More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Primo Shllaku

    Poezi nga Primo Shllaku

    TË KAM DASHTË

    Të kam dashtë…
    Dashunia nuk ka të tashme.
    Dashunia nuk ka të ardhshme.
    Ajo ka vetëm të kaluemen.
    Të kam dashtë…

    Dashunia asht e lirë si dorë mbi ranë.
    Dashunia asht e verbët si dorë e zhvoshkun nga lkura.
    Dashunia asht e çmendun si dorë mbi mish.
    Dashunia vdes kur i mbarohen fjalët.
    Dashunia vdes kur i shërohen plagët.
    Dashunia fillon prap prej fillimit…

    Dashunia i beson të gjitha.
    Dashunia i shpreson të gjitha.
    Dashunia i “ha” të gjitha.
    Dashunia i fal të gjitha.
    Dashunia banon te duert…

    Të kam dashtë…
    Dashunia nuk ka të tashme.
    Dashunia nuk ka të ardhshme.
    Ajo ka vetëm të kaluemen.
    Të paskam dashtë, pra…

    Të kam dashtë
    Nji libër që lexova mbi erotikën mbas treqind faqesh përfundonte se dashunia nuk mund të përcaktohet, ajo vetëm mund të rrethohet dhe “t’i ngushtohet rrethimi”. Dashunia i ikë analizës dhe në çastin kur e përcakton, ajo s’asht ma ajo që the. Deshta me thanë edhe unë diçka dhe bana këtë poezi. Më duket se mosshtrimja e dashunisë në të gjithë aksin e kohës e sugjeron sadopak idenë se dashunia nuk ndalet për t’u kundrue si send. Ajo rrshqet dhe kur na kujtohemi për të, ajo mund të mos jetë ma e tashme ose prani.

    DASHNORË NËN SHI

    Gjoksi yt
    nji copë hanë.
    Gjijtë e tu
    dritë rrumbullake.
    Buzët e tua
    gur i kalbun.
    Sytë e tu
    ujë i gjallë.

    Dashnorë nën shi
    e trupat e tyne mbi rë
    atje ku dielli kurr s’prendon.
    Materia kndon e bame shpirt
    (o shpirti i bamë materie).
    E ç’randsi ka nëse ky zjarr
    drejt njoftjes na çon,
    por vete’ jeton në pezullim?
    1983

    Dashnorë nën shi
    Prap kthehem tek tema e Chagall-it. Edhe pse rrinë mbi qytet, ata janë nën shi. Transportimi i tyne asht i vjerguem, hedonizmi i tyne i pamundun. Ata kanë nji shkapërderdhje totale të pjesëve të trupit. Ata janë të shkompozuem. Por shkompozimi mund të jetë afër me dekompozimin. Diku trupi, diku shpirti. Ata vuejnë prej nji kurrkundsie që s’i lën me u realizue.
    Poeti mbahet te nji pozicion virtual, prej të cilit ai ka qejf të besojë se ata po e jetojnë epshin e rrallë të dashunisë. Edhe drama, edhe knaqsitë jetojnë vetëm te poeti. Kurse ata vetë për vete jetojnë vetëm nji pezullim.

    DASHUNIA FILLON PREJ GJYSMËS

    Gjaku yt duhet të ishte kohë
    dhe koha jote duhet të ishte zemër.
    Ti më dhe aq pak,
    prandej unë jetova kaq pak.
    Nëpër pyllin me pemët e ditës
    drujt ishin hija
    dhe kujtimi
    ose KUJTIMI
    nji variçe në qiellin tim.
    E përse duhet të vdes?
    Ndër kodra bari asht i naltë.
    Vetëm ti je e pavdekshme,
    si gurët, si malet,
    si monotonia e stinëve.
    Do të vish, do të ikësh.
    Ti do të kesh kambë të kuqe,
    kpucë të bardha.
    Ah, ta kisha edhe unë nji ijë prej gize!
    Ti që në jetën time u fute
    gjanë e gjatë,
    si damar lagshtine
    në nji mur prej ashti.
    Ti e pavdekshme
    e unë nji ditë do të vdes
    s’e di se si
    s’e di se pse
    s’e di se sa
    e syni im
    qysh tash
    shtërzen nji lot të fortë
    si breshën.
    1984

    Dashunia fillon prej gjysmës
    Ky rast nuk asht shum tranparent. Në dashuni janë dy që ofrohen. Pra, matematikisht e shprehun, nji dashuni për dy vetë. Secili formon nga nji gjysmë dashunie. Poqese njeni e dashunon tjetrin në kulm e tjetri nuk e dashunon tjetrin hiç, atëherë dashunia nuk realizohet. Pra edhe pesëdhjetëpërqindshi, pra gjysma, nuk mjafton. Matematikisht i shprehun ky rast, prej njishit deri te pesëdhjeta shtrihet zeroja. Vetëm mbas 50 fillon dashunia të jetë. Kjo poezi shkruhet në zonën prej 1 deri te 50. Ndoshta ktu kemi të bajmë me nji lloj të ri narcizizmi ku subjekti nuk ndjen dashuni për veten, por dhimbje. Kujtimi a KUJTIMl, ija prej gize që dëshirohet, por që s’asht, loti i fort si breshni.

    KUSH PO TË PUTH

    ex-voto simbas Baudelaire-it

    Ndigjo:
    “Dhe ajo shum e dashuna
    që qejfin ma di…”
    Goja vret gojën.
    Fjalët mbysin fjalët.
    Trupi yt kitarë nën sqetullën time.
    Koka ime shtamë për etjen tande.

    Ndigjo të vazhdoj.

    Goja më ngurron, kujtohet,
    mandej…
    Duert ma gjejnë lkuren
    e trupi të ra kndej nga unë.

    Prit të vazhdoj. Ka prap.
    Dhe vetë i vazhdove vargjet që mbesin
    nën synin tim të shqetsuem prej pyetjes:

    Kë po puth ti? Poetin, mue apo veten tande?…

    1986

    Kush po të puth?
    Vazhdon kataliza e krijuesve të mdhej si faktorë universalë krijimi. Recitohen në nji seancë intime erotizmi vargje haulement erotikë të Charles Baudelaire-it. Mbas retiçencës vazhdojnë vargjet ose fjalët: Ishte krejt lakuriq e kishte mbajtë vetëm stolitë tringlluese. Akti konsumohet në vargjet 6-7. Në kso rastesh çastore, perdja hapet dhe të vërtetat vetojnë nji hop. Unë si të vërteta quej edhe ardhjen e kollajtë me formulue pyetje. Fjala eksiton.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË