nga Skënder KARRIQI
Në esenë “Lexues tepër seriozë të botës, kini kujdes!”, nobelisti i vitit 1976 Saul Bellow, ndër të tjera, sjell detaje mbi profilin e njërit prej këtyre lexuesve tepër seriozë të botës: studentit që, pasi e kishte një mendim, pyet profesorin e vet se pse Akili e tërheq zvarrë Hektorin rreth mureve të Trojës. Duke nuhatur se studenti mund të kishte diçka përtej përgjigjes së rëndomtë që lidhej me zemërimin e Akilit, profesori i jep mundësi atij të shprehet, duke i thënë se pyetja që sapo bëri tingëllonte nxitëse dhe ia vlente të diskutohej. Kështu, profesori i dha udhë përgjigjes së vetë studentit, e cila, përtej zemërimit, veprimin e heroit tipik të periudhës heroike e motivonte me faktin se Iliada ishte plot me rrathë, mburoja, rrota qerresh dhe figura të tjera të rrumbullakta, duke e argumentuar mendimin e vet me referenca nga Platoni mbi rrathët dhe prirjen greke për gjeometri. Homeri,-shprehet studenti,-është përherë në nivelin e Platonit dhe, nëse Platoni ka atë mendim për rrathët, Homeri me siguri duhet të ketë përcjellë mendimin e vet, duke shpërfaqur të njëjtin mendim po aq bukur, rreth pas rrethi.
Në fakt Bellow, ky lexues tepër serioz dhe i kujdesshëm i botës, e çon mendimin tonë tek miti i verbërisë së Homerit, mit i cili, nga lexues joseriozë të botës, besohet si një fakt historik dhe biografik. Përtej këtij leximi të pakujdesshëm të botës, (mitit të verbërisë së Homerit në rastin tonë) Bellow na jep mundësinë të kuptojmë se ai, aedi antik ishte konceptuesi i parë i botës, në atë kuptim ideal absolut (gjeometrik, po deshët ju), të cilin Platoni do ta filozofonte shekuj më vonë, sigurisht, jo jashtë konsideratave për veprën e Homerit, e cila e shenjonte si një dominante, edhe filozofike, horizontin letrar dhe kulturor të kohës.
Për konceptuesin e parë të idesë absolute (Homerin) apo botës së ideve (Hegeli), miti mbi verbërinë legjitimon në botën euklidiane (tripërmasore) të vërtetën e sublimes homerike, e cila nuk është e vërteta e parë me sy, por e vërtëta konceptuale e asaj që kishte ndodhur 12 shekuj më parë, përndryshe, e vërteta sipërane, e kulluar prej mishërimeve tokësore. Pra, përtej faktit arketipal të verbërisë së Homerit, miti i tij legjitimon institucionin e aedit, i cili tejkalonte kohën dhe hapësirën e vet, për të qenë banor i gjithëkohësisë dhe gjithëhapësisë. Në këtë kuptim, të konsideruarit e verbërisë së Homerit si fakt historik dhe biografik shkakton keqkuptime (dramatike, siç thotë Kadareja për një rast që do ta shjellojmë më poshtë) në leximin serioz dhe të kujdesshëm të botës.
Në librin e tij “Dialog me Alain Bosquet”, Ismail Kadare, ndër të tjera, sjell edhe rastin e një lexuesi joserioz të botës, rast ky që ka të bëjë me një kritik francez, të cilit ai (I.K), kur jepte intervistën për Bosquet, nuk ia mbante mend emrin. Kritiku francez, pasi kishte lexuar romanin Dosja H dhe ishte tepër admirativ për veprën, në mënyrë tepër të sinqertë, shkruajti një artikull me titullin e gjatë: Kur është fjala për kombin e vet, Kadareja është po aq i verbër sa Homeri, duke shprehur në të keqardhjen për cenin nacionalist, që, sipas tij, ishte një dominante në romanin e sipërpërmendur. Duket qartë se kritiku francez, me premisë krahasimtare leximin e pakujdesshëm dhe joserioz të mitit të verbërisë homerike, bën një lexim tjetër të pakujdesshëm dhe joserioz në lidhje më romanin “Dosja H”. Dhe kështu, koncepti i tij për nacionalizmin është sa tokësor e i gabuar, aq edhe naiv, ballkanik e me shenja të kundërta kuptimore, sa, duke u shpjeguar në “Dialog me Bosquet”, Kadareja e quan atë një keqkuptim vërtet dramatik. Në fakt, siç edhe shpjegohet vetë autori i “Dosja H”, kur atij ia jep këtë mundësi Alain Bosquet përmes intervistës nacionalizëm nuk është kur e do fort popullin tënd, por kur nuk i do e nuk i duron dot popujt e tjerë. Kështu, në dialog e sipër, për ta mbrojtur nga lexues joseriozë dhe të pakujdesshëm të botës, qoftë ky edhe një kritik francez, admirativ dhe tepër i sinqertë, që boton në revista prestigjoze franceze, Kadaresë i duhet t’i bëjë një shërbim plus romanit të vet “Dosja H”, duke sqaruar për kritikun francez dhe për të gjithë lexuesit e mundshëm të pakujdesshëm konceptin e nacionalizmit në kundërvënie me patriotizmin.
Sipas një kronologjie, le të themi normale (Homeri, Platoni, Kadareja, Pamuku) duke abstraguar hapësirën shekullore ndërmjet antikëve dhe modernëve, nobelisti turk risjell në mënyrën e tij, por edhe në përputhje me faktin historik, motivin e verbërisë homerike ose, më mirë, hijen e tij, nëpërmjet romanit të mirënjohur Unë jam e kuqja. Ndër të tjera, aty nobelisti turk sjell edhe figurën e Kryemjeshtrit piktor të Oborrit Sulltanor që, përtej doktrinës së vet ikonoklaste, merr urdhërin e fshehtë për të realizuar portretin e Perandorit Romak sipas stilit perëndimor (joikonoklast). Në portretizim e sipër të Kryemjeshtrit të Oborrit Sulltanor, Pamuku e sheh tepër të arsyeshme dhe të domosdoshme të theksojë detaje të protokollit oborrtar të legjitimimit të titullit dhe statusit të Kryemjeshtrit oborrtar. Ishte i denjë për ta fituar këtë status ai piktor që, në përvojë e sipër, kishte arritur në nivelin e verbërisë, pothuajse natyrale. Sytë e tij ishin rudimentuar si shenjë e sigurt e marrëdhënies permanente jo me botën tokësore, këtë hapësirë të kufizuar euklidiane, ku ideja absolute mishërohej në gjësende dhe, për këtë arsye, në pasqyrim e sipër, duhet të perceptohej në mënyrë optike, e parë me sy dhe jo e menduar konceptualisht, si një ide absolute.
Kështu, shekull pas shekulli, miti i verbërisë homerike është rimarrë nga shkrimtarët, duke na sugjeruar alternativën sipërane të tij, si rrugën e sigurt për të arritur tek e vërteta e kulluar dhe për të shmangur një kuptim naiv apo, aq më keq, një keqkuptim vërtet dramatik, qoftë ky lexues joserioz edhe një kritik francez që, për fat të keq, beson në verbërinë faktike të aedit antik, Homerit.