Shumë kohë më parë se të na jepet rasti për t’u njohur vërtet mirë me të dashurin apo të dashurën tonë, mund të ndodhë që të na përshkojë ndjenja e çuditshme se ata i njohim prej kohësh. Mund të na duket se diku i kemi parë, ndoshta në një jetë të mëparshme, apo në ëndrrat tona. Në veprën e Plato’s Symposium, Aristofan-i e shpjegon këtë ndjenjë afrie me pretendimin se personi që ne duam, njëherë e një kohë, përbënte ‘gjysmën tjetër’ të të njëjtit trup. Në fillim, të gjitha qeniet njerëzore ishin hermafroditë me dy shpina dhe me dy ijë, katër duar, katër këmbë, si edhe dy fytyra të vendosura në të njëjtën kokë, të cilat shikonin njëra tjetrën. Këta hermafroditë ishin aq të fuqishëm dhe të ngrefosur, saqë Zeus-i u detyrua t’i ndajë në dy pjesë, në një gjysmë mashkull dhe në një gjysmë femër – dhe që nga ajo ditë, çdo burrë dhe çdo grua ka dashur, në një mënyrë nostalgjike dhe të çorientuar, të ribashkohet me gjysmën tjetër nga e cila ishte ndarë.
Chloe dhe unë, i kaluam Krishtlindjet veç e veç, por kur u kthyem në Londër për vitin e ri, filluam ta kalonim të gjithë kohën në shoqërinë e njeri tjetrit. Ne bënim jetën qytetare tipike e romantike të fundit të shekullit të njëzetë, midis punës në zyrë dhe aktiviteteve të vogla të jashtme dhe ripërtëritëse si shëtitje në park, blerje librash në librari dhe darka në restorante. Ne binim dakord për shumë çështje të ndryshme dhe urrenim e donim aq shumë gjëra të përbashkëta, saqë do të ishte harbutëri po ta mohoje se, pavarësisht nga mungesa e dukshme e shenjave të pikësimit, dikur, duhej të kishim qenë dy pjesë të të njëjtit trup.
Ishte përputhshmëria ajo që e bënte jetën me Chloe-n aq tërheqëse. Pas diferencave të pafund e të papajtueshme në çështjet e zemrës, më në fund kisha gjetur dikë, shakatë e së cilës i kuptoja pa ndihmën e fjalorit, pikëpamjet e saj dukeshin mrekullisht të përafërta me të miat, urrejtjet dhe dashuritë përkonin, dhe prania e saj më bënte të përsërisja vazhdimisht, ‘Është e çuditshme, isha gati për të thënë/menduar/bërë/shprehur të njëjtën gjë…’
Teoricienët e dashurisë, me të drejtë, kanë pasur prirjen të jenë në mëdyshje për sintezën; skepticizmi i tyre buron nga ideja se është më e lehtë ta besosh ngjashmërinë sesa ta hetosh ndryshimin. Procesin e rënies në dashuri ne e bazojmë në një material faktik të pamjaftushëm, duke plotësuar kështu me dëshirë, padijen tonë. Këta teoricienë vënë në dukje faktin se është koha ajo që do ta provojë se lëkura, e cila ndan trupat tanë, nuk është thjesht një kufi fizik, por diçka që përfaqëson një hejzë më të thellë psikologjike, të cilën, do të bënim marrëzi nëse përpiqeshim ta kalonim.
Rrjedhimisht, mbi bazën e një gjykimi të thellë, ne nuk duhet të biem kurrë në dashuri me shikimin e parë. Para se ta ndërmarrim një hap të tillë, kërkohet që, thellësinë dhe natyrën e ujërave, ta shqyrtojmë në mënyrë të qartë e të plotë. Vetëm pasi të kemi shkëmbyer mendime në lidhje me të qenit prind, politikën, artin, shkencën, dhe sillën e duhur në kuzhinë, bëhet e mundur që dy persona ta ndjejnë veten të gatshëm për ta dashur njeri tjetrin. Bazuar në një gjykim të matur, dashuria meriton që të rritet vetëm kur ne realisht e njohim partnerin tonë. Megjithatë, në realitetin pervers të dashurisë (dashuria që lind pikërisht para se të njihemi), dija e tepërt mund të përbëjë fare mirë një pengesë dhe jo një shtytje – sepse Utopinë ajo mund ta çojë në një konflikt të rrezikshëm me realitetin.
Pavarësisht nga ngjashmëritë joshëse që kishin spikatur midis nesh, Chloe ndoshta nuk ishte personi nga i cili Zeusi më kishte ndarë me goditjen e tij mizore. Këtë arrita ta kuptoj në çastin kur, diku aty nga mesi i marsit, ajo më prezantoi me një palë këpucësh të reja. Të nisesh nga ky fakt për të nxjerrë një përfundim të tillë është ndoshta një sjellje pedante, por këpucët janë një simbol suprem i estetikës, dhe për rrjedhojë edhe i psikologjisë dhe pajtueshmërisë. Disa pjesë të trupit, dhe mënyra e mbulimit të tyre, tregojnë më shumë për një person sesa pjesët e tjera të tij: këpucët sugjerojnë më shumë sesa pulovrat, gishti i madh i dorës më shumë sesa bërrylat, veshjet e brendshme më tepër sesa palltot, nyja e këmbës më shumë sesa shpatullat.
Çfarë nuk shkonte me këpucët e reja të Chloe-s? Thënë objektivisht, asgjë – por kur ka ndodhur që të biesh në dashuri objektivisht? Ajo i kishte blerë këpucët mëngjesin e një të shtune te një dyqan në King’s Road në funksion të një mbrëmje në të cilën na kishin ftuar. Unë e kuptova mirë kombinimin e takës së ulët me takën e lartë që stilisti ishte munduar t’i shkrinte në një të vetme, shollën e vendosur në një platformë që ngrihej lart deri te thembra me gjerësinë e një këpuce të sheshtë, dhe lartësinë e një stiletto. Pastaj vinte qafa e këpucës me një stil të lehtë rococo, e zbukuruar me yje dhe një fjongo, dhe e rrethuar nga një kordele e bollshme. Këpucët ishin një apogje i modës, të punuara mirë, me fantazi, por që mua më futnin neverinë.
‘E di se do të pëlqejnë jashtë mase,’ tha Chloe tek largoi letrën mbështjellëse në ngjyrë të purpurt e cila mbulonte këpucët. ‘Kam për t’i veshur çdo ditë. Këto janë këpucë fantastike, megjithatë, do t’i mbështjell përsëri, do t’i lë në kuti dhe nuk do t’i përdor kurrë.
‘Ide shumë interesante.’
‘Për pak sa nuk e bleva të gjithë dyqanin. Aty ka gjëra të mrekullueshme. Duhej ta kishe parë se çfarë çizmesh kishin.’
Mua m’u tha goja. Ndjeva një rrahje të çuditshme prapa qafës. Nuk mund ta konceptoja sesi Chloe kishte rënë në dashuri me një palë këpucë tepër kompromentuese. Ideja ime për të, siguria aristofanike e identitetit të saj, nuk e përfshinte një ngazëllim të tillë. I lënduar dhe i shqetësuar nga kjo kthesë e papritur në marrdhëniet tona, unë pyeta veten, ‘Si është e mundur që një grua që është futur në jetën time (me këpucë normale të sheshta në ngjyrë të zezë që preferohen nga vajzat e shkollës dhe murgeshat) të pretendojë se më do e më kupton, dhe të apasionohet pas një palë këpucësh të tilla?’ Sidoqoftë, në pamje të jashtme unë thjesht pyeta (me një ton që besova se ishte tepër i dëlirë), ‘E ruajte faturën?’
Menjëherë m’u duk se ishte më e lehtë ta doja Chloe-en pa e njohur atë. Në një nga poemat e tij prozë, Baudelaire përshkruan një burrë, i cili e kalon gjithë ditën duke shëtitur nëpër Paris me një grua të cilën e ai e ndjen se është i gatshëm për t’u dashuruar. Ata janë në një mendje për aq shumë gjëra, saqë në mbrëmje ai është i bindur se ka gjetur një bashkudhëtare me zemrën e së cilës ai mund ta bashkojë të tijën. Të etur, ata shkojnë së bashku në një kafene të re luksoze, ku burri vë re mbërritjen e një familje të varfër punëtore, e cila ka ardhur për t’i kundruar, përmes xhamit të vitrinës së kafenesë, klientët elegantë, muret e bardhë lëbyrës, dekorin e larë me ar. Sytë e këtyre shikuesve skamës janë të habitur nga shpalosja e pasurisë dhe bukurisë që ndodhet aty brenda, ndërkohë që shprehja e fytyrave të tyre e mbush rrëfyesin me keqardhje dhe turp për pozitën e tij të privilegjuar. Ai kthehet për t’i hedhur vështrimin të dashurës së tij me shpresën se do të shikojë shqetësimin dhe emocionin e tij të pasqyruar në sytë e saj. Por, gruaja me shpirtin e së cilës shpirti i tij ishte përgatitur të bashkohej, ka një tjetër rend dite. Vrazhdë, ajo thotë se ata të mjerë, me sytë e tyre të zgurdulluar e të shqyer nuk i duron dot, shpreh habinë se ç’dreqin duan aty dhe i kërkon atij që të flasë me pronarin për t’i dëbuar që andej menjëherë. A nuk është e vërtetë se çdo histori dashurie kalon çaste të tilla? Një kërkim për sy që reflektojnë mendimet e tua dhe që përfundon me një divergjencë (tragjikomike) – qoftë për luftën e klasës apo dhe një palë këpucë.
Ndoshta njerëzit më të kollajshëm me të cilët mund të biesh në dashuri janë ata për të cilët nuk dimë asgjë. Romancat nuk janë aq të dëlira sa i imagjinojmë ne gjatë udhëtimeve të gjatë me tren tek shikojmë me ngulm një person të bukur që sodit nga dritarja – një histori e përsosur dashurie që ndërpritet vetëm në çastin kur e dashura rikthen shikimin në vagon dhe ia nis një bisede monotone, me një udhëtar që ka pranë, për çmimin tepër të lartë të sanduiçëve në tren, ose shfryn hundët me intensitet në një shami dore.
Frika që një njohje më e mirë me të dashurin mund të shkaktojë, mund të krahasohet me kompozimin e një simfonie në mendjen tonë, të cilën më pas e dëgjojmë të luhet në një sallë koncerti nga një orkestër e plotë. Megjithëse na bën përshtypje se në të gjejmë shumë nga idetë tona të konfirmuara në vetë ekzekutimin e veprës, nuk ka sesi të mos e vëmë re se detajet nuk janë me përpikmëri të njëjta me ato që kishim pasur ndërmend t’i krijonim ne. A nuk është e vërtetë se njëri nga violinistët stonon pak? Flauti pak me vonesë? A nuk dëgjohet mbi të tjerët instrumenti me perkusion? Njerëzit, me të cilët ne biem në dashuri me shikimin e parë, nuk kanë shije të kundërta për këpucë apo letërsi, ashtu si një orkestër që nuk ka bërë prova, nuk disponon violina që tingëllojnë keq apo flaute që janë me vonesë. Por, sapo fantazia luhet deri në fund, qeniet engjëllore të cilat pluskojnë përmes vetëdijes, e zbulojnë vetveten si qenie materiale, të rënduara me historinë e tyre mendore dhe fizike.
Këpucët e Chloe-s ishin vetëm një nga një numër i madh notash false, të cilat dolën në pah në periudhën e hershme të marrëdhënies sonë. Të jetoje ditë më ditë me të ishte njësoj si të aklimatizoheshe në një vend të huaj, dhe për pasojë, ta ndjeje se bije pre e ksenofobisë së rastit sa herë që i largohesha traditave dhe shpresave të mia.
Dallimet kërcënuese nuk u shfaqën në çështje të rëndësishme (kombësia, gjinia, klasa, profesioni), por në nyjëtime të vogla të shijes dhe opinionit. Përse këmbënguli Chloe që pastën ta linte të ziente disa minuta më shumë derisa ato të rezultonin të padëshirueshme? Përse nuk i hiqja kurrë syzet që mbaja? Përse duhej që ajo të bënte ushtrime gjimnastike çdo mëngjes në dhomën e gjumit? Përse unë kisha nevojë për tetë orë gjumë? Përse ajo kishte më shumë kohë të lirë për të shkuar në opera? Përse unë nuk disponoja më shumë kohë për Joni Mitchell-in? Përse kishte ajo kaq shumë neveri për produktet e detit? Si munda ta shpjegonte dikush antipatinë time për lulet dhe kopshtarinë? Apo shëtitjet e saj në liqene e dete? Si ishte e mundur që asaj i pëlqente t’i mbante hapur opcionet e saj për ekzistencën e Zotit (‘të paktën deri në momentin e kancerit të parë’)? Po unë përse isha kaq i mbyllur për këtë çështje?
Antropologët thonë se grupi vjen gjithmonë përpara individit, se për ta kuptuar këtë të fundit duhet të kalosh nga i pari, qoftë ai një komb, fis, klan, apo familje. Chloe e donte shumë familjen e vet, por kur prindërit e saj na ftuan të kalonim një të diel me ta në shtëpinë e tyre në Marlborough, në një moment frymëzimi për një kërkim shkencor, unë e nxita atë që ajo ta pranonte ftesën.
Githçka rreth Gnarled Oak Cottage ishte një shenjë se Chloe kishte lindur në një botë, thuajse një galaktikë, dhe unë në një tjetër. Dhoma e ndenjjes ishte zbukuruar me imitacione mobiliesh Chippendale, qilimi, i cili shkonte nga një ngjyrë kafe në një nuancë të kuqe, ishte me njolla, raftet e librave të mbuluara nga pluhuri ishin mbushur me volume të Trollope, piktura të stilit Stubbs vareshin mbi mure, tre qen me gojën plot jargë ndiqnin njeri tjetrin nga dhoma e ndenjjes në kopsht, dhe bimë të mëdha të mbuluara nga pëlhura e merimangave vareshin në një cep të dhomës. Mamaja e Chloe-s kishte veshur një pulovër të trashë, të purpurt dhe plot vrima, si edhe një fund të gjerë me lule, kurse flokët e gjatë e të zbardhur i kishte lidhur pas kokës pa kurrfarë shije. Dikush mund të shpresonte, deri diku, që mbi trupin e saj të gjente copa kashte, dhe një frymë moskokëçarje rurale, e përforcuar kjo nga fakti se emrin tim ajo e harronte në mënyrë të përsëritshme (por dhe nga qasja e saj krijuese për të më gjetur një emër tjetër). Unë shoshita në mendje ndryshimin midis mamasë së Chloe-s dhe mamasë sime, si dhe dy mënyrat krejtësisht të kundërta me të cilat ato i ishin prezantuar botës. Ndonëse Chloe ishte larguar nga të gjitha këto drejt qytetit të madh, drejt vlerave dhe miqve të saj, familja ende përfaqësonte për të një traditë gjenetike dhe historike së cilës ajo i detyrohej. Vura re një kryqëzim brezash: nënë e bijë i gatuanin patatet në të njëjtën mënyrë, shtypnin pak hudhër në gjalpë dhe më pas i spërkasnin ato me kripë të imët; ato ndanin të njëjtin interes për pikturat dhe të njëjtën shije për gazetat e së dielës. Babai tregonte interes për shëtitjet, ashtu si edhe vetë Chloe, e cila pasi më merrte me vete për shëtitje të shkurtra në Hampstead Heath, fliste me solemnitet për dobitë që të sjell shëtitja në ajër të pastër, në një mënyrë që ndoshta e kishte marrë nga i ati.
Çdo gjë aty ishte e çuditshme dhe e re për mua. Shtëpia në të cilën ajo ishte rritur të kujtonte një të kaluar të pacenuar të cilën unë nuk e njihja, por që duhej ta merrja parasysh me qëllim që ta kuptoja. Dreka kaloi kryesisht me një batare pyetjesh dhe përgjigjesh ndërmjet Chloe-s dhe prindërve të saj në lidhje me aspekte të ndryshme të folklorit familjar: A i kishte mbuluar shoqëria e sigurimeve të gjitha shpenzimet për gjyshen në spital? A ishte riparuar kazani i ujit? Kishte marrë ndonjë lajm Carolyn-a nga zyra e shitblerjes së pasurive të paluajtshme? Ishte e vërtetë se Lucy do të shkonte për studime në Shtetet e Bashkuara? A e ka lexuar njeri romanin e tezes Sarah? Vërtet Henry do të martohej me Jemima-n? (Të gjithë këta personazhe që kishin hyrë në jetën e saj shumë më para se unë – kishte mundësi që me këmbënguljen e çdo gjëje familjare, të mbeteshin aty edhe pasi unë të isha larguar.)
Ishte interesante ta kuptoje sesa i ndryshëm ishte perceptimi i prindërve të Chloe-s nga perceptimi im. Ndërkohë që unë e kisha njohur si qejfpaprishur dhe bujare, në shtëpi ajo njihej si autoritare dhe kërkuese. Në fëmijëri e konsideronin një autokrate të vogël së cilës prindërit i kishin vënë nofkën zonjusha Pompadosso, sipas emrit të heroinës në një libër për fëmijë. Unë e kisha njohur Chloe-n si të ekuilibruar në çështjet e parasë dhe të karrierës, por babai i saj u shpreh se vajza e tij ‘nuk kuptonte aspak sesi funksionojnë gjërat në botën reale,’ ndërsa mamaja bëri shaka duke thënë se ajo ‘i tiranizonte të dashurit deri në nënshtrim’. Njohjes që kisha për Chloe-n u detyrova t’i shtoj një paragraf të ri, i cili ishte shpalosur përpara se unë të hyja në jetën e saj, dhe për pasojë, vizioni që unë kisha për të vinte ndesh me atë që imponohej nga rrëfimi fillestar i familjes.
Pasdite, Chloe ma tregoi shtëpinë. Ajo më çoi te dhoma në krye të shkallëve, ku, në moshë të vogël nuk kishte guxuar të futej, ngaqë, njëherë, një xhaxha i kishte thënë se aty, brenda në një piano, jetonte një fantazmë. Ne i hodhëm një sy edhe dhomës së saj të gjumit, të cilën mamaja e saj e përdorte tani si studio; ajo tregoi me gisht një kapanxhë që e kishte përdorur për t’u futur në një papafingo bashkë me elefantin e saj Guppy, sa herë që ndjehej e trishtuar. Ne bëmë dhe një shëtitje në kopsht, dhe kaluam pranë një peme të dëmtuar në fund të një pjerrësire, në të cilën kishte rënë makina e familjes pasi ajo kishte sfiduar të vëllain që t’ia lëshonte frenën e dorës. Ajo ma tregoi edhe shtëpinë e komshinjve, manaferrat e të cilëve ajo i kishte mbledhur çdo verë, si edhe për djalin e pronarit të shtëpisë, të cilin ajo e kishte puthur një ditë tek ktheheshin nga shkolla. Pak më vonë, ai kishte ndërruar jetë, shtoi Chloe me një indiferentizëm kureshtar, ‘në një aksident me një makinë shirëse.’
Pasdite vonë, unë dola për një shëtitje në kopsht me babanë e saj, një njeri pedant, të cilit, tridhjetë vite martesë i kishin dhënë disa pikëpamje të spikatshme në lidhje me temën.
E di se vajza ime dhe ju duheni me njeri tjetrin. Unë nuk jam ekspert në çështjet e dashurisë, por do t’ju them diçka. Më së fundi, e kam kuptuar se nuk ka asnjë farë rëndësie se me cilin person martohesh. Nëse partnerin e pëlqen që në fillim, ka shumë mundësi që nuk do ta pëlqesh nga fundi. Nëse e urren fillimisht, ka shumë të ngjarë që në fund të arrish në përfundimin se partneri yt është njeri për së mbari.’
Atë mbrëmje, tek ktheheshim me tren në Londër, e ndjeva veten të rraskapitur, të lodhur nga të gjitha ndryshimet që ekzistonin midis botës së hershme të Chloe-s dhe botës sime. Ndonëse ndodhitë dhe mjedisi i të kaluarës së saj më magjepsnin, në të njëjtën kohë ato ishin për mua të frikshme dhe të çuditshme; të gjitha vitet, normat që kishin qenë të sajat para se unë ta njihja, i përkisnin po aq shumë sa edhe forma e hundës dhe ngjyra e syve. Ndjeva një farë nostalgjie primitive për mjedisin tim të njohur, duke pranuar edhe plasaritjen që çdo marrëdhënie ka në vetvete – një person tërësisht i ri për t’u njohur, për t’ia sugjeruar vetes, për ta aklimatizuar me veten. Kalova ndoshta një moment frike tek kalova ndërmend të gjitha ndryshimet që do të hasja te Chloe, sa herë që ajo do të ishte diçka dhe unë një tjetër, sa herë që nuk do të ishte e mundur që pikëpamjet tona për botën të njësoheshin. Duke vështruar ngultas nga dritarja në drejtim të fshatrave në Wiltshire, ndjeva mallin e zjarrtë të një fëmije të humbur për dikë që tashmë e kuptoja shumë mirë, dhe që ekscentricitetin e shtëpisë, prindërve dhe ndodhive të saj, unë i kisha zbutur.
Përktheu: Aristidh Shqevi