More
    KreuOpinionJoachim Röhm: Kadare ka ruajtur integritetin dhe dinjitetin e letërsisë shqiptare ...

    Joachim Röhm: Kadare ka ruajtur integritetin dhe dinjitetin e letërsisë shqiptare gjatë komunizmit

    I ftuar nga botuesi Bujar Hudhri për të kontribuar në një numër special të revistës ExLibris kushtuar ditëlindjes së 85-të të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, pyes veten se çfarë do të ishte ajo që do të kisha për të thënë pikërisht unë, përkthyesi e veprave të tij në gjuhën gjermane për afro dyzet vjet. Mund të flisja për përvojat e fituara në përkthimin e një numri mjaft të madh të romaneve, novelave, tregimeve, eseve dhe poezive nga dora e tij, mund të tregoja për përshtypjet e mia nga takimet  e shumta që kishim gjatë asaj kohe të gjatë, me rast të aktiviteteve letrare në botën gjermanishtfolëse, të turneve leximi që kemi bërë bashkë në Gjermani, Austri dhe Zvicër, por edhe familiarisht. Mirëpo, hapësira që kam në dispozicion nuk mjafton aspak për të bërë diçka të tillë.

    Prandaj mendohem dhe i bëj vetes pyetjen: Sa i përket veprimtarisë së Ismail Kadaresë, çfarë është më e rëndësishmja, ajo që – nga kendveshtrimi im – duhet thënë patjetër? Dhe arrij në këtë përgjigje:

    Duke mos nënvleftësuar veprimtarinë e tij pas vitit 1992, mendoj se merita më e madhe e Ismail Kadaresë është ajo se me krijimtarinë e tij në kohën e errët të sundimit komunist ka mbrojtur dhe ruajtur integritetin dhe dinjitetin e letërsisë shqiptare.

    Jam i vetëdijshëm se këtu mund të hasem me kundërshtime. Është absolutisht legjitime të diskutohet për rolin dhe përgjegjësinë e krijuesve në regjimet totalitare. Por në qëndër të kesaj debate duhet të jetë krijimtaria e tyre. Sipas bindjes sime në thelb ka tre kategori krijuesish në sistemet totalitare: apologjetët e padenjë dhe palaçot oborri të regjimit, luftëtarët kokëkrisur të së vërtetës, të cilët zakonisht paguajnë shtrenjtë për guximin e tyre, dhe ata që arrijnë në një farë modus vivendi për të ruajtur kushtet për të vazhduar punën e tyre. Të parët nuk vlejnë as të përmenden, të dytët meritojnë gjithë respektin dhe dashurinë tonë, ndërsa të tretët mirëkuptimin tonë kritik: duhet të gjykohen pas veprave të tyre.

    Në kushtet e regjimit jashtëzakonisht të egër dhe shpirtlig komunist në Shqipëri, tani citoj veten, Ismail Kadareja është treguar absolutisht mospërfillës ndaj dogmës estetike zyrtare të realizmit komunist, duke krijuar vepra letrare me peshë botërore.

    Kjo nuk ishte aspak e lehtë. Për pushtetarët komunistë, realizmi socialist nuk ka qenë thjesht një teori letrare, një doktrinë midis doktrinave, por një armë vrastare në fushën e estetikës. Vazhdoj të citoj veten: Elemente përbërëse e një vepre prototipike të realizmit socialist janë denoncimi, ndjekja, diskriminimi, burgosja dhe shpesh herë edhe eliminimi fizik i të ashtuquajtur “armiqve të klasës”; arsyetimi ose justifikimi i poshtërimit të skajshëm të një numri të madh njerëzish të pafajshëm vetëm për shkak të rrethanave të tyre familjare, botëkuptimore, seksuale e kështu më radhë, të cilëve u mohoheshin të drejtat elementare e njeriut; thjeshtëzimi deri në karikaturë të marrëdhënieve shoqërore (o mik, o armik); etablimi i urrejtjes si element baze i shoqërisë dhe politikës edhe në letërsi; justifikimi i një diktature të përgjakshme të një pjese të popullsisë mbi tjetrën (në teori) gjegjsisht të (udhëheqësve të) partisë mbi gjithë popullsinë (në praktikë), e të tjerë.

    Pra, mospërfillja ndaj kësaj doktrine përbënte një sfidë ndaj regjimit komunist. Ismael Kadareja, duke mos lejuar që hija e dogmës komuniste t’ia errësonte veprën, i ka provuar botës që letërsia shqiptare ishte në gjendje t’i bënte ballë diktaturës totalitare dhe meritonte një vend të nderuar në tempullin e letërsisë ndërkombëtare. Kjo nuk është pak.

    Urime për ditëlindjen e 85-të dhe një jetë të gjatë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË