Thanas Medi (1968) hyri në letërsinë shqipe në kohën kur bashkëmoshatarët e tij, shumica, po dilnin kokulur prej andej, ishin dorëzuar, kishin braktisur thurimat rinore për sukses letrar, për lavdi letrare ose ishin ambientuar për bukuri në mjedisin gala dhe galerinë e prototipave jetësorë-krijues që dikur e patën stigmatizuar, atakuar, shpërfillur. Duket sikur skena jonë kulturore të ofron këto dy mundësi, ose të pranohesh e të lakohesh si shkrimtar a artist i madh, pa e marrë mundimin të jesh ndonjëherë i tillë, pa qenë nevoja të merresh me letërsi e arte përkushtimisht, ose t’i kushtohesh artit, letërsisë si krijues origjinal, të jesh me to e për to në çdo orë të çdo dite të jetës tënde, dhe të kundrosh me nënqeshje kompetentët letrarë, burokracinë kulturore të Shqipërisë që sillet përqark vetvetes me zbulesa e shërbesa siç sillen qentë endacak rreth bishtit të tyre. Thanas Medi i takon asaj pakice që e kanë letërsinë qëndrore në qenien e tyre; nuk ushqehen prej letërsisë shqipe si psecialistë të saj, por e ushqejnë atë me vepra të reja, të vlera. Duke hyrë në moshë pjekur në letërsi, fjala e tij artistike, ashtu siç mund të pritej, ka peshë, saktësi dhe përgjegjësi gati testamentale.
E kam njohur Thanasin nga v.1987, njohjen si shkrimtar e nisa me “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” (2013); çdo libër fitues çmimesh të rëndësishëm tërheq vëmendje, aq më tëpër kur autori nuk është pjesë e salloneve dhe e paradhomave ku vendoset përkohësisht fati e fama disa orëshe e librave; nëpërmjet leximit pashë se autori përfaqësonte më shumë se veten në romanin e tij, përfaqësonte një brezni, një grup të caktuar etno-kulturor, dhe dy kohë, të shkuarën dhe të tashmen….
Statusi shoqëror i Thanas Medit është gërshetim rrethanash historike, mpleksje e fatit shekullor të një pjese arumunësh, me Shqipërinë e gjysmës së dytë të shek XX; filiz (si edhe ne të tjerët) i një shoqërie eksperimentale ku fillojnë e zbehen me program shtetëror, me propagandë e masa policore deri në zhbërje dallimet etnike, dallimet fetare, dallimet krahinore, dallimet ekonomike dhe klasat tradicionale; një besim po lulëzon në vend të besimeve fetare: komunizmi origjinal shqiptar, rregullat e tij origjinale, ligjet e tij, po ashtu origjinalë, të hartuar në mënyrë krijuese duke i dhënë fizionominë përkatëse jo vetëm strukturave shtetërore por çdo individi. Nuk synohet vetëm rend i ri shoqëror-politik, por edhe krijimi i njeriut të ri, pra – një inxhinieri komplekse gjenetike, nëse mund ta themi figurativisht. I vetmi autoritet moral e ligjor është Partia e Punës; vlera njerëzore që ta siguron jetesën e lehtë dhe mbijetesën si privilegj është partishmëria, shërbimi ndaj saj. Nuk ka tjetër kapital të ligjshëm veç përkatësisë në Parti e vendndodhjes në hierarkinë e saj, nuk ka njësi të besueshme vlerësimi veç saj; në krye të proceseve transformuese/historike është Partia, ajo ideon dhe përgatit deri në hollësi jetën shpirtërore e materiale të nënshtetasëve të saj; për rrjedhim kemi nomenklaturën politike, nga njëra anë dhe popullin nga ana tjetër, popullin e edukuar si krah i lirë pune për makinerinë dhe projektet shtetërore; popullin, i madh e i vogël si ushtar nën armë ose në rezervë për ta mbrojtur sistemin nga ndërhyrjet e jashtëme apo lëvizjet e mundëshme, të brendëshme.
Sqarimet e mësipërme socilogjike do të ishin të tepërta nëse nuk do të bëhej fjalë për romanet e deritashëm të Thanas Medit. Detyrohemi ta sjellim mozakiun e asaj të shkuare sepse ajo periudhë është bota lëndore e frymore e romaneve “Hija e mallkuar” (2011), “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” (2013), “Kohë e djegur” (2016) dhe “Valsi i një dasme fantazmë” (2019). Njeriun e asaj periudhe, mbrujtur nga inxhinieria totalitare e gjejmë në çdo faqe të romaneve të tij, qoftë si viktimë, qoftë si përgatitës e shkakrtar fatkeqësish. Edhe kur personazhet e tij zhvendosen në emigrim, në qytete e qyteza të Greqi, instinktivisht manifestojnë gjurmët e një mendësie, edukate e kulture të veçantë, të lartëpërmendur.
Kolonat mbi të cilat e ngrë eposin e tij Th. Medi, duken të njohura, të trajtuara në letërsinë shqipe, të paktën paradigma individ-shtet totalitar. Nuk është krejtësisht ashtu. Duke qenë admirues i fakteve të imëta jetësore, më tepër se sa ndjekës i modave moderne e eksperimentale shkrimore, Th. Medi sjell me ngjyra të gjalla njerëzit e zakonshëm dhe mendësinë autentike të epokës, kryesisht njerëzit e fshatit; mënyrën si ata flisnin, arsyetonin; mënyrën si hynin në debate e konflikte me njëri –tjetrin; mënyrën si përthithnin e rishpërndanin trillime e zezona për ‘armikun’; mënyrën si i shprehnin ndenjat e forta të dashurisë a të urrejtjes, të militanizmit politik, të nënshtrimit a të shfytyrimit. Në këtë pikëpamje, në katër romanet e Th. Medit kemi një enciklopedi vrojtimesh, dëshmish, sjelljesh e shprehjesh gjuhësore, të vleshme për t’u vjelë për studim nga ana anthropologjike. Por shkrimtari Th. Medi shkon më larg se kolegët e tij letrarë kur shkruan për socializmin shqiptar dhe njeriun përkatës: ai na bën të mendojmë se njeriu nuk është vetëm viktimë e sistemeve, por edhe mishërim i tyre, embrion i tyre; njeriu i përçudnon sistemet, u jep atyre ngjyra të reja e tonalitete shtesë nga fizionomia e tij shpirtërore; pra, nuk ishte ashtu koha, sistemi, siç thuhet rëndom, por ashtu ishin edhe njerëzit, pjesa përcaktuese e tyre, ashtu ishte natyra e tyre mentale e humane.
Nga tipologjia, poetika e romaneve të Th. Medit anon nga realizmi, nga realizmi kritik, në formën e vet më sublime, më lakonike. Historitë parashtrohen në një ekspozicion të qartë, ngjarjet shkojnë në rend të drejtë kronologjik nga episodi në episod, konfliket dramatike e kanë të dukshme nisjen si dhe pikën kulmore të përplasjes që është njëkohësisht edhe shthurja e saj duke i çuar personazhet qartësisht në caqet e tyre; personazhet karakterizohen hollisisht, nga pamja fizike, nga ligjërimi me nuanca të dallueshme, tipike, çka sjell vizatimin vëllimor të unit të tyre, ndonëse janë elementë të një shoqërie të standardizuar ku individualizmi dënohej si shfaqe mikro-borgjeze. Brenda poetikës të realizmit kritik, Th. Medi u jep penelata natyraliste disa personazheve të tij, atyre që shkojnë përtej sistemit për nga ligësia, brutaliteti, indoktrinimi, hipokrizia dhe tuhaflliku; ngjashëm me Emil Zolanë te Xherminal-i, ju vendos heronjve të tij për mbierma emra kafshësh (mushka) ose emra sendesh me tingëllime qesharake (sholla, çerepi, shëllira, zavalli, etj,) e kjo është gjetje efikase, mjet stigmatizues etik e estetik.
Nuk mund të ndrydhim në pak rreshta disa qindra faqe romanesh, por një hero heteronym që shfaqet nga vepra në vepër e ndjejmë. Ai është i afër për nga botëkuptimi dhe botëpërjetimi me autorin, si një vetje e tij fiksionale. Dhe heroi heteronim e jep me pak fjalë aksin dramatik/autorial: “Në vendet e huaja nuk kisha të tashme/Isha me kohë të djegur. (“Kohë e djegur”, f.247) ky mendoj se është filli që i ndërlidh si një libër I vetëm historitë e veçanta, të sistemuara në katër libra. Heroi autobiografik-fiksional ka ndjeshmëri dhe shprehi poeti lirik, ai ashtu I përshkruan çastet e tij më fatlume, në mënyrë poetike të strofëzuar, si më poshtë:
“Kërceu në këmbë. Dyllë në fytyrë/ sa s’i ra varomë për herë të dytë./ U takuam../ m’i dha t’ia shtërngoja sa të doja gishtrinjtë../ I la sytë të ngjiteshin me të mitë./ Sy të ndritshëm/ Të larë me lot/ Që frika i kishte bërë më të bukur nga ç’qenë”. (“Kohë e djegur”, f.278)
“E kisha dhe kur ajo u këput si kërcell nën mua,/ dhe kur putheshim sa mbeteshim pa frymë,/ dhe kur më kujtoi: kujdes mos më lësh shenjë,/ dhe kur më tha me zë të ngashëryer, më dhemb,/ dhe kur u ndez si zjarr bubulak,/ dhe kur u shua si pulëbardhë e vdekur në breg…/ dhe kur s’më mbeti mbeti veçse të rrëzohesha mënjanë..” (“Kohë..” f.172)
“Zbukuronte baltën ku hidhte këmbën, gardhin ku hidhte sytë (“Valsi…” f.10)
I përkthyer në rumanisht dhe i perceptuar me entusiazëm si shkrimtar i vllehëve shqiptarë e fatit të tyre historik, Th. Medi është romancier i dalluar i hapësirës sonë të përbashkët. Në Shqipëri nuk mund të vlejë vetëm për vllehët përcaktimi: “Muhaxhirë në vendin e tyre, të braktisur udhëve të fatit, si mes një deti me lotë, me pikëllim. (“Valsi..” f.9) Fatkeqësisht, është epitaf i përbashkët.
Lëvrimi i temave të së kaluarës nuk e largon shkrimtarin nga aktualiteti; fokusuar te bashkësia e tij e origjinës, ai afirmohet shkrimtar shqiptar, për nga vetëdija, për nga shprehja gjuhësore, për nga përjetimi: “Që të rrimë shtrembër e të flasim drejt, populli ynë i dashur nuk është aspak ashtu siç e gënjen veten e trumbetohet gjithandej, është thjeshtë frikacak… Ne ngjizemi me frikë që në mitrën e nënave tona, mëkohemi me frikë që në shpërgënj, rritemi me frikë, mendojmë me frikë, qeshim me frikë, qajmë me frikë, dashurojmë me frikë, dhjesim me frikë, rrojmë e vdesim me frikë. Frika e syrit që përgjon,, e veshit që dëgjon dhe e kërbaçit që ndëshkon, shoqëron në varr çdo shqiptar. Çdo njeri të këtij vendi, nga Konispoli në Vermosh. (“Kohë..” f.83)
Heroi heteronim i Thanas Medit, nuk është tribuni anti regjim, nuk është hero politik a kryengritës; i vetëdijshëm se u përket botëve në zhdukje, në vetëshkatërrim, ai është ushtar i dashurisë njerëzore, në kuptimin biologjik dhe estetik të fjalës. Heroi i tij kërkon fitore e vijimësi në kohë nëpërmjet lidhjes dashurore-martesore; kjo është A-ja dhe Zh-ja në abetaren e tij të jetës, unifikimi mishëror e shpirtëror me njeriun e adhuruar, me vajzën e dashur; këto caqe biologjiko-filozofike janë prologu dhe epilogu tragjik në epopenë gri të mosrealizimeve e dështimeve në dashuri e në jetë, në tokën e hijeve.