More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAbsurdi i politikës në vëllimin “Prill i hidhur” të poetit Bardhyl...

    Absurdi i politikës në vëllimin “Prill i hidhur” të poetit Bardhyl Londo

    nga Kujtim Mateli

    Poezia e Bardhyl Londos ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e lexuesit, jo vetëm për librat që ka shkruar në këto vitet e fundit, por për krejt krijimtarinë e tij. Lexuesi dhe kritika letrare kanë qenë vazhdimisht të interesuar. Tashmë kemi nëpër duar librin e tij më të fundit poetik “Prill i hidhur”, hedhur në treg nga Shtëpia Botuese “Onufri”.

    Poezia e Bardhyl Londos është realiteti në të cilin jetojmë, realiteti që prekim dhe e përjetojmë çdo ditë, prej të cilit provojmë gëzimet apo hidhërimet, është realiteti i botës shqiptare që ne trashëgojmë nga njëri brez në tjetrin, me shpresën dhe dëshirën për ta ndryshuar në të mirë të familjes dhe të shoqërisë sonë, por jo kurdoherë kemi arritur atë që kemi dëshiruar. Shkrimtarët dhe artistët kërkojnë ta pasqyrojnë në veprat e tyre për të komunikuar natyrshëm me brezin e tyre, por dhe për brezat që vijnë. Ndërsa shumë autorë realitetin shqiptar e kthejnë në vepra artistike duke u pozicionuar nga një pikë kulmore e kategorisë estetike të së madhërishmes, Bardhyl Londo është pozicionuar në krahun e kundërt të kësaj pike, nga ku vështron shoqërinë shqiptare që, në një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të saj, është endur brenda rrathëve pa dalje të absurdit. Që në fillimet e krijimtarisë së tij, ndërsa shumë shkrimtarë dhe artistë shikonin suksese dhe parada suksesesh, Bardhyl Londo shikonte absurditetin e politikës së kohës, paradoksin e këtyre sukseseve.

    Kjo prirje e tij për të depërtuar në thellësi të fenomeneve të shoqërisë, e bëri poetin Bardhyl Londo, që në fillimet e krijimtarisë së tij, mik të lexuesit të zakonshëm dhe të padëshiruar për pushtetin e kohës. Ky libër është një arritje e kësaj prirjeje artistike e cila zbulon se qenia njerëzore, kur ndjen rrezikun e ekzistecës së vet, futet për t`u mbrojtur në rrathët e absurdit: “qesh kur duhet të qajë, duartroket kur duhej të protestonte.”

    Ky pozicionim i autorit ka ardhur natyrshëm për të parë ato dukuri shoqërore dhe politike që nuk e lartësojnë shoqërinë shqiptare, madje e vendosin në kuota që asnjë shqiptar nuk do t`i dëshironte. Për t`i pasqyruar artistikisht këto dukuri të shoqërisë sonë, autori ka sjellë dy figura të njohura historike: Gjergj Kastriotin dhe Hamza Kastriotin. Deri më sot i kemi parë si dy figura të kundërta që e përjashtojnë njëra-tjetrën. Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar ka frymëzuar të gjithë brezat nga koha e tij deri në ditët e sotme, kurse Hamza Kastrioti përfaqëson figurën e tradhtarit me emrin e të cilit janë damkosur të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me pushtuesit.

    Absurdi i parë

    Te poezia “Skënderbeu” jepen përmasat e tij reale si figurë historike. Përballë kësaj figure madhore, ne pasardhësit e tij, ishim të rrënuar ekonomikisht dhe fizikisht, qenia jonë ishte e drobitur, kurse shpirtërisht ndodhej në mjegullnajën e netëve mitologjike.

    Në këtë hapësirë gjeografike dhe shpirtërore të atdheut tonë, poeti zbardh paradoksin që ekzistonte në jetët tona.  Në vend që të ishim vazhdimësia e Heroit tonë, ishim kthyer e kundërta e tij. Absurdi përcaktonte ekzistencën tonë fizike, i kishte dhënë formë botës sonë shpirtërore.

    Në sheshe, stadiume apo tribuna e kishim vendosur statujën e heroit tonë jo për të lartësuar historinë tonë kombëtare, por për veten tonë. Historia ishte rrudhur deri në skajin më fundor, aty ku ndodheshe Ti dhe Unë. Sa më lart në shkallët e pushtetit, aq më e madhe hipokrizia. Ishim qenie fatkeqe që lëviznim brenda rrathëve të absurdit për t`u bërë të famshëm nga mundësia që kishim për të qenë sa më pranë Heroit në mitingje apo kuvende. Sa më shumë na jepej mundësia për të qenë pranë bustit të Heroit tonë Kombëtar, aq më i shpërfyturuar dukej portreti  fizik dhe moral.

     Nga busti i heroit kumtohej për publikun bashkimi, kurse nga klounët e tribunave kumtohej përçarja nëpërmjet luftës së klasave.

    Nga  busti i heroit kumtohej dashuria për njëri-tjetrin, kurse nga klounët e tribunave kumtohej urrejtja klasore.

    Nga  busti i heroit kumtohej mirësia për njëri-tjetrin, kurse nga klounët e tribunave përbuzja klasore. Ligjërues dhe dëgjues, në të njëjtin mjedis: të ndarë në të mirë dhe të këqij, në atdhetarë dhe tradhëtarë, në komunistë e kulakë.  Ecnim bashkërisht brenda rrathëve të mjerë të absurdit: dikush kokëlartë për merita që nuk i meritonte, dikush kokëluar për faje të pabëra. Si shenjë besnikërie për popullin e vet, klounët e rregjimit përdornin figurën e Heroit tonë Kombëtar:

    “Të thurnim këngë./ Në të vërtetë,/ i bënim hosanara vetes,/ mezi prisnim përvjetorët e tu/ që të lartësonim deri në qiell veten.”

    Ky rit vazhdon ende edhe sot. Në forma të ndryshme, ëndërrojmë që t`i afrohen figurës së Skënderbeut, por ndodhen shumë larg prej tij.

    Poezia “Skënderbeu” e Bardhyl Londos ka origjinalitet të spikatur që e dallon qartë nga dy mijë krijimet artistike dhe veprat e artit që janë krijuar për të deri në ditët e sotme, të cilat e kanë vlerësuar si simbol i qëndresës dhe i lirisë. Poeti duke e vlerësuar figurën e tij madhore na jep raportet e tij me pasardhësit e vet të trojeve arbërore deri në ditët e sotme.

    Pasardhësit e tij, fatkeqësisht, duke iu shmangur cilësive të tij të larta në disa segmente kohore të historisë sonë, kanë rrëshqitur në vorbullën e absurdit duke e zëvendësuar qëndresën skënderbejane me nënshtrimin, kurse lirinë me robërinë, edhe kur popujt e tjerë të Ballkanit u shkëputën nga perandoria otomane.

    Edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, absurditeti shqiptar u thellua më tej duke e parë përçarjen nëpërmjet luftës së klasave, si bashkim. Ky absurditet, ende vazhdon në ditët e sotme, ndonëse shoqëria shqiptare ka bërë shumë për të dalë nga vorbullat e absurditetit duke ecur drejt rrjedhave normale të bashkësisë evropiane. Mirëpo segmentet kohorë të absurdit në historinë dhe jetën e një populli janë segmente të vdekur ku shoqëria ka ngecur në vend. Segmentet kohorë të absurdit, në historinë e popullit shqiptar, janë më të shumtë se ç`mund të prodhojë jeta reale njerëzore. Poezia e Bardhyl Londos është thirrje që shoqëria shqiptare të mos e përsërisë kurrë të shkuarën e saj të hidhur.

    Absurdi i dytë

    Poezia “Hamza Kastrioti” është një tjetër poezi ku shpaloset absurdi që ekziston në shoqërinë shqiptare. Hamza Kastrioti, nipi i Heroit tonë Kombëtar, ka përfaqësuar tradhëtarin, njeriun e pabesë që ka bashkëpunuar me pushtuesit osman kundër Skënderbeut, për t`u bërë trashëgues i fronit dhe vasal i pushtuesit.  Me këtë imazh u edukuan brezat deri në ditët tona për të damkosur tradhëtarët, sa herë ata shfaqeshin në krahë të pushtuesit apo bashkë me pushtuesin kundër vendit të tyre:

    “Herë na shfaqeshe/ si qen i ngordhur në Sfetigrad,/ herë vërtiteshe si fantazmë e frikshme/ në kalanë e Beratit,/por asnjëherë askujt s`i the një fjalë.”

    Po absurdi qëndron në faktin se sa herë, kur dikush kërkonte të rrëzonte dikë për t`u ngjitur në vend të tij, bëhej edhe ai vetë Hamza. Periudha e diktaturës është e mbushur me shembuj se si ai që indentifikohej me Skënderbeun, i shihte ata që i kishte në oborrin  e vet  si hije të Hamza Kastriotit apo dhe vetë Hamzain. Pak nga pak kjo ndjenjë se kishte rrotull një Hamza që përpiqej t`i rrëmbente fronin u shtri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, nga qendra në rreth, si dhe nga rrethi në bazë, pra në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë. Kryeqyteti, qytetet dhe fshatrat kishin Hamzain e tyre. Hamza ishte cilido që shihej i mundshëm të zëvendësonte në fron të parin e njësisë administrative:

    “Vonë e kuptuam:/ duke u marrë me hijen tënde,/ ne merreshim me veten.”  Absurditeti i të marrit me veten vazhdon deri në ditët e sotme. Absurditeti se në shoqërinë shqiptare do të ketë kurdoherë një Skënderbe dhe një Hamza dhe në veçanti në politikë, ka bërë që ndërrimin e qeverisjes në ditët e sotme ta shohin jo si alternativë që ta jep demokracia, por si forca e dhunës dhe për këtë kërkojnë dhe ndihmën e kancelarive të huaja.

     “ Vonë e kuptuam,/ti ishe vetë ne,/ne ishim ti.”  Të kuptuarit e demokracisë në mënyrë absurde, të kuptuarit e demokracisë si raport Skënderbe-Hamza, ka bërë që ata që i shembëllenin Hamzait të ishin të shumtë në shoqërinë shqiptare:

    “Emri yt, më i madh se zjarri/ që shkrumboi Bibliotekën e Aleksandrisë,/ na digjte të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.”

    Edhe sot, poezia “Hamza Kastrioti” vazhdon të jetë guri i rëndë në qafën e politikës shqiptare.

    Absurdi i tretë

    Absurdi i tretë qëndron ndaj atyre që dhanë jetën për atdheun. Për princat, rapsodët ngrinin këngë. Ngriheshin varre madhështorë, kurse monumentet lartësoheshin buzë rrugëve kryesore. Mijëra të rënë në fushë të betejës përmblidheshin nën emrin e përbashkët: “ata”. Ata që ndalën me gjokset e tyre sulmet e armiqve. Po ku janë ata? Mbetën brinjave të maleve nën akullin e ftohtë të dimrave apo luginave të lulëzuara ku s`gjendet një dorë t`u vendosë një tufë me lule mbi krye. Kujtohemi për ta kur ecim grykave të ngushta të luginave:

    “të vetmuar në muzgun e vonë,/ një nga eshtrat tuaja ndodh të dalë nga toka,/ një eshtër çengel të varim ndërgjegjen tonë.”

    Po absurdi i kapërcen kufijtë e vet dhe në një marramendje kolektive bëhemi të gjithë pjellë e tij. Në vend që të ndërtojmë varreza për të rënët tanë, ndërtojmë varreza për të huajt, për pushtuesit, për vrasësit e të parëve tanë:

    “Dhe përralla vazhdon. E pamëshirshme, e hidhur./  Për ushtarët e huaj vëmë pllaka, ngremë lapidarë./  Vetëm ju dergjeni të huaj në tokën tuaj,/  Të heshtur, të pazëshëm si më parë.”

    Absurdi i katërt.

    Poezia “Një lumë mespërmes qytetit” tregon absurditetin e kohës që jetojmë. Mendimi ynë absurd, i shoqëruar nga veprime absurde, ka bërë që një lumë të shpërfytyrohet deri sa të humbasë identitetin e vet: tani lumi është kthyer në një kanal që mbart ujërat e zeza të qytetit. Tani lumi është tjetërsuar dhe:

     “… nuk figuron në asnjë hartë të botës/… nuk e përmend asnjë atlas gjeografik.”  Vetë ne, me duart tona dhe mendjen e ndryshkur, e kemi vrarë atë. E vrasim përditë sapo prek me kaltërsinë e tij periferinë e qytetit. Rrjedha e tij e kaltër njolloset e nxihet nga llumi i ndërgjegjes sonë. Tashmë, i vdekur dhe i kthyer në një kanal, askush nuk ka parë në rrjedhën e tij:

    “… qoftë dhe një lloj peshku/ që mund të gjallojë brenda tij,/ madje thonë se askush nuk ka parë/ qoftë dhe një bretkosë sykërcyer.”

    Absurditeti ynë ka bërë që ta vrasim nga pak përditë vetveten duke vrarë natyrën e bukur, shpresën tonë të ringjallur, besimin tonë që përtypet në nofullat e egra të absurdit. Nuk dimë të sillemi jo vetëm me njëri-tjetrin, por dhe me lumin e vetëm që kalonte dikur mepërmes qytetit tonë, i dehur nga bora e bardhë kur shkrinte majave të maleve. Ishte dikur, kurse sot është :

    “I dënuar të mos provojë delikatesën e një pulëbardhe/ Sipër trupit të tij ujor,/ Por vetëm pllaquritjet/ E minjve të gjirizeve.”

    Absurdi i kohës sonë. Në vend që syri i lodhur të çlodhej mbi valët e kaltra të valëve, zemë hundët me dorë dhe ndjekim njëri-tjetrin në vrapin e një të marri. E vramë lumin e vetëm të qytetit tonë për të përcjellë në brigjet e shekujve marrëzinë tonë kolektive dhe që nipat e mbesat tona në vend të krenarisë, do të ndjejnë keqardhje: Sa të paaftë! – do të thonë.

    Absurdi i pestë.

    Ndodh që në momente të caktuara e gjithë shoqëria të futet brenda rrathëve të absurdit, si një strehim ndaj një fatkeqësie që i ka ardhur së jashtmi. “Kovid 19”, kjo sëmundje që u përhap në çdo kontinent dhe nuk la pa prekur asnjë shtet të botës, i dha çdo populli fatkeqësi duke e mbyllur brenda në shtëpi një pjesë të mirë të kohës gjatë 24 orëve. Në këtë mbyllje globale, Shqipëria pati veçoritë e veta.

    Tek poezia “Qyteti i karantinës” është ndërprerë jeta njerëzore, më shumë të vdekur se sa të lindur: “Këtu rrugën e maternitetit e ngatërrojnë, të varrezave e gjejnë symbyllur.”

    Planetet kanë ndryshuar krahun e lëvizjes : “ Në këtë qytet, dielli lind më mbrëmje dhe perëndon në agim.”

    Liria e ka humbur kuptimin e saj si liri fizike e qenies njerëzore: “Këtu burgun e quajnë liri dhe lirinë burg.”

    Në këtë qytet, karantina i ka ngujuar brenda mureve të shtëpisë dhe dita nis ndryshe: “këtu flenë gjithë ditën, natën bëjnë punët e shtëpisë.”

    Kanë harruar ritet e besimit fetar: “ Këtu të krishterët falen në xhami, myslimanët në kishë.”

    Ky qytet i mbyllur në burgun e karantinës, ka ndryshuar natyrën e banorëve të saj: “Këtu çmendinën e kanë disko dhe diskon çmendinë.” “Këtu merren vesh me gjithë botën, njëri-tjetrin s`e kuptojnë kurrë.”

    Përfundim

    Vëllimi poetik “Prill i hidhur”, shënon një tjetër pikë kulmore në krijimtarinë e Bardhyl Londos prej nga ku vështrohet estetikisht realiteti shqiptar në të gjithë dimensionin e vet historik e kulturor, politik e shoqëror, shpirtëror e material, filozofik e fetar, prej nga ku përfitohen krijime poetike të një niveli të lartë artistik, ku secila prej tyre, me një bukuri të pashoqe, vrapon për të gjetur lexuesin e vet. Këmbëshpejta poezi e Bardhyl Londos është e kudondodhur: sa në çantën e emigrantit që lë aeroportin e Rinasit dhe mësyn qiejt e botës, aq dhe në katedrat e universiteteve ku profesorë dhe studentë zhyten në universin londian për të zbuluar misterin që e bën poezinë e tij kaq familjare me lexuesin. Shumë poetë komunikojnë me lexuesin nëpërmjet vëllimit poetik, kurse Londo komunikon me lexuesin nëpërmjet çdo poezie duke krijuar ura komunikimi që kanë mbetur dhe do të mbeten të përjetshme.

    Poezitë e Bardhyl Londos që lidhen me absurditetin e politikës shqiptare janë poezi që reflektojnë përjetime të thella të autorit mbi realitetin shqiptar, përjetime që i kanë shkaktuar dhimbje dhe zhgënjime gjatë gjithë jetës së tij. Ato nuk kapin vetëm harkun kohor të jetës së autorit, por shtrihen përgjatë gjithë historisë së popullit tonë, sidomos të këtyre dy shekujve të fundit. Ky përjetim i thellë dhe i gjithanshëm, ka bërë që nga pena e tij të dalin krijime brilante që i kanë dhënë letërsisë shqipe krijime të krahasueshme me perlat e letërsisë botërore, që janë bërë pjesë e strukturës së kësaj letërsie të këtyre dy shekujve të fundit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË