More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSali Bashota: Alegoria e historisë dhe realitetit

    Sali Bashota: Alegoria e historisë dhe realitetit

    Hyrje

    Virion Graçi është i njohur me romanet: “Të çmendurit në parajsë”(1995), “Shpata e ndryshkur” (1999),”Bijtë e zotit majmun”(1999), “Babai në shi”(2000), ”Zonja pa emër” (2005), “Litari dhe lamtumira” (2011), “Stina e hijeve” (2014),”Djali memec” (2016), “Pëllumbat i vrasin natën” (2018), “Dead End”(2019) dhe “800 hapa larg Venerës” (2020).

    Romanet e Graçit e projektojnë qartë idenë, tematikën, domethënien e narracionit, strukturën e tekstit, perspektivën e konceptit të tij shkrimor, për të shenjuar identitetin letrar të një zhanri që në shekullin XXI, është paprijës i shumë proceseve shkrimore në universin letrar të krijimtarisë së autorëve në përgjithësi. Në fakt, profili krijues i këtij shkrimtari me ide krejt origjinale në prozën e sotme shqipe, pa dyshim, e fuqizon më tutje konstatimin për vlerat letrare dhe estetike të letërsisë së tij.

    Virion Graçi me romanet e tij ka arritur të sistemojë një vetëdije të re shkrimore në prozën e sotme shqipe. Për ta kuptuar thelbin e romaneve të Graçit, gjithsesi, është e rëndësishme të njihen shtresat shumëkuptimore të prozës së tij. Natyrisht, mund të dallohen veçoritë tematiko-motivore, struktura narrative, stili, gjuha, etj., të cilat e favorizojnë perceptimin e referencave të besueshme kritike se romanet e Virion Graçit, në përgjithësi e sajojnë aventurën e procedeut krijues, të ndodhur midis fahut realist, modernist dhe postmodernist. Shpjegimet e mëtutjeshme  e dëshmojnë këtë fakticitet letrar, të realizuar në laboratorin e tij krijues.

    Arketipi  ëndrrës së pambaruar

    Romani “Pëllumbat i vrasin natën” i Virion Graçit, ndërtohet përmes shtresave të veçanta kuptimore dhe narrative. Këto shtresa kuptimore e krijojnë paralojën e rrëfimit, duke u mbështetur në disa principe të së ndodhurës. Në planin e ideve, këto shtresa vetvetiu bëhen fiksion e metafiksion, bashkë me të papriturën, të pabesueshmen dhe të panjohuren, për të vazhduar më tutje, pikërisht me lojën simbolike të referencave apo gjetjeve ironike, duke  funksionalizuar intertekstin si dëshmi për atë çka ka ndodhur apo sikur do të ndodhte tani apo më vonë. Mbase ky do të ishte në njëfarë forme vetë relacioni  midis koshiencës dhe subkoshiencës, në praninë ose në mospraninë e atyre botëpërceptimeve që i përkasin fantazisë dhe realitetit, natyrisht me përfshirjen dokumentare të faktit historik.

    Me romanin “Pëllumbat i vrasin natën” , Viron Graçi ka ndërtuar sistemin e shenjave narrative dhe figurative, përmes arketipit të një ëndrreje të pambaruar, të fokusuar në botën e realitetit për t’i kapërthurur fijet e dramës shpirtërore të personazhit, në një kohë dhe në një hapësirë të përcaktuar për rrëfim, mbase përmes trillimit apo shpjegimit të trillimit deri te përcaktimi i modelit mbizotërues si kujtim i së kaluarës, në të sotmen e sprovuar. Nga ky pikëshikim, filli i romanit paralajmëron komunikimin e dyfishtë, pra kodin e dyfishtë, që në fakt është veçori karakterizuese e postmodernizmit: “Neta ishte në ballkon duke dëgjuar pëllumbat”. Unë, si zakonisht, isha duke fshirë këpucët ushtarake të tim eti, kur ra telefoni fiks. Nuk e ngrita telefonin t’i thosha…”

    Përfytyrimi dhe shpërfytyrimi i realitetit ekzistues si paranojë, e fuqizon dimensionin e habisë dhe të dëshpërimit me kumtin e imazhit të sforcuar nga intensiteti ideoemocional i zërit të rrëfimtarit, i cili e prodhon situatën pikërisht nga çasti i lumturisë (“Neta ishte në ballkon duke i dëgjuar pëllumbat”), për të vazhduar më tutje në dekompozimin e raportit midis ëndrrës dhe realitetit, aty ku fuqizohet ironia, alegoria, paradoksi, sarkazma, si dhe temë-dilema çka do të ndodhë më tutje, nga ato fanitje të riprodhuara në botën e personazhit, nisur nga përshkrimi i faktit se koha e sundimit dhe detajet e së kaluarës hedhin dritë mbi fabulën kryesore të romanit, për ta fuqizuar praninë e paralelizmit figurativ midis dy kohëve, midis dy realiteteve, pastaj përbrenda gjendjeve shpirtërore të personazheve, në pikëvështrim me imazhin iluzor të ekzistencës apo për ta kuptuar esencën e mesazhit dhe moralin e një shoqërie njerëzore.

    Virion Graçi është njëri ndër prozatorët më të shquar në prozën e sotme shqipe, i cili e faktorizon dokumentaritetin  e së kaluarës me realitetin e përditshëm shqiptar, prandaj procedimi narrativ, figurativ dhe stilistik në këtë roman bazohet në ndjesinë e poetikës së përveçme. Argumentimi më i saktë, mund të paraqitej në rrafshin semiologjik: gjysmëvëllai, këpucët, flamujt e bardhë, pastaj përbrenda konvencionit kohor: fundviti ’91, si dhe në projeksionin e besueshëm narrativ midis reales e imagjinares, rubrika: koha për të folur. Këto janë vetëm disa pika referimi të narracionit, filluar nga shenjat e kombinimit dokumentar e të përvojës jetësore midis situatave dhe veprimeve, që e formësojnë përfytyrimin mbizotërues të tematikës kryesore në romanin “Pëllumbat i vrasin natës”.

    Kodi i dyfishtë që e funksionalizon dimensionin poetik e figurativ të esencave të romanit karakterizohet edhe me përbërës të tjerë, të cilët e karakterizojnë fabulën e romanit, siç janë: fijet e këputura të kujtimeve, soditjet gratis, shumimi i ëndrrave, punishtja e ëndrrave optimiste, etj. Nga ky princip narrativ, strukturohet bota dhe vizioni i personazheve drejt zbërthimit të një periudhe të ekzistimit të qenies njerëzore e kombëtare, ku ideologjia dhe përkrahësit e saj përfytyrohen përbrenda një kornize konceptuale të sistemit që e përkufizon lirinë, sipas masës së tyre.

    Kujtesa historike si alegori

    Po kështu, romani i Virion Graçit, është roman i qartësimit të situatave narrative në kontekstin letrar dhe estetik. Narratori e formëson shtratin tematik të ngjarjes, i ndikuar nga pozicioni dhe perspektiva e Netës. Për më tepër, Neta e shpalos historinë e jetës, të dashurisë, por edhe të vdekjes, për të ndërtuar aktin e frikës e të torturës deri në shformësimin e pamjeve dhe paranojave që mbindërtohen për të, si dhe në iluzionin e personazheve të tjera.

    Kësomënyre, kodi narrativ i romanit shpërfaqet në relacionin midis narratorit, Netës dhe Vegimit, për të saktësuar kohën e përshtatshme për intrigë dhe veprim. Ky është pikëshikimi psikologjik nga fillon  thurja dhe të shthurja e dramës shpirtërore të personazheve dhe shkallë-shkallë formësohet konceptimi i tërësishëm i filozofisë së romanit.

    Në strukturën e romanit ndërtohen një varg e vistër detajesh, situatash, ngjarjesh, monologësh, dialogësh, etj., siç janë: prania e halucinacionit, torturat ndaj Bekimit, portretizimi i Netës, pastaj sfondi vijues narrativ: burri i pushkatuar dhe fëmija e braktisur, krimet politike për interesat e klasës sunduese, ora e edukimit, shpëlarja e trurit, ironia e imagjinatës së shëndetshme krijuese, etj., sa që në rrafshin e kërkimit të intrigës romanore, ekzistenca kolektive projektohet përbrenda  një realiteti social, kulturor, politik, i cili e prodhon paradoksalitetin dhe absurditetin e intelektualit: “burri i Netës-armik, ajo-vejusha e armikut, foshnja-djali i armikut”.

    Përshkrimi i ambientit të figurshëm është esenca e zbulimit të vërtetësisë së ndodhur, meqë  Neta tipizohet si grua me kujtesë të gjymtuar, prandaj  i vetmi ngushëllim i saj, është kujdesi për pëllumbat në ballkon, ndërkaq Djali i Braktisur, pra Vegimi, i përmbahet kërkesës për ta shpjeguar deri në fund misterin e pushkatimit të babait dhe gjetjen e eshtrave të tij.

    Prova  e së vërtetës funksionalizohet përbrenda situatave të përzishme në roman. Për të shpjeguar dhe konkretizuar domethënien e tekstit narrativ, paragjykohej çuditërisht modeli i shpifur me epitetin armiku i popullit: burri (Bekimi), gruaja (Neta) dhe djali (Vegimi), të cilët simbolizojnë kohën dhe hapësirën, bashkë me aktantet e tyre, duke shpalosur kujtesën historike dhe fatin e nëmur të brezave të ndryshëm të shoqërisë shqiptare, si në diktaturë, po ashtu edhe  në postdiktaturë.

    Romani “Pëllumbat i vrasin natën” tregon qartë për atdheun e shkrimtarit, i cili përfytyrohet dhe shpërfytyrohet në dy pamje: shpjegimi narrativ i një realiteti të përjetuar si një ëndërr e keqe, pastaj fati tragjik i njeriut, i cili ballafaqohej me diktaturën nëpër udhën e procesit të zbërthimit të kësaj drame shpirtërore, e cila strukturohet përbrenda trekëndëshit: nëna (Neta), babai (Bekimi) dhe i biri (Vegimi). Kjo është substanca nga zbërthehen detajet, situatat dhe  të ndodhura në këtë roman.

    Dashuria fatkeqe prodhohet nga kurthi i torturave dhe masa e një ideologjie, duke krijuar dashurinë e imponuar në një rend të ri psikologjik të torturës shpirtërore dhe të një diktati sistematik e të imponueshëm. Intriga e rrëfimit sikur e zhvesh mitologjinë e një dashurie, duke  këpur përgjysmë zgjedhjen e saj (Neta dhe Bekimi) dhe  duke krijuar një dashuri artificiale (Neta dhe Metani). Në roman nguliten dhe funksionalizohen dy shtresa semantike e figurative të gjendjeve dhe veprimeve të personazheve.  E para, është  iluzioni si metafiksion dhe e dyta, është  faksioni si dokumentaritet. Midis të dyjave, shpërthejnë herë ironia, herë alegoria, në relacionin narrativ dhe kuptimor, pikërisht në pozicionin e kombinuar narrative: dhënie-marrje dhe anasjelltas.

    Virion Graçi e tematizon dhe problematizon dokumentaritetin përmes formave të thjeshta të epikës, duke  ndërtuar metarrëfimin për realitetin, dukuritë, fenomenet, ekzistencën, jetën, dashurinë, fatin, torturën, vdekjen. Në procesin e krijimit të situatave kundërthënëse, personazhi i njohur si Djali i Braktisur (Vegimi), bëhet shenjë identifikuese në funksionalizimin e porosisë së romanit. Kapërthurja e reales strukturohet pikërisht përbrenda këtij dimensioni të idesë kryesore të romanit, meqë thelbi i zbërthimit të situatave dhe ngjarjeve, i nënshtrohet procesit të kapërcimit të botëkuptimit në botëpërjetim, pastaj pikëpjekjes së dokumentaritetit me realitetin, duke zgjeruar kufijtë e imagjinares përtej kohës së përjetuar, madje si absurditet dhe si alegori narrative.

    Gjetja e eshtrave të babait për Vegimin, është fundi i tragjicitetit në këtë roman. Këtu zbërthehet çasti i një drame shpirtërore gati për një gjysmëshekull. Klithja e Vegimit: “Ba, i thashë, jam djali yt, jam Vegimi, vegimi jam vegimi yt”, dëshmon për një tipar tjetër karakterizues në prozën e Virion Graçit, siç është biseda me të vdekurit. Këto shenja të dhimbshshme në relacionin babë-bir, tashmë e përmbyllin gjendjen dhe veprimin e personazhit. Poenta qëndron tek testamenti i kujtesës, para së gjithash, tek akti i zbulimit të eshtrave të Bekim Butinës, i cili shkruante poezi për dashurinë dhe për trishtimin e liqenit. Gjithsesi, përfundimi qëndron  edhe tek morali dhe tek mendësia e postdiktaturës.

    Virion Graçi e ka shkruar këtë roman, duke fuqizuar dimensionin dhe domethënien e një kujtese dokumentare, mbase edhe ngjashmërinë me njerëzit realë, të cilat në vetvete e formësojnë ironinë e një kohe dhe të një diktature nën ombrellën e së cilës përcaktohej ekzistenca dhe fati i njeriut. Proceset e jetës të kushtëzuara ideologjikisht, nuk e kanë frymën e vet autentike, prandaj është e arsyeshme përmbysja e rrjedhës dydimensionale të ngjarjeve dhe veprimeve, për të arritur deri te efekti letrar dhe estetik.

    Në romanin “Pëllumbat i vrasin natën”, vija tjetër narrative, e cila konceptohet midis Netës dhe Metanit, e projekton metafiksionin historiografik (term i Linda Hutcheon), për të ndërtuar një rend të ri të përjetimit të lumturisë, duke kujtuar fatkeqësinë e ndodhur, pastaj të përfytyruar në botën e ndërlikuar shpirtërore të Netës, gjithsesi, një realitet i imponueshëm, i cili në mënyrë ironike shëmbëllen me kontekstualizimin e figurës simbolike të pëllumbave në rrjedhën e ngjarjeve përbrenda romanit. Prandaj, këtu sprova e dashurisë së vetëzgjedhur shndërrohet në provë të dashurisë së imponuar. Kjo prani kundërthënëse në strukturën e romanit “Pëllumbat i vrasin natën”, shenjat e veçanta i funksionalizohen në kuadër të kohës dhe hapësirës së caktuar, pikërisht përmes dy atributeve-simbole, që sjellin të panjohuren dhe kobin (nata dhe vrasja) dhe me një shenjë-simbol që nënkuptohet përmes konceptimit të lumturisë (pëllumbat). Kujtesa e fikur me dëshirë, është raport problematizues i rrëfimeve dhe ngjarjeve në rrjedhën e romanit. Është pra, kujtesa e fikur e Netës, si shenjim i shqiptimit të dramës shpirtërore në variantet e saj

    Virion Graçi në romanin “Pëllumbat i vrasin natën”, ka arritur t’i paraqesë me një invencion të rrallë, në radhë të parë, kujtesën historike si alegori dhe  përvojën jetësore si ironi, duke i thyer konvencat e mentaliteteve të shoqërisë, kryesisht  përmes distancës kritike. Ky roman mbase mund të përkufizohet s me emërtimin roman i personazhit, në të cilin diktatura bëhet referim i një kohe të ndërlidhur me mëkatin dhe i një ambienti të ndërlidhur me torturën. Kësisoj, mëkati i pabërë dhe tortura e ndodhur, e zbulojnë aventuër narrative të procesit shkrimor të romanit, që nga fillimi deri te përmbyllja e thurjes së ngjarjeve dhe veprimeve.

    Romanet e tilla, sikur romani “Pëllumbat i vrasin natën”, i Virion  Graçit, me ndjenjën e shkëlqyer të receptimit, ofrojnë përgjigje të qarta dhe të sakta se veprat me shenjëzime të tilla letrare, kulturore, estetike, etj.,  jo vetëm që e pasurojnë një letërsi kombëtare, por pa dyshim bëhen edhe pikë referimi për zhvillimin e saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË