton dot përkthyesi se ku dhe si duhen përdorur idiomat, apo i bie shkurt dhe përkthen ashtu si i duket atij më bukur?

    Sa më shumë ta mendosh, aq më i frikshëm të duket përkthimi.

    A. D: Dhe në mbyllje, një pyetje pak cliché, por e cila ka vlerë të veçantë në ditët e sotshme, kur shumëkush niset edhe nga përkthyesi sa herë përzgjedh librin e radhës për të lexuar: A jeni duke punuar për ndonjë përkthim të ri?

    A. K: Jo.

    NJË KOMENT

    1. Beni, te pershendes!
      Ke bere nje interpretim pothuaj shterues per parimet e perkthimit, sidomos e fund te intervistes. Kemi kaq kohe qe nuk kemi folur dhe me vjen mire qe nje shok nga me te miret ka qendruar po aq me vlera si dikur, i ditur dhe i thjeshte, mik i pashoq i tradites familjare dhe pse jo asaj me te mire shqiptare.

      Te falenderoj
      Agim Danga

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË